Ka ndrruar jetë në New York, Elez Hoxha,
Ish i burgosur politik, qe pesë vjeç nisi rrugët e internimeve
Elez Hoxhën e kam njohur qysh fëmijë, kështu që jetën dhe dramën
e atij fëmije që i vranë babanë dhe xhaxhanë, që nëna i vdiq herët dhe e la jetim,
që për të u kujdes Dada Vocërr, një grua sa stoike aq edhe heroike,
e cila sakrifikoi gjithë jetën për Hoxhët e Pacit, dhe përgjat gjithë jetës së saj
ndoqi dramën e kësaj familjeje me emër në krahinën e Tropojës.
Elez Hoxha e nisi qysh fëmijë rrugen e kampeve,
duke e vazhduar në rrugën e burgjeve dhe vetëm mbas ’90,
në kufijtë e 50 viteve dhe pas mbrritjes së tij në Amerikë,
mundi me kurajo ta nisë jetën nga e para… Të martohet, të krijojë familje,
të ketë një vajzë, ta shkollojë e diplomojë atë…
Zoti si duket kishte ruajtur pak dritë edhe për Elez Hoxhën.
U desh drama botërore e Koronavirusit që t’ia këpusë buzqeshjen
njeriut që besoi tek jeta edhe në skëterrë, që besoi tek Zoti kur ia kishin vrarë shpresën,
që besoi tek familja kur po i avitesh pleqëria, që arriti ta rrisë e të gëzojë
shkollimin e fëmijës, kur vetë i pati gjithë portat e shkollave mbyllur…
po ama gjithë portat e burgjeve dhe kampeve hapur…
I lehtë të qoftë fluturimi në Parajsë Elez Hoxha…
jozef radi, 4 prill 2020
.
Bashkatdhetari ynë Elez Hoxha që jetonte prej vitesh në Bronx, të New Yorkut, ndërroi jetë në spital, ditën e premte, ku ai ishte shtruar prej më shumë se një jave.
Njoftimin për gazetën Dielli, ia përcolli editorit të “Diellit” bashkvuajtësi i Elezit, në burgun e Spaçit, Eqerem Mujo, i cili edhe ai jeton në Brooklyn.
Para 8 ditësh, Eqremi na telefonoi duke përcjellë lajmin e shtrimit në spital të mikut të vet, për shkak të vështërsive dhe problemeve me frymarrjen, ndërsa ditën e sotme, në mëngjes ai përcolli lajmin e dhimbshëm se me 3 prill të 2020, Elezi s’e kishte përballuar betejën me Coronavirusin dhe kishte ndërruar jetë në spital.
Elez Hoxha, vinte nga një familje nacionaliste atdhetare, të cilën diktatura komuniste e kishte
vënë në shënjestër, që me marrjen e pushtetit.
Vetë Elezi, fëmijë 4 vjeçar, më 1945, u dërgua në kampet e përqëndrimit të diktaturës, ku vuajti sëbashku me familjen e tij.
Elez Hoxhës ia pushkatuan babanë dhe xhaxhanë, kur ai ishte vetëm 2 vjeç. Për të dhe tre motrat u tij përkujdes gjyshja në fshatin e vogël Pac, në rrethin e Tropojës.
Jeta e mëtejme e familjes Hoxha, dhe Elezit të vogël, kaloi nëpër kampe të shumta internimi po edhe në burgjet e diktaturës Kouniste. Për shumë vite Elezi do të jetonte në Kampin e Savrës, në Lushnjes.
Në mes të viteve ’70, ai do të arrestohej me akuza fallso, për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë kundra pushtetit komunist, dhe për këtë u dënua dhe vuajti për gati 17 vite në kampin famkeq të Spaçit, në Mirditë, ku kaloi një jetë e vështirë, dhe të burgosurit politikë trajtoheshin si skllevër. Fillimisht u dënua për tentativë arratisje dhe agjitacion, por pjesmarrja e tij në revoltë ia zgjati edhe më tej kohën e burgut.
Kampi i Spaçit, ishte nga më famëkeq të e burgjeve politike të Shqipërisë, dhe Elezi qe ndër më aktivët e të burgosurve pjesmarrës.
Elez Hoxha doli nga burgu në prag të viteve ’90, kur nisi të ndjehej edhe rënia e Mureve të komunizmit, ndërkohë që ishte në kufijtë e 50 viteve dhe ende s’kishte krijuar as familje.
Elez Hoxha e la Shqipërinë, dhe u arratis në Jugosllavi, ku do të jetonte pak kohë, përreth 4 muaj.
Mbasi iu njoh “azili politik”, ai do të transferohej në qytetin e New Yorkut. Vetëm mbas arratisë, ai arriti të krijojë familje, duke u martuar me zonjën Nexhmije.
Edhe pse në Amerikë, ai mbrriti në moshë të madhe, tregoi vullnet duke punua e studiuar, aq sa arriti ta mësojë gjuhën angleze në mënyrë perfekte.
Elezi arriti t’i gëzohej jetës së lirë në “tokën e lirë”, t’i gëzohej familjes së tij dhe vajzës Majlinda, e cila arriti rezultate të larta si studente e shkëlqyer.
Do të ishte Pandemia e COVID-19, ajo që do t’ia ndërpriste jetën Elez Hoxhës në moshën 79 vjeçare, duke lënë në pikëllim familjen dhe miqtë e tij.
Pushoftë në Paqe shpirti i Elez Hoxhës!
–
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”me kryetarin e saj Elmi Berisha i përcjell ngushëllimet më të thella familjes.
(Përgatiti: Dalip Greca)
.