back to top
-1.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Bushatllinjtë – disa të dhëna pak të njohura mbi prejardhjen e tyre – nga Ndrekë Zalli

Gazeta

Andrea Zalli
Andrea Zalli

Bushatllinjtë – disa të dhëna pak të njohura

mbi prejardhjen e tyre

nga Ndrekë Zalli

Mbiemrin “Bushati”, si llagap familjar, e ndeshim prej gati 700 vjetësh. Për herë të parë në shkrimet e vjetra na e përmend Thallóczy në dokumentin nr. 798, kur na flet për një Gjon Bushati në vitin 1335 e po këtë mbiemër (Marin Bushati) e ndeshim sërish te po ky autor në një dokument të vitit 1370. Në regjistrin kadastral venedikas “Catasto di Scutari” të vitit 1416-1417 mbiemrin Bushati e ndeshim në Barbullush, në Sumëz, në Shakuj e në fshatin Ndreshkijé.
Por qëllimi i këtij shkrimi s’ka të bëjë me fshatin Bushat e as me familjet jo të pakta të dy besimeve që mbajnë këtë mbiemër, por vetëm me derën e Bushatlinjve, të cilët për 74 vite (1757-1831) sunduan Pashallëkun e Shkodrës, e prej të cilëve qyteti dhe zonat përreh njohën një lloj lirie, një gjallërim e fuqizim të ekonomisë. Nuk pretendoj të bëj historikun e kësaj familjeje të njohur, por thjesht të sjell disa të dhëna pak të njohura për prejardhjen e saj.
.
Pashallëku i Shkodrës
Pashallëku i Shkodrës
Për Bushatllinjte, pra edhe për prejardhjen e tyre kanë folur e shkruar studiues e historianë të shumtë e të njohur. Por në mungesë të dokumenteve e burimeve të sakta arkivore (ashtu siç ka ndodhur pothuej për të gjithë familjet e njohura në trojet shqiptare) mendimet e tyre janë të ndryshme e grupohen në tri “linja”, ose më saktë në tre variante “zyrtare”.
Sipas variantit të parë, dera e Bushatllinjve është me prejardhje nga Gojani i Mirditës. Ky variant mbështetet mbi një gojëdhënë popullore, sipas së cilës të parët e tyre ranë nga ky fshat i Mirditës dhe u vendosën në Bushat të Shkodrës rreth vitit 1630. Kët variant e mbështetet Dom Ndoc Nikaj (Histori e Shqypnis, 1902), por edhe shumë studiues të tjerë.
.

