back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mozaiku i një epopeje – nga Skënder Tufa – Revolta e Qaf-Barit përmes dëshmitarëve

Gazeta

Guximtarët që përfaqësojnë Revoltën e Qafë Barit
Guximtarët që përfaqësojnë Revoltën e Qafë Barit

Mozaiku i një epopeje

nga Skënder Tufa

Revolta e Qaf-Barit përmes dëshmitarëve

Situata brenda burgut të Qaf-Barit sa vinte e rëndohej nga shtrëngimet në regjimin e brendshëm dhe në sektorin e punës. Policët konfrontoheshin me të burgosurit në mënyrë provokative. Pse nuk e bën krevatin kuti, pse nuk ngrihesh në këmbë, pse më shikon e të tjera dhe për këto “shkelje” shpesh merreshin masa të cilat kishin krijuar një pasiguri dhe makth. Po ashtu të burgosurit punëtorë që për shkaqe të ndryshme nuk arrinin ta bënin normën filluan t’i nxirrnin nga dy turne për të plotësuar vagonat e munguar. Binte në sy një tendencë e theksuar provokimesh nga ana e policisë së drejtuar prej shefit, i cili hynte e dilte orar pa orar duke kontrolluar e udhëzuar policët. Kohët e fundit edhe operativ Miti Kurici bënte takime të shpeshta me njerëzit e tij brenda të burgosurve. Prej tyre kishte dalë fjala se diçka po kurdiset në kët burg.
Në majin e luleve, në majin e freskise pranverore do të këputej më në fund ngarkesa e mbitendosur prej gjendjes së krijuar nga forca e shtetit për qëllime të paracaktuara. 22 maj, vullkan shpirtërash, jehonë lirie, rizgjim i të pamposhturës. Revolta e të shtypurve nga diktatura komuniste shpërthen si ajo gonxhja pas dimrit të gjatë dhe vadit me gjak tokën që aq shumë e deshëm. Ky gjak shkroi një faqe të shkëlqyer antidiktaturë që duhet të lexohet qartë sepse është një epope që kulmon. Kjo ngjarje me rëndësi historike mendoj se duhet të përcillet me dëshmitë e drejtpërdrejta të pjesmarrësve në të për ta sjellë ata sa me të plotë e me pranë reales. Duke i mbledhur copat e fakteve të shprehura nga protagonistët mund të krijohet një vizion me i plotë që do t’i ngjante restaurimit të një mozaiku.
Nuk e dija por i kam si të gjalla ato çaste kur dalim nga menca, patericat e Pjetër Lulit në duart e Bajram Vuthit, bashkë me patericat e Roland Tolës e të Llazi Kocit të cilat çanë ajrin, një stol i ngritur goditi derën.
Policët që ishin në mencë, jo nuk i preku kush. Dera u shqye. Llava u ngrit jo për t’u bërë pis. Tom Ndoja me tullat në dorë që i shkuli në rrugicat përpara zyrës teknike duke vrapuar e qëlluar policine i ndjekur nga Kostandin Gjordeni, Sokol Sokoli, Martin Leka, Petrit Moriseni, Dush Martini, Lush Bushgjoka, Sokol Progri, Llazi Koçi.
Plumbi nga karakolli prane portës kryesore godet Kostandin Gjordenin në mes të dy dritareve të guzhinës. Roland Tole, Mirush Osmani, Skënder Tufa, Martin Leka mbajnë Kostandin Gjordenin e plagosur, Gurali Beshi merr duhan nga qesja e Dush Martinit dhe ja vendos në plagë: -Më qëllun komunistat, më qëllun kriminelat. Nuk ndjej asgjë, nuk më dhemb, – thonte ai. Hysen Tabaku, Lazër Shkembi, Dedë Nimani, Nuredin Skrapari,
Nikollë Prenga e Ramazan Spahiu afrohen të shqetësuar, kris breshëria e automatikëve. Disa hapa larg zyres teknike Haxhi Baxhinovski me zv/komisarin, replikë, ngritje zëri me pas kapelja e rënë përdhe, në këmbët e të dënuarve, rrotullohej sikur të paralajmëronte fundin e yllit të saj, në gjysëm rrethin e formuar nga Fatmir Lakasi, Agron Hoxha, Sali Gaca, Çajup Bejko, Xhemal Tota, Ahmet Tufa, Kol Shkëmbi e Anastas Dhamo. Njerëz me gurë në duar, Burgu i çliruar. Bidonat e ujit që unë i mbushja për emergjencë. Sali Gaca gatuan hasuden që ndahet lart tek kuzhina, nga dy topa secilit. Atje nuk ishin më shumë se 23-24 vetë.
.

Si filloi Revolta

Atë mëngjes, si të gjithë ditët e tjera ra çanga e zgjimit në orën 6-të, në orën 6 e 30 turni i parë futet në mensë për të ngrënë mëngjezin, në orën 7-te turni i parë niset për në punë ndërsa turni i dytë futet në mencë për të ngrënë mëngjezin, përflitej se në ushqim futeshin medikamente të dëmshme për shëndetin, në orën 7.30 hyjnë papunësia në mencë e ndërkohë vjen turni i tretë, i cili ha dhe shkon direkt për të fjetur, numërimi ju bëhej në shtrat, mendonin për forcën e punës jo për puntorin.
Pasi mbaroj atë lëngun e pështirë që quhej supë e gëlltitej nga urija, dal në oborrin përpara mensës. Tek dera e madhe që ndodhej në mes mencës dhe Maunës, fjetores së papunësisë, binin në sy dy të dënuar dhe dy policë që po u kërkonin të dilnin në punë – Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolli. Ndreka, një lezhjanë që e kishte edhe të vëllanë në burgun e Spaçit, ishte njeri baballëk e nuk prishte qef me kërkënd. Kishim punuar së bashku për disa kohë në galeri. I kishin sjell për të ngrënë bukë e për t’i marrë sërish në punë. Kishin bërë dy turne 16 orë punë në minierë dhe tani u kërkohej të punonin edhe 8 orë të tjera!
-More zotni, po jemi të lodh e të këputë krejt, nuk kena ma takat me shku ke puna e jo ma me punu. Kena kenë dy turne n’pune. – thote Ndreka duke lëvizur duart lart.
-Unë kam urdhër të vini tashi, – thonë policët e punës Fiqiri Çakalli dhe Islam Dega, ndërsa polici i brendshëm kishte hapur derën dhe priste.
-Itash nuk munemi as me qëndru m’kam mer zotni, po pushojmë e dalim turnin tjetër, – thotë Ndue Pisha, kjo bisedë zgjati disa minuta derisa ra edhe në sy të të tjerëve, të cilët filluan të grumbullohen përreth. Ishte bërë rutinë që ata, të cilët nuk plotësonin vagonat e kërkuar duhej të dilnin dy dhe tre turne për t’i plotësuar, nuk pyetej se si ishte fronti i punës veç duheshin vagonat. Dy policët i marrin dy të dënuarit në zyrën teknike dhe ju thonë ose në galeri ose në birucë.
Të punoje 16 orë në galeri dhe të tregonin birucën për ndëshkim, kjo nuk ishte vetëm çnjerëzore por edhe provokim. Tom Ndoja është futur në zyrën teknike dhe i ka nxjerrë dy të dënuarit jashtë duke ju thënë policëve: -Çfarë po kërkoni more, po edhe këta janë njerëz, ju a kena ba normën 140 përqind, na leni në hallet tona, mos na bini në qafë kot. Për sot kta s’janë tu dalë ma n’galeri. Thujini komandës kur të dalim në punë do të bëjmë edhe vagonin që s’e kanë ba k’ta të dy. Edhe kafsha nuk është ndigju ndonjë herë të punojë 24orë pa pushim. Policët tentuan t’i ndalonin por aty ishin Sokol Sokoli, Sokol Progri dhe një grumbull prej 40-50 të burgosurish të tendosur nga shtypja dhe poshtërimi, të cilët dukeshin si një masë në shpërthim.
Nderhyrja e Tomës, Sokolave dhe pranija e të burgosurve që shtohej rreth tyre, e zgjidhën për momentin këtë situatë. Policët u larguan. Dy të burgosurit Nduja dhe Ndreka shkuan pa ngrënë për të fjetur. Ishin tejet të lodhur.
TVSH ka bërë një dokumentar për Revoltën e Qaf-Barit ku protagonistët kanë sjellë dëshmitë e tyre rreth asaj ngjarje historiko-tragjike. Për të arritur objektivin e këtij shkrimi po sjell copëza të shkëputura të këtyre dëshmive.
.

Dalip Zhabolli

Unë kam qenë protagonist i kësaje pune. Atë ditë vjen turni i tretë nga puna e si gjithmonë bëhej kontrolli rutinë. Dy të burgosur nuk kishin mundur që ta bënin normën. Policët nuk i lanë të hyjnë mrena në fjetore, por ju thanë të shkojnë të bëjnëe vagonat që mungonin, aty nisi incidenti.
.

