back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

“Naiviteti” profesional i Paskal Milos dhe paaftësia kundërvepruese e Mustafa Muçit për ta evidentuar! – nga Genci Hoti

Gazeta

Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Lezhë -
Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Lezhë –

“Naiviteti” profesional i Paskal Milos dhe paaftësia

kundërvepruese e Mustafa Muçit për ta evidentuar!

nga Genci Hoti

(ose çfarë fsheh emërtimi serb i gjenezës historike të familjes Kastrioti dhe kush është autori?)
.
Para do ditësh në “Provokacija” i vetëquajturi historian Paskal Milo, u justifikua përpara shqiptarëve mbi pretendimet e të qenurit serb të Gjergj Kastriotit, në bazë të një dokumenti të vitit 1426, i cili bën fjalë për një marrëdhënie të Gjon Kastriotit me Manastirin e Hilandarit.
Natyrisht, shqiptarët as që e vrasin mendjen të dinë saktë se çfarë është kjo letër e vitit 1426, pasi na lindin pyetjet e mëposhtme:
1.Kur është zbuluar?
2.Kush e ka zbuluar?
3.A është e saktë?
4.Çfarë të rejash sjell ajo në historinë e Kastriotëve?
5.A e ka parë ndonjëherë “historiani” Paskal Milo këtë copë letër?
6.A interpretohet korrekt nga të vetëquajturit “historianë” kjo letër?
.
Përkrenarja e Skënderbeut
Përkrenarja e Skënderbeut
“Naiviteti” profesional i Paskal Milos qëndron në mos evidentimin e këtyre fakteve, por paaftësia e gazetarit është shumë herë më e gjerë, pasi reaksioni me figurën e Kastriotëve nuk fillon me këtë copë letër të zbuluar lexueshëm midis viteve 1921-1949 (ajo ka qënë e njohur përpara 1921, por përmbajtja është mbajtur e fshehtë duke çuar në dyshime të mëdha mbi vërtetësine e saj), por më 1911 kur Enciklopedia Britanike e atij viti, përpara se politika britanike t’ia thoshte hapur Europës se Kosova do t’i jepej Sërbisë (1913), e thotë troç se Gjon Kastrioti dhe gruaja e tij, Voisava, ishin me prejardhje serbe. Në këtë rast gazetari duhet të kishte kërkuar në gjetjen e fakteve të cilat zbulonin manipulimin e historisë për shkaqe politike, gjë e cila realizohej në krahasimin e dy veprave të Fan S. Nolit mbi historinë e Skënderbeut të shkruara në vitin 1921 dhe 1949, ndryshimi i të cilave, midis tyre, është jashtëzakonisht i madh. Në këtë pikë roli i peshkopit me tre fytyra fetare kuptohet mirëfilli se çfarë ka marrë përsipër të manipulojë që në atë fillim shekulli dhe përse këtë manipulim e lidhi me figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Pikësepari duhet vënë në dukje përfaqësimi i veprës mbi Skënderbeun nën autorësinë e Peshkopit Theofan (Fan S. Noli), me anë të së cilës Peshkopi Theofan u fut në botën intelektuale shqiptare në mënyrë bindëse duke ecur në gjurmet e anonimit Tivaras (1480) dhe Marin Barletit (1504), sipas kapitullit “Hyrje” në veprën Histori e Skënderbeut, Mbretit të Shqipërisë (1412-1468), Boston 1921, f. 7-29. Por kjo vepër i shërbeu Fan S. Nolit për t’u paraqitur përpara shqiptarëve si një atdhetar i thekur në vitet kur kaloi nga SHBA në Europë-Shqipëri, pasi përvoja e tij në përplasjen me shqiptarët në Kongresin e Triestes, më 1913, i kishte mësuar se fitimi i besimit nga ana e shqiptarëve ishte e lidhur pikërisht me analizën e figurës karizmatike të Gjergj Kastriotit – Skënderbe. Pikërisht këtë rrugë kishte ndjekur dhe sivëllai i tij Naim H. Frashëri me 1898 (Naim H. Frashëri, Histori e Skënderbeut, Shkup 2004) kur shkroi vargjet mbi Heroin Kombëtar të shqiptarëve edhe pse nuk kishte jetuar asnjë ditë mes tyre.
