back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Inxhinieri që shpëtoi “Kishën e Madhe” të Shkodrës – nga Pertefe Leka

Gazeta

"Kisha e Madhe" - Katedralja e Shkodrës
“Kisha e Madhe” – Katedralja e Shkodrës

Inxhinieri që shpëtoi “Kishën e Madhe” të Shkodrës

nga Pertefe Leka

Inxhinier Bujar Golemi,
ai që shpëtoi “Kishën e Madhe” të Shkodrës
nga shkatërrimi komunist,
shembull i lartë i tolerancës fetare…
.
Ing. Bujar Golemi
Ing. Bujar Golemi
Fjala “e Madhe” në Shkodër është mjaft e përdorur jo vetëm për kuptimin e parë të saj por edhe për disa emërtime, si objekte, rrugë, lagje.. (Arra Madhe, lagje ku ishte Selia e At Fishtës, Rusi Madh, lagje tregtare, Kafja Madhe në qendër të qytetit, Malësia e Madhe etj.) për të evidentuar diçka jo vetëm me përmasa fizike, por edhe shpirtërore .
Si duket cilësori “e Madhe” është një reflektim i përmasave të shpirtit, zemërgjerësisë, tolerancës së vetë shkodranit, në vazhdimësi të një trashëgimie të vyer, në kryeqendrën e kulturës shqiptare… Kët mirëkuptim të ngjizur tek fjala e “Madhe” e kanë treguar shkodranët edhe në ndërtimin e Kishës së Madhe apo të kulteve të tjera duke qenë në krah të njeri-tjetrit. Po cila është ecuria e këtij ndërtimi solid, 150 vjeçar…
Ishte 7 prilli i vitit 1858, dita e ceremonisë zyrtare për ngulitjen e piketave të një konstruksioni me përmasa (75.5m gjatësi, 40m gjerësi, 23.3m lartësi) ku zbatohej projekti i një inxhinieri austriak.
Në këte ceremoni morën pjesë shumë personalitete të klerit katolik, shumë nga populli i thjeshtë, ku në mes tyre kishte edhe myslimanë.
Vlen për t’u permendur se Ai që mbajti fjalën e rastit në këte eveniment ishte një mysliman, Daut Boriçi. Një intelektual i shquar i Rilindjes sonë Kombëtare, me një kontribut të lartë në zhvillimin e arsimit kombëtar, në fushën e gjuhësisë dhe në jetën politike (Kryetar i Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën, i internuar nga qeveria turke për këte aktivitet). Në atë kohë, Daut Boriçi, ishte Drejtor i Arsimit dhe fjalën e mbajti në emër të parisë së qytetit..
Ky ishte modeli më i bukur për Shkodrën, ku një mysliman, bile edhe Hoxhë, kryeson fjalimet e rastit, në hedhjen e themeleve te kishës katolike.
Tani për nga madhësia, kjo nuk ishte thjesht një Kishë, por një Katedrale, e cila bëri jehonë që në themelimin e saj.
Vetë Sulltani dërgoi 700 lira turke, Papa Piu IX dërgoi 1000 skuda, Franc Jozefi (që atë ditë martohej) dhuroi 150 Napolona flori; përveç parave që u mblodhën nga populli bujar i qytetit dhe i rretheve, deri në Malësinë e Madhe. Është e veçantë, që ambasadori rus hodhi në themele xhamadanin e stolisur me ar në shenjë bujarie.
Në të vërtetë ndërtimi zgjati shumë vite, por kush nuk ndihmonte atje me të gjitha mjetet që dispononin. Dashuria për të pasur shtëpinë e Zotit i bashkoi shkodranët, qytet-fshat-malësi me një vullnetarizëm të paparë. Në fund, ky konstruksion u bë i dallueshëm edhe në Ballkan.
Në këte katedrale, punoi pa u lodhur nga viti1909, skulptori, piktori, fotografi, arkitekti, inxhinieri shkodran me origjinë çame, Kolë Idromeno (1860-1939) Ai ishte nxënës i devotshëm i Pjetër Marubit, i cili e këshilloi të edukohej në shkollën më të mirë të Venecias, prej së cilës erdhi në Shkodër si dhuratë për kulturën tonë.
Pikturat e Kolë Idromenos ia shtuan vlerat këtij ndërtimi madhështor.
.
Pamje e "Kishës së Madhe" Katedrale në Vitet '30
Pamje e “Kishës së Madhe” Katedrale në Vitet ’30
Në sfond gjëndej piktura murale “Qyteti i Shkodrës me Rozafën në krye, si mbrojtëse e qytetërimit shekullor.” Po ashtu piktura Zoja e Shkodrës e ndjekur me dy engjëj të cilët, artisti i madh, i kishte paraqitur me kostume kombëtare qytetare shkodrane.
Për fat të keq kjo godinë madhështore, goditjen e pare të qëllimuar, e mori në kohën e rrethimit të Shkodrës me 1913. Në atë ndërtesë ishin strehuar më shumë se njëmijë vetë. Gjatë kohës së bombardimit, zjarri arriti deri te kumbonarja dhe u dëmtua më shumë se gjysma e ndërtimit.
E gjithë kjo luftë e ashpër vinte nga një armik i jashtëm që kishte qëllim, pushtimin e qytetit të lakmuar prej tyre.
Pas riabilitimit te Kishës, asgjë nuk e cënoi mirëkuptimin fetar në Shkodër, përkundrazi u bë edhe më i forte. Një gjest bujar dhe fisnik vjen nga i Madhi At Fishta, i cili fill pas daljes nga Rrethimi i Shkodrës, kur u kremtua Festa Kombëtare, me 28 Nëntor 1913, lidhi përjetësisht kandilat e dritave nga Kisha Françeskane me Xhaminë e Fushës-Çelë, në shenjë solidariteti ndërfetar dhe kombëtar…
Pas shume vitesh, një goditje tjetër, po i ofrohej. Viti famëkeq i 1967, erdhi si një termet rrafshues.
Idetë e komunistëve duheshin zbatuar. Përbindëshi i diktaturës, mbasi zhduku njerëzit e dijes e të kulturës duhet të mos linte as gjurmën më të vogël edhe në arkitekturë, edhe kur ajo kishte vlera historike, morale e shpirtërore. Shteti monist kishte aktivizuar inxhinierët e qytetit për të tjetërsuar godinat e kulteve.
Për Kishën e Madhe ishte caktuar inxhinjer Bujar Golemi (i emëruar në atë kohë si inxhinjer Ndërtimi dhe jo inxhinjer shkatërrimi) Inxhinieri, në atë kohë ishte në moshë të re, me një reputacion të mirë në shoqëri dhe në rrethet intelektuale. Ishte djali i mësuesit të nderuar shkodran, Qamil Golemi.
Krahas punës si inxhinier, Bujari, merresh me basketboll dhe ishte një ndër trajnerët e dalluar të ekipit “Vllaznia”.
Njihej si djalë punëtor, organizator i ekuilibruar, por si natyrë siç e thoshin shoqëria e tij ishte fjalëpak e punëshumë. Ishte martuar me Lili Zajmin, mësuese matematike, motra e një të arratisuri politik në Amerikë. Kjo e bënte që të ishte i tërhequr nga tavolinat e kafeneve, paçka se Ai vetë e kishte rikonstruktuar dhe modernizuar “Kafen e Madhe” në qendër të qytetit sipas investimit të kohës.
Aktiviteti i tij shtrihej punë- sport-familje, vlen për t’u theksuar se edhe në familje luante një rol kryesor në harmonizimin e marrëdhënieve vllazërore.
Ngarkesa që mori përsipër nga urdhëri qeveritar duhej plotësuar. Përpara inxhinierit dilnin dilema të mëdha: Të shkatërronte vlerat e konstruksionit në formë e në përmbajtje e të flinte rehat, siç bëri inxhinieri tjetër që e prishi deri në themel Xhaminë e Parrucës, ndërtim i vitit 1939, apo të mendonte ta tjetërsonte në një objekt tjetër shumë të përdorur.