Kara Mahmut Pashe Bushatlliu
Kara Mahmut Pashe Bushatlliu
Sipas variantit të dytë, origjina e Bushatllinjve është nga familja princërore e Dukagjinëve. Përkrahës të këtij varianti janë Hekard (Hyacinthe Hecquard), Dora d’Istria, Tefë Curani, etj. Të cilët pohojnë se “…ky bark rrjedh prej parisë së Dukagjinit që janë përmendë qysh në kohë të Skënderbeut.”
Por, nëse këto dy variante të mësipërme nuk janë edhe aq bindëse, nji nga studiuesit më të njohur e njëkohësisht edhe pinjoll i kësaj familjeje, Hamdi Bushatin, mbështet një variant të tretë. Sipas këtij varianti prejardhja e Bushatlinjve rrjedh prej një familje fisnike vendase e kohës së Venedikut, e konvertuar në fenë muslimane. Kjo tezë mbështetet kryesisht në Relacionin që Gjergj Bardhi, i dërgon Propaganda Fides në vitin 1638, ku shkruan: “Megjithëse Shqipëria e Veriut është nën Turqinë, në fakt atë e sundonin, sikurse në shek. XV, disa zotër feudalë të fuqishëm. E përmendur ishte asokohe shtëpia e Sumejve ose e Beganëve.”
Sulltan Murati IV në vitet 1623-1640, ia beson Sanxhakun e Shkodrës, Mehmet beut, pjesëtar i oxhakut Sumej-Beganji”. E në mbështetje të kësaj teze H. Bushati përmend edhe disa persona me mbiemrin Began, të cilët ndeshen në Regjistrin kadastral të Shkodres të vitit 1411-1417 apo edhe familje të fisme mërgimtarësh shkodranë të ikur nga Shkodra, mbas pushtimit turk të qytetit. Por edhe kjo tezë nuk duket edhe aq bindëse për dy fakte: së pari, sepse siç pohon vetë studiuesi i sipërpërmendur, personat e asaj familjeje të njohur (Began-i) pas vitit 1478 i gjejmë të shpërngulur në Venedik. Së dyti, mbiemri Begaj në këtë rast ka më shumë mundësi që të jetë nga ofiqi zyrtar beg (bej) që ata përfituan nga Perandoria Turke, se sa të jetë i trashëguar nga një familje e kamur e kohës së venedikasve. Gjithsesi duhet cekur se këtë variant, pra atë të prejardhjes nga familja Sumej-Begaj, e kanë mbështetur edhe autorët e “Historia e Shqipërsisë”, botim i vitit 1967.
.
Hamdi Bushati "Mesues i Popullit" (1896-1983)
Hamdi Bushati “Mesues i Popullit” (1896-1983)
Përveç këtyre tre varianteve “zyrtare”, mund të themi se që herët ekziston edhe nji variant i katërt, i cili, megjithëse i përmendur nga ata vetë, sot anashkalohet e nuk përmendet më nga pasardhësit e kësaj familjeje. Për këtë variant, edhe pse në formë përjashtuese, na flet për herë të parë Ermano Armao, konsull i Mbretërisë së Italisë në Shkodër, në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Në librin: “Vendbanime, kisha, lumenj, male e toponime të ndryshme të një harte të vjetër të Shqipërisë së Veriut”, kur flet për Bushatin ndër të tjera thotë: “Ata (Bushatllinjtë) pretendojnë, por pa asnjë bazë, se e kanë origjinën nga Balshajt, të cilët historia nuk i përmend më pas viteve 1500”.
Por ky pretendim “pa asnjë bazë”, siç thotë Armao, mesa duket e ka një bazë jo aq të pabazë e që besoj se duhet marrë në konsideratë. Është pikërisht studiuesi Astrit Lulushi, ai që në shkrimin “Gjergj Balsha, Bushatllinjtë dhe pashallarët, një përshkrim i historisë që nga viti 1380” hedh dritë mbi këtë variant të “ri” të prejardhjes së kësaj dere të njohur pashallarësh. Por përpara se flasim rreth tezës që na ofron studiuesi i sipërpërmendur, për interesin e lexuesve po sjellim një historik të shkurtër të familjes princërore të Balshajve.
Balshajt ishin një nga familjet më të njohura fisnike shqiptare, të cilët ngritën dhe drejtuan një nga principatat më të fuqishme të Mesjetës.
.
Principata e Balshajve
