back to top
18.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Vazo të thyera – tregim nga Artan Gjyzel Hasani In memoriam – Përvjetori i ikjes së një Legjende

Gazeta

Hatixhe Shehaj, e verbër e në pleqëri të thelle (u nda nga jeta 103 vjeçe) me letrat e të shoqit ndër duar...
Hatixhe Shehaj, e verbër e në pleqëri të thelle
(u nda nga jeta 103 vjeçe) me letrat e të shoqit ndër duar…

Vazo të thyera

tregim nga Artan Gjyzel Hasani

In memoriam – Përvjetori i ikjes së një Legjende

Kam kaluar oqeanin dhe jam kthyer për pushime në atdhe. Shtëpia e vjetër. Ndoshta jo. E vjetëruar. Bie erë lagështie. Muret të zbërdhuqur. Dritaret e drunjta të brera nga krimbat dhe kripa. Duhen zëvëndësuar me të reja. Mes korridorit të ngushtë disa pllaka të krisura. Mobiljet e vjetra dhe bibliotekën i kanë mbuluar pluhurat. Edhe librat sigurisht… Të vetmet rreze dielli që depërtojnë këtë shtëpi duket se bien drejt e mbi një fikus të lartë gjethemadh që gjallon brenda një vazoje, e vjetër dhe e krisur edhe ajo.
Por nuk dalloj pluhur në gjethet.
Nënën e gjej si zakonisht të përmalluar dhe fjalëpakë. Gjyshja është bërë dy drehem shpirt. Nëntëdhjetë e kusur vjeç. Stërgjyshe tashmë dhe nëse im bir adoleshent në shkujdesje e sipër do bëjë seks të pakontrolluar me të vluarën e tij ukrainase ka shumë gjasa që gjyshja të bëhet katragjyshe. Nuk ia numërojmë më vitet. E verbër. Prej shumë vitesh lëngon e sëmurë në shtratin e një vdekjeje që çuditërisht vonon.
Kur isha më i ri e më i duruar i shkoja pranë dhe ajo niste e më tregonte ndonjë histori nga të sajat. Por prej kohësh i shmangem kur e shoh që kërkon të më thotë diçka me zë të ulët e fshehurazi të tjerëve… Nuk i afrohem më sepse e di që do më kërkojë ato dy fjalët për te varri i saj. Ka njëzet vjet që m’i kërkon ato dy fjalë. Jam përpjekur me mijëra herë t’ia shkruaj ato dy fjalë, por nuk mundem. Dhe kështu dy fjalët më janë bërë jo si epitafi i varrit të saj, por si të varrit tim.
Edhe sot duket sikur do më thotë diçka të tillë…
“Më shkruaj dy fjalë e vurmi te varri! Ke shkruar tërë këto libra e vjersha dhe asnjë rresht për gjyshen që të ka rritur…” përsëris unë fjalët e saj dëshpëruese.
“Jo… jo… lëri fjalët e varrit. Nuk t’i kërkoj më ato… Vazhdo e shkruaj për çupërlinat ti, nuk mërzitet mamaja… Do të kërkoj diçka tjetër, por m’u beto që do ta kryesh. Betohu për kokë të tët biri…”, më thotë prerë dhe, si gjithmonë, me gishtin tregues drejt meje. Betohem sipas traditës për gjënë më të shtrenjtë.
“Këput një degë nga fikusi dhe shko e mbille atje… te vendi… te vendi im, e di ti…!”
E ka fjalën për varrin e saj.
“Aman moj mama, është shumë larg fshati yt dhe përtoj tani… na çmënde me gjithë atë fikus. Aq shumë e do, xhanëm? Gjithandej me vete atë vazo, dreqi ta marrë…”