Por një analizë e dy veprave të Fan S. Nolit mbi Skënderbeun është e aftë të na tregoje trukaturën që autori ka realizuar për interesat politike të Britanisë së Madhe në vigjilje të shek. të XX-të, por që në asnjë rast nuk janë marrë në konsideratë nga historianët shqiptarë të mëvonshëm në mënyrë kritike, përveç një rasti (At Marin Sirdani OFM, Skandërbegu mbas gojëdhanash, bot I – Shkodër 1926, bot. II – Shkodër 2008), rast i cili është i vetmi që mund të argumentojë se kush i la shqiptarët më vete, europianë dhe autoktonë në kundërshtim me të gjitha teoritë historike të Njerëzimit. Studiuesit e sotëm shqiptarë, nëqoftese i duan të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve, përpara se të shkruajnë për Gjuhën dhe Historinë e Kombit Shqiptar duhet të realizojnë kritikën progresive të asaj teorie fillim e fund formale, pasi është e paaftë t’i japë rrugëzgjidhje zhvillimit të Shoqërisë Njerëzore, të paktën në formë teorike. Rasti shqiptar e kërkon medoemos këtë kritike përmbysëse.
Botimi i vitit 1921, nuk ka ndonje ndryshim të madh nga vepra e Marin Barletit (1504) dhe Fan Noli ka ecur në gjurmët e tij në mënyre kritike, duke përshtatur veprën e Barletit konform politikës britanike. Në këtë rast, ai i ndryshoi emrin e nënës së Gjergj Kastriotit nga Vojza, sipas Barletit (Vr. P.II. K.II, &III), në Voisava sipas enciklopedisë britanike (1911); të gjithë debatin mbi këtë temë e gjej në veprën e At Marin Sirdani OFM (f. 12). Por datëlindja e Gjergj Kastriotit, dërgimi i tij në Ederne në moshën 9 vjeçare dhe rritja e tij në Turqinë Otomane ishte pikë për pikë sipas ideve të Marin Barletit. Por në këtë botim Fan Noli ka bërë disa postulime historiko-politike, në lidhje me figurën e Skënderbeut, të cilat janë zvogëluar deri në sfumim të plotë dhe manipulim nga historiografia komuniste çuditërisht. Sipas autorit “Skënderbeu ishte kryegjenerali i krishterimit katholik kundër Turqërise”, ose, “Po vijtorja e krishtëimit këtë herë, si dhe me 1204, do t’ia kishte dhënë zotërimin e Bosforit Katholikizmës, armikes shekullore të Orthodoksisë” (f. 16). Dmth konfliktin imagjinar midis Kishës Katolike Romane dhe Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopolit në literaturën shqiptare ne e gjejmë për herë të parë tek Fan S. Noli, si një provokim historik për të fshehur një rol historik në Veriun e Shqipërisë dhe për të shpikur një progres imagjinar historik në Jugun e Shqipërisë. Por botimi i vitit 1921, ka të përmendur dhe një dokument të Manastirit të Hilandarit, në Mal të Shenjtë, pa na e treguar përmbajtjen e këtij dokumenti duke ngritur dyshimin mbi vërtetësinë e tij, meqënëse pas 28 vjetësh ky dokument paraqitet si një zbulim thelbësor në historinë e Kastriotëve (f. 47).
Por, botimi i vitit 1949, konsiderohet i revizionuar nga ai i vitit 1921, (parathënia e Fan S. Nolit në librin Histori e Skënderbeut, Tiranë 1962), çka nënkupton një rishkrim nga e para të kësaj vepre, themelore për karakterin nacional shqiptar. Që në faqen e parë vepra në fjalë ka të ndryshuar datëlindjen e Gjergj Kastriotit, nga 1412 në 1405, ndërsa në faqen 3, ka të shprehur parathënien, ku paralajmëron lexuesin se një udhëtim në Europë duhet të ndriçojë disa pika të lëna në errësire në këtë botim. Në kaptinën e I-rë (Lufta e pararendësve kundër turqve 1362-1438) autori ka analizuar, përveç shumë temave, tre probleme kryesore për historinë e parashqiptarëve:
a.Katholikizma në Shqipëri, 743-1414;
b.Despotati i Nartës, Pjetër Losha dhe Gjin Bue Shpata, 1358-1400;
c.Origjina e Kastriotëve. – Gjon Kastrioti, 1395-1439;
përmbajtja e të cilave e ndryshon të gjithë historinë mesjetare të shqiptarëve jo vetëm sipas asaj që na e kanë mësuar, por dhe sipas asaj që duhej nënkuptuar pa e thënë hapur të vërtetën e madhe sipas kësaj Historie. Ky material nolian shërben për të rregulluar pikëpamjet e shumë pedagogëve shqiptarë në fushën e statistikës historike, por dhe tendencën politike të ideve noliane. Por duhet theksuar se Kombi Shqiptar e njeh veprën e Fan S. Nolit nëpërmjet përkthimeve dhe botimeve të historiografisë komuniste, sidomos të asaj të shtetit shqiptar të ndërfutur në politikën arsimore në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Çka do të thotë se studiuesit e Kosovës dhe Maqedonisë për këto tema nuk mund të flasin dot me kompetencë pa realizuar kritikën e veprave të Nolit.
