Me përkthye kohnat
U banë dy muej sot, që jeta jonë u përket urdhnave…
Urdhni i suprem asht mos me dalë jashtë kërrkush, n’se dom me e pshtue vedin dhe Botën.
Urdhni i dytë disi ma ashpër pse asht i papërcaktuem.
Keni me dalë prej ngujimi kur të themi na…!
Po kush asht Na? S’të përgjigjet kërkush!
Ti e shef si nji muej prendvere shkoi, e nji tjetër asht në t’shkueme, nji i tretë muej pranvere nis nesër e ti ndry se ndry mbrendë…
At’herë kqyr me gjet ndoj shok ndër libra m’u hutue, e dikur thue…
Po merrem me përkthime, asht ma e vyeshmja arsye m’e hutue atë dromcë mendje të mbyllun e m’e ba qiell t’hapun.
Mandej me qenë ma korrekt me mbylljen zgjedh bash njat ma të mbyllunin e t’mbyllunve, hermetikun par exelancë, ma të errtin e dritës e lshohesh me punue n’të…
Dikur, ditë mbas ditsh t’shfaqet nji poezi pothuej n’prozë, titullue “Ironia”… si jeta e kësaj pranvere, që asht kthye n’prozë t’çorbtë…
Mbasi e ke përkthye vren se kjo poezi, shkrue nji shekull ma para asht bash për ditë t’sodit, bash për ne të mbyllunit, që po na duhet me “e ndie prendverën ndër dega të mpita” dhe m’u mbyllë n’njat vargun lapidar: “Asnji dhunë s’e tejkalon at çka shfaq kjo pamje e heshtun dhe e ftoftë.”
Vërtet, a ka dhunë qi e tejkalon kët mosdije të daljes së njeriut prej mureve, kur janë t’plota dy muej prendverë, e që kërkush s’din me të thanë deri kur s’ka me ia vu kërkush drynin derës kah jashtë…
jozef radi, 30 prill 2020
,
Ironia
nga Giuseppe Ungaretti
E ndjej prendverën ndër dega t’errta e të mpita.
Mundesh me e ndjekë ate veç në kët orë, tue kalue midis shpiave vetmitare, zhytë n’mendime t’tua.
Asht ora e dritareve të mbylluna, po ky trishtim i ciklimeve ma ka zhgulë gjumin.
Nji petk i blertë ka me e ambëlsue mëngjesin e nesërm përmes këtyne pemve ende të thata, pak ma parë se m’u lshue nata.
Perëndia s’na len të qetë.
Veç kjo orë i asht dhanë, ndonji andrrimtari të rrallë e martir me e ndjekë mbas veprën.
Sonte, edhe pse asht prill, mbi qytet bien borë.
Asnji dhunë s’e tejkalon at çka shfaq kjo pamje e heshtun dhe e ftoftë.
.
Marrë nga “Vitta d’un Uomo” – përkthye nga Jozef Radi