Shefqet Dobra

Rrëfimi i miku tim z. Shefqet Dobra, për fillimin e kësaje ngjarjeje i vjen shumë me pranë realitetit për këtë arsye e sjell pa e prekur.
Më 22 maj, është muaji që nuk mund ta harrojmë. Atë ditë, sapo mbaruan së ngrëni bukë turni i tretë, shkuan të flinin, disa ishin zhveshur, disa po thithnin fundin e cigares, nuk vonoi shumë, u dëgjua tellalli të thërriste një emër, i cili duhet të dilte përsëri në punë, ky ishte në dhomën tonë. Sakaq, erdhi polici ta merrte -Punova dy turne pa pushim, të fle një herë se nuk mundem, jam këputë për gjumë.
Punoj prapë dy turne të tjera! – tha i dënuari – Nue Pisha – Ka urdhërua shefi! – tha polici. Disa të dënuar, iu lutën që të pushonte njëherë pastaj, të punojë prapë dy turne, kështu i thuaj shefit! – i thanë – Dakord! – tha polici, dhe doli. Të gjithë u shtrinë të flinin. Kur të gjithë i kishte zënë gjumi, u futën disa policë dhe shefi. Thonë se qeni i mirë po të gjejë në gjumë, të rri te koka të ruan, por…! Këta njerëz të stërmunduar që gjithë natën kishin “luftuar” me malin, për ballë rrezikut, që para një ore ishin përshëndetur me turnin e parë: – shyqyr që dolët shëndoshë, – dhe këta u kishin thënë: – dalshi shëndoshë – se hyrja dihej, dalja nuk dihej. Në dhomë u fut shefi me disa policë nga pas. Unë isha pushim atë ditë, se kisha vrarë një këmbë, isha shtritë dhe po lexoja “Të mjerët”, sapo pashë ata e futa librin poshtë batanijeve. Shkuan drejt te krevati i atij që duhet të dilte rishtazi në punë, e luajtën për këmbësh:
-Çohu! – i thanë’ – Jam lodh more! Jam i marum krejt; po dal dy turnet e tjera – tha – Hajde, mos e zgjat! Mos bëj zhurmë se të tjerët po flenë! – i thanë, megjithëse i dënuari po u lutej. -Nuk mundem ore! Por policia i tërhoqi batanijet, i dënuari foli me zë më të lartë, kjo bëri që të zgjoheshin tjerët.
-Ç’keni more, pse na e nxirrni gjumin? – tha Tom Ndoi – kemi punuar gjithë natën more, na leni të flemë tashti!
-Shoku juaj e ka fajin! – tha shefi. -Çfarë thua more, pash Zotin?! Ai po flinte, ka punue dy turne, ku ka fuqi ai të bëj zhurmë. Polici e kapi për këmbe ta zbriste poshtë me forcë, po ai u kap për krevati. Të gjithë iu lutën policisë ta linin, e të punonte prap dy turne, por lutjet e tyre, nuk u dëgjuan, qetësia u prish. Disa të dënuar, u ulën ndenjur. Pasi fjalët e urta dhe lujtjet e disave nuk bënë efekt, Toma i tha shefit: – Itash po flemë nji herë dhe kur të dalim në punë, të japim fjalën se ça ka lanë manget Nuja do e plotësojmë na. Itash na leni të flemë.
Dikush lëshoi një fjalë, po kush e tha këtë nuk e di, se unë nuk e ngrita kokën. Kjo fjalë fyese e acaroi gjendjen.
Dëgjova Tomën të fliste: -Ne vërtetë jemi të dënuar, po këtu nuk bëjmë regjim burgu, jemi punëtorë jo fundërrina! – tha Tom Ndoi dhe e kapën shokun e dhomës, e larguan. Ofeza e acaroi gjendjen, policët u bënë gati të përdornin forcën. Dhoma ishte në formë L-ëje se gjysma e sajë zgjerohej, dera nuk dukej që aty ku ishin këta, dikush nga të dënuarit mbylli derën e dhomës. Shefit ia kapi veshi kërcitjen e rrezes së derës, bëri një buzëqeshje dhe menjëhere ndryshoi taktikë. Ky qe veprimi më i arsyeshëm që bëri në këtë moment.
-Lëreni, lëreni! – u tha policëve – mirë ishte të merreshim vesh, ne nuk duam ta marrim me zor – dhe u drejtua nga dera, policët e ndoqën si qengjat pas sëmës.
Të dënuarit, u shtrinë të flenë. Jashtë mbretëronte qetësia. Turnin e dytë dhe të papunët i kishin futur në mencë, t’u lexonin veprat. Gjysmë ore më vonë u dëgjua zëri i tellallit: – të gjithë në rresht para mencës, edhe turni i tretë! – shtoi ai .
U ngritën nga gjumi dhe u rreshtuan në oborrin e ngushtë mes mencës e pallatit ku ishin dhomat e gjumit të dënuarve. E gjithë policia ishte e pranishme.
Pasi pritën bukur shumë në këmbë, nën vështrimet kërcënuese të policëve, erdhën shefi, komandanti, komisari dhe zv, komisari dhe të gjithë oficerët e nënoficerët. Pasi panë se çdo gjë ishte gati, shefi- urdhëroi: -Për dy në mencë!
Në derë ishin dy policë që na numëronin, kur hyri i fundit u mbyll dera. Me të dënuarit brenda, ishin dhe nja dy a tre policë që të ruanin qetësinë. Pas pak dera u hap dhe thanë: – Kush të dëgjojë emrin të dalë jashtë!
Fillimisht u dëgjuan emrat e disave të administratës dhe të anëtarëve të këshillit të brendshëm, sapo dolën ata u mbyll dera. Pas disa minutave thirrën disa tjerë emra, ndërmjet tyre ishte dhe emri i personit që duhet të dilte në punë, përsëri u mbyll dera.
Policët me shkopinj gome në dorë qarkullonin me vështirësi përmes të dënuarve për të mbajtur gjendjen nën kontroll.
U dëgjua zëri i shokëve jashtë, që policia po i rrihte! Të dënuarit kërkuan të hapej dera, policët brenda kërcënonin nëse nuk rrinin urtë. Brenda ishte një djalë që kishte thyer këmbën në galeri, dy të dënuar ia rrëmbyen patericat, jo për të dëmtuar policët, po për t’u mbrojtur nëse ishte nevoja. Më në fund shqyen derën.
Dalja e njerëzve të egërsuar, qe vërtet e frikshme Të rrahurit ishin përgjakur dhe kjo pabesi e tensionoi më shumë gjendjen. U përleshën, – disa të dënuar bënë çmos të qetësonin gjendjen, ndër të cilët edhe Sandër Sokoli, por pa sukses.
Numri i shumtë i policëve nuk bënë efekt, ata u detyruan të ikin pa e kthyer kokën mbrapa.
Nga zhurma dolën të tjerët nga dhomat dhe ata që u bëhej leximi, të shikonin ç’po ndodhte, nuk merrej vesh ç’bëhej atje, një grumbull njerëzish, veshje me tre ngjyra, të gjelbërta, të zeza dhe e të burgosurve, herë zhdukej njëra, herë dukej tjetra, të dënuarit në përleshje ishin pak vetë të cilët, më shumë mundoheshin të qetësonin gjendjen por, edhe të mbroheshin, kjo bëri që policia të largohet. Njeriu është rob i fjalës së dhënë dhe, përgjegjës nëse nuk mbanë premtimin. Për këtë ndodhi të panevojshme, kush duhet të përgjigjet? Sigurisht, të pafajshmit! Fajtorët asnjëherë! Një polic, që dikur, kur ishin të dënuarit ordinerë këtu, kishte qenë shef, e që mbahej mend si i tmerrshmi i kampit (Myzaferi), po kaq të tmerrshëm e tregonin edhe tani që ishte i plotfuqishëm në Fushë-Arrëz, këtë e kishin lajmëruar të vinte të përdorte autoritetin e tij si njëherë e një kohë. Ky u fut brenda rrethimit me atë kapadaillëkun e dikurshëm. Fjalët fyese që përdori ai, më shumë e acaruan gjendjen, kur ngriti dorën kundrejt të parit që u gjend aty pranë, prej tij mori një grusht të fortë e u shtri përtokë. Nuk vonoi shumë, nga kthesa u duk kolona e makinave ushtarake të mbuluara. Sapo ndalonin, nga pas dukeshin sikur villnin turma policësh e ushtarësh. Ç’duheshin gjithë këto forca? Kur ishin lajmëruar dhe pse? Po si erdhën kaq shpejt nga Tirana? Nuk ishte e nevojshme të shkonte puna deri në këtë gjendje.
Mesa dukej nuk ishte rastësi! Gjendja dukej se po shkonte drejt së keqes.
Ishte alarmuar qeveria. Shumë shpejt, kampi u ndodh brenda tre rrethimeve.
Gratë e fshatarëve ishin lajmëruar të largohen, ato me fëmijë në krahë, duke qarë e duke na mallkuar ne, ngjiteshin malit përpjetë të lemerisura. Edhe forcat vullnetare të fshatrave për rreth ishin thirrur të “mbrojnë” Shqipërinë nga armiqtë. Grupi i vogël i të dënuarve, ishin në sheshin mbi kapanonet – ata ishin vetëm, 24 djem të rinj, që veç duarve, nuk kishin gjë tjetër, aty qëndruan, ç’të bënin?! Të gjitha grykët e armëve, nga çdo ushtar që merrte pjesë në rrethimin e kampit, ishte drejtuar në këta djem. Aty kishte zbarkuar garda dhe sampistët e shtetit – si thanë. Po me kë do luftonin? Pas kaq kohësh duket absurde.
.

Të dënuar të Revoltës së Qafë-Barit (22 maj 1984)
Të dënuar të Revoltës së Qafë-Barit (22 maj 1984)

