back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Tallavaja e poezisë shqipe – refleksion nga Leon Lekaj

Gazeta

Leon Lekaj
Leon Lekaj

Tallavaja e poezisë shqipe

refleksion nga Leon Lekaj

Gati çdo ditë ndeshemi me botime dhe promovime librash, sidomos vëllime poetike, të cilat kohët e fundit dominojnë jetën artistike të vendit. Sigurisht, këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe në pamje të jashtme nuk duket se i shkakton probleme shoqërisë shqiptare të letrave. Por çfarë po ndodh?
Le të kthehemi vite mbrapa, fill pas luftës në Shqipëri dhe shohim se si ndoshta në rastet unikale, (përfshij edhe lindjen komuniste) rrymat në art kanë ndikimin e drejtpërdrejt të strukturave shtetërore, për t’i hapur rrugë realizmit socialist. Anatemohen poetë dhe shkrimtarë, duke u bërë pjesë e fondit të ndaluar, hiqet nga qarkullimi një pjesë e madhe e letërsisë bashkëkohore, shembet pa mëshirë godina e vjetër e traditës dhe bëhen përpjekje për të ngritur një godinë të re arti, e cila do t’iu shkonte për shtat ideologjisë së përbindëshave të territ.
Gjatë gjithë këtyre 50 viteve, u eksperimentua “krijimi i njeriut të ri” duke dhunuar çdo lloj dukurie në art, e cila lidhej me zhvillimin normal të tij. Në këtë rast, shteti në vend që të ishte rregullator i shijeve estetike dhe shtytës i rrymave dhe ideve të reja, me një dorë të hekurt, e cila çoi deri në “gijotinë” poetë dhe shkrimtarë, u bë pengesë serioze në zhvillimin normal të letërsisë.
Me këtë situatë konfuze u përballuan krijuesit e rinj pas viteve ’90. Ishte e natyrshme që ndërkohë që një populli po i hiqej fasha prej goje, nëse nuk i duhej të bërtiste, së paku të fliste me zë të lartë. Mijëra libra iu drejtuan shtëpive botuese, të cilat të mbira si kërpudha mbas shiut, mbushnin xhepat e tyre, ndërkohë që strukturat shtetërore të artit dhe të kulturës në vend humbisnin kontrollin, duke i hapur rrugë një “letërsie” të re, një pjesë të madhe të së cilës, unë do ta quaja spekulative.
Por përsëri, deri në kohën kur rrjetet sociale nuk qenë bërë dritare e përditshmërisë edhe e shqiptarëve, gjendja nuk mund të cilësohej kaq shkatërrimtare sa ç’është sot. Më ka rënë rasti të lexoj aksidentalisht disa të vetë deklaruar poet. Çfarë më duhej të them? Që vetë A. Zako Çajupi, qe i ekuilibruar me lexuesin e tij, por i vonuar në raport me kohën. T’iu them që më parë se poeti ynë kombëtar, N. Frashëri, të mbyllte sytë përgjithmonë, bota letrare kishte njohur një Profet me emrin Rimbaud, apo një Albatros me emrin Bodler?
Por ata janë mbretër. Dhe me mbretërit duhet të dish të sillesh. Rrjetet sociale menaxhohen në mënyrë prefekt prej tyre dhe teknologjitë e reja kurorëzojnë çdo ditë mbretër të rinj. Një faqe facebook-ku, dhe ballina me numër të madh librash janë të mjaftueshme që të sugjestionojnë miqtë. Dhe befas ata e kuptojnë se shumë shpejt mund të bëhen mbretër, mbretër të një mbretërie virtuale. Por nuk kanë fron. Në kushtet e reja lind domosdoshmëria e oborrtarëve. Ata i kanë piketuar dhe si mbretër i emërojnë. Thjesht, pa i pyetur, sepse çdo njeri që kërkon të ngjitet në fron, më parë i tregojnë përrallën e Andersenit me mbretin lakuriq.