Të realizonte këtë të dytën, duhet ta justifikonte deri në detaje çdo modifikim që do të bënte, sepse ndryshe, asaj politike, nuk i gjëndej karari, ishte politikë: “hyp se të vrava, zbrit se të vrava!” Pra duhej bërë një plan dhe duhej gjetur një gjuhë që të mos vriste keq në qeveri, po edhe në popull, duke ditur se çfarë lidhje kishin njerëzit me këte tempull.
Inxh. Bujari, pas shumë projekteve dhe netëve pa gjumë, e bëri vetë punën e Orakullit. Nuk desh që të përsëritej syndromi i Kalasë së Shkodrës “Puno ditën dhe rrëno natën…” por ta zëvendësonte me “Mendo natën dhe puno ditën…”, pra vendosi ta ruante ndërtesen pa e prekur fare dhe ta tjetërsonte në një qendër sportive.
Mendonte se do të bëhej i besuar, pasi vetë ishte sportist (për dijeni, ai ishte sportisti dhe trajneri i Vllaznisë që i solli Shqipërisë fitoren e parë, jashtë shtetit, në edicionin e Kupës së Europës në basketboll për meshkuj, kur luajti me skuadrën Turke “Gallata Saraj”, në Stamboll.)
E dyta, ai nuk i përkiste fesë katolike, që qeveritarët antife, të mendonin të kundërten.
E treta, qyteti i Shkodrës nuk kishte një qendër sportive të lojrave me dorë të mbuluar, kështu kjo përshtatje do të plotësonte një boshllëk për të cilën, kishin nevojë
qytetarët.
Në fillim u ndesh me kundërshtime, por ishte i gatshëm për çdo përgjigje, sepse e kishte mirëmenduar planin që do të zbatonte.
Tavanin me dërrasa e ruajti, atë e kishte punuar me aqë mjeshtëri inxhinieri Kolë Idromeno. Gjithashtu ruajti Altarin dhe Kupolën së bashku me dy kollonat dhe kornizat duke i justifikuar se i duheshin për të vendosur ndriçimin e sallës ku nuk do të dukeshin instalimet, ndërsa kollonat me gurë të latuar i veshi me dërrasa për t’i maskuar.
Po kështu veproi edhe me pikturat murale, ato me motive fetare i leu me gëlqere, që një ditë me një gërvishtje të lehtë mund të dalloheshin si me parë. Pikturat e kalasë e të qytetit, nuk i preku fare, ato e ruajtën deri tani dorën e ndritur të piktorit Kol Idromeno.
.
"Kisha e Madhe" Katedralja e Shkodrës - 2017
“Kisha e Madhe” Katedralja e Shkodrës – 2017
Qelen, vendin, ku rrinin priftërinjtë e la të paprekur duke e justifikuar se nevojitej si hotel për sportistët.
Deri në 80-85% të punimeve i kishte ruajtur, po edhe kompanjelin, duke e justifikuar te zyrtarët që të përdorej si Belvedere nga ku mund të shijohesh nga lartësia, pamja e qytetit.
Këtë nuk mundi ta realizonte sepse kur erdhi një ekip nga Tirana për të parë punimet, i thanë se nga jashte Kisha nuk ka ndryshuar fare, prandaj kompanjeli duhet të hiqej.
E pati të vështirë ta bënte këtë sepse edhe për kompanjelin kishte punuar 5 vjet arkitekti Kolë Idromeno, për ta ngritur në lartësi me shkallë spirale të menduara mjeshtërisht prej tij.
Si përfundim, përshtatja e Kishës në Pallat Sporti u prit mirë si nga paria e qytetit ashtu edhe nga Tirana. Pallati filloi të funksionojë duke e rritur më shumë popullaritetin në frekuentim. Edhe pse ajo u transformua në një objekt tjetër, emrin “Kisha e Madhe” nuk e humbi kurrë.
Gratë katolike, të cilat kishin mundur të merrnin e të ruanin pjesë të hedhura gjatë punimeve, nuk mungonin t’i bënin ritet fetare, duke pasë përballë faltoren e tyre dhe e uronin inxh. Golemin “Uratën tonë more djalë që na e le në kambë derën e Zotit!”
Viti 1990, erdhi si ogur i mirë për të gjithë shqiptarët. Ai lajmëroi lirinë shpirtërore.
Të gjithë besimtarët pa dallim feje, me një solidaritet vëllazëror u nisën drejt rindërtimit të kishave dhe xhamijave, fillimisht ato që ishin në këmbë.
Myslimanë e katolikë e patën më të lehtë të sillnin në gjendjen e mëparshme Kishën e Madhe dhe Xhaminë e Plumbit. Kështu Kisha e Madhe u riabilitua shumë shpejt, sepse inxh. Golemi ua kishte lënë gati çdo gjë. Mendimi i inxhinierit mori vlera reale sa edhe vlerat e Katedrales. Po të kishin punuar edhe të tjerët si punoi dhe mendoi inxhinieri ne fjalë, shumë konstruksione do të ishin ruajtur.
Kisha e Madhe u bë shpejt simbol i paqës i solidaritetit, i dashurisë njerëzore.
Ishte 7 Marsi i viit 1991, kur u hap Katedralja nga Father Aleks Balqi, dhe Mesha e parë u celebrue nga Don Zef Simoni në prezencë të Nënë Terezës dhe të mijëra besimtarëve.
Por, nuk vonoi 25 Prilli i vitit 1993, kur Gjon Pali i Dytë vizitoi Shqipërinë, vizita e parë e një Pape në vendin tonë. Hirësia e tij e bekoi tokën shqiptare të nëpërkëmbur prej rregjimit komunist. Ishte një pritje e rrallë me një solemnitet hyjnor.
Eshtë po kjo Kishë që priti të mbijetuarin e terrorit komunist, Kardinalin e parë shqiptar, Mikel Koliqi, i cili u varros po aty me 28 Janar 1997, për t’u përjetësuar në kohëra, vepra e tij.
Katedralja priti edhe shumë personalitete nga Vatikani, të cilët nuk kaluan pa e përshëndetur inxhinier Bujarin, Inxhinieri u gjend i befasuar përballë tyre, ai nuk e kishte menduar se dikush, ndonëse nga larg, kishte akumuluar aq shumë respekt për të, për t’ia shprehur një ditë, konsideraten e tyre të lartë për inxhinierin. Ata u shprehen me admirim: “Ju e ruajtet autenticitetin e Kishës që ne nuk mund ta ribënim kurrë në formën e parë, atë konstruksion 150 vjeçar, sado që të mundoheshim!”
Takimi me përfaqësuesit e Vatikanit i ngjalli shumë emocione inxhinierit, por falenderimet dhe mirënjohja që ata i shprehen Atij për veprën e mirëmenduar, i ofroi miqësi.
Mos të harrojmë se kemi të bëjmë me një personalitet që në zjarrin e luftës së klasave tregoi maturi dhe kurajo për të qenë më afër popullit të tij, duke u bërë simbol i shpirtit të gjerë e tolerant të shqiptarit.
Qytetarët e Shkodrës e vlerësuan dhe e respektuan në tërësi kontributin e Inxh. Bujar Golemit, duke e zgjedhur Deputet të Partisë Demokratike, në legjislaturën e parë të Parlamentit të Ri Shqiptar. Sa për dijeni, ata që e votuan më shumë, ishin të zonës elektorale ku predominonte elementi katolik, duke mënjanuar rivalin e tij socialist që i përkiste fesë katolike.
Edhe pse kanë kaluar vite, dikush duhet të kujtohet për ta paraqitur këte vlerë njerëzore sepse është shembull i mirë për brezat, sidomos sot që krijohen konflikte që nuk janë të pranueshme për Shkodrën, si model i tolerancës, e as për mbarë Shqipërinë. Sot më shumë se kurrë duhet të ushqehemi me dashuri, respekt dhe mirënjohje për njeri tjetrin, pa dallime në diferencat politike, fetare e njerëzore për ta konsoliduar me zotësinë tonë të ardhmen.
Mirënjohje dhe admirim për të gjithë ata që kontribojnë me vlera pozitive për vëllazërimin dhe progresin e shoqërisë shqiptare.
.

