back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Sizif i Gjuhsisë shqipe – Parathanie nga Jozef Radi e librit “Një jetë me brenga” i Kolec Topallit

Gazeta

Kolec Topalli - Një jetë me brenga - kujtime
Kolec Topalli – Një jetë me brenga – kujtime

Sizif i Gjuhsisë shqipe

nga Jozef Radi

Parathanie e librit “Një jetë me brenga” i Kolec Topallit

Ka njerëz që njohja me ta të ban dritë gjithë jetën, jo pse ata bajnë diçka të madhe e randsishme për jetën tande, jo aspak, ata veç të japin modelin e njeriut që asht vetvetja, dhe ti prej asaj figure nis e kupton se vlera e tyne, pa e kuptue asht ba vlerë e shtueme edhe e jetës tande… Kolec Topalli, asht nji prej atyne njerzve që nji pjesë të dritës së vet e ka shpërnda njashtu natyrshëm, si mundet veç drita, që edhe pse kurrë s’më dha mësim, ka mbetë mësues i përjetshëm te unë.
Profesor Kolec Topallin, (ma kishte ndalue kategorikisht me i thanë profesor) ma parë se me e njoftë, kisha ndigjue mjaft për të e familjen e tij… kisha ndigjue n’ato rrëfimet e trishta mbramjeve, ku tragjedia e përbashkët nuk rrëfen kujtime po dhimbje, ku ai nuk shfaqej me përmasën e tij të vetën, po përmasat e tragjedive familjare, fisnore, qytetare e ma gjanë…
Nji ndër mallkimet ma të mëdha të këtij vendi, në këto shtatë dekada mbas Luftës së Dytë Botërore, s’ishte anmiqsia e shtetit me indivitë të përcaktuem për vlerat e tyne spikatuna, e cila do të mbushte jo veç burgjet, po do të kënaqte në vazhdimësi të pakohë sadizmin pushkatues të çobanisë e kovaçëve, e s’do t’ua kthente kurrë ma të drejtën me jetue si njerëz e si qytetarë; ajo çka dhimbti e çka po dhemb edhe përtej shekullit të XX, janë dhe mbeten tragjeditë familjare ende të keqtrajtueme…
Tragjedia e familjes Topalli asht nji prej ma të dhimbshmeve. Mbas “çlirimit” ata nuk mbrritën kurrë me u ba të tanë bashkë, as ndër gëzimet e pakta, as ndër idhnimet e shumta, që jeta (falë njerzve të pushtetit të ri) s’prajti duke ua dhurue më shumicë. Ndërsa fitimtarët e egër e klanorë zbrisnin me pushkë maje krahi prej zonash të thella rurale, lavdinë po e naltonin kryesisht mbi tragjeditë që u shkaktonin atyne familjeve, që emnin dhe historinë e tyne e kishin shkrue me sakrifica të shumta, po mbi të gjitha me dinjitet e kulturë… Pikërisht kjo asht edhe tragjedia e Familjes Topalli, e rrëfyeme n’emën të krejt atyne që s’patën mundësi me folë, e që kurrë s’mujtën me u mbledhë në votrën e ngroftë ta dashnisë mes tyne; familje që pësoi sekuestrime, arratina, burgje, interrnime, humbje njerzish të dashtun, dhe çdo të drejte njerzore…
E gjitha kjo, më detyron jo vetëm mue, me pasë nji stimë e respekt të veçantë për çdo emën të kësaj familje e për krejt ata njerëz, që kushdo që i ka njoftë e ka nda “kashatën me ta”, s’mundet mos i lshue ato fjalë të vyeme që ata meritojnë.
Ishin vitet ’60, kur familja Topalli, sapo e kishte lanë kampin e interrnimit në Savër, kur familja ime, sapo ishte dërgue me qëndrue për 30 vite të tjera aty. Veçse jehona e vlerave e qëndrimeve t’asaj familje që kishin jetue në krejt kampet e deriat’hershe ishte e gjallë, e prekshme, lëvduese!
.
Profesor Kolec Topalli
Profesor Kolec Topalli
Çka kishte pësue ajo familje, ishte në sinkron me shumë prej familjeve ma të randsishme, që në indeksin komunist të mbas ’44, ishin damkosë “armiq të popullit; reaksionarët dhe ata që i pinin gjakun popullit!!”.