Dhe befas e kuptojnë pushtetin e tyre. Nuk harrojnë që hera herës ta rifreskojnë ballinën me libra të rinj dhe ngjitur me emrin e tyre, tashmë për ta e ligjshme kjo, vendosin fjalën poet-e. Por kaq nuk mjafton. Ata vihen në kërkim të tematikave të tyre dhe shoqërisë shqiptare, nuk i mungojnë ato. Një nënë që ka humbur djalin në “gurbet”, një fëmijë-lypës që shtrin dorën tek semaforët, një dashuri e pafat, një poezi epike për Kosovën, një tjetër për atdheun e shumë vuajtur, e të tjera si këto janë objekti i tyre.
.
Dita e Poezise
Dita e Poezise
Pastaj rroftë interneti! Poshtë vargjeve të tipit: “Hajde bojna selfi/ O per dikon tjetër/ Ta sheh o Dashnia vjetër…” një foto e marrë nga interneti, etiketime sa më shumë miqve dhe “suksesi” nuk do të vonojë; qindra pëlqime, i mjaftojnë që të ndjejë pushtetin e tij prej mbreti. Pastaj i vjen radha ëndrrës tjetër; si mbret i duhet që të dekorojë. Komisioni i dekoratave është i gatshëm, ata presin vetëm fermanin e lartmadhërisë dhe në horizontin e rrjeteve sociale shfaqen çmimet.
Ato kanë vetëm një kriter, atë të shijeve të mbretit, i cili nuk harron që bashkë me njerëzit, të cilët e lëpijnë me lëvdata, të vendosë edhe disa emra të tjerë, që “kanë kontribuar” në fushën e poezisë. Lind kështu çmimi (për modesti ai nuk ka vënë emrin e vet) “Top tallavaja”. Fituesit, sidomos atyre që ndodhen jashtë kufijve të vendit, iu kujtohen se si në kohën e regjimit të territ të bishtukëve, kur ndaheshin Fletat e Nderit, të paktën iu duhej që t’i gëzoheshin letrës. Tashti vetëm fotos në kompjuter dhe asgjëje tjetër edhe pse nga kapitalizmi kanë mësuar se stimujt moralë i përkisnin sistemit të vjetër.
“Poeti është mbret i kaltërsisë kur lëviz lirshëm në qiell si albatros, por i ngathët dhe jo luftarak, i shëmtuar dhe komik nëse mbahet brenda kufijve të një realiteti që e bën të huaj dhe joautentik”, thoshte Bodler. Njoh shumë poetë të heshtur, të cilët e ndjejnë veten brenda kësaj shprehjeje. Mungesa e një kritike të mirëfilltë, e cila do të evidentonte hierarkinë e vlerave të mirëfillta dhe shtimi me shpejtësi i mbretërve të tallavasë së poezisë shqipe do të vazhdojë t’i mbajë nën “hijet komode” që të paaftët ndërtojnë me plot mirësjellje për ta. Kjo është duke ndodhur sot, në Shqipërinë postdiktatoriale!
A ka fajtor e gjithë kjo situatë?
Sigurisht që po! Së pari shoqëria, e cila me shpejtësi po degradon drejt temave spekulative, të cilat nuk kërkojnë “stomak të fortë” për t’u përtypur, drejt ngjarjeve sensacionale dhe drejt një letërsie, baza e të cilës nuk është arti i të shkruarit, por thjesht ngjarja, duke dëshmuar se civilizimi i vendit tim do të vonojë të duket në horizont; së dyti shteti, kërkesë e pazakontë kjo, kur mendon se çfarë fundi pati poeti i mrekullueshëm Frederik Rreshpja, të cilit i duhej të priste vdekjen, që të bëhej i pavdekshëm.
.
Marrë nga Muri i Fb i Leon Lekajt, 19 prill 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.