Principata e Balshajve
Për prejardhjen e Balshajve, Astrit Lulushi na thotë pa mëdyshje se “rridhnin prej një familjeje nga Baux, fshat në jugperëndim të Francës. Ata ishin vendosur në bregdetin shqiptar dy a tri breza para betejës së Fushë Kosovës”, duke iu referuar historianit të mirënjohur të Perandorisë Bizantine Charles du Cange (Charles du Fresne, sieur du Cange, 1610-1688). I këtij mendimi është edhe studiuesi serb Çedomilj Mijatoviç, i cili beson se Balshajt rrjedhin nga Dera provensale e Bove (fr. Baux); nga të cilët bijon një familje italiane (”del Balzo”), dhe prej këtyre vijnë Balshajt, si edhe studiuesi francez i Mesjetës, Zhan Klod Faverial. Ndërsa historiani serb Vladimir Çoroviç, gjykuar nga emri i familjes, arrin në përfundimin se janë me origjinë vllehe. Me origjinë “rumune ose kuço-vllahe” përmenden edhe nga Shuflaj, nga Jorga e po ashtu nga gjuhëtari kroat Petar Skok dhe nga historiania serbe Milena Geciç.
Por qëndrimet ndaj prejardhjes së kësaj familjeje janë të shumta dhe autorë të ndryshëm shprehen me hipoteza të ndryshme, asnjëra prej të cilave nuk duket përfundimtare.
Ndryshe nga studiuesit e mësipërm, për origjinë shqiptare të familjes Balshaj flasin Ivan Stepanoviç Jastrebov, konsull i Rusisë në Shkodër e Prizren gjatë perandorisë osmane, studiuesi amerikan i mesjetës Kiril Petkov, Plamen Tzvetkov, Kristo Frashëri, Kasëm Biçoku, Rolando Fabrini, Akademia Bullgare e Shkencave, Enciklopedia Britanike e po ashtu edhe dy studiues bashkëkohorë shqiptarë, Gazmend Shpuza e Pranvera Bogdani. Të gjithë këto e lidhin mbiemrin e familjes me toponimin Balec, fshat në lindje të liqenit të Shkodrës, pranë Rrjollit.
Por të vazhdojmë me historikun e Principatës së Zetës, apo siç njihet ndryshe, Principatës së Shkodres, nën sundimin e Balshajve. Për to flet që më 1331, kryepeshkopi i Tivarit, Guljelmi i Adës. Lulëzimi i kësaj Principate nis pas vitit 1362, kur pushteti kaloi nga Balsha I tek tre bijtë e tij, ato e zgjeruan dhe e fuqizuan shumë Principatën e tyre. Përfaqësuesit kryesorë të kësaj familjeje në fazën e parë ishin: Balsha I (deri më 1362) dhe tre djemtë e tij Strazimiri (deri më 1372), Gjergji I (deri më 1379) dhe Balsha II (deri më 1385). Në fazën e dytë dallohen Gjergji II Strazimiri (më 1385-1403), Balsha III (1403-1421). Pas vdekjes së këtij të fundit në krye të Principatës erdhi nipi i tij, Stefan Cërnojeviç, i cili thuhet se ishte martuar me një vajzë të familjes së Kastriotëve, i cili dihet se ishte një nga pjesëmarrësit e Kuvendit të Lezhës. Pas vdekjes së tij, për të cilin thuhet se është varrosur në një nga ishujt e liqenit të Shkodrës, vendin e zuri i biri, Gjoni.
“Gjon Cërnojeviçi, – na thotë në shkrimin e tij studiuesi Astrit Lulushi, – vdiq më 1490, duke lënë pas dy djem, Stanishin dhe Gjergjin, i cili u vu në krye të principatës. Stanishi, quhej edhe Maksimus (më i madhi) dhe kjo i bën disa studiues të arsyetojnë përse vënia e Gjergjit në krye të principatës u kundërshtua nga vëllai i tij. Kështu, luftës kundër pushtuesve, tani iu shtuan edhe luftrat e brendëshme. Stanishi, në luftë për pushtet, kërkoi ndihmën e perandorisë osmane, por megjithatë nuk fitoi. Pas kësaj, ai shkoi në Stamboll nga ku me dekret të Sulltanit u dërgua në Shkodër si qeveritar a komandant ushtarak. Historianët thonë se banorët e Shkodrës, duke e njohur si bashkëpuntor të pushtuesit, protestuan kundër emërimit të tij. Pas kësaj, atij iu dha njëfarë detyre a pushteti në një zonë pranë qytetit. Edhe atëherë, si sot, zona quhej Bushat dhe prej andej dolën një numër pasardhësish të Stanishit, pashallarë e të tjerë, të njohur si Bushatllinjtë. (Denton,1877).