Gjergj Kastrioti (1405-1468)
Gjergj Kastrioti (1405-1468)
a.Katholikizma në Shqipëri, 743-1414 (f. 6-7)
Në këtë drejtim Fan S. Noli ka marrë në konsideratë vetëm besimin fetar monoteist duke e anashkaluar të gjithë atë pjesë të popullatës shqipfolëse që vazhdonte të besonte në Kultet Pagane. Në rastin konkret ky veprim fsheh thelbin e unitetit të Ideve Fetare me të vetmen popullatë autoktone të gadishullit Ilirik, por nga ana tjetër autori nuk e ka pasur fare të qartë dinamikën e institucioneve fetare të Krishtera në gadishull. Sipas tij: “Nga pikëpamja fetare, Shqipëria ka qënë e lidhur me Romën që nga shekulli i parë pas Krishtit. Feja e Krishterë u përhap në Shqipëri prej misionarëve të Romes, sikundër provohet nga termat kishëtare, të cilat rrjedhin nga Latinishtja” (pikërisht, së pari, kjo nuk është e saktë, pasi Krishtërimi përpara se të shfaqej në Rome ka kaluar nëpër trojet e sotme shqiptare dhe Apostujt e Krishtit i kanë ngritur Kishat e para të Krishtera në Botë në këto troje. Të pakten 5 km në Lindje të Elbasanit, në rrugën drejt Labinot-Mal, fshihet nën tokë një ndër këto Kisha të hershme të Krishtera, me shumë mundësi e shek. të I-rë Pas Kri.; GH). “Si një pjesë e Ilirisë, Shqipëria ishte nën juridiktën e Papës gjer më 734, kur perandori i Bizantit Leon I Isavri e shkëputi nga Roma dhe ia fali Patrikut të Stambollit (në këtë pikë emërtimesh autori përdor metodën e sotme duke e anashkaluar emërtimin origjinal të kohës, dmth Stambolli është një emër që i është vendosur Kostandinopojës vetëm në vitet 20 të shek. të XX-të dhe emërtimi Stamboll për vitet e shek. të VIII-të pa dyshim tregon një tendencë analitike manipulatore, GH). Në periudhën e gjatë të dominanteve Bizantinë, Bullgarë dhe Serbë, shumë prej shqiptarëve u kthyen Orthodoksë, veçanërisht në cipat e kufireve, si nga Janina gjer në Vlorë, nga Ohria gjer në Krujë, dhe nga Shkodra gjer në Tivar. Po ardhja e Kryqësorëve Katholikë, dhe dominatat Veneciane dhe Napolitane e ndryshuan fare shituaten (në këtë pikë autori ka filluar trukaturën e historisë se Krishtërimit të hershëm në trojet shqipfolëse, i cili vetëm në vitin 1054 e ka ndarjen Katolik-Orthodoks. Nëqoftëse për Botën kjo nënkuptohet rigorozisht saktë (nën termin Kisha Greko-Romake), tek Fan Noli kjo nuk është e saktësuar edhe pse pranohet se gjatë periudhës së tretë (nga shek. i XI-të deri ne vitin 1767) shumë nga episkopatat e Shqipërisë së sotme vareshin nga Kryepiskopata e Ohrit (1081-1767; – këtë vit [1767] shfuqizohet Autoqefalia e Kryepiskopatës së Ohrit dhe pas këtij viti kthehet nën juridiksionin kanonik të Patriarkanës së Kostandinopolit), kurse Mitropolia e Durrësit në shek. e XI-të deri në të 13-tin, qëndroi nën juridiksionin e Patriarkanës se Kostandinopolit († Anastasi, Kryepiskop i Tiranes, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Ringritja e Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë (1991-2012); Tiranë ribot. II 