back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Si muça mbas daive… Ilir Seci (fb) 17 tetor 2013

Gazeta

Ilir Seci
Ilir Seci

Si muça mbas daive… Ilir Seci (fb) 17 tetor 2013

“Unë jam gegë” titullohet një libër i gazetarit Mustafa Nano, mjaft i përfolur këto ditë… Një titull që autori është munduar ta paraqesë si intrigues, paçka se asgjë intriguese nuk ka në konstatimin se dikush është Gegë…!?
Schopenhauer-i ka pas thënë dikur se: “Titulli i një libri është si adresa në zarf!” dhe nisur nga kjo me të drejtë pyesim: kujt i adresohet ky libër me këtë titull?! Për të mbetur brenda krahasimit me adresën postare, vërejmë se për pullë postale M. Nano vendos një foto të vetën me qeleshe dhe një bisht çiftelie?!! Gegë për kokë të Gegës… me qeleshe e çifteli?!! Çfarë doni më?!
Në fakt, nga ballina e librit shihet që Muçi s’ka bërë gjë tjetër vetëm se ka kthyer mbrapsht një stof të vjetër të një mendësie paragjykuese stereotipike… e ka kthyer mbrapsh një stof të perdorur dhe mundohet ta shesë për të ri!
“Gegët nuk identifikohen me një qeleshe e çifteli!” – i duhet thënë Muços, që me mjeshtëri kërkon të imponojë një perceptim mbi gegët vetëm si malësorë…!? Gegni është Shkodra, një qytet mijavjeçar, një mjedis urban prej mij a vjetësh, në fakt qyteti më i vjetër e me qytetërimin më të hershëm, ende aktiv në Shqipëri! E gjitha kjo, nëse flitet vetëm për Shqipërinë e Republikës së 1913, se po folëm për qytetet e vjetra në trojet shqiptare pastaj lista e qyteteve me tradita e qytetërim zgjerohet me Prizrenin qytetin më të madh shqiptar në shekuj, Pejën, Gjakovën, Prishtinën, Dibrën e Madhe, Tetovën, Shkupin, etj… Krejt qytete gege! Por nga sa shihet Mustafa Nano flet vetëm për Shqipërinë e Londrës, me një perceptim si thonë frëngjit “etat-ist”, pra konsideron vetëm 28 mijë kilometrat e 1913… Le të qëndrojmë aty… edhe në 28 mijë kilometrat… gegët assesi nuk mund të perceptohen si malësorë, ashtu si M.Nano mundohet t’i ngjeshë në thesin e paragjykimeve të veta të tipit: “…toskët bartin virtyte civike; gegët janë të dhënë pas normave etike…” …A u lodhe Mustafa?!…” Civile?!… Pa na thuaj pak kush solli Fotografinë e parë në Shqipërinë e Republikës?! Kinemanë e parë?!Sportet e para si Futbolli, Çiklizmi, Boksi, etj?!Kush kompozoi Operën e parë në Shqipëri?! E sa tjera të para?!… Të gjithë këto elemente që e bëjnë një shoqëri të civilizuar, apo jo Mustafa?!