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Gentiana Kone
    Nuk e dija këtë histori. Edhe pse i kthyer në pallat sporti, kam luajtur basketboll me ekipin e Tiranës dhe kam qenë disa herë në Shkodër, ndihej mistikja kur ndodheshe në të.
    Ju rrittë ndera inxhinjerit Bujar Golemit dhe gjithkujt ka kontribue me e shpëtue atë kishë të madhërishme.

    Gjergji Kosta
    Scutari i qëndrueshëm mbi 2400 vjeçar është i mbrojtur nga Perëndia i Madh!

    Sokol Parruca
    Kishën e Madhe dhe Kishën e Fretënve nuk e ka shpëtuar inxh. Bujar Golemi nga prishja e rrënimi… Ka qenë Kryetari i Kom. Ekzekutiv i asaj kohe Bilal Parruca që ka insistuar pranë Qeverisë dhe Kryeministrit që këto dy kisha mos të prisheshin… duke shkuar për një muaj rresht në Kryeministri bashkë me shefin inxh. Millorat Verdicën me dosje gjersa arritën t’i bindnin për mos t’u prishur… Kjo është e vërteta… mirë do ishte që dikush tjetër që e din këtë fakt ta thoshte… Ndërsa ingj. Bujar Golemi nuk kishte takat të vendoste për prishjen ose jo të Kishave në fjalë… Për sa i takon Xhamisë së Parrucës jashtë dëshirës së tij nuk mundi ta shpëtonte nga prishja… Ndofta ngase minarja nuk futet në shishe!

    Jozef Radi
    Shënimi juaj Sokol, do t’i kalojë autores… Ju bëtë shumë mirë që e theksuat këtë gjë. Sepse është e vërtetë… që në atë kohë s’kishte gjë që mund ta shpëtonte një objekt të tillë jashtë kontekstit të Partisë… sado profesionist të ishe! Sigurisht autorja duhet ta ketë fjalën për pjesët e arkitekturës së objektit dhe jo objektin si koncept Kishë e Madhe…! Nga pikëpamja teknike… Kisha e Vaut të Dejës, ishte kishë ma historike e se Kisha e Madhe e Shkodrës… Ama nuk u kursye as dinamiti, as rrethimi me tanke dhe për fat të keq as regjistrimi me kamera i kësaj ngjarje tragjike në historinë e monumenteve. Sepse kisha datonte shek. e 12… Për të qenë korrekt edhe me të vërtetat…

    Sokol Parruca – Jozef Radi
    Dihet kush e prishi Kishën e Vaut të Dejes… Ka qenë inisiativa e sek. të komitetit të partisë të hidrocentralit të Vau Dejes jashtë dijenisë së Kom. Ekz. Kam qenë prezent në një bisedë telefonike mes Bilalit dhe Aleks Budës ish kryetar i Akademisë së Shkencave… Ndërsa përsa i përket ingj. Bujar Golemit, ka qënë ingj. zbatues i projektit për rikonstruksionin e Pallatit të Sportit.

    Odeta Zhegu – Jozef Radi
    Prishjet e mosprishjet e objekteve historike janë “meritë” e së njëjtës parti, “nënës” së vetme për 50 vjet!