Fatmir Lakasi

Fatmir Lakasi është një nga pjestarët e revoltës, ai e ka përcjellë me heshtje dhe i pakënaqur trajtimin e 45 vjetorit të revoltës për këtë arsye me anën e këtyre rrjeshtave që më ka dërguar mua dëshmon:
-Kam ardhur në Burgun e Qafë-Barit menjëherë mbas amnistisë së 15 nëntorit 1982. Do të ketë qënë funddhjetori kur arritëm. Kapanonet ishin rrëmujë, të pista, me zhele nëpër këmbë dhe na u desh kohë me u stabilizu. Aty kishin qenë më parë ordinerët të cilët ishin trasferuar por jo policët dibrane të Burgut të Bulqizës që kishin mbetur në shërbim. Unë rrija me Astrit Avdin dhe Dëshir Çizmen e kisha më shumë shoqëri me Pal Brozin, Lek Frrokun, Haxhi Benën dhe Dane Çiflikun. Në vinim nga Burgu i Ballshit e këtu na kishin sjellë për të punu në minierë ku na futën të nesermën. Pa kushte, rruga e gjate rreth 1.8 km me ujë që kur binte shi jashtë dukej sikur binte edhe brenda. Në janar të vitit 1983 vjen kontigjenti i Spaçit, ishin dhe shokët e mi me të cilët kisha rënë në burg. Për herë të parë ishim bashkuar të pestë në të njëjtin burg, vëllezërit Talo, Ahmet e Skënder Tufa dhe unë. U spostova nga shokët e vjetër për t’u bashkuar me Ahmetin e Skënderin me të cilët më shkonte më shumë muhabeti, por kishim edhe shumë të përbashkta.
Dëbora që ra dy ditë para se të vinte kontigjenti i Spaçit e kishte ftohur temperaturën, e cila në atë vend ishte shumë e ulët. Lëviznim ke fusha për t’u nxehur e për të hequr stresin me muhabetet që qarkullonin e vinin edhe nga takimet me familjet. Burgu ishte i rëndë por më të vështirë e bënte shefi i policisë, i cili imitonte një herë si kaubojs e një herë si SS-t gjermanë, jo vetëm me kapelen e ngritur në ballinë por edhe me veprimet dhunuese.
Pika e parë ishte norma për të cilën policët dibranë me një të urdhëruar të shefit, suleshin pa mëshirë, ndërsa ushqimin e kishim ibret edhe të uriturit nuk mundnim ta hanim prasin e thatë që ishte mykur nëpër magazina e shpesh nga qeset pesëkilshe dilnin edhe minj. Për të kursyer bukën na e kompesonin me dy kokrra patate të vogla që nganjëherë ishin jeshile dhe bukë me krimba të bardhë. Kam dëgjuar të flitet shumë për Revoltën e Qaf-Barit, e cila në kushtet e terrorit që është zhvilluar nuk është treguar plotësisht si ka ngjarë. Eshtë e lehtë sot të flasësh, por ne që e kemi jetuar shprehim keqardhjen kur nuk e dëgjojmë të tregohet drejtë se çfarë ka ndodhur e si ka ndodhur.
Revoltën nuk mund ta bënin vetëm 12 veta, por edhe ata që rrinin poshtë shkallëve kur ne dilnim e përplaseshim me policët të paktën duhet të degjojnë. E gjithë ngjarja ka ndodhur për një vagon të pambushur. Kjo edhe sot më duket habi mbasi norma realizohej mbi 120%. Kur jemi futur në Mencë për apel, ne të tre unë, Ahmeti dhe Skënderi kemi qënë si gjithmonë bashkë të ulur në një stol nga mesi i mencës. Mond Caja ka hyrë dhe ka provokuar me policët duke tentuar të marri me dhunë disa të burgosur. Salla është elektrizuar dhe ka reaguar me britma, policia nuk ka mundur ta ndalonte vrullin që shpërtheu portën dhe mori policët përpara. Fillimisht kanë qënë rreth 40 veta nga 350 që kishte burgu më pas numri ka rënë. Kur është bërë përleshja e fundit, në ndjekje të policisë deri ke dera e takimit kanë qenë fillimisht Tom Ndoja me Martin Lekën, Sokol Sokolin, Petrit Morisenin, Lush Bushgjokën, Lazer Shkamin, Dush Martinin, Kosta Gjordenin, Gurali Beshin, Skënder Tufën, Roland Tole, Vasjar Tabakun, Nuredin Skrapari, Llazi Koçi ndërsa ke Haxhi Baxhinosi, i cili po debatonte me zv. komisarin që i binte me zorrën e zezë në kokë ishim Ahmet Tufa, unë, Agron Hoxha, Sali Gaca, Ramazan Spahiu, Dedë Nimani dhe disa të tjerë që me gura nëpër duar i gjujshin oficerit por jo drejtë.
Unë u kam bërtit duke ju thonë – e po bjerini drejt, – dhe tulla ime ka ra në kurrizin e oficerit, prej asaj goditje i ra kapelja. U dëgjua një krisje e mbytme revolveri. Plumbi kishte zënë mish. Më pas krisën automatikët nga të katër anët. Për disa orë burgu ka qenë në dorën e të burgosurve, pa policë. Në të tre kishim një levë që e kishim mshehur në tokë. Meti ka hapur depon ku rrinte i mbyllur mbrena një njeri që survejonte se çfarë bohej. Kemi ndërruar teshat. Veshëm të lara për çdo gjë që mund të ndodhte të ishim të pastër. Sali Gaca kishte bërë hasude nga e cila morëm sejcili nga dy topa. Unë ju kam thonë të mos dorëzohemi se këta do të bojnë gjak. Lart nuk kanë qenë më shumë se 20-30 veta Fjala e parë ka qënë për të rezistu bile Skënderi shkoi dhe mbushi edhe ujë që kur të ndërpritej të kishim rezerve. Mbas ultimatumit të zv. Ministrit ata kanë vendosur që për të shpëtuar të tjerët të dorëzoheshin.
.

Ndue Kola

Duke qënë pjestar i revoltës dhe i arrestuar me listën e parë ju drejtova edhe Ndue Kolës i cili më dërgoi pjesën e dëshmisë së tij për Revoltën e Qafë-Barit.
-Ngacmimet vend e pa vend nga policia do të bojshin edhe Gomorin të hudhte shqelma. Na e kishin pru në majë të hundës dhe atë ditë nuk e di se si plasi, por kur shpërtheu policët s’po gjejshin vrimë me u futë, mbasi zemërimi i të burgosurve nuk mahej me. Osht bo përleshje trup me trup dhe kur i vumë përpara u mundun me na mashtru duke na fut nji herë në mensë e nji herë në fjetore, kur nuk ja arritën përdorën armët duke plagosë Kostandin Gjordenin dhe duke shti me breshëri automatiku në ajër nga të gjitha vendrojet bile edhe nga zyrat e komandës është shti me automatik.
Për disa orë burgu ishte në duart e të burgosurve. Liria mbrena telave, e fituar me gjak. Asnjë polic s’ishte brenda territorit të rrethimit. – thotë Nduja.
Po, për disa orë burgu ishte në duart e të burgosurve, asnjë polic brenda rrethimit një gjendje e nderë mbretëronte kudo. Disa të burgosur që e kishin përjetuar revoltën e Spaçit rrinin dhe shikonin me keqardhje. Ata e dinin se çfarë do të vinte më pas. Unë kisha parasysh nga im atë problemin e ujit për këtë arsye mblodha bidona e enë dhe nisa t’i mbushja. Visar Zhiti me sheh dhe pyet! – Skënder çe do këtë ujë? -Ata do të bëjnë gjithçka Visar, do na presin edhe ujin, i them duke vazhduar punën!
.

Dedë Martini (Dushi)

Dëshmija e Ded Martinit është marrë në Ballkan Web
Po ça goditje?! Absolutisht jo, s’është goditur asnjë polic, pati të lënduar në sedër, vetëm ishte problemi t’ia hiqje prej duarsh edhe Sokolin që po e rrihnin. Tullat që hidhnim shkonin i binin murit. Nuk kishte asnjë lëndim serioz, më shumë duan të bëhet bujë. U plagos një polic dhe një komisar i burgut, një gërvishtje të lehtë pati. Pasi u rrethuan, policia bëri sikur u tërhoq e u mbyll kjo çështje. Pastaj na futën në një sallë ku hanim bukë. Në këtë moment ata kanë gjetur thikat dhe kanë filluar të na nxjerrin një nga një se donin të na kapnin ne. Erdhën shumë forca. Fati i keq i Kostandin Gjordenit, një i burgosur shumë i vuajtur që ka këputur edhe krahun nga ai plumb që mori aty. Ai ishte te dera, e kapin për ta nxjerrë nga jashtë dhe fillojnë e i gjuajnë. Aty u revoltua i gjithë kampi. Se ai ishte person i dashur, e pastaj u bë një revoltë shpirtërore e të gjithë të burgosurve, të cilët kanë shpërthyer derën. Revolta mori zhvillim masiv, e aty u përfshinë të gjithë. Ka ndodhur përleshja më e egër me policinë. Toma kishte një tullë në dorë e godiste një polic i cili kishte vënë për poshtë një të burgosur dhe e godiste me shkop gome. Vazhdoi përleshja, erdhën helikopterë e pastaj arritën të ndajnë pjesën e kampit. Unë disa shokëve i thashë të largoheshin, dhe ndejtëm ne që e nisëm revoltën që në fillim.
.

Kostandin Gjordeni

Kostandin Gjordeni në vitin 2012 më ka lëshuar një deklarim të firmosur për ngjarjen e revoltës së Qafë-Barit – maj 84, dokument të cilin e kam drejtuar drejt Gjykatës ndërkombëtare në Hagë, e cila me sa duket nga mosformulimi i rregullt i padisë nuk ka kthyer përgjigje për të. Deklarimi i Kostandinit është si vijon.
-Kur më morën te menca për të më dërguar në birucë, më goditën dhe unë thirra. Ata më morën në birucë duke më rrahur ndërkohë nga menca shpërthyen thirrjet “Lironi Kostën!” – më lëshuan dhe u bashkova me vëllezërit e mi që i morën policët përpara.
Tom Ndoja kishte në njerën dorë disa tulla e me tjetrën ia lëshonte policëve që iknin si lopët, mbas tij ishte Martin Leka, dhe unë mbas tyre. Mbas meje vinin të tjerët: Sokol Sokoli, Dush Martini, Ded Nimani, Land Tolja, Skënder Tufa, Gurali Beshi e të tjerë që si mbaj mend tashti. Nga vendroja ke dera ushtari qëlloj sipër kokave tona për me na tremb ndërsa oficeri i rojës qëlloi drejt nesh. Do t’i jetë drejtue Tomës por ne lëviznim shpejt dhe plumbi më mori mua. Ndjeva si pickim, jo dhimbje vetëm se isha i mpirë.
-Më qëllun kriminelët, më qëllun komunistët – ju thashë shokëve. Dushi nxorri duhanin nga qesja e të tjerët ma vunë ke plaga. Aty na u ngrit gjaku të gjithëve e thirrëm – “Poshtë komunizmi!” Masnej u dorzum se s’kishim çarë bojshim. Na kanë rraf si kafshët, e gjysë të vdekë na kanë çu në Pukë, atje na kane bo hetuesi me dru që na e jepshin disa herë në ditë e na shajshin. Na bonë gjyqin mrena disa ditësh e masnej na çunë në Lezhë na lanë atje një muj e masnej na trasferuan në Spaç.
.

Bedri Blloshmi

Dëshmitë e Bedriut, Pjetrit dhe Bajramit janë nxjerrë nga dokumentari i T.V.SH.
Kushte ishin shumë të keqija traverbangu hyrës në galeri ishte 1860 m plani i pjerrët 90 metër Po mos të bëje normën do të kishe punë me policinë. Atje nuk diskutohej norma. Policët provokuan dhe u bë rrëmujë sherr e shamatë aty, grushta me policinë. Na futën në mencë dhe erdhën me lista në dorë, i kishin gati ata. Këta tanët nuk u dorzuan, shpërthyen derën dhe e morën policinë përpara. Me pas vjen një helikopter nga Tirana, vijnë edhe sampistat e plot polica e ushtarë. Zylyftar Ramizi vjen me megafon te porta dhe thotë: – Keni 5 minuta afat, po qetë burra mos u dorëzoni. Atëher Sokoli i thotë Tomës – dorëzohemi se do të marrim më qafë të tjerët, kjo punë nuk ndahet pa gjak dhe u dorëzuan. Oficeri rojes ishte një matjan me mbiemrin Kurti (Asllan), ai e qëlloi Kostën. Sherri i gjithë kësaj meseleje ishte shefi i policisë Edmond Caja. Mosha aq e re me qënë njeriu aq kriminel.
.