Në këtë përfundim arrin historia, por legjenda tregon edhe dicka tjetër. Sipas një gojëdhëne, më 1493, Gjon Cërnojevici, shkoi në Venedik për t’i kërkuar kësaj republike zbatimin e traktatit për të mbrojtur Malin e Zi. Gjatë kësaj vizite ai mendoi se edhe lidhja e krushqisë me ndonjë familje të njohur venedikase do të ndihmonte. Gjergji, një nga djemtë, ishte martuar më parë me vajzën e një fisniku venedikas, i cili pastaj e kishte ndihmuar Shkodrën gjatë rrethimit turk. Tani radhën për martesë e kishte Stanishi apo Stefani. Një nga prijësit e Venedikut i premtoi vajzën e vet, por kur erdhi dita e martesës, Stanishi sëmurë rëndë nga lia dhe fytyra e tij u bë tepër e shëmtuar. Kështu, kur Gjon Cërnovici shkoi për të marre nusen e birit të tij, thotë gojëdhëna malazeze, në vend të Stanishit, ai mori një djalë të pashëm nga Ulqini me mbiemrin Gjura. Familja venedikase dhe nusja e panë dhe e pëlqyen, ndërsa Gjura e dasmorët e Cërnovicit e dinin se ajo i takonte Stanishit. Gjatë kthimit, kur iu afruan kullës së Cernovicit, Stanishi u doli përpara dasmorëve dhe i tha nuses se ai ishte dhëndri. Nusja u tmerrua nga shëmtia e tij, ndërsa Stanishi i zemëruar e ndoshta xheloz, nxorri shpatën dhe e vrau Gjurën. Mes dasmorëve u ndez lufta – fisi Gjura e të afërmit kundër Cërnovicëve dhe përkrahësve të tyre. Nga kjo betejë u vranë thuajse të gjithë dasmorët. Por Stanishi mbeti gjallë dhe për t’i shpëtuar hakmarrjes, u hodh në anën turke. Dhe këtu legjenda bashkohet me historinë; Stanishi shkoi në Stamboll, u kthye në Shkodër e u vendos në Bushat”. – thotë në shkrimin e tij Astrit Lulushi.
Nuk mund ta vemë dorën në zjarr për vërtetësinë e kësaj gojëdhëne që na sjell A. Lulushi, por studiuesi i njohur shkodran e pinjolli i kësaj familjeje, Hamdi Bushati, në një shkrim të tijin në revistën L.E.K.A Nr. XI-XII të vitit 1933, ku analizon disa toponime të zonës së Bushatit, na sjell edhe shpjegimin etimologjik të toponimit “Shakuj” (dikur fshat i njohur e sot një lagje e vogël e fshatit Rranxa): “Gojëthana popullore thotë se nji i parë beljerësh së Bushatit të sipërm kishte nji vllâ në Mal të Zi, i cilli, tue dishrue me ardhë e me ngulë edhe aj në Bushat, kërkoj prej vllaut të vet, banues në kyt katund, nji copë tokë qi të i a fali sá për banim.
Ky i fundit i premtoj të vllaut me i falë tokë sá merr nji e ngame kali: vllau i ardhun prej Malit të Zi, i hypi atit në Krye Bushat dhe e ngau vrap, por kur arrijti në Shakuj aty kali i mbet shakull; prej kësaj rrjedh edhe fjala Shakuj.”
Si shpjegim etimologjik kjo gojëdhënë që na sjell një pasardhës i derës së Bushatllinjve nuk ka asnjë pikë vlere, sepse tashmë dihet që fshati Shakuj ose Shakull ndeshet në dokumente qysh në vitin 1400 në trajtën Saccoli e po ashtu edhe në Regjistrin Kadastral venedikas të vitit 1416-1417 në trajtën Saccolj. Por tërthorazi përforcon atë çka thotë A. Lulushi më sipër: që kjo familje e njohur paska pasur të afërm të afërt në Malin e Zi.
Të shpresojmë që në të ardhmen studiues të tjerë të jenë më këmbëngulës e më me fat në gjetjen e dokumenteve e fakteve të reja që të hedhin dritë e ta “zyrtarizojnë” ndonjë nga këto variante të derisotëm, ose ku i dihet, të sjellin të dokumentuar ndonjë variant tjetër edhe më bindës se këto.
.
Bushat, 18 prill 2020

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.