Faqe mbas faqeje të këtij libri biografik, autori është përpjekë të jetë sa ma lakonik e sa ma i rezervuem, po s’ke se si të mos ndeshesh me atë që shpesh quhet “e pabesueshmja”, edhe pse ajo ka ndodhë në dritë të diellit e në sy të mija të tjerëve. Familja, që për Topallët ishte e shenjtë, qe shpërnda e kishte humbë e gjitha pikat e takimit mes vedi. Nji katastrofë humane që askush s’mundet ta besojë e as ta kuptojë pse e gjithë kjo urrejtje ndaj nji familje e papërzime, e nga ma të pasunit tregtarë të Shkodrës. Kjo pyetje mbetet e pa përgjigje, sepse çdo përgjigje s’do të mundet kurrsesi me u ba e plotë dhe e kuptueshme as prej vetë barbarëve që morën shtetin shqiptar, me e shndërrue në vendin ma tragjikomik të Europës…
Ndërsa ngjit të përpjetën e ashpër të librit autobiografi “Një jetë me brenga” të Kolec Topallit, shpesh duhet m’u ndalë, me marrë frymë thellë, e me thanë: “Asht e pamundun!”, mandej të duhet m’e ndjekë kët Sizif modern tek ngjitet i paepun në t’përpjetë të fatit, e me ba nji refleksion ndërgjegjeje; të duhet m’u marrë me absurdin e këtij pushteti që kishte në themele t’veta shkatërrimin e vlerave të njeriut, t’intelektualit e të familjes; duhet me besue se ajo kohë s’mundesh me qenë pafundsisht e gjatë… dhe t’i ndjek nji fëmijë që shetit kampeve të interrnimit, dhe s’e kupton pse ai duhet t’ishte në Porto Palermo, në Turan, në Tepelenë; pse duhet familja e tij të kthehet me vuejtë në Savër… ndërkohë që njeriu lufton me qenë bashkë e me ndërtue nji jete të re… Po ç’jetë e re do t’ishte ajo ecje në teh të humnerës, ku herët a vonë njeriu i pafajmë do ta gjente vedin nën kthetrat e kriminale të regjimit.
Edhe pse me peshën e Sizifit mbi shpatulla të njoma, autori beson në shkollën e në dashni ndaj gjuhës shqipe, dhe lufton i paepun, edhe pse krejt bota asht kundra, dhe shpresa ka lindë e vdekun…
Kësi ndalesash si n’udhën e Krishtit, ndesh shumë në librin e gjuhtarit, albanologut dhe profesor Kolec Topallit, i cili në të 80 vit të jetës, na la krahas 19 veprave studimore e shkencore… edhe të 20, kunorën e trishtë të jetës së tij, ku dëshmohen së në nji dokumentar përpjekjet e sakrificat pafundme të nji fëmije, mbetë ndër ilaka, e që andrronte qysh fëmijë me ba shkenctarin… e që krejt ajo pafundësi pengesash s’mujti me e ndalë që ai të bahesh Profesor, Profesor Doktor, Gjuhtar i rrallë e ndjekës i Çabejt, e nji ndër akademikët ma prodhimtarë që ka njohtë Akademia Shqiptare: 20 vepra në 24 vite… (pa harrue se veprën e parë e botoi në moshen 56 vjeçare!)
Askush s’ka mujtë si ai…!
Nji studiues skrupoloz që me njimijë sakrifica, mbrriti me botue disa artikuj para ’90-ës, mbasi shumica i ktheheshin mbrapsht… e pra edhe pse jetoi nën terrorin barbar të diktaturës, Kolec Topalli guralec mbas guraleci, tullë mbas tulle, e hjekë mbas hjeke, me durimin e nji shkencëtari të bindun në vlera të veta, e më kokëfortësinë në synimet e veta të paracaktueme qartë, e pa nji ditë të naltueme krejt ngrehinën e veprës së vet, e na lejoi edhe ne tjerëve me gjetë figurën e intelektualit e shkencëtarit.
Nga bregu i së Keqes dhe nëntoka e Hadit, me filozofinë e pikës që grryen shkambin, Kolec Topalli mbrriti majën e asaj lavdie të përkorë e të pazhurmtë. Mbasi ndërtoi kët korpus veprash akademike dhe nji personalitet të njoftun shkencor si në fushën e gjuhës e albanologjisë shqipe, ai mbajti referate në universitetet ma të njoftuna të Ballkanit, Europës e ma gjanë. Kjo, falë e natyrës së tij të paqme e të paepur, falë vullnetit të tij të hekurt e kambëngulës, falë rregullsisë dhe skrupolozitetit në trajtimet shkencore, falë përkushtimit me çue përpara punën akademike, falë një mirësie të pazhurmët, ai mbetet ndër personalitetet ma të spikatuna të periudhës postdiktaturë. E nëse e keqja e lodhi, e tkurri e stërmundoi; ajo s’e dëshpëroi, as e theu, as e nënshtroi, as e lodhi, as e trembi. Kolec Topalli ma shumë se nji shkencëtar mbeti model Njeriu që s’mundi me e ndalë asgja me mbrritë ato naltësi që ai i paracaktoi vedit qysh herët në misionin e vet…
