back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shuku i letrës dhe pikëlotja e babait… nga Zamir Gjurgji

Gazeta

Shuku i letrës dhe pikëlotja e babait…

nga Zamir Gjurgji

homazh në ditën e baballarëve

“Sa herë që të duhet të ndërrosh rrobat, vari te të palarat prapa derës së banjës”, ishte avazi i mamasë kur e pyesja rëndom a ma ke larë këtë apo atë veshje se do dilja jashtë. Im atë s’kishte fort nevojë t’i përsëritej ky refren, “për çdo sen’, nji ven”, ma përsëriste shpesh me atë shkodranishten që as e kishte humbur dhe as dëshironte ta humbte, edhe pse rëndom nga një vesh më hynte dhe nga tjetri më dilte ky rendi dhe rregulli i përpiktë allagjerman i tim eti. Jurisprudenca fiorentine nuk ishte arsyeja e vetme e fjalës që e peshonte me kandar drejtësie, por edhe për shkak të filogjermanizmit të tij kantian dhe shqiptarisë fishtiane. Ishte periudha kur sapo kisha përmbyllur të mesmen petroninase dhe e larta ishte kafshatë që s’kapërdihej për shkak të “njollave në biografi”.
Sapo isha vendosur në shtëpinë e prindërve pas 18 viteve me delegim te nëndaja. Rebelimi ishte sistemik: përveç fjalëve të drunjta në çdo mjedis të paqëndrueshëm edhe flokët e gjata apo tymosja e cigareve të atykëtushme. Im atë e kishte rralluar goxha duhanpirjen ngaqë mushëritë i kërcisnin nga kolla e thatë që s’i njomej e s’i njomej as më te parën e as me të dytën. Rëndom, cigaret i mbante në xhepat e pasëm të pantallonave, pasi kishte hequr dorë nga paketa. Që të mos i thyheshin, i mblidhte në ndonjë copëz letër. Ia dija këtë huq. Në banjë ishte vendi ku mund të tymosja pa hasur vështrimin sa qortues aq edhe keqardhës të tim eti kur më pikaste, edhe pse s’bëzante; ndërsa nëna bënte sikur nuk shihte nga ai sy apo i kishte hundët e zëna që të ndiente duhmën time. E mbaj mend mirë atë pasdite dimrake.
Në xhepat e pasëm s’po më hasnin mollzat aq të dëshiruarën, teksa me hasën një copë letër disi të shukur që duhej të ishte e zakonshmja e përvjedhjes time. E nxora vrik dhe e shpupurisa të gjeja atë… S’kishte gjë brenda. Sytë më dalluan befas bukurshkrimin e tim eti. Do ta kisha futur përsëri brenda, nëse nuk do të kisha dalluar në krye të saj… “I nderur Reshat…”. Në vijim, im atë i shkruante shokut të tij të fëmijërisë, Reshat Alia, që të mundësonte ndërhyrjen e tij shoqërore, me qëllim që i biri i tij të mos pësonte mbi shpinë pamundësimin e shkollës së lartë për shkak të biografisë (vëllai i pushkatuar), aq më tepër që fëmija i vetëm nuk ishte rritur as në gjirin e familjës së tij, por…”. E përpiva atë letër, por ashtu rrëmbimthi e futa po në atë xhep që e gjeta, të shukur.
Të nesërmen nuk kërkoja më cigare, por… Letra ishte po aty, s’kishte luajtur vendit. Në mbrëmjë mamaja i kishte vënë të gjitha të palarat në rrobalarëse…
.
Zamir Gjurgji në fillim të viteve '90
Zamir Gjurgji në fillim të viteve ’90