    Klaudia Gargjola Shllaku – Sokol Parruca
    Edhe unë e kam ndigju këtë gja nga baba dhe disa intelektualë shkodranë që shpreheshin me respekt të veçante për z. Bilal Parruca, në mbrojtje të qytetit dhe intelektit shkodranë… pamvarsisht se bajshin pjesë në udhëheqje t’asaj kohe, kanë vepru në mbrojtje të qytetarëve dhe objekteve… Po ashtu si edhe ju që jeni nji shembull i rrallë… në qytetin tonë.

    Thoma Note – Jozef Radi
    për turpin e tyre dhe si dëshmi për historinë, antishqiptarët bënë shumë mirë që e dokumentuan në celuloid hedhjen në erë të saj e kështu nuk mund të thone se shkatërruan thjesht një “kasolle”, por një gjurmë vigane të identitetit të krishtërimit shqiptar!

    Rozina Guli – Sokol Parruca
    Jo ne shishe. “Minarja nuk hyn ne thes!”

    Sokol Parruca – Rozina Guli
    ke drejte Rozina e dashtun

    Guljem Maka – Sokol Parruca
    Asht ma se e vërtetë ajo që thoni.

    Pertefe Leka – Sokol Parruca
    Jam dakord për sa shkruani për z. Bilal por edhe Zoti Bilal e vlerësoi dhe e përgezoi publikisht inxh. Golemin për projektin që bëri
    në adaptimin adekuat në shërbim të sportit ku ai vetë aderonte duke e ruajtur monumentin, por dislutimi për objektin kaloi më lart sidomos kur Bujari e la në këmbë kupolën, i erdhi titullari i dytë i Partisë nga Tirana dhe e pa objektin me kupolë që do t’ia referonte numrit Një të Partisë. Inxh. u detyrua ta hiqte edhe atë sepse binte në sy shumë nga jashtë. Ashtu mund të bënte edhe inxhinieri i Xhamisë të groposte minaretë dhe të bënte projektin e ta zbatonte si Inxh Golemi, por gjeti rrugën tjetër.

    Sokol Parruca – Pertefe Leka
    Për Inxh Bujar Golemin ruaj kujtime të bukur mbi të gjitha si njeri dhe si sportist dhe trajner i basketbollit…
    Ndërsa, në lidhje me xhaminë e Parrucës urdhëri nga Tirana ishte të shëmbej…
    Ka qene avokat Tedeskini që ka kundërshtuar prishjen, duke i parashtruar kryetarit të kom. Ekz. arsyet historike… bashkë me letrën e avokatit dhe opinionin e vetë kryetarit që mbështeste av. Tedeskinini iu kërkua Tiranës të mos prishej Xhamia e Parrucës… Përgjigja erdhi e prerë “Të prishet, të shkatërrohet xhamia…!” Kështu nuk i duhet venë faji inxhinierit e nderuara znj. Pertefe. Përshendetje dhe urimet më të mira për ju!

    Avenir Ibershimi
    Realisht Kisha e Madhe dhe Kisha e Fretënve u prishën, njëra u ba Pallat Sporti e tjetra Kinoteatër. Nuk u prishën, mund të thuhet për Xhamin e Plumbit apo Manastirin e Ardenicës që u bënë Monumentë Kulture!

    Arben Borshi
    Për saktësi, inxhinieri që përmend z. Sokol Parruca, asht quejt Millorad Vërbica. Dhe me datat që përshkruhen, ka kenë inxhinier ndërtimi në komitetin ekzekutiv. Z. Golemi ka kenë ma i ri dhe asht bà trainer i skuadrës të basketbollit rreth gjysmës të dytë të viteve ’70.

    Dedin Suli
    Monomentet e shejtnive që ishin në mbrendësi të mureve u dha urdhëri inxhinjerit me fe myslimane që ti rrëzonte. Ky inxhinjier me virtyte te larta njerzore i vuri nji mur mbyllës , kështu shpëtuan kur erdhi koha e lejimit të feve në Shqipëri, inxhenjerit ju ban falenderime deri te Papa i Romës.
    Ky tregim i mësipërm ka ndodhur në Kishen e Madhe në Shkodër.

    Rozina Guli – Jozef Radi
    me respektin e thellë të faqes tuej, nuk marr përsipër për me i numerue nji nga nji “difektet” e këtij shkrimi, por ka jo saktësina.
    Shkruesja ka shumë eufori ….dhe pa saktësi.
    Këto dokumentohen po ti ballafaqoni me materialet që disponohen në arkiva të të interesuemve…
    z. Radi, respekt për Ju!

    Redi Gjonej
    Si krahasimi mes inxhinierëve të Kishës e Xhamisë. S’ka kuptim hiç se planimetria e tyre është krejt e ndryshme e çfarë mund të bëhej me njerën nuk mund të bëhej me tjetrën. Nuk ka nevojë me sha njërin vetëm e vetëm me lëvdue tjetrin!

    Jozef Radi – Rozina Guli
    Pertefe Leka ashte grue zonje… Unë jam i bindun se nëse ju i shkruani ato çka dini dhe ashtu si i dini ajo do t’i konsiderojë si ndihmë e plotësim… Faqja ime nuk asht se ka çelësin e së vërtetës… Ajo thjesht lufton për të vërtetën kështu që çdo plotësim asht kontribut dhe nuk e cënon aspak integritetin e faqes sime… Përkundrazi shumë informacione e plotësojnë këtë shënim të zonjës Leka që unë e vlerësoj për shumë kontribute në faqen time…

    Rozina Guli – Jozef Radi
    Nuk komentoj “zotnillëkun” e zojës Leka!
    Komentoj seriozitetin e nji artikullit për Shkodrën e Shkodranve.
    Nuk e besoj se e ka nga padija, por nga “shkapërcim me trehapsh”
    E ka marrë “lehtë” që në themelet e Katedrales… ka tjetër histori!
    Po të ishte çeshtje teknike nuk ndërhyja e nuk marr guximin me u ballafaque me askënd, se nuk jam e denjë në atë profesion. Por asht thjeshtë çeshtje historie… që jam dëshmitare direkte; dheeee ashtë e mije në rrethet tona familjare e shoqnore shkodrane janë mbushë me të vërtetën, janë deshmitarë të kësaje historije…
    Znj.Leka të hapin literaturën dhe të bajnë korrigjimet e gabimeve të veta!
    Jozef, respekt !

    Jozef Radi – Rozina Guli
    sido që të jetë, shënimet e tua do t’i përcillen zonjës Leka!

    Rozina Guli – Jozef Radi
    Falemineres, Jozef.