Gegët nuk mund të perceptohen si malësorë me një çifteli dhe qeleshe ashtu si nuk mund të perceptohen Tosket me fustanellë e curle… Për më tepër Muçi vazhdon po e citoj: “…toskët janë të dhënë pas normave civile; gegët parapëlqejnë vetëgjyqësinë e ngritur mbi kode morale, toskët parapëlqejnëtë jenë nën hyqmin e një organi suprem amoral, siç është shteti; gegët shohin me dyshim modernitetin; toskët shohin me dyshim traditën; gegët janë tradicionalistë, konservatorë, deri edhe reaksionarë; toskët janë progresistë, liberalë, deri dhe revolucionarë; gegët janë zogollianë, toskët janë fannolianë; me gegët mund të ndërtosh një komb, me toskët mund të ndërtosh demokracinë e shtetin e së drejtës; gegët janë të djathtë, toskët janë të majtë…”?! Cilin Komb apo cilin Shtet kanë bërë Gegët apo Toskët Zotni Mustafa?! Kombin që e kemi të ndarë në katër shtete: Mal të Zi, Serbi, Maqedoni, Greqi se Shqipëri e Kosovë janë shqiptarë?! Për atë Komb flisni?! Cilin shtet të së drejtës kanë bërë Toskët kur në këto 100 vjet as erë shteti të së drejtës s’ka gjëkundi!?Mos e quani gjë si shtet të së drejtës shtetin diktatorial të Hoxhës që në fakt me përbindshmërinë e një gjenocidi, përndoqi, vrau, burgosi pikërisht Klerin katolik shqiptar, atë pjesë të shoqërisë shqiptare që atdheut tonë Shqipërisë i solli të vetmen hije qytetërimi evropian me të cilin e kemi bërë zakon të mburremi! Ku i vendos në tabelën tuaj klasifikuese këta kollosë të qyteterimit shqiptar z.Mustafa Nano!?
Në Shkodër e kanë një shprehje popullore: “Si muça mbas daive…” dhe meqënëse Mustafanë e thërrasin me përkëdheli Muçi, atëherë kjo shprehje i shkon shumë për shtat… Muça që shkon pas Daive nënkupton dikë që merr përsipër një barrë që nuk e mban dot… dikush që i hyn një fushë që nuk e njeh dhe nuk është ekspert… Ose meqë Muçi ka dëshirë të paraqesë veten me qeleshe e çifteli po i sjellim një fjalë të urtë nga Malësia: “Ke hy me Trina nëpër mal!”
…Mustafa Nano as është psikolog, as është etno-psikolog, aq me tepër etnograf apo antropolog e megjithatë me kurajo i hyn lëvrimit të një teme të tillë?! Pse jo?! Një kuturisje e tillë është bërë si metodë pune në Shqipërinë e sotme… përnatë nëpër TV sheh të njejtët ekspertë universalë që diskutojnë për çfarëdolloj teme të duash! Të gjithanshëm… në planetin tonë e në
Galaktikë…
Po t’i hedhim i një sy të vemëndshëm mediave perëndimore që janë me peshë e kanë krijuar prestigj ato asnjëherë nuk kanë të njëjtet komentatorë lidhur me temat që sillen… Temat variojnë… edhe komentatorët variojnë! Sepse në Perëndim kur vjen puna te diskutimet profesionale, sjellin ekspertë të fushave dhe jo inteligjencie “Fast-Food” si bëjnë TV shqiptare!Nuk fton kush përnatë të njejtin version intelektualësh ekspertë të çdo fushe pa asnjë profil, njëfarëlloj versioni që shitet lirë, shitet përnate e shpejt e shpejt… si ushqimet e manipuluara gjenetikisht, për të cilat ankohen të gjithë!
Marre nga (fb i Ilir Secit) 17 tetor 2013

