Largimi nga jeta i nji zonjë të quejtun Zoje Progni, s’asht thjesht humbje për të dashtunit e saj,
po për të gjithë ata që e kanë njoftë dhe e kanë dashtë, po edhe ata që s’e kanë njoftë
po kanë mujte me ndigjue e lexue historinë e jetës dhe dhimbjeve të saj,
që janë përtej të pabesueshmes…
Zoje Progni ishte nji grue e sakrifikueme, nji nanë shembullore, nji burrneshë malësie,
nji zojë fisnike e rrallë, që jetoi afër nji shekull e kapërceu me heroizëm të heshtun e t’përvuejtun,
me nji dinjitet solemn e shpirt të paepun kohën e shtrigave dhe shtriganëve,
që ia mbushën jetën me vorre, ndëshkime e dhimbje pafund…
Ajo s’la veç nji emën të mirë e të nderuem, ajo nuk dëshmoi veç përkushtim e dinjitet, mbi të gjitha
ajo la mbas shembullin e nji grueje të rrallë, që kur nji shtet i përbindshëm i vrau babën,
i burgosi burrin, e internoi me nji kërthi në krahë në Tepelenë, ajo i përballoi si stoike e si sojnike
krejt egërsinë e përbindshme të nji makine vrastare, duke dëshmue edhe ashtu e imtë edhe vogël
se Njeriu i Vërtetë asht ma i fortë se çdo diktaturë e përbindshme, e çdo zhgan kafshësh të zeza…
veç tjerash ajo asht edhe nana e mikes time të shtrenjtë, Luli Progni,
gazetares ma shembullore n’nji kohë të përçudun si kjo që jetojmë e përcjellim trishtueshëm…
Ngushllimet e mia ma të ndjeme Lul,
ti dhe nana Zojë i keni dhanë aq shumë dritë njena-tjetrës në kohë të vshtira,
prandej ajo s’largohet prej jete, po i ban dritë, shumë dritë kësaj jete, edhe përmes teje…
Pastë Paqen e Pasosun Nana Zoje!
Me respekt të thellë jozef radi
.
Nana Zoja kaloi në jetën e amshume…
Zoje Progni, nëna e gazetares Luljeta Progni, një nga të mbijetuarat e Kampit të Tepelenës, u nda nga jeta sot në moshën 90- vjeçare.
Zojën e fali Zoti grua, por fati e solli të bëhej edhe burrë i familjes për 16 vjet. Ishte një nënë e re 21 vjeçare bashkëshorte e një të burgosuri politik. Nuk kishte kohë për ëndrra. Duhej të mendonte natë e ditë se si t’u mbante shpirtin gjallë anëtarëve të familjes, Nikës së vogël, nënës dhe të shoqit, syrgjynosur në kampet e punës së detyruar dhe burgjet e diktaturës komuniste.
Jeta e përballi me vuajtjet e mëdha; me arrestimin e bashkëshortit, me internimin komunist ne kampin e vdekjes në Tepelenë. Komunizmi i përcaktoi Zojës fatin e jetës, ku e vetmja zgjedhje e saj ishte forca.
Nana Zoja ishte vajza e “armikut”, në moshën 15 vjeç pa babanë t’ia pushkatonin komunistët, pa burrin e saj pas hekurave të burgut për 16 vite rrjesht, rriti fëmijët me peshën e rëndë të luftës së klasave. Nana Zoja ishte nanë e fortë shqiptare që s’u përkul asnjëherë.
Kujto.al i shpreh ngushëllime famijes!
.
Miq dhe të afërm, lamtumira e fundit do t’i japin tek Floga në Shkodër. Pritja në orën 8:00-13:00. Varrimi ne oren 16:00 në varrezat e Tufinës, Tiranë!
.
Marre prej kujto.al – Arkiva Online e Krimeve dhe Viktimave të Komunizmit në Shqipëri