back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Një qeveri pa kontroll të ligjshëm… – Paolo Foresti përmes gazetës “Mapo” – nga Aleks Kapllaj*

Gazeta

Paolo Foresti Ambasciatore
Paolo Foresti Ambasciatore

Një qeveri pa kontroll të ligjshëm…

Paolo Foresti përmes gazetës “Mapo” – nga Aleks Kapllaj*

Para pak kohësh ish-ambasadori italian në Shqipëri, Paolo Foresti, që ishte protagonist në përballimin e krizës së vitit 1997, i shkruajti një letër të hapur kryeministrit Rama, për situatën politike në vendin tonë.
Por, eskluzivisht për gazetën “Mapo”, diplomati italian u bën thirrje të gjitha forcave politike, e sidomos Ramës të rivendosin autoritetin e istitucioneve demokratike në Shqipëri, për të mirën e shqiptarëve, sa nuk është vonë.
Pyetjes sonë se si e sheh gjendjen politike në Tiranë, ai i përgjigjet:
“Kanë kaluar 30 vjet nga rënia e regjimit komunist dhe gati një çerek shekulli që nga kriza e rëndë e 1997. Një vend që me të drejtë aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duhet të jetë në gjendje të demonstrojë pjekurinë e tij politike duke jetuar në një demokraci moderne. Nuk është e mundur dhe e pranueshme që edhe sot ekzistojnë konflikte serioze institucionale që madje nuk lejojnë dialog midis palëve. Në librin tim “Drekat e Ambasadorit”, ku flas gjerësisht për Shqipërinë, mundohem të tregoj se tryeza është një nga mjetet për të zhvilluar një dialog edhe kur mendimet janë të kundërta. Gjithmonë, është e mundur të arrihet një marrëveshje edhe për faktin se dikush nuk është dakord. Por është detyrë, pse jo, një detyrim që një qeveri, duke filluar me kokën e saj, një president dhe një parlament të bisedojnë duke zbatuar rregullat e demokracisë dhe në veçanti Kushtetutën. Një lojë futbolli nuk mund të zhvillohet pa një kundërshtar dhe gjithmonë duhet t’i referohet një gjyqtari të paanshëm. Ajo që ka ndodhur gati një vit në Shqipëri është saktësisht e kundërta e gjithë kësaj. Fatkeqësisht, bashkësia ndërkombëtare dhe veçanërisht Italia dhe Europa janë shumë të zhytur nga problemet e tjera për të marrë rolin e gjyqtarit. Ajo që kam frikë është se një ditë, kur konfliktet janë shumë të thella dhe me paragjykime serioze për të gjithë, gjyqtari, do të bëhet i vetëdijshëm se ndërhyrja e tij vjen shumë vonë. Shqipëria nuk e meriton këtë pasi të ketë përjetuar dekada të vështira dhe dhune. Një Parlament që nuk ka opozitë nuk është një Parlament, një Qeveri që është pa kontroll të ligjshëm mbi veprimet e saj nuk është qeveri, dhe një President i Republikës, i cili pengohet nga ushtrimi i funksioneve të tij kushtetuese, nuk është një Kryetar i Shtetit. Organet e tjera të shtetit si gjyqësori dhe siguria meritojnë një diskutim të veçantë por do të na duhej shumë kohë”.
Ndërsa në letrën e tij publike, para pak kohësh, ambasadori i Italisë në Shqipëri, nga viti 1993 deri në vitin 1997, Paolo Foresti, drejtuar Kryeministrit shqiptar Edi Rama, pasi i ka kujtuar atij periudhën e bashkëpunimit kur shërbente në Tiranë, duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri, e quan situatën e sotme institucionale, kaotike dhe shprehet se një parlament pa opozitë, nuk mund të jetë demokratik.
Për këtë arsye, diplomati i bën thirrje kryeministrit shqiptar, që pas emergjencës së Covid-19, të luftojë virusin, që ka një vit që po dëmton organet e drejtësisë dhe të demokracisë në Shqipëri, që ato dëmtime patologjike, të mos jenë të pakthyeshme e të mos e kompromentojnë jetën e vendit.
“Unë ju pashë në punë kur ishit kryetar i bashkisë së kryeqytetit, ju i ngjyroset ndërtesat për t’i bërë ato më të këndshme, ose risistemuat Lanën duke e pastruar dhe pasuruar me bimë dhe lule të bukura. Ne u takuam disa herë në ato kohë duke vlerësuar ose kritikuar punën tuaj. Më bëhet qejfi kur shoh, që ju vazhdoni të jeni plot pasion dhe me nisma të tilla, si për shembull, për të inkurajuar dërgimin e personelit mjekësor në Itali në momentet e vështira. Duke njohur dhe dashur popullin shqiptar, nuk hezitoj të besoj se kjo është mbështetur nga të gjithë bashkëqytetarët tuaj, madje edhe nga ata që ju kritikojnë me hidhërim për sjelljen.
Ju jeni tifoz i një ekipi aristokratik dhe fisnik si Juventus, që do të ishte e vështirë të mos admirohej. Unë jam një tifoz i Lazios që kur isha fëmijë: Unë isha për një kohë të shkurtër në kategorinë e fëmijëve më të vegjël (pulcini), që filluan të hedhin topin e parë dhe kompania e babait tim, ishte në të njëjtën ndërtesë në qendër të Romës, ku gjendeshin selitë e Lazio-s dhe Partisë Liberale. Pasioni ynë i përbashkët më shtyn t’u kujtoj se lojërat luhen gjithmonë kundër një kundërshtari dhe se vetëm konkurenca e drejtë mund të japë një fitues. Në sajë të këtij pasioni të përbashkët, unë doja t’u kujtoja se një vend që ka kohë që është në një kaos të plotë institucional, pa kundërshtarë në Parlament, nuk mund të quhet demokratik dhe nuk u përgjigjet parimeve, që mbështesin dashurinë tuaj për Juventusin.
Falë njohurisë dhe dashurisë, që ne të dy ndajmë për të dy vendet tona, shpresoj se ju do të bëni gjithçka për të rivendosur garën e ndershme politike. Uroj që, pasi të ketë kaluar kriza e koronavirusit, të kthehemi në normalitet dhe “Kampionati” mund të rifillohet rregullisht” – përfundon letrën e hapur, ambasadori Paolo Foresti. Kjo letër e hapur e diplomatit, është botuar me 31 mars, në disa portale të komunitetit shqiptar në Itali.
.
*Bashkëpunëtor i gazetës Mapo në Itali

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.