    Pertefe Leka – Rozina Guli
    Faleminderit Zonja Rozina për vërejtjet dhe pasaktësitë që thoni, në shkrimin tuaj, pavarësisht që nuk i keni evidentuar cilat janë që t’i shërbejnë historisë së dokumentuar. Të dhënat nuk i kam hamendësuar as nuk kam marrë përsipër të shkruaj pa pasur një bazë dokumentesh. Sa për Daut Boriçin, shumë i kulturuar për kohën, jam rritur me famën e tij sepse babën edhe axhën i kam pasë mësues dhe e njihnin në detaje, shtëpitë i kemi pasë përballë me familjen e madhe Boriçi me një miqësi shumë të vjeter edhe sot po ashtu janë. Më interesonte ta evidentoja Hoxhë Boriçin sepse i shërbente temës për tolerancën fetare. Nxitja juaj për gabime dhe pasaktësi në shkrimin tim pavarësisht se nuk e di cilat janë, ka vlerën e vet sepse i angazhon studiuesit dhe historianët që të jenë korrekt kur shkruajnë për ngjarje historike.
    Ndërsa për përiudhën e re të dhënat i kam marrë nga Inxh. Golemi, i cili kishte shumë konsideratë për z. Parruca, i cili ishte autoritet vendimmarrës, por edhe shumë pozitiv për të ruajtur monumentet e vjetra por inxh. Golemit iu desh të ballafaqohesh me autoritete më të larta deri më të mëdhenjtë e nomenklaturës qeverisëse. Inxh. më tregoi se çfarë kishte munduar të shpëtonte nga dekori i brendshëm që i përkiste religjionit katolik, e këtë e vlerësuan kompetentët dhe unë i mora të mirëfillta, them se nuk ka vend për eufori. Do ta vlerësoja që çfarë është gabim (Megjithëse jam afër 80-ve dhe mësuese në profesion nuk më lejohen të tilla) ta korrigjoni se i beni nder historisë dokumentare) Respekt Pertefe Domnori Leka

    Jozef Radi – Znj. Pertefe Leka
    ju falenderoj për nderhymjet, mbasi nesër do t’jua dërgoja materialin… Shkrimi ka pasë mjaft lexues që e kanë vlerësue punën tuej, po gjithashtu edhe diçka plotësuese, mbasi edhe kujtesa e njerëzve ka vlerën e saj… Në diskutim ishte edhe Sokoli, i biri i Bilal Parrucës, që dëshmoi disa të vërteta me rëndësi për kët shkrim… Edhe njiherë ju falenderoj për shkrimin, po ma shumë për ndërhymjet tueja sqaruese, dhe tejet pozitive, që e përforcojnë edhe ma tej konsideratën ndaj jush!

    Redi Gjonej
    Përveç 4 mureve, kolonave (që nuk mund të rrëzoheshin se ndryshe binte në tokë ndërtesa), dhe tavanit që nuk ka ndonjë imazh apo simbolike fetare asgjë e dekorit të mbrendshem madje nuk është ruajtur, por është ribërë në vitet ’90. I kam parë me sytë e mi duke u bërë. Kompanjeli, rozeta, altari, madje dhe forma e dritareve (me hark është kthyer në drejtkëndësh) janë prishur. Nuk di se çfarë mund të prishej tjetër… pa e rrëzuar përtokë katedralen!
    Një zotëri më sipër thotë se monumentet e shejtëve u murosën. Konkretisht cili?!
    Asnjë monument nuk është murosur. Ata janë janë hequr të gjithë e kanë mbetur veç mure. Unë i kam parë me sytë e mi pikturat e suvatuara dhe të prishura gjatë restaurimit të viteve ’90. Ndoshta zoja Leka i ka me të dëgjuar. Vetë i kam parë me sy! Të na thoni konkretisht çfarë është ruajtur?

    Rozina Guli – Znj. Pertefe Leka
    Nadja e mirë!
    Në lidhje me diskutimin po paraqes dy fragmente të shkrimit zyrtar historik dhe po e krahasojmë me fragmentin tuej.
    Edhe ju materialin e keni marrë të historiku, por si e thoni nga njohja dhe konfidenca e trashigueme me familjen Boriçi, për mendimin tem keni kalue në eufori, që mue m’i vrau veshët.
    Diku thoni: “për tolerancë fetare… Unë quej tolerancë transparente fetare gjestin që bane në ’97, dy përfaqësitë tona fetare. Të dy trupat fetare, si katolikë dhe myslimanë banë nji parakalim nëpër rrugët e Shkodrës… Ishte nji madhështi!
    Shkodra mbarë i përgëzoi, i falenderoi dhe u dha e u jep respekt të pafund!!!!
    Që të ndalem te konkretja, po sjell dy fragmentet.
    “keni harrue pa përmendë primarin që lexoi fermanin e Perandorisë Osmanë. Abdi pashë Çekrezin.
    Për këtë event duhet të theksohet se Kleri katolik kishte 7-8 vjet që nuk merrte këtë përgjigje kaq të dëshirueshme…
    Pra për këtë punë, ky ferman ishte çilsi i çështjes.
    -kam vue tre nënvizime te fragmenti i juej te i pari nënvizim.
    -kot e keni theksue “mysliman” sepse emën Daut katolik nuk ka, dhe as shkrimi historik jo, nuk e ka cilësue sepse nuk vlen gja.
    -nënvizimi tjetër asht real, asht i saktë.
    Daut Boriçi qe përfaqësues i qeverisë dhe i Vilillëkut!
    -E ky i fundit nënvizimi i tretë i ven “vulen”.
    Znj. Pertefe, nuk erdhi Daut Boriçi në këtë event as pse ishte mysliman, as pse ishte hoxhë, as për “harmoni” fetare, sepse aty nuk kishte ndonji konflikt.
    Aq ma tepër aty falenderohej Perandoria Turke për fermanin dhe për ndihmën ekonomike që dha, pra ishin në “muajin e mjaltit” të dy popullsite fetare: myslimanë me katolikë.
    Znj. Pertrefe, mund t’i queni të kota gjykimet e mija, ajo asht në dorën tuej!!
    Dy fjalë për punën e Ingj. Bujarit .
    Në maskimin e gungës të kishës ingj. Bujari ka përdorë zgjidhjen optimale të mundëshme, ka ba zgjidhjen profesionale që e ka zotnue plotësisht.
    Gjatë ndërtimit të Katedrales, pjesa harkore të Elteri… quhet gungë; kjo pate damtime dy herë, dhe u riparune.
    Në tërmetin fatal të Shkodrës, te 1905, kjo pjesë pat përsëri damtim.
    Ne bombardimet e malazezve në 1912-1913, nga tre gjyle të njipasnjishme përseri kjo pjesë e ndërteses tregoi debulën e sajë, por u riparue përsëri.
    Ingj. Bujari me squtësi nuk vuni dorë aty, dhe mendoj se kjo qe nji arsye ndoshta(?) për me u justifikue para eprorve të kuq!
    E maskoj në mënyrë perfekte dhe nuk do mend që kur erdhe vakti tjetër, u falenderue nga të gjithë.