Pjetër Luli

Unë isha me paterica se pata një aksident dhe e kisha kamën në allçi. Sjellja e policisë që drejtohej nga karrieristi mistrec, Edmond Caja, e acaruan gjendjen deri në atë pikë sa të dënuarit ishin të detyruar të mbroheshin. Në kët kohë krahinori dhe miku jem Bajram Vuthi më thotë – Pjetër, jam tuj ti marrë këto paterica se këtu po bahet qameti, dhe i përdori kur i ra një polic me shkop në kokë.
.

Bajram Vuthi

Kushtet ushqimit kanë qënë mizërabel, 6 lek të vjetra në ditë, tre gram vaj ndërsa për të fjetur kishim tre batanije që kur ti ngrije shihje tjetrin matanë ndërsa dysheku kishte një kashtë me gjëmba që të çponte trupin. Do të mësoheshe se s’kishe çfarë bëje. Si puna e kafshës.
Policia duke ngacmu të burgosurit e kishte bo një farë përgatitje për me u bo revoltë që faktikisht u bo. Sapo dal te porta më gjuan një polic sa xixa më dulën, mirë kjo, por kur me shau nanën, nuk durova ma e ja kam njitë disa herë me patericën e Pjetrit derisa u thye. Autori i kësaj ngjarje ka qenë vetëm shefi i policisë Edmond Caja, për mendimin tim një kriminel i madh.
.

Ahmet Tufa

Dëshmija e Ahmetit është marrë nga Dosja K.
Revoltën donim ta fillonim ne, sepse shpirtrat tanë kishin plasur, por mënyra si plasi, ishte e paorganizuar nga ne. Ishte një organizim i Ministrisë së Brendshme, i bishave të egra. Ata e bënë këtë gjë duke shfrytezuar rastin e nje bashkëvuajtësi të quajtur Ndue Pisha, i cili ishte turni i tretë, me një tjetër person që nuk e kishin bërë dot normën dhe policia i pruri poshtë për të ngrënë, ju tha: “Hani bukë dhe do vini prapë në punë”. Ata takojnë shokët e tyre. Si zakonisht, ne i prisnim shokët tanë kur vinin nga galeria, sepse kur nisej dikush për në punë ne ju thoshim: “Të pruftë Zoti shëndoshë!”, sepse nuk dihej kthimi. Shokët e tij tropojanë po e prisnin aty. U thanë si e kishin punën: “M’u dhe Ndrekën duan të na çojnë prapë për të bërë normën!” “Jo, i thanë, nuk ke për të shkuar”. Dhe këta ishin djem të fizikshëm, djem trima, malësorë. Sokol Zefi, Martin Leka e të tjerë i thanë policit: “Nuk keni për ta nxjerrë”. Ky njofton oficerin e rojës, ai njofton ekipin e komandës, vjen komanda e drejtuar nga Edmond Caja dhe kërkojnë djalin ta marrin me forcë, këta nuk ja dhanë dhe u bëmë një grup prej rreth 40 vetash, të gatshëm për t’u përballur, por komunikimi u bë në mënyrë paqësore pasi nga ne u premtua se vagonat e mbetur pa u mbushur nga Nduja e Ndreka do t’i mbushnim ne. U duk sikur ramë dakort, por pas një ore bie çanga dhe thonë: -Të gjithë në apel! Dolëm në apel, filluan na rreshtuan, por ishte mbushur me policë, të gjithë me shkopinj gome, me hekura nëpër duar. Kuptohej që do bëheshin arrestime.
Kur na futën në mensë, u ulëm. Hyn Edmond Caja, me shikimin si bishë. Kjo ishte diçka që ai nuk e kishte përjetuar më parë. Ai thoshte: “Unë jam shteti, unë jam ligji!” Ishte njeri shumë cinik, shumë i poshtër. Edhe ç’bën? Si zakonisht uli kapelen duke imituar nazistët. “Kush të dëgjojë emrat të dalë jashtë, – tha ai – Ndue Pisha, Sokol Zefi, Tom Ndoja…!”
Dhe filluan njerëzit që kishin shpirtin e revoltës, që thoshin: “Më mirë vdekur sesa gjallë!”, që e përqafonin vdekjen si diçka më të lumtur. Ashtu isha dhe unë. Në atë kohë çohet një shoku im, Haxhi Baxhinovski.
U çova dhe unë, por unë kisha pranë nipin tim, më i vogli i kampit, Skënderin, një djalë i imët, 50 kile me gjithë plaçka, por zjarr dhe Fatmir Lakasi që ishte si vëllai ynë, gjithmonë ishim bashkë të tre, në mendime e veprime. Çohet dhe një shok tjetër dhe bëjmë për të dalë, por aty na mbyllin derën. Kur mbyllin derën, fillon përleshja. 10-12 veta sa kishin dalë fillojnë përleshjen me policinë, por policë ishin shumë. Ne morëm një stol, unë dhe Llazi Koçi, një djalë shumë energjik, ai ishte me patericë sepse kishte pasur këmbën me apses, e thyem derën, e hapëm dhe pamë që bëhej një kacafytje për jetë a vdekje. Disa policë kishin vënë përfund të burgosurin, dy-tre të burgosur kishin vënë përfund policin, fut njëri me shqelma, fut tjetri, rrahje barbare, u futëm dhe ne u kacafytëm. Kur u futëm ne, ata u trembën. Në këtë kohë, Haxhiu po drejtohej te një polic për ta qëlluar. I futet zv.komisari politik dhe i thotë: “Po ju ku doni të shkoni me këtë agresivitet që po bëni karshi nesh, ne jemi shteti!” – dhe e qëllon Haxhiun me shkop gome, Haxhiu i thotë mos më qëllo dhe ia nxjerr thikën, ndërkohë një tullë e lëshuar nga Fatmiri e godet atë në shpinë e në këtë kohë i bie kapelja në tokë. E lë atë si një trofe për ne dhe largohet nxitimthi.
Kostandin Gjordeni, shumë djalë i dashur, i mirë, i drejtë, i shkon pas Tomës të cilin po e ndiqnin shumë të tjerë në turrin kundër policisë. Në këtë kohë, oficeri i rojes Asllan Kurti qëllon me pistoletë dhe e plagos në shpatull. Ai e ruan atë plumb të cilin e mban në shenjë kujtimi: “Edhe ta kërkojnë me miliarda lekë, thotë, unë nuk e jap!” Dush Martini, shumë djalë i dashur, shkodran, nxjerr një kuti duhani, ia mbulon plagën, shkojnë dhe disa të tjerë dhe nipi im Skënderi, për ta ndihmuar. Por nuk kishim punë vetëm me këtë ne, kishim punë dhe me policinë që po kacafyteshin me të tjerët.
Si perfundim e nxorrëm policinë jashtë, kjo ishte fitorja më e madhe që ndjemë ne si të burgosur politikë. Spartaku me gladiatoret mundin Romen. Ne fituam lirinë. E fituam me gjak, e fituam me zotësi, duan apo nuk duan ta pranojnë diçka të tillë, ne i nxorëm me bisht ndër shalë.
Na thërret Sokoli e na thotë: “Ahmet, kena bërë një tepsi me hasude, hajde të merrni nga një top sepse duhet të përshëndetemi mbasi shumë nga ne do shkojnë nga kjo jetë! Për vdekje bëhej hallvë, por ne nuk kishim dhe kishin bërë hasude. Po kujt i hahej?! Por duhej respektuar ajo që u tha dhe shkuam e morëm nga një top. Dhimbja ishte shumë e madhe. Trishtimi ishte shumë i madh. Vdekjen e kishe aq pranë sa habiteshe. Unë theva derën e magazinës, aty ishte syri dhe veshi i partise, rrinte brenda një Rexhep, punonjës i komandës. Kishim depon e ushqimit dhe veshmbathjes. Ai u tremb, kujtoi mos do e vrisja. I thashë: “Nuk kam punë me ty, kam punë me thesin tim. Shkoj ke thesi, Skënderi dhe shoku im, Fatmiri, morëm ndërresat e pastra, të vdesim me rroba të pastra thamë. Kur dolëm ishte vendosur qetësia, kishin filluar të dorëzoheshin.
.

