back to top
11.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Ne nuk kemi frikë! – nga Ilir Hashorva

Gazeta

Ilir Hashorva
Ilir Hashorva

Ne nuk kemi frikë!

nga Ilir Hashorva

Sa shumë kupton mbi nivelin, natyrën dhe karakterin e njerëzve edhe nga pyetje apo biseda fare të thjeshta e të shkurtra që mund të bësh me ta!
Si gjithnjë, por më shumë sot, pyetja për frikën që ka shkaktuar koronavirusi, mbetet një nga ato më të dashurat si për gazetarët, ashtu edhe për të pyeturit, të cilët, ashtu si i gjithë populli ynë, mezi presin të tregojnë se nuk e njohin frikën. Në vend që gazetarët të pyesin për respektimin e masave të diktuara nga shteti, pyesin njerëzit nëse kanë apo jo frikë, pyesin për gjënë më të parëndësishme e për atë gjë që do të marrin si përgjigje një gënjeshtër!
Në një stacion autobusi në Tiranë, gazetarja u bën të njëjtën pyetje disa udhëtarëve:
“Janë konfirmuar disa raste me koronavirus, keni frikë të udhëtoni me autobus?”
Një grua nga Kukësi përgjigjet:
“Jo s’kena frikë hiç, jemi malsor na nuk frikna, na jemi rrit me ushqime bio dhe na nuk frikna hiç!”
Një burrë nga Skrapari:
“Absolutisht jo, po mbaroi tërë Tirana, atëherë do ta marrim ne atje” dhe qesh.
Një grua që flet me dialekt verior:
“Jo nuk kena frikë… jena shqiptarë na, nuk na gjen gja hiç, ata që janë sëmurë ka për t’i shpëtu Zoti.”
Një tjetër grua me dialekt nga jugu:
“Nuk kam frikë fare për në autobus,….kushtet në autobuse si në kohën e ku thërret qametit, hajdutët të fusin duart në xhep, i rrjepin njerëzit.”
Dhe një tjetër:
“Nuk kam frikë që të udhëtoj në autobus, se koronavirusi është vetë kryeministri, kaq di me thënë, kaq them”.
Po në këtë mënyrë u pyetën dhe po në këtë mënyrë u përgjigjen dhe një numër personash të tjerë që kishin mbushur kodrat e liqenit artificial në Tiranë disa ditë më pas, kur sëmundja kishte përparuar e qe bërë më serioze dhe pasi ishin dhënë udhëzime që njerëzit të vetëmbylleshin dhe nga shtëpitë të dilnin vetëm për gjëra tepër të nevojshme.
Të gjithë thanë me mburrje se nuk kishin frikë, se ishin trima dhe, duke qenë se ishin trima, nuk kishin arsye të ishin të disiplinuar e të zbatonin masat që u diktoheshin në këto raste. Mentalitet tejet primitiv! Ata nuk kuptojnë se çështje, si pandemia e koronavirusit, nuk ka lidhje vetëm me ato që do të bëjnë ata për të mbrojtur veten dhe nëse kanë frikë apo jo, por, sidomos, me ato që do të bëjnë ata për të mos rrezikuar edhe të tjerët e, pra, për vetëdisiplinim.
Në nja dy-tre raste dëgjova në televizion intervista me shqiptarë që banojnë dhe punojnë prej kohësh në Itali, të cilët pyeteshin nga gazetarët në Shqipëri se si ishte e mundur që njerëzit aty të zbatonin rregullat e, sidomos, të vetëizoloheshin nëpër shtëpi, kur ne këtu e kemi të vështirë dhe nxjerrim lloj-lloje shkaqesh të mos rrimë në shtëpi. Të gjithë ata, pa përmendur as trimëri e as zotësi, u përgjigjën se masat që u ishin imponuar nga shteti, duheshin zbatuar. Një ndryshim i plotë mentaliteti midis nesh këtu dhe atyre që kanë vite në një vend të qytetëruar të huaj! Mentaliteti nuk është gjë e lindur si, për shembull, instinkti, ai mësohet dhe kështu mësohet dhe vetëdisiplinimi, që është kusht që shoqëria të ecë përpara. Gandi thoshte se qytetërim nuk ka të bëjë me lirinë e pakufizuar, por me kufizimin vullnetar të lirisë. Por, mjerisht, për ne këtu, ende disiplinë do të thotë kufizim i lirisë dhe shqiptari nuk mund të pranojë kufizim të lirisë!
Shtysa për t’u dukur hero, trim, edhe kur nuk është nevoja, për ne është gjithçka. Një njeri i qetë, i disiplinuar, i ndërgjegjshëm, i përgjegjshëm, që tregohet trim kur trimëria lypet, që i nënshtrohet ligjit, kur ai ligj është i drejtë, për ne nuk vlen.
Bernar Kushner (Bernard Kouchner), Përfaqësuesi i Lartë i OKB-së në Kosovë në vitet 1999-2001 e, më pas, Ministër i Jashtëm i Francës, e ka përshkruar kështu trimërinë dhe guximin e ballkanasve, pjesë e të cilëve jemi edhe ne:
