Gjyslyme Dervishi, gruaja e ish-ministrit të Arsimit, Hilmi Leka:
nga pushkatimi i të shoqit, në burgun e Shkodrës
nga Meri Lalaj
.
Kalvari i jetës së ish-nxënëses së Institutit “Nana Mbretneshë”,
bashkëshortja e ish-ministrit të Arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës,
Hilmi Leka i cili u pushkatua në moshën 31-vjeçare
pas Gjyqit Special të 14 prillit 1945.
Shtatë vitet e burgut si “agjente e imperializmit amerikan”,
më tej internimi po edhe burgosja e të birit.
.
Gjyslyme Dervishi së pari ndoqi mësimet në Shkollën Amerikane të Vajzave në Kavajë. Me mbarimin e kësaj shkolle, ajo vijoi të studionte në institutin femnor “Nana Mbretneshë”. Ishte një nxënëse shumë e mirë në mësime, e gjithashtu merrte pjesë në të gjitha veprimtaritë artistike të Institutit. Gjyslymja i përfundoi mësimet e kësaj shkolle në verën e vitit 1936. Ajo punoi për një vit mësuese në Shkollën Tregtare të Vlorës, pastaj shkoi për studime në Romë për Gjuhë dhe Letërsi, por i la studimet përgjysmë, mbasi u njoh dhe u martua me Hilmi Lekën.
Sapo u vendos pushteti komunist, bashkëshortin e saj e nxorën në Gjyqin Special (1 mars-13 prill 1945) dhe me 14 prill 1945 burri i saj do të ishte midis 17 të dënuarve me pushkatim. Gjyqin e organizonte regjimi për të shfarosur mendjet më të ndritura intelektuale të kombit.
Hilmi Leka ishte vetëm 32 vjeç kur e vranë. Ai pat studiuar në Padova të Italisë për literaturë, ishte akademik, gjithashtu pat kryer Fakultetin e Jurisprudencës në Vjenë. Kishte qenë drejtor i gazetës “Tomorri” dhe ministër i Arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës.
Mbas vrasjes mizore të të shoqit, Gjyslymja mbeti fill e vetme me tre fëmijë jetimë: Elvira, Naxhi dhe Skënder. Menjëherë i hoqën nga Tirana dhe tërë jetën, ajo tok me fëmijët, shkelën nëpër shumë fshatra e qytete të Shqipërisë pa iu zënë këmbët dhè.
Por komunistët s’u mjaftuan me kaq, në vitin 1956 e arrestuan dhe Gjyslymen, nënën e tre fëmijëve. Në gjyq e akuzuan si agjente të imperializmit amerikan dhe si gruan e ish-ministrit të dënuar si “armik i popullit”. E dënuan me 23 vite burg, dhe kreu vetëm shtatë vite nëpër burgjet e Shkodrës, Vlorës, Tiranës. Gjyslymja u lirua në vitin 1962.
Gjatë kohës që ajo ishte në burg, fëmijët e saj
mbetën vetëm si zogjtë e qyqes, duke u endur andej-këtej pa asnjë mbështetje, duke u përpjekur të ushqenin njëri-tjetrin, e duke bërë punë të ndryshme në ngarkim-shkarkim, në ndërmarrjen e ndërtimit e të tjera. Fëmijët nuk u lejuan të shkollohen përveç arsimit të detyruar.
Gjyslyme Dervishi Leka, nuk punoi kurrë më në profesionin e mësuesisë për të cilin pat kryer studimet. Gjatë gjithë jetës ajo u përpoq të mbante gjallë shpirtin e saj dhe të fëmijëve, duke vërtitur rrotën e një makine qepëse. Ndërkohë, për të dhe fëmijët e saj vijonin përndjekjet. E internuan në Kosovën e Dumresë, ku ndodheshin edhe dhjetëra gra të huaja, të cilat ishin martuar me burra shqiptarë dhe burrat e tyre regjimi komunist i pat futur në burg. Ato gra të gjora që mbanin nga një shami të bardhë në kokë ndërsa punonin në fushë, të internuarit e tjerë i quanin “pulëbardha”.
Po vuajtjet e Gjyslymes nuk mjaftuan me kaq. Në vitin 1980, asaj i arrestojnë djalin, Skënderin, i cili pat qenë vetëm katër muajsh kur i kishin pushkatuar të atin.
E arrestuan me akuzën e rëndomtë “agjitacion e propagandë” dhe akuzat gjatë gjyqit ishin qesharake, sikur ai pat thënë se “futbolli gjerman ishte më i miri nga të gjithë”, dhe se pat kënduar një këngë të Fausto Lealit, se kish ndërmend “të luftonte për të drejtat e njeriut” dhe qe ankuar se “në Shqipëri rrogat ishin të vogla”.
Skënder Leka qëndroi shtatë vite në burg dhe nënën e tij, Gjyslymen, Dega e Punëve të Brendshme e lejoi vetëm një herë ta takonte të birin.
Ky ishte fati i asaj vajze të bukur, fat që ia shkatërroi pa mëshirë regjimi komunist.
Gjyslyme Leka i mbylli vitet e fundit të jetës në Elbasan. Në fund ajo arriti që të shohë pak ditë të bardha, sepse e gëzoi rënien e diktaturës, dhe fëmijët e saj dikur të përbuzur u vunë në krye të lëvizjeve demokratike, luftuan dhe fituan kundër regjimit më të egër që ka provuar Shqipëria.
.
marre nga zemrashqiptare.net/neës/27526/meri-lalaj-gjyslyme-dervishi-leka.html
.