Një vit më pas, kryeja shërbimin ushtarak në Gjadër të Lezhës. Ishte dimër kur im atë m’u shfaq në hyrje të repartit, pasi më kishte vënë në dijeni roja i objektit dhe kisha marrë lejen e komandantit për t’u takuar me prindin. Në Gjadër, si drejtori ererash që është, era të priste në behar dhe jo më në dimër. Fatmirësisht ishte mot i thatë. Pasi u rrokëm, filloi të m’i rreshtonte të gjitha përshëndetjet e familjarëve, të afërmve, miqve e shokëve, edhe pse veshin e kisha të goja e tij, por syrin te strajca e ushqimeve në dorë. Ushtar hesapi. Derisa u ulem diku, nuk kishin te mbaruar këshillat e nënës me “mos”, më pas tezet e dajat, më pas shokët e miqtë, më pas trasta… Kontrollin e trastës e kisha me prove… teksa im atë më vështronte me sy sa të pikëlluar aq edhe disi me buzën në gaz sesi i qasesha artikujve ushqimorë.
Instinktivisht, pasi e zbraza disi strajcën dhe kisha mbushur plëncin, dora më shkoi në xhepin e pasëm të pantallonave për të nxjerrë paketën “Sheldia” bashkë me shkrepëse. Kur tërhoqa cigaren befas me erdhi në mend se isha përballë babait dhe s’e kisha ndezuar asnjëherë në sy të tij. “Ndize, pa problem – më bëlbëzoi – unë e kam lënë përfundimisht, por ty nuk të them gjë sepse…” Ndali në çast. Mori shkrepësen, ma ndezi vetë cigaren dhe sytë i hodhi përtej në horizont, ashtu pa fjalë, pa lëvizur as qerpikun, pa lëvizur as edhe një muskul të fytyrës. Me një vështrim që më dukej se përshkonte tejpërtej kodërmalin që kishte përballë. Vetëm cepat e palltos së tij të errët tundeshin e shkundeshin nga era e gjadërt, asgjë tjetër qas tij. Duke thithur cigaren dy-tri herë ashtu fort-fort, në çast më erdhi në kujtesë cigarja e munguar në letrën e shukur në xhepin e pasëm të pantallonave të babait.
E kapa fort nga supet dhe i kërkova të më shihte në sy. Vështrimi i tij u zhvendos ngadalë nga mali te djali. Kur shiheshim sy më sy, i thashë: “Bab, unë e kam lexuar atë letrën e shkollës time. E di edhe që s’e ke nisur, sepse ishte dhe mbeti e shukur. Jam krenar që mbaj këtë mbiemër, jam krenar që jam biri yt, edhe pse shkollën ma ndaluan. Jam krenar madje edhe që s’e ke dërguar, edhe pse tashmë jam ushtar dhe shokët e shoqet e mia të klasës në universitet…” Kur i shqiptova fjalinë e fundit, vura re që syri i majtë i ishte përlotur, pak më pas rrodhi veç një pikëz loti, aq e vogël saqë mbeti e rruzullt në hapësirën e lugët të mbimollëzës.
Nuk e di, a ishte era e fortë e Gjadrit që e thau, apo u tha vetë? Derisa u ndamë, nuk foli asnjë fjalë më tej. Kur më rroku fort, ndjeva në vesh fjalët: “Bëj durim, ji vetvetja. Vetëm e vërteta ka vlerë”. Kur ishim gati për t’u larguar, i riu si veriu: “Po, po babë, e mbaj mend atë historine e Kantit me sanitaren. Mos ki gajle se e kam vath në vesh” – i thashë dhe vura pak buzën në gaz. Arrita t’ia përvjedh një buzëqeshje të konturuar. Jo më shumë… Iu larguam njeri-tjetrit.
 
Me të mbërritur në fjetinë, u bëra zë shokëve të ngushtë të repartit se pakoja ime kishte ardhur, kishte qofte nga daja dhe… duhej gjetur mënyra si t’i përvidheshim syrit te komandantit dhe syve të spiunëve të rëndomtë për të mbërritur te klubi i fshatit, një vrap pele larg. Ia dolëm, atë natë shkuam të klubi; u vonuam paksa, por pa u pikasur.
.
Marrë nga muri i Fb, i Zamir Gjurgjit, 19 mars 2020
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.