“Në Ballkan, trimëria në formën e saj arkaike, guximi heroik e i çartur, të shprehurit i pa latuar e fizik i pjesëmarrjes, gjen vend në të gjitha gjestet e njerëzve. Ballkanasit lëvizin, ecin mbi tokë, shkojnë të parkojnë makinën apo të bëjnë pazarin dhe duken sikur po i drejtohen vetësakrifikimit. Në Kosovë, thuhet se fëmijët mësohen t’i druhen vetëm një gjëje: frikës për të shfaqur frikë. Njerëzit e Ballkanit, me një psikikë të modeluar prej shekujsh të tërë luftërash, gjithmonë mundohen të tregojnë guxim, një guxim gati të sëmurë, i cili i shtyn që të jenë gjithmonë në kërkim të rrezikut, madje edhe ta krijojnë atë rrezik me anë të sfidave të pakuptimta.”
Adhurimi i forcës, dhe vetëm asaj, vihet re kudo në Shqipëri. Në disa zona të Shqipërisë, kur lind një djalë, duhet që shpejt dikush të kapë një send prej hekuri, qoftë edhe një pirun, në mënyrë që djali të mund të bëhet i fortë si hekuri. Pak urojnë që fëmija të bëhet i drejtë, i dashur, i zgjuar, i butë, i dhembshur, bamirës e me karakter.
Po në ato zona të Shqipërisë, kur dikush është pranë vdekjes, pavarësisht se gjithë jetën mund të jetë tërhequr zvarrë ndaj më të fortit, përpiqet të mos vdesë shtrirë. Ai duhet të bëjë çmos që, të paktën, të vdesë ndenjur, ose, siç thuhet, “të vdesë në bythë.”
Faik Konica, po ashtu, për të vënë në dukje llojin e padobishëm të trimërisë sonë, thotë: “Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër e shumë herë as pa ditur se përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla, ftohen dhe frikësohen po të jetë nevojë trimëria për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë të përgjithshme… Pali e Pjetri, Lami e Hasani nuk kanë frikë nga plumbi, por dridhen nga Valiu. Trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së drejtës së atdheut, domethënë në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë, janë punë egërsie e kafshësie, jo trimërie.” Dhe, një herë tjetër ai shkruan se tragjedia si komb e shqiptarëve fillon te kulti i tyre për heroizmin vetjak, duke mos vlerësuar heroizmin e bashkuar, heroizmin e popullit.
Franc Nopça, në librin e tij “Udhëtime nëpër Ballkan”, kur flet për trimërinë e shqiptarëve, thotë se trimëria e tyre e kishte bazën te sedra dhe, me zhdukjen e sedrës që po ndodhte, po zhdukej edhe vetë trimëria.
Hermann Neubacher-it, i dërguari i Gjermanisë naziste në Beograd, thotë për pjesëmarrësit kosovarë të Divizionit Nazist “Skanderbeg”: “Këta nuk njohin kurrfarë disipline, janë regjistruar sa për të marrë armën, për të cilën kanë një adhurim të veçantë… Qitja në shenjë për shqiptarin është vetëm një dëfrim.” Shqiptarët adhurojnë armën, sepse me të mburren dhe dëfrejnë, se me atë demonstrojnë trimërinë.
Thuhet se, kur në vitin 1913 Shqipëria dërgoi një delegacion të nivelit të lartë në Londër, për të protestuar ndaj copëtimit të Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve, në përbërje të delegacionit shqiptar ishte edhe Isa Boletini. Para se të futeshin për t’u takuar me ministrin e Jashtëm Britanik, Eduard Grej, rojet britanike i kontrolluan pjesëtarët e delegacionit dhe Isa Boletinit i gjetën një pisqollë të cilën ia morën, për t’ia dhënë më pas. Mbasi mbaruan bisedimet, kur ministri britanik po i shoqëronte shqiptarët në dalje, i tha Isa Boletinit me shaka se atë që nuk ia kishte bërë dot Perandoria Osmane, pra çarmatosjen, ia kishte bërë roja britanike. Isa, për të treguar burrërinë dhe zgjuarsinë e tij, zbuloi një pjesë të trupit dhe i tregoi ministrit britanik një pisqollë të dytë të fshehur. Rojet britanike kishin kujtuar se e kishin çarmatosur, por shqiptari nuk çarmatosej!
Kjo ngjarje, që nuk dihet nëse është histori apo mit, tregohet me mburrje nga ne për të vënë në dukje njëkohësisht zgjuarsinë dhe trimërinë tonë. Nuk themi asgjë për zhvillimin e bisedimeve, që ishte detyra kryesore e atyre që shkuan në Londër, apo çfarë force intelektuale a politike demonstruam ata në ato bisedime. Jo, këto nuk kanë kurrfarë rëndësie për ne, mjafton që Isa të paraqitet trim e i zgjuar, si përfaqësuesi shqiptar i trimërisë, si shqiptari që ia hodhi “inglizit.”