    Ky asht historiku i hapjes së temeleve të Katedrales. Sa për historik nëse ju interreson:
    -Kisha e Madhe u themelua në oborrin e të quajturit Palok Krandja te Ura e Martin Gjonejt. Pas disa rrethanave politike të brendshme dhe paraqitjes së kërkesës dy-tri herë për ta ndërtuar, më 7 prill 1858, me një ceremoni fetare, u vu kryqi aty ku sot është altari i madh dhe u ngulën piketat. Në ceremoninë e themelmit morën pjesë personalitetet vendore të autoriteteve: valiu Abdi pashë Çekrezi, lexoi fermanin e Sulltanit. U bekua guri i parë prej arqipeshkvit Topiç dhe u çelën themelet dhe Daut efendi Boriçi, si drejtor i arsimit i asaj kohe dhe në emër të qeverisë e valillëkut, mbajti fjalimin e rastit. Pjesëmarrës ishin edhe trupi konsullor i atashuar në qytet, konsulli i Britanisë së Madhe Spiridon Bonatti, i Francës Hyancithe Hecquard, i Greqisë Apostolaqi dhe i Perandorisë Austriake, Ballarini.
    Ndërtimi i katedrales
    Gjatë punimeve dy herë rresht u shemb gunga e kishës. Më së fundi u soll një inxhinier nga jashtë dhe godina u lartua më 1867. Në ndërtimin e saj kontribuoi pothuajse i gjithë elementi katolik i qytetit dhe krahinës. Kupola e drunjtë pas 35 vjetësh u pa me rrezik të binte, u morën masat dhe u riparua.
    Kolë Idromeno u pajtua që të bënte zbukurimet dhe figurat e apostujve mes harqeve. Vetëm më 1890 përfundoi kumbonarja dhe u pajis me tri kumbonë, të blera në Venedik nga bamirësit Filip Parruca dhe vëllezërit Mark e Pjetër Pema.
    Me tërmetin e madh të 1905, kishës iu shkaktuan disa dëme të cilat iu ndreqën. Idromeno u kujdes sërishmi për dekorimet e pikturat; në gungën e kishës pikturoi të ikunit të Zojës së Këshillit të Mirë nga Shkodra, e ndjekur nga dy qytetarë të veshur me tesha shkodrane katolike dhe në sfond qytetin e vjetër të Shkodrës, me kështjellën në krye.
    Lufta Ballkanike
    Gjatë rrethimit në Shkodër, kisha pësoi shumë dëmtime: tri gjyle që e goditën më 12 mars 1913, sollën djegien e kumbonares së sakristisë, shembjen e kumbonëve dhe prishjen e sahatit, dhuruar nga vëllezërit Kakarriqi.
    Më 1924-5 po kjo familje i mundësoi katedrales një sahat të ri që punoi deri kur u shkatërrua sërish kumbonarja me Revolucionin Kulturor të 1967.
    Regjimi komunist
    Me revolucionin kulturor të vitit 1967, Katedralja u shndërrua në Pallat Sporti, ku në vitin 1973, u zhvillua Kongresi i grave komuniste. Rënia e murit të Berlinit dhe shembja e komunizmit sovjetik solli një frymë lirie edhe në Shqipëri në 1990-1991 u kthye liria dhe besimi zuri përsëri vendin e vet.
    Rihapja e Katedrales
    Brendia e Kishës së Madhe
    Më 7 mars 1991, u rihap Katedralja nga Atë Aleks Baqli ofm, mesha e parë u kryesua nga Dom Zef Simoni me meshtarë të tjerë me praninë edhe të Nënë Terezës së Kalkutës dhe të mijëra besimtarëve. Në Katedralen ende Pallat i Sportit më 21 prill 1991, qe shuguruar meshtar Dom Gjergj Simoni prej Imzot Nikoll Troshanit. Selia e Shenjtë me Imzot Ivan Dias, Nuncin e parë Apostolik në Shqipëri, vendosi dhe financoi restaurimin dhe rindërtimin e saj. Me rihapjen e Katedrales në vitin 1993, pasi përfundoi restaurimi i saj, u vunë përsëri në vendin e tyre qoftë shtatorja e Shën Mhillit që shporon djallin, vepër e çmuar në dru e Kolë Idromenos, qoftë njëra prej dy kupave të mermerta të ujit të bekuar, dhuratë e familjes Pema, vepra këto të konfiskuara prej komunistëve).
    Më 25 prill 1993, Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, në vizitën e tij historike, vizita e parë e një Pape në Shqipëri, në praninë edhe të së Lumes Nënë Tereza e Kalkutës, kremtoi Meshën e Shenjtë dhe shuguroi katër ipeshkvijtë e parë të Kishës Katolike në Shqipërinë e ringjallur: Imzot Frano Illia, Kryeipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe Administrator Apostolik i Lezhës, i Sapës dhe i Abacisë së Oroshit, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Durrës-Tiranës, Imzot Robert Ashta, Ipeshkëv i Pultit dhe Imzot Zef Simoni, Ipeshkëv Ndihmës i Shkodrës.
    Fakte të tjera të rëndësishme
    Më 26 nëntor 1994: emërimi i Dom Mikel Koliqit Kardinal; vdekja e tij (28 janar 1997) dhe varrimi në Katedrale.
    -Më 22 tetor 1997: vdekja e Kryeipeshkvit Imzot Frano Illia.
    -Më 28 nëntor 1997: Imzot Angelo Massafra, O.F.M, Ipeshkëv i Rrëshenit dhe Administrator Apostolik i Lezhës, emërohet Administrator Apostolik i Shkodrës dhe i Sapës.
    -Më 28 mars 1998, Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, emëron Kryeipeshkëv Metropolit të Shkodrës Imzot Angelo Massafran, ofm.
    -Më 25 prill 1998, në prani të Nuncit Apostolik, Imzot Giovanni Bulaitis, të Ipeshkvit Ndihmës, Imzot Zef Simoni, të famullitarit të Shkodrës, Imzot Lucjan Avgustini, Kryeipeshkvi Massafra bëri hyrjen e vet në Katedralen e Dioqezës së Shkodrës.
    Më pas përfundoi ndërtimi i Kumbonares së ndërtuar me ndihmesën e Z. Kolë Cacaj dhe qe bekuar nga Imzot Angelo Massafra, më 16 nëntor 1999.
    -Një tjetër ditë shumë domethënëse për Kishën në Shqipëri e që u kremtua në Katedralen e Shkodrës qe shugurimi i meshtarëve të parë dioqezanë e françeskanë pas përndjekjes komuniste, më 29 qershor 2000, pas kryerjes së studimeve filozofiko-teologjike në Seminarin Ndërdioqezan.