Nuredin Skrapari

Dëshmija e Nuredin Skraparit është marrë nga emisioni “Histori me zhurmues”.
Në vitin 1983, na çojnë në kampin e Qafës së Carit, ishim rreth 500 të burgosur politikë të moshës 30-40 vjeç. Me vajtjen tonë rendimeti i punës u rrit shumë.
Shumica nga ne kishte bërë 8-10 vjet burg. Unë i kisha bërë mbi 10 vite burg. Kur ata panë që ne punonim shumë filluan një shtrëngim, të cilin e deklaruan edhe verbalisht. Për cilindo të burgosur që nuk bënte normën 4 vagona, do të kthehej nga galeria në mencë, do të hante drekën apo darkën, si të qëllonte dhe do të shkonte sërish në punë me turnin pasardhës. Këtë filluan ta bëjnë rregull. Kjo na ra në sy të gjithëve dhe njerëzit mendoninin si ta frenonin pasi ishte e pamundur që të punonin mbasi kishin mbyllur turnin pasi ishin të lodhur e të pamundur.
Dhe duket mes tyre kishin menduar, i binte fiks 11 vjet nga Revolta e Spaçit 21-23 maj 1973.
Interpretët kryesorë të kësaj ngjarje, Sokol Sokoli e Tom Ndoja i kishin bërë mirë llogaritë. Kam ndodhur te dera kur po shkonte në punë brigada e turnit të parë. Dy polica po merrnin me forcë për në punë një të burgosur që nuk e kishte bërë vagonin e munguar. Sokoli dhe Toma që i njihja të dy, me të dy kisha shtyrë vagonat, një herë me njërin e një herë me tjetrin, u sulën dhe ia rrëmbyen policëve atë djalin të cilin e futën brenda kampit e i thanë shko në birucë.
Rregullorja thoshte nëse nuk realizojnë normën komanda i ndëshkon në fillim me vërejtje pastaj me tre ditë, shtatë ditë e më pas një muaj birucë, kjo rregullore ishte firmosur nga ministri. Këta iu thanë policëve futeni në birucë, pra kërkuan një të drejtë, ndërkohë policët e shtuar në numër u sulën për të vënë “nderin“ në vend. Tentuan ta merrnin prap atë djalin. Aty jam ndodhur edhe unë. U bëmë një bllok tridhjetë-dyzet të burgosur e nuk i lamë policët që ta merrnin atë djalin, Nduen, pra u bëmë shumë nga ne.
Më pas kanë ardhur shumë policë me bendevrekë në duar e na këerkuan të futemi në mencë. Thirrën Tom Ndojën të cilin mbas pak hezitimesh e lanë shokët duke i thënë dil. Kur doli përjashta Toma, unë e kam parë me sytë e mi se ndodhesha i ulur pranë derës, ju hodhën në shpinë disa policë dhe e lidhën me hekura gjermane nga ato më të fortat që të shtrëngonin dorën sa të këpusnin duart. Këtë skenë e panë edhe shokët e tij, të cilët u vërsulen jashtë e ia morën policëve nga duart dhe e zgjidhën! Policët ikën të gjithë përjashta dhe ne dolëm nga mensa e u ngjitem në një shesh atje sipër. Në fakt ngjarja nuk u zhvillua kaq shpej sa e thashë, por unë po them episodet kryesore të sajë.
Dëgjojmë një uturimë sipër nesh. Ishte një helikopter që si të them unë dukej si një korb i zi gjigand, i madh. Me të kishte ardhur zv. ministri i brendshëm, shefi i sigurimit të shtetit Zylyftar Ramizi, i cili hipi mbi një tarracë e ndërkohë burgu ishte i rrethuar me ushtarë e përforcime, një ushtari nuk i mbajtën nervat apo e urdhëruan dhe qëllo. Plumbi godet Kostandin Gjordenin. E kam patur afër 1-2 metra. I dëmtoj krahun dhe ai thirri. Dikush tha – Vëllezër po na vrasin! Të shkojmë nëpër dhoma. Ndërkohë Vllasi Koçi, një pjestar i grupit thirri – Poshtë komunizmi.
Të gjithë të burgosurit si të vënë nën komandë a vetkomandë përplasën njëkohësisht këmbët në tokë. Toka u tund, kjo u duk si tërmet. Ai ishte çasti që na identifikoje ne politikisht, paçka se ne po kërkonim një të drejtë. Spaçi u identifikua me flamurin pa simbolin e komunizmit, yllin, ne u identifikuam me këtë thirrje!
Dy informacjonet e mëposhtëme janë të zhvendosura në kohë dhe të sajuara, në aktrim. Ato i përkasin realisht ngjarjeve të Qafë-Barit.
 
Sekret
Ekzemplar Nr.1
Shkodër, më 6.12.1984
 
Ekstrakt
Nxjerrë nga e dhëna e bp. “Furtuna” e datës 02.11.1984
“…Më pas Shtjefën Pjalmi i tregon burimit: ”Kam ndenjur para disa ditësh me një Flamur nga Shkodra, që ka qenë marinar dhe ka bërë 19 vjet burg në Spaç. Ai më ka thënë një gjë shumë sekrete që vetëm ti po e dëgjon nga goja ime. Të burgosurit janë organizuar në atë mënyrë që sapo të vdesë Udhëheqësi Kryesor ose ta vrasin, të gjithë të ngrihen në kryengritje në tërë burgjet e Shqipërisë. Ata e dinë veten të vdekur prandaj do të ngrihen. Më tha Flamuri se ky organizim është bërë në mënyrë të përsosur…”
“Furtuna”
 
Ekstrakt
Nxjerrë nga e dhëna e b.p. “Furtuna” e datës 12.11.1984
Burimi e pyet Shtjefën Pjalmin se më fole për atë Flamurin. Di gjë ai për organizimin e të burgosurve? Shtjefni përgjigjet: “Ai ka ndenjur disa vjet në burg me njerëz të mëdhenj. Atje në burg është formuar qeveria, që do të vendoset sapo të vdesë Udhëheqësi Kryesor i Partisë. Çdo gjë është gati. Pritet shpërthimi me rastin e vdekjes. Burimi i thotë se si ka mundësi që të burgosurit të lidhen me njëri-tjetrin në burgje të ndryshme? Shtjefni tregon: “Mund të jetë ndonjë njeri i jashtëm që lëviz dhe organizon këtë punë…”
“Furtuna”
 
Konkluzioni im
Ministria e Punëve të Brendëshme, në rrugë operative kishte mbledhur informacion se në burgun e Qafë-Barit ishte krijuar njeë vatër e cila ndoshta edhe me ndihmë nga jashtë telave do të bënte të mundur hapjen e një rrugë kalimi për t’u arratisur nga burgu. Kjo arratisje do të kishte në kulmin e saj nxjerrjen jashtë telave të një bërthame të mundëshme politike, e cila mundet të ketë patur planet dhe objektivet e veta (sipas saj). Me qëllim parandalimin dhe shkatërrimin e kësaj vatre të rrezikshme për P.P.SH-në u inskenua revolta e 22 majit 1984, fati tragjik i së cilës dihet tashmë.
Zhvendosja në kohë e vende dhe inskenimi i ngjarjes janë bërë për të çrregulluar rrjedhën faktike të saj e cila dëshmon se ka patur edhe një dosje tjetër të detajuar
a)me raportues, bashkëpuntorë të cilët kanë qenë 35
b)me emrat dhe pozicionet e protagonistëve të piketuar.
c)me analizën dhe konkluzionet e situatës
d)me planin e zbatimit për shkatërrim edhe ndëshkimin të kësaje vatre
Mendoj se kemi të bëjmë pikërisht me ato dosje sekrete për të cilat deputeti persekutor Spartak Braho shprehet: “…do të hapim disa dosje që Tufa (Agron) dhe Dervishi (Kastriot) nuk do të mundin t’i hapin dot.
Deklarimi i dëshmitarit okular Shefqet Dobro qartëson me shprehjet e tij:
-Ç’duheshin gjithë këto forca?
-Kur ishin lajmëruar dhe pse?
-Po si erdhën kaq shpejt nga Tirana?
-Me sa dukej nuk ishte rastësi.
– Bajram Vuthi – policia e kishte përgatit njëfarë terreni për revoltë që u bë faktikisht!
.

Bedri Blloshmi në Burgun e Spaçit
Bedri Blloshmi në Burgun e Spaçit

Fillimi i masakrës

Helikopteri i ardhur nga Tirana zbarkon
-Zv. Ministrin e P. B. Agron Tafa
-Zylyftar Ramizi drejtor i Sigurimit të shtetit;
-Kasëm Kaçin drejtor i drejtorisë së Tetë pranë M.B.
-Lekë Ymerin, specialist në Ministrinë e Punëve të Brendëshme si edhe disa persona të tjerë të cilët fillimisht drejtohen në komandën e burgut sigurisht, për t’u informuar më shumë rreth situatës se krijuar brenda burgut të Qafë-Barit. Më pas ata vihen përballë portës kryesore ku hynin dhe makinat që merrnin mineralin e nxjerrë prej nëntokës nga skllevërit e dënuar. Sheshi përpara kësaj porte nxinte nga njerëz të veshur me uniforma të ndryshme.
Agron Tafa, me një megafon në dorë hipën në karakollin që ndodhej pranë portës duke iu drejtuar të burgosurve: “Vini re, të dënuar vini re. Qeveria është e shqetësuar për çfarë ka ndodhur këtu, për këtë arsye jemi dërguar prej saj që ta zgjidhim këtë situatë. Në analizën e bërë edhe me komandën arritëm në përfundimin se nuk jeni vetëm ju fajtorë për sa ka ndodhur prandaj dërgoni një përfaqësi që ta mbyllim këtë problem me marrëveshje në të kundërt do të detyrohemi të përdorim dhunën. Keni pesë minuta afat.
Sokol Sokoli e Martin Leka shkojnë tek dera ku të dënuarit dilnin për të bërë takim me familjet. Ata biseduan atje me Zylyftar Ramizin, kur kthehen ishin të gëzuar se kishin marrë fjalën e burrit që nuk do të prekej njeri me dorë. Sokoli kalimthi ndeshi me vështrimin e Fatmirit e tha: “Na premtuan nuk kemi nga t’ia mbajme e uli kokën si ai luani i zënë në kafaz, ndoshta duke kujtuar edhe fjalët e tij tek fusha lart, – mos të dorëzohemi se këta do të bëjnë gjak!”
U dha urdhëri të gjithë të futen nëpër dhoma. Oborri u mbush me forcat speciale të pajisura me skafandra, mburoja plastike, shkopa gome, veshje të përforcuar për sulm, shkurt të paisur deri në dhëmbë. Lekë Ymeri me një listë në dorë qëndronte jashtë gardhit, tek dera ku dy të burgosurit nuk pranuan të dilnin në punë, dhe filloje të lexonte emrat.
.

Ded Martin Dushi

Dëshmija e Ded Martinit është marrë nga Ballkan Web
-Pastaj kanë thirrur Martin Sokolin dhe Sokol Sokolin për të bërë një marrëveshje. Mes nesh ishte një vllazni ideale kundër diktaturës, atij gjenocidi të paparë. Edhe Sokoli ra në marrëveshje që do dorëzohemi. Thirrën listat me emrat që do arrestohen. Unë jam arrestuar i 6-ti. Aty më pas nisi tortura në dhomën e torturave. Duhet përmendur dhe një personazh tjetër, që fatkeqësisht e vranë, por jo se kishte lidhje me revoltën, Sadri Sokolin, ai ishte burrë shteti, i nderuar. Nuk e di pse e vranë. S’kishte lidhje me revoltën. E thirrën dhe e vranë.
Pas 3-4 orë barbarizëm, disa herë kam rënë pa ndjenja. Më hipën në makinë, dhe kur mbërritëm në Fushë-Arrëz më hodhën prej makine dhe isha pa ndjenja, vetëm ndjeja më pas kokën në gurët e oborrit që më tërhiqnin zvarrë. Mua më dinin për të vdekur se menduan se më kishin mbytur. Edhe kështu përfunduam në burgun e Fushë-Arrëzit, edhe atje me torturan.
Dhe filloi procesi i hetuesisë. U dënuan 12 vetë, 12 të tjerë mbetën pa u dënuar. Unë tërë trupin e kisha me plagë, sytë i kisha të mbyllur nga dhuna. Më thoshin trego çfarë ke bërë, keni therë komisarin, edhe akuza ishte organizatë politike për qëllime terroriste që unë normalisht e mohova.
Nga qesja e Dushit është marrë duhani që i është vendosur Kostës tek plaga. Atë dite atij i kishte ardhur nëna për takim. Ajo as nuk e takoj e as nuk e pa të birin, i cili u torturua mizorisht!
.