Këtu isha ndalë në shënimet e mia…
Kisha do kohë që përpiqesha që dëshirës së profesor Kolecit, që t’isha unë përcjellës i librit të tij, po e gjeja pak të vështirë vedin t’isha në naltësitë që meritonte jeta dhe vepra e tij…
.
Vepra e botuar e Kolec Topallit
Vepra e botuar e Kolec Topallit
Ishte 23 maji i 2018…
Ai e priste prej meje parathanien e librit të fundit. Shkëmbyem mesazhe të nji falenderimi për punën që kisha ndër duer dhe i shpjegova se: “…më duhesh edhe pak kohë me ia dhanë dorën e fundit…”
Qe nji trishtim i madh, kur pikërisht të nesërmen mora lajmin e humbjes së tij. Edhe pse e dija se ishte mjaft i sëmurë, dhe pse shëndeti i tij kohët e fundit po i shkonte drejt shuemjes, s’doja kurrsesi me e besue kët gjà.
Si zot i fatit të vet, ai i kishte mbyllë n’paqe llogaritë me jetën, edhe pse ajo ishte sjellë ashpër me të… Herën e fundit ndejtëm gjatë, e folëm mjaft për Fjalorin Etimologjik të Shqipes. Ndër tjera më tha se “Botimi i kësaj vepre, asht kunorzim i krejt punës time gjysëshekullore… Jam i kënaqun! Munda me i realizue krejt projektet që i kisha vu vedit në jetë… Kjo ishte e fundit… Po shkoj përtej pa asnji peng…” Folëm për gegnishten, për nji tekst të kodifikuem, që ende sot i mungon asaj… Qeshi njashtu trishtë… “Nuk ishte e lehtë, ma beso, ishte krejt Akademia kundra… e megjithatë e kam mbrojtë me tana energjitë e mia… Randësi ka, që prej errësine, ajo sot asht mbi tavolinë… Herët a vonë dikush ka m’u marrë me të… Herët a vonë edhe ajo ka me pasë rrugën e saj. Ndoshta ishte herët, n’kohë teme…!”
Libri “Një jetë me brenga” i Kolec Topallit asht i ndërtuem thjesht mbi jetën e tij, ku ajo asht bosht i këtij libri dhe triumf vlerat e saj. Mandej me randësi janë edhe kapitujt e tjerë jashtë biografie si: krejt botimet e tij si libra; konferencat shkencore ku ai ka marrë pjesë (mbrenda dhe jashtë vendit); shkrimet e tija të botueme në shtypin shqiptar e atë të huej; studimet e artikujt që kanë shkrue tjerët për jetën dhe veprën e Kolec Topallit, dhe në mbyllje gjithë titujt, nderimet e shpërblimet për veprën e tij.
Kolec Topalli me fuqinë e nji Sizifi, e ngjiti vedin në naltësitë e shkencëtarit, pikrisht atëherë kur shumë studiuesve tjerë, kishte nisë me iu perëndue ylli i fatit… Ai me jetën dhe veprën e tij mbetën dëshmi e Njeriut që beson në vetvedi; e ku dashnia për dijen dhe shkencën, po edhe për njeriun dhe jetën nji ditë të nxjerrin në dritë të s’vërtetës.
Ndjen dhimbje kur institucioni ku ai dha kontribute të jashtzakonshme, qe shpesh indiferent, mohues e shpërfillës ndaj punës së tij, po ai kurrë në jetë s’iu trishtua kësaj fryme trajtimesh.
Prandej, ky libër ka mbrendë punën e nji njeriu që nuk jetoi me i dhanë hov dukjes dhe lavdisë, ai mbetet dëshmi e toneve të rrafshta të nji personaliteti me humanizëm të pashoq, të cilin puna e pashembullt kërkimore s’e lodhi kurrë…
Së fundi ajo çka mendoj me nënvizue asht se ai s’do t’ia kishte mbrritë kësaj finaleje maestoze, pa ngrohtësinë dhe përkrahjen e pa rezerva që i dhanë Ana, gruaja e tij dhe mbështetsja e kësaj pune… po edhe vajza e tij, Joana që i dhuroi jo vetëm kënaqësinë e mbarimit me sukses të fakultetit të mjekësisë, po edhe i shërbeu me nji kujdes, përkushtim e dashni të pashembullt prindit të saj, në ditët e mbrame e të lodhuna…
Lamtumira e Kolec Topallit qe e butë, si krejt jeta e tij: nji qiri i ndezun që ka me vazhdue pafundësisht me dhurue dritë ndër breza, derisa ne të mësojmë me e lexue si duhet vlerat, deriasa ne të gjejmë forcë m’e shprehë mirnjoftje të thellë ndaj këtij Njeriu e Shkencëtari, që ma shumë se i mori, i dha kësaj bote të padrejtë.
jozef radi, prill-gusht 2018
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.