    Redi Gjonej
    Sa për saktesim. Në ëikipedia ku është marrë ky artikull thuhet: “Kisha e Madhe u themelua në oborrin e të quajturit Palok Krandja te Ura e Martin Gjonejt” dhe kjo është e pasaktë. Në faqen zyrtare në Internet të Kishës Katolike në Shqipëri thuhet: “Në mungesë të mjeteve financiare punimet filluan pas 7 vjetësh, më 7 prill 1858. Pasi u vendos kryqi aty ku sot është altari i madh, dhe u ngulën piketat, Valiu i Shkodrës, Avdi Pasha, lexoi fermanin (dekretin) e Sulltan Mexhidit që lejonte ndërtimin e Katedrales, dhe dorëzoi si dhuratë nga ai 700 (shtatëqind) lira ari turke. Kisha u ndërtua “…në arën e Marin Gjonej, i cili e dhuroi tokën” Aty nuk ka patur kurre Urë por është Arë dhe mesa thuhej në familjen tonë aty janë berë bostane shumë teë mirë? Gjithashtu emri është Marin e jo Martin.
    Për Palokë Kranden nuk kam dëgjuar asnjëherë e në atë zonë nuk ka patur kurrë familje Krandja. Mundet të ketë qenë një llagap si atëherë e kanë pasur zakon që t’ja vinin njerëzit njer-tjetrit dhe mbiemri të ketë qënë ndryshe. Ai permendet vetëm në librin e Gjush Sheldisë “Njerëzit u mblodhen në oborrin e Palokë Krandes te Ara e Marin Gjonejt që ja fali tokën kishës. Prej aty janë bërë ngatërresat. Sidoqoftë toka ku është ndërtuar katedralja ka qënë e Gjonejve që ja falën Kishës. Dega e Marin Gjonej është një degë Gjonejve që për mendimin tim është aktualisht e shuar e që fillon: Bala – Gjoni (ai qe ja dhe emrin familjes) – Marini – Frani – Marini – Hila (Shue) (i Quajtur me shume Hilë Marini (nga emri i të jatit) se Hile Gjonej. Hila (pra i biri i Marinit) përmendet nga Gjush Sheldija se ka ndihmuar me qerret e tij për të prurë gurë për ndërtimin e katedrales dhe gjithashtu për të ndërtuar Pendën e Kirit. Shtëpia e tij duhet të ketë qenë ajo në krah të Zojzëve të sotshëm e nga ana tjetër në kufi me shtëpinë e aktuale të Agostin Gjonejt ku jetojnë aktualisht disa familje. Kjo shtëpi ju dha kishës me vdekjen e Hilë Marinit – Gjonej që ishte i fundit i degës së tij. Ka dhe hipoteza të tjera që thonë se tokën ja fali Shtjefën Gjonej, por personalisht privilegjoj këtë version të mësipërm se më sa shihet kjo degë e Gjonejv shuar tashmë paska qenë mjaft besimtare dhe çka patur ja ka falur kishës duke mos patur trashëgimtarë të drejtpërdrejtë por veç paralele. Hile Marini së bashku me Stërgjyshin tim Gjyston (të gjithë e quanin Gjush) i ka dhuruar kishës gjithashtu dhe shtatoren e Shën Mehillit duke mbytur Dreqin. “Në bazament është e shkruar “dhunti e Hil Marinit dhe Gjystos!”.

    Rozina Guli – Redi Gjonej
    Të gjithë të tjerat Redi përkojnë me shkrimin historik, veç emni i dhuruesit. Por unë mendova mos ka kenë ndokush po i shpisë tuej me këtë emën(??) Palok Krandja.
    Edhe ndjesë vjehrri i jem dhe ma vonë nga të gjithë të tjerët asht dëshmue se
    Tokën e truellit të Katedrales, ja ka falë familja Gjonej.
    Redi, a e dini ju se ku ka kenë Ura e Gjonejve?
    Kur e kam marrë vesh jam habitë…

    Redi Gjonej – Rozina Guli
    Jo është gabim në ëikipedia kanë shkruar ura dhe Martin në vend të Ara dhe Marin. (Ura e Martin Gjonej nuk ka ekzistuar) Ata që bëjnë ëikipedian janë njerëz si ju dhe unë dhe nganjëherë ngatërrohen. Unë kam pasë kërkuar dhe në 2018, artikulli është korrigjuar në disa zona të tjera por paska patur prap ndryshime dhe ja kanë futur kot duke ngatërruar… Kështu dhe në artikullin mbi Dom Ndoc Nikajn për të emën thonin se ishte nga familja Luli. Më është dashur t’ja u provoj se ishte Guli (si ju) dhe jo Luli e tani është shkruar Guli.
    Personi që shkruante artikullin nuk duhej ti njihte mirë familjet Shkodrane dhe emri Luli i dukej më i përshtatshëm. Por ishte njeri i kuptueshem dhe diskutuam mirë. Shprehu hipotezën se Guli duhej të vinte nga turqishtja dhe duhej te thonte Roze (apo Drandofille) e se mos jeni e një rrënje me familjen Gjyli (se edhe kjo vjen nga e njëjta fjalë Roze apo Drandofille). I thashë se nuk e dija, por m’u duk hipoteze interesante. Përshëndetje.