Bajram Vuthi

-Në fund u detyruem të dorëzohemi. Të rrafme që na kanë bërë nuk mundem me shpjegu, kafshërisht, na maskrun. Se si kemi dalë gjallë vetëm ai atje nalt e din! Në hetuesi na kanë torturu e na shajshin. Njani prej hetuesve më digjte me cigaren në gjoks. Pyetjet kanë qënë ma shumë për Tomën e për Sokolin se aty e kishin pikësynimin. -Kush e organizoj? -çfarë qëllimi kishit? – pse dolët në revoltë? Pushkatimi i atyne dy djemve që ishin ma trimat më ka mbet peng në zemër për tanë jetën.
.

Nuredin Skrapari

-Zylyftar Ramizi, me megafon kërkoi që këta të dorëzoheshin dhe kërkoj dikë për negocim. I pari shkoj Sokol Sokoli e kishin rënë dakort në besë të burrave. Këta u dorëzuan se nuk kishin ç’të bënin. Unë jam i bindur se edhe këta do ta ngrinin flamurin, por nuk patën kohë se nuk i lanë, tërë kohën ishin nën tension.
Policia është sjellur shumë ashpër me ta, bishti i lopatës ishte i butë. Me bishta kazme i rrihnin, i rrëzonin në tokë, i masakronin. Më pas i kanë hedhur si thasët në makinë. Siç morëm vesh më pas, gjyqi i tyre është bërë, siç nuk kishte ndodhur asnjë herë tjetër, për 6-10 ditë e Sokol Sokoli me Tom Ndojen u dënuan me pushkatim.
.

Ndue Kola

-Me pas dihet, shteti të shtyp.
Burgu u rrethu me disa kordona si ushtarë, policë, sampistë dhe pushkatarë të lirë. Të ardhurit nga Tirana premtuan se nuk do të prekej njeri me dorë, – me besë burrash! Po ku osht pa ndonjëherë që të kenë besë komunistët. Na kishin futë të gjithë nëpër dhoma dhe kush të dëgjonte emrin duhej të zbriste poshtë.
Mu më kanë thirrë të 5-tin. Sapo dola te cepi mencës më hypin në shpine disa trupa të mëdhenj, më lidhen duart mbrapa e deri ke dhomat e takimit një koridor me sampista të përcillte me grushta, shqelma. Më fusin në një dhomë ku bohemi 5 veta, po ashtu mbushën edhe dy dhomat e tjera që shërbenin për takime. Mbaj mend se me mu ishin Lazër Shkëmbi, Nikoll Prenga, Kolë Shkëmbi dhe Tom Ndoja. Mbasi i prunë të gjithë personat që ishin në listë, policët e veshur me të zeza që kishin ardhur nga Tirana u futën nëpër dhomat ku ishim në dhe kanë bo një të rrafme ç’njerëzore. Të rinjë të shnetshem si kuaj ata qëllojshin pa mëshirë me bishta kazmash, me dru sobe, me shqelma. Hiknin një palë e vinin të tjerë.
Dhoma u kthye si thertore, në dysheme, nëpër mure vetëm gjak. Nuk e di si kemi dalë gjallë prej durve të tyre.
Mbasi na rrafen për disa orë, rreth orës 3-4 kur po vinte turni i parë nga puna, na nxjerrin zvarrë në oborr, na lejnë pak ashtu të larë në gjak për të na parë shokët tanë që kishin qenë në galeri e më pas na lidhin dhe na hedhin si thasë në dy makina të mëdha ushtarake të mbuluara me mushama. Edhe përgjat rrugës policë e sampista që na shoqëronin na bijshin me dru dhe na shqelmonin me ato këpucët me gozhda nga poshtë.
Kudo vetëm gjak, klithje dhe ulërima. Sharje, ofendime derisa mbrritëm në Pukë. Kur zbritëm na priste nji koridor policësh me hunj në duar, të cilet na bijshin duke na shty se ne nuk kishim më fuqi as me qëndru në kombë. Ne birucë na kanë lidh prap dy nga dy. Të gjithë ishin si të vdekur, por mua me kishte hikur shpatulla e majtë dhe qafa mënjane dhe kisha gjak të zi deri në fund të komve. Mbas 3-4 ditësh me kanë marrë në hetuesi, me pyetshin se kush e organizoi revoltën, pse kundërshtut policinë. Masnej me ka ba hetuesi Gavrosh Andoni, për dy ditë e mbas tij më ka marrë hetues Ylber Shehu, ky më pyeste: -Kush ju ka rraf? Si ndodhi ngjarja? Kush e organizoj? Në birucat e Pukës polici Ndue Qymyri më ka rrafë në banjo se refuzova ta pija çajin pa sheqer. Hysen Tabaku dhe Lazër Shkami me kanë la gjakun e më kanë futë në dhomë, se Kolë Shkëmi ishte i sëmurë e nuk ndihmonte dot. Dega e Pukës kaloi në dispozicjon të hetuesisë speciale të Tironës.
Unë isha te 12 personat që nuk u dënova. Në datën 5 ose 6 (se mbaj mënd mirë) vijnë tre autoburgje, në të parin hypën Tom Ndojën me Sokol Sokolin në dy të tjerët na hypin ne që na dërgojnë në burgun e Zejmenit, ku përsëri edhe aty na torturojnë mizorisht. Na fusin te dy dhoma të birucave dhe na lëshohen tu na rrafë, edhe këtu një palë dilshin e nji palë hyjshin. Të rrafme me seanca. Kur mbarun rrafjen, polici Anton Lapi na ka bo në kokë nga një kryq me makinë qethëse, ndërsa mu më ka futë këpucën në gojë duke më thënë: -He mor Ndue Kola, si do të na e merrshe pushtetin!?
Haxhi Baçinovski me Vllazi Koçin i kanë thonë atij: -Këto kryqe që po na i bon ne tashi në kokë shumë shpejt do të bohen Kisha e Xhamija. Menjëherë kanë fillu prap duke na rrafë. Unë isha më i pafuqishmi dhe Edmond Mustafarai ju thotë mos i bini atij se osht i sëmurë po hajde më qëlloni mu. Nuk na dhanë as bukë e as ujë.
Tellalli i burgut, një ordiner me emrin Idriz Derbishina, pruni një tas me ujë. Patëm temperaturë dhe ethe por asnjeri nuk pyeti për ne. Të nesërmen në ora 9 të mëngjesit 11 nga ne që ishin dënuar i dërgojnë me autoburg në Burrel, në 11 të tjerët na dërgojnë në Spaç.
.

Gjetja e eshtrave te Tom Ndojes dhe Sokol Sokolit - vrare ne Revolten e Qafe-Barit
Gjetja e eshtrave të Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit –
vrarë ne Revoltën e Qafë-Barit

Haxhi Baxhinovski

Dëshmija e Haxhi Baxhinovzit është marrë nga dokumentari i RTSH.
Sapo dola ke shkallët më kapën prej krahësh, me vunë hekrat e nuk me prekën këmbët në tokë. Na ndanë në grupe ke tre dhomat e takimit. Aty kishte drunjë të trashë zjarri. Sokol Progri me thotë; “Ti fusim poshtë krevatit që mos t’i shofin!” Un i them: “futi sa të dush ti ata prap do t’i gjejnë se për kët punë i kanë pru.
Janë futur në dhome mbi njëzet veta, të gjithe si kuaj e na janë lëshuar me grushta, me shqelma, me bishta lopate e bishta kazme dhe me drutë e zjarrit. Nuk e dij, por ma katila nuk ma merr menja se mund të ketë në botë. Nuk pysnin as ku sillnin, të tërbuar, bisha krejt, e bonë venin si kasaphane. Vetëm gjak, mu më thyn kamën dhe krahun, ashtu siç isha më bijshin prap. Dhimbje që s’i kisha provu ndonjiherë në jetën time. Me ra të fikët, me hodhën ujë e prap me hunj. Nuk e ndjeja më trupin. Dhe në gjyq më nxorën me barrelë se nuk mund të ecja. S’e dij se sa ka zgjat ajo masakër, po m’u m’është duk sa një jetë.
Po shpirti qenka i fortë.
Për disa orë na lanë si kufoma, askush nuk mund të fliste po edhe nuk guxonte se ata ishin gati. Na lanë ashtu deri sa erdhi turni i parë. I kthyen të gjithë të burgosurit me fytyrë nga ne që të shihnin si na kishin katandisë. Na hodhën si thasë në karrocerinë e IFA-s për të futur terror e na dënuan për terror. Dënim i cili edhe pse ka ardhur demokracia nuk na është hequr.
-Na kanë bërë hetuesi të dhunshme, kërkonin të flisnim se si do ta merrnim pushtetin, si do të arratiseshim. Nuk e di pse u ndryshua, por ata donin të bënin dy grupe se e kishin metodë pune gjithmonë krijonin grupin perëndimor dhe grupin lindor për këtë ishin arrestuar 24 veta. 12 për çdo grup. Përfundimisht na dënojnë vetëm 12 veta për “organizatë kundërrevolucionare me qëllim rrëzimin dhe marrjen e pushtetit!!”
Se si do t’ua u merrnim pushtetin ne këtyre që nuk kishim as bishta luge, këtë nuk e di. Me këto akuza të kota pushkatuan Tomën dhe Sokolin. Me Tomën kam qënë në të njëjtën birucë. Në këtë birucë kam qënë i lidhur kokë e këmbë kur më dënuan me vdekje vite më parë – tha Toma.
Ne raportin e ministrisë së brendëshme thuhet se në rebelimin e Qaf-Barit janë implikuar 38 persona prej të cilëve 24 janë marrë atë ditë.
Personat e listës së parë, arrestuar me datën 22 maj 84 janë:
.
Sokol Sokoli, Sokol Progni, Tom Ndoja, Lush Bushgjoka, Haxhi Baxhinovski, Vllasi Koçi, Kostandin Gjordeni, Bajram Vuthi, Martin Leka, Lazër Shkëmbi, Hysen Tabaku, Ndue Pisha, Petrit Morisen, Agim Karameta, Ramazan Spahiu, Nikolle Prenga, Kole Shkambi, Ndue Kola, Edmond Mustafaraj, Ded Martini, Xhemal Tota, Ded Nimani, Mark Ndoci, Martin Pjetri.
 