2013, ribot. III 2015, f. 9-10). Sipas këtij materiali rezulton që raporti Katolik/Orthodoks në territorin e Shqipërisë së sotme për atë kohë nuk ka asnjë lidhje me kryqëzatat, pasi Kryqëzata e Parë është vetëm në vitet 1096-1099, GH). Që atëhere Katholikizma nisi të ringjallet edhe të përhapet në Shqipëri si një protest kundër zotërimit Bizantin edhe Serb. Në krye të shekullit të XV-të, Shqipëria ishte pothuajse plotësisht katholike me nja tetëmbedhjetë peshkopata të ritit Latin. Në këto duhen shtuar dhe disa peshkopata Unite të ritit oriental Orthodoks, të lidhura me Papën (sipas materialit të paraparë, cituar nga † Anastasi, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, rezulton që kjo nuk është saktësisht kështu, GH). “Sa për kapedanët edhe bajraktarët, këta ishin kthyer Katholikë të gjithë njëri pas tjatrit, sikundër na tregojne dokumentat e kohëes. Thopiajt e Krujës përmenden si Katholikë me 1208; Muzhaqët e Myzeqesë me 1318; Zenebishtët e Gjirokastrës, Mazarakët e Ҫamërisë, dhe Shpatët e Nartës me 1354; Balshajt e Shkodrës me 1369; Dukagjinët me 1400; Altisferët e Danjës me 1414. Kështu Katholikizma nga njëra anë i jepte Shqipërisë bashkimin që i mungonte si shtet, edhe nga ana tjetër e lidhte me botën e Krishterë Evropiane”.
b.Despotati i Nartës, Pjetër Losha dhe Gjin Bue Shpata, 1358-1400 (faqe 7-8).
Sipas Fan Nolit periudha kohore midis viteve në fjalë ishte koha e zgjerimit të Shqiptarëve jo vetëm në veri por edhe ne jug. Përtej Gjirokastrës, ku mbaronte Principata e Balshajve, niste Despotati i Nartës, i cili përmblidhte tërë Çamërinë, dhe zgjatej përmes Etolisë dhe Akarnisë gjer në zemër të Greqisë. Luftën e indipendencës kundër Serbëve dhe Bizantinëve e deklaruan në jug Pjetër Losha, Muzaraka i Çamërisë dhe Gjin Bua Shpata i Nartës. Këta të dy, me kalorësinë e tyre të lehtë e thyen Nikeforin II, Despotin e Epirit edhe të Thesalisë, në betejën e Aspropotamit (Akelloos) më 1358. Autori pretendon se ajo ishte një luftë fshatarësh dhe çifligarësh. Nikefori II me një ushtri prej grekësh edhe mercenarësh turq, Selçukë donte të ripushtonte çifliqet e zotëruara prej katundarëve shqiptarë dhe t’ua kthente çifligarëve Bizantinë. Fan Noli pretendon se kjo luftë klasash shpjegon urrejtjen e egër të aristokratëve kundër shqiptarëve, ashtu sikundër shihej në shkrimet e kronikanëve Franza, Duka, Iaoniku dhe Kristobulli. Më 1379, pikërisht kur kryezoti gegë Gjergj I Balsha i dërmonte Boshnjakët në Banat, kryezoti Ҫam, Gjin Bua Shpata, i shkatërroi përpara Nartës ushtritë e bashkuara të serbëve, të grekëve dhe napolitanëve dhe e siguroi despotatin e tij, mbi të cilin mbretëroi deri me 1400, kur dhe vdiq. Sipas autorit mënyra se si u fitua beteja e Nartës është për t’u marrë si shëmbull, pasi do të përsëritet disa herë prej Skënderbeut në rrethimet e Krujës.
.
Heraldika e Kastrioteve
Heraldika e Kastrioteve
c.Origjina e Kastriotëve. – Gjon Kastrioti, 1395-1439 (faqe 13-18).