Pas nja katër orësh arrij në fshatin e saj. Rrëkëllej një birrë të ftohtë, ndërsa me sy mas distancën për në majë të një kodre përtej lumit ku ndodhet vendi. Një gjysëm ore e mirë në këmbë nëpër atë malore është rruga më e shkurtër.
Teqeja e braktisur, pothuajse rrëzuar. Nxjerr një lopatë nga bagazhi i makinës dhe me hamëndje mbjell degën e fikusit aty ku sipas meje mund të jetë vendi i saj.
Kur kthehem në shtëpi është pothuajse errësirë. Shkoj në dhomën e gjyshes dhe i them që porosinë ia kreva.
“E bëre? E mbolle atje ku të thashë unë? Te vendi?”
“Po moj mama, e mbolla atje ku më the ti, te vendi…”
Më përqafon fort dhe nis të më puthë duart… Ndjehem i bezdisur, por nuk e jap veten. Në një çast të dytë e kuptoj që i kam bërë një nder shumë të madh. Ajo i ka dashur shumë lulet. Madje më duket se gjëja që ka dashur më shumë në jetën e saj kanë qenë lulet. Sidomos atë fikusin.
“Meqë ma kreve porosinë, ulu këtu të të tregoj diçka”, më thotë.
.
Hatixhe e Musa Shehaj- Llogara 1938
Hatixhe e Musa Shehaj- Llogara 1938
“Këtë fikus ma ka sjellë nga Kairo im shoq, dikur kur sapo ishim njohur. Ai student e unë një vajzë e vogël fshati. Ai i kamur. I shkolluar. Unë jetime. Vinte nga Arabia… Kairo, ku studionte flamëmadhi dhe ma kish sjellë. Ma kish sjellë për kujtim. Dhe u bë vërtet kujtim. Kujtimi i vetëm. I vetmi. Në fillim e mbolla në një vazo, por u rrit. Vazua u thye nga rrënjët. E mbolla në oborr. Pastaj u rrit dhe u bë pemë. Pemë fikusi. Vitet kaluan. Pleqtë e tim shoqi i gëzoheshin teqesë. Unë fikusit. Por edhe letrave që më dërgonte mavria nga andej. Filloi lufta dhe ai nuk erdhi më me pushime. Mbaroi dhe lufta e ai nuk u kthye më. Nuk e lanë. E quanin armik. Nuk e pashë më. As nëna jote që e kisha në bark atëherë nuk e pa kurrë. Veç tre muaj kam qëndruar me të.
Erdhi një kohë kur gjërat ndryshuan. Për të keq. Teqesë ia hoqën çatinë dhe e bënë depo drithi. Na muarrën shtëpi e katandi. Na shpërndanë si zogjtë e korbit dhe muarrmë skorretë…Kur po na ngarkonin në makinën ushtarake doja të merrja një degë fikusi me vete. Nuk më lanë. Fikusi mbeti aty, ndanë varreve. Ashtu i gjelbër. Na çuan larg… në veri… në qytetin e ftohtë ku më pas linde ti…
Një ditë në shtëpinë tonë erdhi një burrë nga fshati im. I biri i një fqinjës së dikurshme. Më kish sjellë një degë nga fikusi ynë. Kur kishin prishur teqenë kishin shkatërruar edhe pemët… ullinjtë… vreshtin… Po më pemët ç’patën xhanëm…?!
Dhe ai e kish marrë një degë nga fikusi im dhe e kish mbjellë të oborri i tij. Dhe meqë puna e kish sjellë që të vinte me shërbim në qytetin tonë kish menduar të më sillte të fala nga e ëma dhe një dege fikusi si kujtim nga shtëpia ime!”
Gjyshja hesht dhe mbyll sytë për pak çaste. Më kujtohet se sa shumë i lutej Zotit kur unë isha fëmijë që një ditë të ishte e lirë e të kthehej në vendlindjen e saj.
“Dua të shkoj në fshatin tim qoftë edhe për disa orë. Më ka marrë malli. Po më shqyhet zemra. U bënë plot 30 vjet që kur na përzunë!”.