Mustafa Nano (Posteri i librit "Unë jam gegë!")
Mustafa Nano (Posteri i librit “Unë jam gegë!”)

Pjesë nga Libri i Mustafa Nanos “Unë jam gegë” (panorama)

* * *
Sipas Edith Durham-it, instinktet fisnore te gegët janë shumë të fuqishme. Ndonëse “bëhen rreth 15 shekuj që malësorët kanë nisur të ushtrojnë krishtërimin, zakonet fisnore vazhdojnë të mbeten më të forta se ligjet e Kishës”, shkruan ajo. Dhe këtë e ilustron edhe me refuzimin që malësorët i bëjnë martesës me një grua “brenda fisit”; dhe “brenda fisit” fusin edhe ato që janë kushërira të brezit të dymbëdhjetë. Kisha e lejon një martesë të tillë, kujton ajo t’i ketë thënë një prift i Malësisë, por vetë malësorëve u ngjan e tmerrshme ideja për t’u martuar me kushërirën e dymbëdhjetë. “Ne jemi motër e vëlla, e nuk mund të martohemi”, ia bënin ata. Jacques Bourcart bën të njëjtin vëzhgim. Ai e sheh fisin në Shqipërinë e Veriut si një institucion “të krijuar në lashtësinë më të thellë, dhe është shumë më i vjetër nga të tërë burimet historike që kemi”, ndërsa “në jug të Shqipërisë e në trevat më lindore të saj [vërehet që] klanit feudal ia ka zënë vendin… komuna”. Edith Durham-i përdor një term tjetër për të përkufizuar organizimin social në jug. Në Postenan të Kolonjës, në mënyrën e organizimit të jetës atje, ajo ka pikasur një “esprit de corps”, dhe… pastërti. “Shtëpitë mbaheshin shumë të pastra; dyshemetë i mbanin të mbuluara me qilima të dizenjuara bukur; muret ishin të veshura me dërrasa; dërrasat kruheshin derisa bëheshin të bardha; enët e gjellës shkëlqenin”, thotë ajo. Por këtë tabiat ajo ka mundur ta vërë re edhe në veri: “[Në Jubanin kristian] burrat qenë në ara për të punuar tokën, por gratë që qenë në shtëpi duke qepur e endur, na mikpritën në ato shtëpitë e tyre të vogla, të lyera me gëlqere të bardhë e me tjegulla të kuqe; brenda tyre s’kish asnjë lloj mobilimi, por qenë, megjithatë, mjaft të pastra, e fëmijët eshtakë dukej që sapo qenë larë”. Autorët e huaj, por edhe tanët, që në fakt janë marrë më rrallë me argumentin gegë/toskë, janë përpjekur të bëjnë një fotografi të plotë të këtyre dy pjesëve konstituive të kombit.

Mustafa Nano
Mustafa Nano

* * *
Në vitin 2009, në një shkrim të publikuar te Korrieri, u përpoqa të bëja, bazuar në shënimet e librat e të huajve, por duke shtuar ca dhe nga vetja, një përmbledhje të tipareve të gegëve e të toskëve. Dhe shkruaja: “Gegët janë qejflinj të armëve, ndërsa toskët janë qejflinj të parave; gegët dinë të bëjnë luftë, toskët dinë të bëjnë propagandë; gegët janë trima, toskët janë mendjehapur; gegët janë të dhënë pas fisit, toskët janë të dhënë pas vetes; gegët janë poetikë, toskët janë prozaikë; gegët janë të zgjuar, domethënë finokë e dinakë, toskët janë të mençur, domethënë pragmatistë e të korruptueshëm; gegët pëlqejnë jetën rapsodike brenda fisit, toskët pëlqejnë jetën sociale jashtë shtëpisë; gegët duan ta këqyrin bukurinë, toskët duan ta shijojnë atë; gegët pëlqejnë burrninë, toskët pëlqejnë njerëzillëkun; gegët i duan gratë për t’i nderuar e për t’u nderuar prej tyre, toskët i duan gratë për t’i kënaqur e për t’u kënaqur prej tyre; gegët jetojnë për një nder, toskët jetojnë për një çikë qejf; gegët janë fanatikë, toskët janë të shthurur; gegët te çdo njeri shohin një mik/armik, toskët te çdo njeri shohin një ortak; gegët bartin virtyte kombëtare, toskët bartin virtyte civike; gegët janë të dhënë pas normave etike, toskët janë të dhënë pas normave civile; gegët parapëlqejnë vetëgjyqësinë e ngritur mbi kode morale, toskët parapëlqejnë të jenë nën hyqmin e një organi suprem amoral, siç është shteti; gegët shohin me dyshim modernitetin, toskët shohin me dyshim traditën; gegët janë tradicionalistë, konservatorë, deri edhe reaksionarë, toskët janë progresistë, liberalë, deri dhe revolucionarë; gegët janë zogollianë, toskët janë fannolianë; me gegët mund të ndërtosh një komb, me toskët mund të ndërtosh demokracinë e shtetin e së drejtës; gegët janë të djathtë, toskët janë të majtë.”

(marrë nga gazeta Panorama)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.