Pa asnjë diskutim që është pika më e errët akoma edhe sot për faj të politikës, e cila gjithmonë ka tentuar ta fshehë të vërtetën e origjinës më të afërt të Kastriotëve duke e lidhur vetëm me komshinjtë e Veriut dhe Jugut të shqiptarëve të sotëm (dmth serb ose grek), duke mos e përfshirë në ngjarjet kryesore europiane të shekujve XI-XIII, edhe pse dinamika sociale e shqiptarëve (shek. XIV-XVII) është krejt në disproporcion më të gjithë shoqëritë europiane, në përmasa të tilla sa mospërputhja konsiderohet si një përjashtim që nuk duhet marrë parasysh. Të paktën këtë formë arsyetimi historik e gjejmë tek Fan S. Noli në këtë vepër.
Sipas Fan S. Nolit emri i Kastriotëve del në skenë për herë të parë më 1368, në një dokument të lidhur me Aleksandër Komnen Asenin, princin bullgar të Vlorës, si një qytetar honorar të Raguzës, me nënshkrimet e disa dëshmitarëve vërtetonjës nga paria e vendit. Midis tyre është dhe një nënshkrim i një Kastrioti, Kapidan i Kaninës. Përpara emrit të Kastriotit është nënshkrimi i një Branillo, të cilin historiani gjerman Hopf e lexon si emrin e parë të këtij Kastrioti. Sipas mendimit të Hopf-it, ky Branilla Kastrioti ka qenë stërgjyshi i Skënderbeut. Nga emri sllav Branillo dhe nga një frazë e Spandugino Kantakuzenit, një shkrimtari të shek. të XVI, Hopf-i, Hahn-i dhe Makusheff-i konkludojnë që Kastriotët ishin me origjinë Sllave. Ky mendim konsiderohet i lajthitur nga dijetare dhe historianë, si Fallmerayer, Pisani, Sufflay, Thalloczy dhe Jericek. E para, se Branilloja dhe Kastrioti i dokumentit të Raguzës duken si dy persona të ndryshëm. E dyta, edhe sikur të jenë një person, emri Branillo nuk provon aspak që ky Kastriot ishte prej race Sllave, se pothuajse të gjithë emrat e parë të shqiptarëve janë të huaj, sllavë, greke, latine e arabë. E treta, manuskripti i Spandugino Kantakuzeni është shkruar pas vdekjes së Skënderbeut. Pra, nuk është dëshmi e një kohëshoku dhe nuk ka rëndësinë e një burimi të dorës së parë a makar të dorës së dytë. Kantakuzeni nuk na e thotë se ku e ka marrë informatën e origjinës sllave të Kastriotëve, po duket që e ka hequr nga Mati, të cilin Barleti e quan me emrin klasik të Makedonisë Aemathia, duke lënë të kuptohet që Kastriotët Matjanë ishin Sllavë të Makedonisë. Barleti na thotë që Gjon Kastrioti ishte nga një shtëpi e vjetër e Matit dhe nuk shkon më tutje. Gjon Muzaka na çon gjer tek i jati i Gjon Kastriotit, të cilin e quajnë Pal dhe shton se kishte në pronësi vetëm dy fshatra, Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm. Por sipas një gjenealogjie tjetër të përpiluar prej Andrea Angelo Flavio Komnenit, princit të Drishtit dhe Tivarit, stërgjyshi i Skënderbeut quhej Kostandin dhe i gjyshi Gjergj. Kjo ka mjaft të ngjarë pasi emrat e këtyre gjyshërve i gjejmë tek të bijtë e Gjon Kastriotit. Përveç kësaj, historiani i Turqisë Hammer përmend një Gjergj Kastrioti, stërgjysh të Skënderbeut, i cili mori pjesë në betejën e Kosovës më 1389, por pa e thënë se ku është marrë kjo informatë. Ndërsa mbi Gjon Kastriotin kemi më tepër informata. Trashëgoi nga i jati, i cili quhej Pal ose Gjergj, vetëm dy fshatra të vogla afër Drinit, të quajtura Sinja dhe Gardhi i Poshtëm, po pastaj zaptoi Matin, Dibrën dhe e zgjeroi principatën që nga Prizreni gjer në Shufadajën anës Adriatikut midis Durrësit dhe Shën Gjinit. Me 1395 zaptoi Krujën. Më 1411 ishte mjaft i fortë sa t’i dhuronte Venedikut 2300 kalorës për një pension prej 1000 dukatësh në vit. Gjon Muzaka na thotë që Gjon Kastrioti nuk e kishte Krujën, por kronikani i Raguzës Luccari na siguron që e kishte, pasi e quan Kryezot të Krujës. Dëshmia e këtij kronikani vërtetohet nga disa dokumenta të Venetisë, por ka rëndësi që Luccari kishte përpara syve arshivat e Republikës së Raguzës, pjesë e së cilës ishte qytetar-honorar Gjon Kastrioti që më 1413. Gjon Kastrioti ishte i martuar me Voisavën, të bijën e kryezotit të Pollogut afër Tetovës. Kjo krahinë dukej që ishte pjesë e Principatës Balshiane dhe hynte nën influencën e Kastriotëve. Banorët e saj ishin bullgarë, por kryezotët e saj a ishin shqiptarë që nga koha e Balshajve a u shqiptarizuan me anë të martesave.
