back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

“Të mos shembet Teatri, të shëmbet Qeveria!” – Genc Hoti në tri përgjigje për ndërtesën e Teatrit Kombëtar

Gazeta

Legjitimimi i shfaqjeve ne Teatrin Kombetar prej dates 27 korrik 2019
Legjitimimi i shfaqjeve ne Teatrin Kombetar prej dates 27 korrik 2019

“Të mos shembet Teatri, të shëmbet Qeveria!”

Genc Hoti në tri përgjigje për ndërtesën e Teatrit Kombëtar

Bisedoi Jozef Martini

(Këtë rradhe, tri pyetje Genc Hotit për ngjarjen aktuale,
insistimin e qeverise me rrafshue Teatrin Kombetar.
Asht mendoj, njohësi ma i mirë aktualisht i historikut të lëvizjes teatrore shqiptare,
përfshi edhe historinë e lindjes së Teatrit Kombëtar,
pasunue edhe me dëshmitë prej të jatit të tij, Kolë Hotit,
nji ndër protagonistët e fillimeve të aktivitetit të Teatrit.
Vlen m’u lexue nji shkrim i Genc Hotit i vjetës 2010 shumë i pasun me të dhana,
sigurisht ndryshe prej shumë versioneve zyrtare të gënjeshtërta.)
.
Projekti I Teatrit Kombëtar
Projekti I Teatrit Kombëtar

1.Cila asht lidhja midis Qeverisë së sotme dhe e drejta e saj mbi Teatrit Kombëtar? Genc Hoti: Qeveria e sotme, e djeshmja edhe e pardjeshmja mbas 1945 dhe të gjitha strukturat politike të shtetit shqiptar nuk kanë asnjë lidhje me subjektin që quhet Teatër Kombëtar, qofte nga pikëpamja njerëzore e qoftë ndërtimore. Por shteti shqiptar, mbas 1945 i ka mbushur mendjen shqiptarëve se çdo gjë e tundëshme dhe e patundëshme është e shtetit dhe ai mund të bëjë çdo gjë me to pa i pyetur shqiptarët. Kjo është pika më e parë konfrontuese midis Popullit Shqiptar dhe shtetit të tij, pamvarësisht nga lloji i partive politike, të cilat në mënyrë absolute janë pjella të shkollës komuniste në të gjitha përmasat e tyre. Ndryshimi cilësor i partive kundrejt njëra-tjetrës duhet të qëndrojë vetëm në një pikë: në Gjyqin e detyruar politik që partia pasardhëse duhet t’i bëjë partisë paraardhëse; në rastin konkret qeveria demokratike kurdo që të vijë në pushtet duhet t’i bëjë gjyqin qeverisë socialiste për vazhdimin e jetës kulturore të trupës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtesës së tij; në të kundërtën të dy partitë janë të njëjta, por ato tallen me Popullin Shqiptar duke e grabitur ditë për ditë.

Aktorë të Teatrit Kombëtar në skenë
Aktorë të Teatrit Kombëtar në skenë

2.Cila asht dinamika Historike e ndërtesës dhe Teatrit Kombëtar mbas 1945? Genc Hoti: Problemi Historik i Teatrit Kombëtar dhe ndërtesës së tij është e lidhur me një fallsifikim që e ka realizuar pedagogu Josif Papagjoni shumë vite më parë që e lidhte fillimin e Teatrit në Shqipëri në mënyrë profesionale me vitin 1945 (25 maj; për këtë shih Josif Papagjoni, Teatri Kombëtar, Tirane 2005, f. 31) duke fshirë nga kujtesa historike e popullatës lëvizjen teatrore shkodrane prej gati 70 vitesh (1876-1945), e përbërë nga 26 trupa teatrore dhe mbi 1000 aktorë e regjizorë (të paktën regjizori dhe aktori Gjon Krajni ka dhënë jetën për këtë gjini të artit dhe shkodranët e sotëm e kanë harruar shumë shpejt), një pjesë prej të cilëve erdhën në Tiranë mbas 1945 (të paktën aktori Loro Kovaçi dhe skenografi Rrok Dabërdaku kanë ndjekur këtë rrugë). Kjo është pika e parë armiqësore me trupën dhe ndërtesën e Teatrit Kombëtar.