Robert Papa, një kandidat për deputet nga Partia Konservatore Shqiptare për zgjedhjet e vitit 2009, shkruante në gazetën “Sot,” më 26 maj të vitit 2009: “Por ta pranojmë të gjithë, në fushatë Berisha është i tmerrshëm, i egër dhe i pa mëshirë. Fakti është fakt, e duam apo jo, ai mbeti lojtari më i fortë. Unë vij nga shkolla amerikane, ku, mbi të gjitha, i forti duhet respektuar. Robert Papa thotë se vjen nga shkolla amerikane dhe Amerika, të cilat jepen si dëshmi e pagabueshmërisë së tij. Por, ai nuk vjen nga ajo shkollë, Amerika nuk respekton të fortin, po të drejtën, ligjin, Roberti vjen nga shkolla jonë primitive e adhurimit të forcës, nga shkolla jonë e adhurimit të idhullit. Ai adhuronte Berishën, po aq saç mund të ketë adhuruar më parë Enver Hoxhën, sepse edhe Enver Hoxha i kishte ato cilësi tmerri e egërsie që kishte Sali Berisha, madje i kishte edhe më të dukshme. Për Robertin dhe për ne nuk kanë rëndësi as idetë e as morali; as e vërteta e as humanizmi; as drejtësia dhe as shërbimi për kombin e për popullin; për ne ka rëndësi forca e tjetrit, tmerri që të fut, egërsia që tregon, mungesa e mëshirës, të gjitha elemente që kanë lidhje me dhunën!
Sipas Mustafa Nanos, në një debat në parlament, Sali Berisha iu drejtua afërsisht kështu Skënder Gjinushit: “Ti Gjinush e di mirë, se kush je! Të kujtohet kur ishe në Tropojë para ca muajsh? Të kujtohet me siguri. Ishe ulur në një lokal dhe aty erdhën ca djem të armatosur dhe të dhanë urdhër të dalësh nga lokali. Dhe ti dole. Dole pa thënë asnjë fjalë. Dole me bisht ndër shalë. Dole, e nuk të erdhi turp që dole. Ja, ky je ti Gjinush. Prandaj qepe dhe mos e hap më gojën…” A mund të flasë një drejtues i urtë i kombit në këtë mënyrë?! Çfarë mësimi u jep ky shtetasve të tij?
Trimëria jonë edhe kur shfaqet, shfaqet si trimëri primitive, si trimëri impulsive, si trimëri e çastit, si trimëri e pa kultivuar, si trimëri e terroristit, si trimëri e cubit, si trimëri e atij që të kall tmerrin sepse ka forcën, si trimëri e më të fortit ndaj më të dobëtit. A nuk është ngujimi nga gjakmarrja shfaqje e kësaj lloj trimërie, që “trimi” pasi vret, ngujohet? Trimëria jonë nuk është trimëri e shpirtit, trimëri e karakterit, trimëri e brendshme, trimëri e qëndrueshme. Ajo është trimëri e frikës, është më shumë një përpjekje e mjerë e frikës dhe e dhunës për t’u paraqitur si trimëri dhe forcë, sesa manifestim i trimërisë së vërtetë. Ajo nuk është trimëri me të cilën mund të besh punë të mëdha e të kryesh detyra të larta për vete dhe për shoqërinë. Me atë trimëri, e shumta, mund të vrasësh një njeri “pas ferrës,” apo mund të fitosh një betejë, por nuk mund të luftosh e as të fitosh në mënyrë përfundimtare e të qëndrueshme për një çështje të dobisë së përgjithshme.
Jam i sigurt se, po t’i kërkoje ndonjërit prej të pyeturve që përmendëm në fillim të këtij shkrimi, që u tregua trim, nëse do të ishte i gatshëm të shkonte në ndonjë prej spitaleve ku ishin shtruar apo do të shtroheshin të sëmurët me koronavirus dhe të jepte aty ndihmesën e tij, ai nuk do të shkonte dhe nuk do të shkonte, përveç të tjerave, edhe pse nuk ishte trim.
Karakteristikat e trimit, ashtu siç pranohen në botën e qytetëruar, nuk lidhen me mburrjet për trimëri. Ato lidhen me bërjen e asaj që duhet bërë pavarësisht nga pasojat; me mos epjen, përderisa të arrihet qëllimi; me qëndrimin e qetë në situata krize; me rrezikimin e vetes për të ndihmuar të tjerët; me përpjekjet për të përmirësuar shoqërinë; me të qenit i përulur dhe jo mburravec; me mospërdorimin e autolëvdatave e me mos pretendime për lëvdata nga të tjerët. Këto veti ne nuk para i kemi parasysh e, kështu, trimëria jonë edhe pse mund të konsiderohet si trimëri prej nesh, nuk konsiderohet trimëri nga bota tjetër.
.
Nju Jork, 13 shkurt 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.