12 të fundit na qartësojnë se personat që duhej të ndëshkoheshin ishin të piketuar, mbasi ata nuk dënohen me të tjerët. Këtë arsytim e plotëson edhe mosndëshkimi i Ndrek Nikollit, i cili ëbashku me Ndue Pishën kundërshtuan daljen në punë. Me një procedurë të shpejtuar dhe me dënime të parapregatitura, me 3 qershor 1984, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e ka mbyllur këtë çështje duke dhënë dënimet si më poshte:
 
-Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim;
-Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim;
-Sokol Progni, me 25 vjet burg;
-Vllasi Koçi, me 25 vjet burg;
-Ndue Pisha me 25 vjet burg;
-Martin Leka me 16 vjet burg; –
-Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg;
-Bajram Vuthi, me 15 vjet burg; –
-Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg;
-Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg;
-Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg;
-Hysen Tabaku me 11 vjet burg.
 
Ra heshtje varri, mbasi u muaren 24 të parët të cilët pas masakrimit janë hedhur si thasë në karroceritë e dy makinave, ankthi i terrorit ishte futur tek çdo i burgosur, i cili në çdo çast mund të bëhej prè në ktheterat e xhelatëve. Brenda ambjenteve të burgut kishte dy herë më shumë forca speciale e policie se sa të burgosur. Na nxorën të gjithëve në fushën mes dy godinave, ku bëhej apeli dhe na lanë disa orë ashtu të ulur.
Policë të shumtë rrotulloheshin si korbat rreth të dënuarve. Na shihnin me urrejtje por dhe të habitur, ndoshta duke menduar: “Këta kokëulurit sulmuan diktaturën!?” Filloj kontrolli i të gjithë burgut. Një kontroll i imët, nëpër fjetore dysheqet ktheheshin përmbys, në depon e ushqimeve u miksuan në tokë ato pak sende që gjendeshin nëpër thasë, sjellur nga familjet a blerë me gjakun e punës skllavëruese, sheqeri me orizin e makaronat, vaji i derdhur përsipër dhe të shkelura e kishin kthyer depon e ushqimeve në plerishte. Në magazinën e teshave ishin bashkuar rrobet në një grumbull dhe disa të shqyera ishin shkelur me këpucët e ndotura.
Të shoqëruar nga kërbaçët e këtyre policëve të cilet ishin të gatshëm në çdo moment të të vinin përposhtë për të sqaruar ankimin më të vogël dhe klithmat e tyre shtazërore të veshura me një urrejtje të thellë, na urdhërojnë të rregullonim shpejt shtretërit në fjetore. Ankesa më e vogël të kushtonte shtrenjtë. Në atë rrëmujë ku çarçafët, batanijet dhe çfarë mbanim tek shtretërit ishin bërë bashkë në dysheme, duhej të gjeje sendet personale e t’i vendosje në rregull, sa më shpejt. Nxitimthi morëm çfarë mundëm të gjenim në atë grumbull sendesh, çarçafët e njërit, batanijet e tjetrit, jastëku s’dihej se kujt ishte u vendosën në shtretërit e secilit dhe serish jashtë. -Tek depot, – ishte urdhëri tjetër. U ngjitëm ashtu si ato milingonat që rendin në rrjeshtimin e tyre dhe ke depoja e ushqimeve çfarë të shihje! Ç’të bëninim, atje nuk kishte asgjë për të rregulluar. Shpejt, shpejt, thërrisnin njerëzit e veshur me të zeza që e kishin shpirtin më të zi se rrobet e tyre. Me duar, me kova e duke fshirë, u nxorën jashtë depos ato pak sende që do të kishin shërbyer për mbijetesën e këtyre të ndëshkuarve pafund. Tek depoja e teshave duhej kohë prandaj e mbyllën për ta hapur më vonë me pjesë kohore. Më pas filluan veprimet, në mencë, po kujt mund t’i kalonte kafshata, mendonim për ata që hikën, i morën si thasë e s’dihej ku i hidhnin.
.

Plaget e Revoltës së Qafë-Barit dhe Vendimet e gjyqit
Plaget e Revoltës së Qafë-Barit dhe Vendimet e gjyqit

Këpucët

Çdo të papritur mund ta priste secilin prej nesh, kalonim me sytë poshtë si të mundurit nga hordhitë që të shkonin në shpatë. Në mbrëmje shkojmë për të fjetur. Unë flija tek maunja në krahun majtas kur hyje, shtrati im mund të ishte i dhjeti nga dera, me binte mbas Mihal Shtetos një nartjot shumë i mirë e studjoz.
Duke menduar se mund të na vinte radha, Ahmeti, Fatmiri dhe unë, nxorrëm nga trastat tona teshat e pastra dhe u ndërruam, për çfardo që të na ndodhte të ishim me veshje të pastra. Më kujtohen luftëtarët që mbanin qefinin rreth qeleshes. Unë mora edhe këpucët. Ato kishin një histori më vete. Për herë të parë kisha mundur të bëja një palë këpucë me porosi dhe munda t’i vishja dy a tre herë, dhe kur më arrestuan i kisha të veshura. Me to hyra në birucë, me to dola në Kaush e me to shkova në Spaç. Aty nuk lejoheshin, prandaj i futa në trastë e vesha opinga me gome makine. Kur bëhet amnistija e 82-shit, përpara se të dilnin ata që do të liroheshin, ia shoh të veshura Goles, këpucarit të burgut. Sapo ia pashë në këmbë i njoha, nuk e di por më ishte fiksuara se me ato kisha bërë rrugën drejt burgut e me ato do të dilja prej andej.
-Ku i ke marrë këto këpucë? – i them i nervozuar. Ai u pre dhe më tha:
-Kam bërë shumë burg e do të lirohem, prandaj m’i le se do t’i paguaj.
-Jo, – i thashë – ti nuk mi ke kërkuar, por i ke marrë ke trasta dhe një njeri që hap trastën e tjetrit ti e din mirë se çfarë është prandaj tani në depo e më jep këpucët. Kur na pa depoxhiu, Haxhi Muka i tha -po pse i veshe kaq shpejt ti, nuk prijsje dot edhe një çik. Binim rreth miqësie me të prandaj nuk e zgjata po i mora dhe i futa prap tek vendi i tyre. I kishte rregulluar se ato te reja ishin, por qenë punuar me thumba druri e nga lagështija ishin hapur. Mjeshtëri i kishte bërë si për vete.
Kur u bë revolta dhe ne u ngjitëm tek fusha lart, filluan të gjithë të vishen mirë e trashë me qëllim që edhe të mbroheshim disi nga druri. Në darkë, kur ishim në shtrat vjen tek dera e kapanonit polic Fiqiri Çakalli me të burgosurin Abaz Borhanin dhe shikojnë nga shtrati im. Të nesërmen në mëngjes këpucët nuk ishin më. Vesha një palë shapka dhe dola me nxitim me të tjerët.
.

Arrestimet e ditës së dytë

Gjendja e rëndë vazhdoi në ambjentet e brendëshme të burgut. Fjetoret e mbyllura dhe policët të cilët qarkullonin në çdo kënd na detyronin, për të mos u ndeshur me ta, te gjenim vende për të ndejtur. Eshtë dita e parë mbas revolte. Turni i parë niset për në galeri. Mesditë, na ulin sërish në sheshin e apelit dhe nën vëzhgimin e Trupave speciale të paisura me mjete dhune nëpër duar, bëjnë thirrje për qetësi, kush mund të fliste. Nga cepi i ndërtesës së guzhines u duken një grup civilësh e ushtarakë me në qendër Lek Ymerin, i cili mbante një letër në duar.
Përsëri listë. Jo nuk kanë mbaruar.
-Kush të dëgjojë emrin të ngrihet në këmbë. Eshtë Lekë Ymeri që fillon të lexojë emrat e listës. Sa dëgjohej një emër, 3-4 të zinj, jo fashista por bij të komunizmit, turreshin dhe e rrëmbenin nga krahët të përmendurin duke e drejtuar nga drejtimi i birucave ku menjëherë sa humbisnin nga vështrimi i të ulurve dëgjoheshin, gab-gup, ooou…Në datën 23 maj 1984, u bënë arrestimet dhe trajtimet shtazarake mbi grupin e dytë, i cili përbehej nga 14 të burgosur, ja lista emrore:
Dalip Zhabolli, Drago Vujosheviç, Sadri Sokoli, Nuredin Skrapari, Anastas Dhami, Roland Tole, Sali Gaca, Ilirjan Manushi, Hajredin Fratari, Lulash Bushgjoka, Xhemal Mustafraj, Veiz Ceci, Agron Hoxha, Çajup Bejko.
.