Por ndërtesa e Teatrit ka një problem madhor që tiranasit e sotëm nuk e kuptojnë dhe as nuk e kundërshtojnë qeverinë me këtë argument për krimin kundër Teatrit. Ndërtesa e Teatrit Kombëtar pas 1945, është përdorur për gjyqet antishqiptare, kundra intelektualëve dhe politikanëve historikë shqiptare, kur në atë kohë ka pasur emrin Teatri “Kosova”. Ky fakt i sfumuar me djallëzi nga politika pas 1991 u bë një halë në sytë e trashëgimtarëve të epokës komuniste dhe kërkuan me çdo kusht të shëmben simbolet e krimin komunist. Kjo u kuptua kur u shemb Hotel Vjosa (edhe kjo një ndërtesë ku janë bërë gjyqe speciale kundra Popullit Shqiptar) dhe parashikimi mbi fatin e ndërtesës së Teatrit rezultoi i saktë.
.
Francisco Goja - Gomarët hipur të zotëve...
Francisco Goja – Gomarët hipur të zotëve…
3.A duhet mbrojtë ndërtesa e Teatrit dhe si? Genc Hoti: Ky është një problem që ka filluar prej 30 vjetësh dhe asnjëherë nuk është marrë seriozisht nga punonjësit e institucioneve shkencore mbi të cilat ranë ruspat e qeverisë. Por problemi i Teatrit Kombëtar rezultoi disi më ndryshe dhe kjo e kishte një arsye madhore: problemi historik i Teatrit Kombëtar nuk ka lidhje me asnjë subjekt shkencor, por ai ka lidhje vetëm me Ndërgjegjen Kombëtare të shqiptarëve dhe kjo nuk duhet harruar. Në trupat teatrore të Shkodrës, përpara 1945-ës, është dhënë një dramë me një titull shumë provokativ që duhet me ia kujtue pak qeverisë: “Atdheu Urdhëron”. Pra kur kërkohet të mbrohet ndërtesa e Teatrit më së pari kërkohet të mbrohet subjekti që krijoi ndërgjegjen kombëtare dhe europiane të shqiptarëve dhe pastaj vjen interesi ekonomik. Pavarësisht se kush janë sot aktorët shqiptarë të Teatrit Kombëtar, ata janë vazhdues të veprave të Loro Kovaçit, Besim Levonjes, Mihal Popit, Naim Frashërit, Sandër Prosit, Ndrekë Lucës, Marie Logorecit, Kadri Roshit, Violeta Manushit, Prokop Mimas, Drita Pelingut, Sokrat Mios, Andrea Skanjetit, Andrea Malos, Pandi Raidhi, Lazër Filipit e qindra aktorëve e regjizorëve të tjerë, që dashur pa dashur iu ngjizën ndërgjegjes artistike të shqiptarëve të sotëm duke u bërë të barasvlefshëm me ta.
Nuk duhet shtruar problemi i shembjes së Teatrit, por problemi duhet shtruar: mirë u shëmb, por me çfarë do të zëvendësohet? Si mundet qeveria të plotësojë ndërgjegjen artistike të tiranasve (që sot janë mbi 1 milion, gati gjysma e Popullit), apo është e interesuar që tiranasit të mos ta duan kryqytetin e tyre, e bashkë me të as Shqipërinë?
Sot nuk duhet shtruar problemi i 100 aktorëve dhe 100 tonëve tullave dhe llaç, por problemi më kryesor i çdo qeverie duhet të jetë ndjenja e dashurisë së shtetasve të saj për Artin dhe Kulturën Historike dhe në këtë pikë qeveria shqiptare bie ndesh me interesat kombëtare në fushën e Artit dhe Kulturës. Pra, i bie që duhet të mos shembet Teatri, por të shëmbet Qeveria.
Tani problemi shtrohet: Si do të mbrohet ndërtesa e Teatrit? Në fakt kjo pyetje ka brenda një pafundësi pyetjesh të tjera, që reduktohen në një pyetje të vetme: A e duan shqiptarët artin e tyre teatror? Nëqoftë se Po le të shkojnë e të sakrifikohen me trupën e Teatrit duke u përplasur me policinë (në këtë rast do të tregojnë së shqiptarët janë artdashës), e nëqoftë se Jo, atëherë shqiptarët janë si puna e grafikës se Francisko Gojas që tregon një gomar hipur mbi të zotin.
.
15 Maj 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.