    Rozina Guli – Redi Gjonej
    Jooooo Redi, ekziston Ura dhe ky dyshim që pata jua bana pyetjen që nëse e dini(??)
    Nga baba Mati dhe të gjithë fisi dhe e gjithë lagjia, përdorim shprehjen “T’Ura”, te ura frynë erë e fortë, etj
    Dhe e pyetme babën Mati: kot i thojnë “urë”… por baba na bindi dhe e vërtetoj dhe me shenjat ekzistues.
    Ashte ba urë se niveli rrugës vjen tuj u rritë kuota e gjithë uji e mbyllte rrugicën. Janë kenë ba puseta te mdhaja – kolektor në Bahçen e Kodhelve për me përpi ujnat e me i derdhë në Kir, afër Urës së Kirit…
    Red asht pjesa e gjanësisë të rrugicës tonë në mes Arqipeshkëvisë dhe sot hotel BOBI.
    Aty, me e kërkue edhe ndër topografë në harta të vjetra, janë shenjat e urës… nji ditë tash t’i diftoj disa fakte që u tregoshin në familje me gjyshin dhe të tjerët…
    Red, nana e Dom Ndoc Nikaj quhej Age dhe Dom Ndoci e përshkruen, e kam lexue librin e tij.
    E vlerësonte tepër t’amen dhe thonte: ishte nji grue e g’jate, e rreptë, serioze dhe drejtimin e gjithë familjes së madhe e bante nana Age…
    Librin ma ka dhanë Franc Nika…

    Redi Gjonej
    Për këtë dhe Gjyshja ime nga Nana (motra e Babës së Francit) e ka emrin e gjyshes së vet pra Age?

    Rozina Guli – Redi Gjonej
    …Na e dimë ndryshe emërtimin e mbiemnit tonë me “Guli”
    Tesh jua çoj në mesangjer.
    Asht nji libër interesant, difton jetën e tij në familje dhe ma vonë… shkollën dhe arsimimin…

    Marcel Hila
    Une e di se urdhni për mosshkatërrimin e objekteve të kultit katolik ka ardhë me presione të forta nga jashtë shteti. Të mbyllen, por jo të shkatërrohen. E vetëm pak, shumë pak, u prishën. Të gjitha mbetën në kambë. Papa Pali VI foli në Radio-Vatikani dhe tha se kishat u mbyllën, por do të bëhen shumë shpejt të tjera më të bukura e do të mbushen plot. Ndërsa shumë xhami u prishën, shumë, gati të gjitha, përveç atyre që ishin objekte arti. Nuk patën mëshirë për to, as për turbet.

    Rudina Lohja Kurti
    Një rrymë e çuditshme vjen paralel në njerëz… po shkruaja diçka për shtëpinë time shumë të madhe në Shkodër… dhe po e rrethoja me gjithë objektet e tjera që cilësohen të mëdha në këtë qytet superlativ.

    Arben Borshi
    Inxhinieri Millorad Vërbica, ishte mik i shpisë, miqësi që kishte zanafillën me tem’ atë qysh në vitet e gjimnazit. Ato që përmend ma sipër z. Sokol Parruca, janë të vërteta, mbasi i kam ndigjue edhe un në shpinë tonë të tregueme prej Milloradit, i cili vinte shpesh, një herë në dy ditë.

    Klotilde Grishaj
    Bilal Parruca ishte një ndër ata që e deshti shumë Shkodrën dhe i ndihmoj shumë shkodranët… Të gjithë e dinë ktë… Kam shumë kujtime prej babës tem që me tregonte edhe për kët rast. Rriti dhe fëmijë të mrekullushëm siç je ti Sokol, shok i mirë i gjimnazit… Respekt për familjen tuaj, të përshëndes nga larg…

    Franc Nogaj
    Krejtësisht të vërteta
    argumentat e dëshmitë e Sokolit për insistimin e mosprishjes së kishës së madhe nga Bilal Parruca. Kjo asht një e vërtetë e pamohueshme.
    Respekt edhe për ju mik i mirë që kontribuoni me shkrimet tua për evedentimin e këtyre pasurive të
    kulturës së qytetit tonë me tradita të lashta.

    Artani Golemi
    Me sa di unë Bilal Parruca bashkë me Millorad Verbicën kanë dhanë nji “kontribut” të madh për prishjen e xhamisë. Përsa i përket kishës, artikulli asht në pjesën ma të madhe shumë korrekt, i saktë dhe pa eufori. Asht e vërtetë qëe Bujari nuk ka qenë në nji pozicion që tëe vendosi për prishjen apo ruajtjen e kishës, sepse këto vendime merreshin nga partia. Por ka pasë nji rrol vendimtar në ruajtjen e kishës. Komiteti i partisë në atë kohë, dhe sidomos nji funksionar i lartë i saj (E.H.) i kanë dhanë Bujarit nji jave kohë për të paraqitur nji projekt-ide për kthimin e kishës në pallat sporti. Nëse ideja nuk do pëlqehej, ose nuk do funksiononte, kisha do prishej. E vërteta asht që mbas nji jave projekt-ideja e realizuar 100% nga Bujari u pëlqy dhe u miratu me ndërhymjen direkte të Spiro Kolekës. Pjesa tjetër asht histori. Pallati i sportit u ngrit si nji mantel i zi, ku poshtë qëndronte gadi e paprekur nji nga ndërtesat më me vlerë të fesë, kulturës dhe historisë shqiptare.
    Me respekt – Djali i Bujarit

    Jozef Radi
    Ju falenderojmë zoti Golemi për këtë ndërhymje sqaruese, për këdo që kërkon me dijtë ma shumë rreth kësaj ngjarje… Pjesa informative e disa prej shënimve do t’i bashkohet shkrimit… Gjithsesi ndokujt që merret me histori mundet t’i vlejë sadopak…!

    Pertefe Leka
    Me and!

    Rozina Guli – Jozef Radi
    Fola boll, megjithëse fola realisht, fola me argumenta… edhe pse kundershtova nji “grue -zojë”
    Pertefen e njof shumë mirë, familje e nderueme, vajzë me karakter dhe gjimnaziste model. Në oborr të gjimnazit kena shkelë njikohësisht të dyja. Ajo ndoshta s’më kujton, pak randësi ka, sepse unë në vajzeni kam mbiemnin që ajo ka sot.
    Dhe argumentet që ja kundërshtoj Redi, Artani, Arbeni, Sokoli… unë do ia kundërshtoja ndryshe, pooor Bujar Golemin e kam mik familjar tash 60 vjet… dhe u përqëndrova te gunga e elterit .
    Po t’ja hidhshe kësaj pasaktësitë, euforitë do t’i bishe ndesh Bujarit që e kam shumë shum mikë… Unë kam fetyrë,
    Daut Boriqi, intelektual, respekt… por n’oborr të Katedrales më nalteson muslimanin Daut… mohon fermanin dhe rolin e Perandorisë për me naltësue Dautin, që ai asht i vlersuem…
    Vlerson të qenunit hoxhë; Medet, a krahasohet prifti me hoxhë?!??
    Nuk flas dhe nuk i bi ndesh familjaritetit të sajë… shkrimet duhet të jenë të sinqerta… veç çpersonalizojnë vedin dhe bash Krishti në kjoftë!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.