Nuredin Skrapari

Pasi kishin marrë rrënjët e kishin lënë degët, të nesërmen na morën e na ulën në sheshin para mencës. Mbaj mend nje operativ te M. B. emri nuk më kujtohet (Leke Ymeri) i cili me një listë të gjatë në dorë fillojë të thërrasë emrat. I pari në listë ishte Dalip Zhabolli, ish oficer i lartë, komandant i korpusit të Matit i dënuar nga gjyqi ushtarak me 25 vjet burg, i vunë byzylyqet para nesh. I dyti u thirr Dr. Drago Vujoshevic, malazez, kishte qenë mjek në Gjirokastër dhe atij i vunë byzylyqet. Kishte edhe birin të burgosur politik në Spaç. I treti u thirr Sadri Sokoli. Ky ishte nipi i Sadik Bekteshit, gjeneral i luftës. Mbasi e burgosën i fusin edhe nipin në burg. Sadri kishte qënë drejtori i MEKS-it dhe kishte studjuar ne B.S. I katërti ishte emri im. Pa u ngritur në këmbë m’u sulen nja tre-katër polica se unë isha pak më i bëshëm se të tjerët, më vunë byzylyqet edhe mua. Na futen në dhomat e takimit. Andej filloj dhe rrafja. Tek unë erdhi Zylyftar Ramizi e më thotë:
-Ti je Nuredin Skrapari?
I thashë se “Nuk paskan gabuar ata që të paskan thënë!”
-E dini kush është ky? – ju tha atyre. -Ky ka thyer portretin e udhëheqësit të madh e të lavdishëm të partisë tonë! Bjerini!!
Ishin nja njëzet policë, njeri më ra me bisht lopate po unë pata të veshur një pelice burgu dhe nuk e ndjeva shumë. “Jo more inxhinjerit me bisht lopate, – tha dikush, – po me bisht kazme!”
Pa e zgjatur njeri më ra me bisht kazme në sup e ma theu kockën. Dhimbja ishte e madhe, ata më kërcyen të tërë me grushta, shqelma dhe hunj. Më vune në kolaps pa tension. Me goditën edhe disa herë të tjera e thanë lëre se macja ka shtatë shpirta ky paska njëmbëdhjetë. Më hodhën ujë dhe sikur u qetësova nga ajo dhimbje e jashtëzakonshme prej ujit. Pastaj na dërguan në birucë e të nesërmen na dërguan për në Zejmen. Unë isha më i rënduari, shokët më ndihmuan. Për fat atje ka qenë dhe një inxhinjer i naftës, Teki Biçoku, akademik, i cili ndërhyri dhe më çuan në spital, në reaninacion ku me kanë dhënë rreth njëzet kg glukozë. Më ka kuruar mjeku Ramazan Xhaja, të cilin e kam takuar edhe mbasi dola nga burgut.
Kur shkova në Zejmen mora vesh se Tom Ndojën dhe Sokol Sokolin i kishin pushkatuar, ndërsa Sadri Sokoli kishte vdekur rrugës: siç më tha Drago, e kishin provokuar policët ky kishte reaguar e kishin goditur ke bulbi rakildjam (mbas koke) dhe ky kishte vjedhur të bardhë. Kur kishte shkuar në Pukë në qeli kishte vdekur. Sandri është varrosur në një kënd përballë burgut, ku ndodheshin edhe të burgosur të tjerë që kishin humbur jetën në këtë burg. Kështu u mbyll e u mbyt kjo revoltë, me gjak dhe hekur.
Në ka revoltë antikomuniste në Shqipëri, është Revolta e Spaçit që ngriti flamurin pa simbolet komuniste që unë e krahasoj me rebelimin e Ymre Nagit, me Pranverën e Pragës dhe me të Les Valesës. Të burgosurit politikë kanë qënë aktiv dhe unë nuk i kam quajtur viktima dhe nuk e pranoj atë opinion që të quhen viktima të komunizmit. Pale sa gjëra interesante i kish sajuar sigurimi, që është për t’u habitur. Sikur aty do të vinin desantë Ruse të na merrnin ne të na çonin në B.S. të na përgatisnin e të na hidhnin në sheshin Skënderbej, do të rrëzonim qeverinë e ku ta di unë. Absurditete të tilla që shkonin deri në çmenduri. Me thirrjen që bëri Vllasi Koçi, “Poshtë Komunizmi!” -, Revolta e Qaf-Barit u identifikua si politike!
.

Dalip Zhabolli

Me marrin në raport për të shpjeguar se si ndodhi ngjarja e kush ishte përgjegjes. Unë me argumente e shkarkoja përgjegjësinë te policia. Më marrin e më kalojnë në një dhomë tjetër. Verej se aty ishte dr. Drago dhe Sandri. Na torturuan ç’njerëzisht, humbnim ndjenjat, na hidhnin ujë e nisnin prap, deri në mëngjes. Mua dhe Dragon na hipën në një ARO, ishim të pa vetëdijshëm. Më pas kam parë Sandrin, e lanë pak kohë me ne. Sandri u këput në ARO, aty ka qënë vdekja e tij.
.
Burgu i Qafë-Barit
Burgu i Qafë-Barit

Kokluzioni im për fundin e Sandër Sokolit

Sander Sokoli nuk është eleminuar brenda institucioneve si burgu Qafë-Barit apo birucat e Pukës.
-Vrasja e tij ka qënë e planifikuar dhe e detajuar.
-Policët provokatorë kanë qënë pjese e planit.
-Ndalimi i autokolonës në kushtet që po zhvilloheshin ngjarjet ishte veprim i paprecedentë, jashtë rregullores, i pa ndodhur herë të tjera, cënonte sigurinë e lëvizjes së saj.
-Ulja e një të burgosuri politik në mes të udhës, në situatën ekstremisht të agravuar në të cilën zhvilloheshin ngjarjet, ishte e pa imagjinueshme.
-Edhe moskthimi përsëri tek të burgosurit e tjerë është fakt që vërteton veprimet e kryera mbi trupin e tij.
-Dr. Drago Vujosheviç ka pohuar se “E sollën në ARO-n ku isha unë dhe Dalip Zhabolli. Sandri ka vjellur të bardhë.
-Nuredin Skrapari pohon – “Drago më tha se Sandrin e kishin goditur mbas kokë në bulbin radikjam, pas një incidenti me policët që e kishin provokuar gjatë rrugës. Kishte vjedhur të bardhë.
.

Çajup Bejko

Çajupi ma dërgon nga Amerika dëshminë e tij ku pohon:
-Një rrobezi me radio në dorë ngacmon Sandrin që ishte i shtrirë e i lidhur bashkë me ne në makinë. Ky i përgjigjet dhe i ziu komunikon me radio. Makinat ndalojnë. Lek Ymeri hapi mushamanë që mbulonte nga mbrapa makinën dhe urdhëron të zbresin poshtë Sadri Sokolin. E morën dhe nuk e kthyen më.
Dalip Zhaboli pohon: -Mua më Dragon na hipin në një ARO ishim të pavetëdijshëm. Me pas pashë Sandrin, e lanë pak kohë me ne. Sandri u këput në ARO. Aty ka qenë vdekja e tij.
-Akti mjeko-ligjore nr. 12 i datës 25.05.1984, i bërë nga eksperti mjekoligjore dr. Pandush Glozheni konkludon se shkak i vdekjes së të burgosurit politik Sadri Sokoli është isufiçenca akute. Fakt i cili nuk është i vërtetë!
-Në trup nuk u vërejtën shenja dhune!! Cfarë nuk bënin ata, jo vetëm me të gjallët!
-Gjykoj se: vendi ku është ulur Sadri Sokoli nga makina ka qënë i planifikuar dhe i kontrolluar.
-Goditja është bërë e shpejtë, ajo ka qenë qëllimisht vdekjeprurëse.
-Mos egzaminimi i kollonës vertebrale nga autopsia e bërë në trupin e Sadri Sokolit na lë të dyshojmë në dëmtimin e saj.
.

Agron Hoxha

Dëshmija e Agron Hoxhës është marrë nga dokumentari i T.V.SH
Ne që nuk na kish fokusuar shumë syri vigjilent, na morën të nesërmen. Ishim ulur të gjithë te sheshi para mencës, kur më thirrën emrin, nuk më lanë as të ngrihem vetë, por m’u sulën disa policë që ishin venë në pozicion si qen gjuetie. Më kthejnë duart e m’i lidhin dhe më drejtojnë nga biruca. Unë nuk e mora vesh se si arrita deri te biruca, shqelma, grushta, zorra e gomes turive, sytë xixa. Me të mbërritur atje veç koridorit më policë e sampistë që ishte i shtrirë përgjat rrugës që të çonte lart te birucat, atje kishte grupe të tjerë që ishin të ndarë në dhomat e izolimit e në koridor dhe rrihnin pa mëshirë. M’u duk vetja se po shikoja një film të llahtarshëm me horror. Nga mesdita e datës 23 deri në mëngjesin e datës 24 nuk ka pushuar druri. Me bijnë në dhomë Nuredin Skraparin, ishte gjysëm i vdekur, e kishin masakruar ç’njerëzisht dhe po mos ta kisha mbajtur unë ai me siguri do të kishte vdekur. Kur na nxorrën për veprime, sa herë na nxirrnin na rrihnin, e laga me ujë një shami që kisha me vete dhe me të i kam lagur buzët tërë natën.
Të nesërmen në mëngjes na kanë shtrirë tek karrocerija e një IFA dhe tërë rrugës na godisnin me shkelma e shkopinj, nuk e di si kemi mbrritur deri në Zejmen të Lezhës. Atje takoj një shokun tim me të cilin kisha ngrenë bukë në Spaç.
Met Pojani quhet. Ai me pyet se çfarë ka ndodhur. -Rri o Met me mirë mos ta dijsh, i them unë. -He se e kam marrë veshë më thotë, po shkoj të bëj diçka për të ngrënë. U shtriva tek krevati i Metit dhe nuk kalojë as një çerek ore kur vijnë dy policë të cilët pasi më pyesin kush jam më thonë “Eja me ne se kemi një sqarim. Me ironi më pyesin: -He mo si nuk e përmbysët se edhe ne na ka plasur shpirti. Kur më fusin ke birucat m’u duk vendi si thertore, ujë dhe gjak ngado, mure të spërkatura, në dysheme. Të dukej sikur gjendeshe në një thertore. Na rrihnin tre herë në ditë. Një herë m’u mërzit aq shumë shpirti sa desha të vdisja vërtetë.
.

Hajredin Fratari

Dëshmija e Hajredin Fratarit është marrë nga dokumentari i T.V.SH
Zejmeni ishte i përgatitur për këto kriminela të cilët vinin tre herë në ditë e na torturonin te birucat e burgut sa herë ndërroheshin kapterrat. Nuk na njihnin vetëm se ju kishin thënë “janë armiq të rrezikshëm!”.
 

Epilogu i Revoltës

Këto grimca të mbledhura drejtpërdrejt nga ata që u përballën me terrorin shtetëror duke e mundur në një betejë atë, na hedhin dritë mbi ngjarjen e përgjakshme të Revoltes së majit 1984, në burgun e Qafë-Barit duke na sqaruar se si u provokua, nga kush, si përfundoi ajo dhe cilat ishin arsyet e vërteta të kësaj ngjarjeje.
Kjo revoltë e cila ishte shpërthimi i papërmbajtshem i atyre heronjve që shkruan me gjak një nga ngjarjet e rëndësishme antidiktaturë, ka qënë i nxitur nga Sigurimi i Shteti, i cili shfrytëzoi edhe urrejtjen e grumbulluar tek të burgosurit nga keqtrajtimet e policisë.
-Nuredin Skrapari pohon: “Sigurimi kishte sajuar se do të vinin desanta Rusë të na mirrnin ne e të na çonin në Bashkimin Sovjetik, të na përgatisnin e të na hidhnin në sheshin Skënderbej për të rrëzuar qeverinë.
-Haxhi Baxhinovski ka pohuar: -Në hetuesi na pyesnin – Si do ta merrnit pushtetin? Si do te arratiseshit?
-Operativi i burgut Miti Kurici ka përgatitur dosjen me 35 – bashkëpuntorët.
-Shefi i policisë së Burgut 311 Qafë-Bari.
.
 
 


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.