“Po është shumë larg fshati yt nga këtu ku jemi, moj mama! Nuk e sheh ku jemi, në majë të hartës? Jemi shumë larg…Shumë larg!”, dhe i tregoja hartën.
“Larg është, por ka dhe më larg… ka dhe më larg!”, pëshpëriste plaka e shkretë dhe vështrimi i zhytej drejt një asgjëkundi që veç ajo e shihte.
Pasi mbushet me frymë mirë dhe rregullon jastëkun pas kurrizit të dobët, gjyshja vazhdon:
“Nuk di a do zërë. Bën shumë ftohtë këtu te ky qytet ku jeton ti tani”. Kështu më tha ai burri. Por fikusi zuri. U rrit edhe ai dhe u bë trung i trashë. Përsëri ma theu vazon. E mbolla në një vazo më të madhe. Por vazot thyheshin nga rrënjët e forta. Thyheshin. Se fikusi i ka rrënjët shumë të forta. U bë si pemë. Si ajo që kisha në fshat. Por në qytet nuk kisha oborr. Dhe zura t’ia pres degët dhe t’ua dhuroja njerëzve. Të njohur e të panjohur. E ata i mbillnin, kush nëpër vazo e kush nëpër oborre. Dimri dhe bora ua vyshkte atyre që i mbillnin në oborr, dhe kështu në pranverë vinin e kërkonin filiza të rinj dhe ua jepja… Ai qytet verior nuk kishte parë kurrë më parë një bimë të tillë.
.
Gjyshe Hatixhja pak kohë para se të ikte nga kjo botë...
Gjyshe Hatixhja pak kohë para se të ikte nga kjo botë…
Vitet kaluan. Shumë vite përsëri. Fikusi u plak e bashkë me të u plaka edhe unë.
Një ditë prej ditësh kohët ndryshuan prapë. Kish ardhur koha që zogjtë e korbit të ktheheshin. Dhe u kthyem në jug, buzë detit në vendlindje. U ngritëm me ç’kishim e ç’nuk kishim dhe erdhëm këtu. Lulet që më zbukuronin ballkonin ua dhurova të njohurve të atij qyteti verior ku jetova shumicën e jetës sime. Mora me vete vetëm fikusin. U vendosëm në qytet. Zumë këtë shtëpi me qira. Të nesërmen shkova në fshat bashkë me tët ëmë. Ec e ec e s’kish të sosur… Teqeja dhe shtëpia ishin braktisur, pothuajse rrëzuar… Eh… ç’të them aman… jetë plot vuajtje. Dhe plot kujtime. Varrit do ia tregoj… Ja edhe pak… Po shkoj njëqind vjeçe tani. Mavria im vdiq atje larg, por as varri nuk i dihet. I dihet… afër piramidave e ka se aty afër banonte, por ne nuk do ia dimë se ku e ka… Sikur një brinjë të tij të kisha tani këtu… Një kockë të tij… ta mbaja ja këtu, në gjoks. Dhe ti më thua është larg. Eh, evlati im, ka dhe më larg… ka dhe më larg…!”
Hesht. E ka mbaruar rrëfimin.
Kam mbetur pa fjalë. Duket e lehtësuar. Mund të vdesë e qetë kur të dojë paskëtaj. Fikusi e pret atje. Te vendi.
Rregullon shaminë, tund kokën, pastaj sikur vë buzën në gaz, por vetëm për një çast, vështrimi i syve të verbër i tretet drejt atij asgjëkundit që veç ajo e sheh, dy lotë i rrokullisen faqeve të fishkura, ndërsa mua, si gjithnjë në raste të tilla, më vjen ndërmend që kur isha i vogël kujtoja se të verbërit nuk mund të qajnë…

(Marre nga vëllimi me tregime “Rutina Perfekte”)
©Artan Gjyzel Hasani, 2010

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.