Më 3 prill 1407, Senati i Venedikut vendosi të bënte përçapje pranë Papës Gregori XII (1406-1415) pas nje letre te Gjon Kastriotit. Peshkopi i Lezhës donte të pushtonte dymbëdhjetë Kisha të Peshkopatës së Arbërisë, e cila përmblidhte Krujën dhe Tiranën. Gjon Kastrioti proteston për këtë aneksim nga shkaku se këto Kisha ishin nën juridiksionin e Peshkopatës së mësipërme prej 800 vjetësh. Më 1426, Gjon Kastrioti dhe të katër bijtë e tij: Stanishi, Reposhi, Kostandini dhe Gjergji, ndodhen që të gjithë në trojet e tyre pasi këtë mot nënshkruajnë si bashkëpronarë një dokument me anë të të cilit i dhurojnë Manastirit serb të Hilandarit në Mal të Shenjtë dy fshatra të quajtura Radistina dhe Trebishta. Diku rreth këtij viti Gjon Kastrioti dhe të tre bijtë, Reposhi, Kostandini dhe Gjergji, blejnë kullën e Shën Gjergjit nga Manastiri i mësipërm. Nga ky dokument, ku mungon emri i Stanishit, rezulton që ky dërgohej me ushtarë kohë mbas kohë si aleat i Sulltanit apo i Kralit.
Është ky dokument që sjell disa ngjarje të reja mbi jetën e Gjergj Kastriotit-Skënderbej. Së pari datëlindja rezulton që nuk mund të jetë 1412, pasi në moshën 14 vjeçare Gjergji, nuk mund të fitonte të drejtën e bashkëpronësisë. Kështu që ajo spostohet më 1405 në të cilën moshë Gjergji e kishte të fituar të drejtën e bashkëpronësisë me të jatin dhe vëllezërit. Së dyti, nuk është e saktë pikëpamja që Gjergj Kastrioti është dërguar që nëntë vjeç në Ederne dhe kthyer prej andej vetëm më 1443, pasi më 1426 rezulton që të ketë qënë i pranishëm në aktin e dhurimit të të ardhurave të dy fshatrave Manastirit të Hilandarit.
Pas gjithë kësaj analize ne kemi mundësinë teorike t’i përgjigjemi 6 pyetjeve më të para.
6.Ajo që ka ndodhur më 1426 është një marrëdhënie midis Gjon Kastriotit dhe bijve me drejtuesit e Manastirit të Hilandarit pa mundur të argumentojnë që Gjon Kastrioti ishte serb dhe orthodoks. Pra, interpretimi që Paskal Milo i bën kësaj cope letre është thjesht një interpretim tendencioz me një domethënie krejt tjetër për tjetër.
5.Për një gjë lexuesi duhet të jetë i sigurt: këtë copë letër Paskal Milo dhe çdo studiues tjetër shqiptare jo vetëm që nuk e kanë parë, por ata nuk janë të aftë t’i dinë dhe përmbajtjen e plotë.
4.Të rejat që sjell kjo copë letër në historinë e Kastriotëve, n.q.s. është e vërtetë, është saktësimi i datëlindjes së Gjergjit, saktësimi i jetës rinore të tij dhe marrëdhëniet midis fqinjëve të asaj kohe jashtë çdo konteksti gjenealogjik të Kastriotëve.
3.Fakti që kjo copë letër përmendet më 1921, në variantin e parë të veprës mbi Skënderbeun nga ana e Fan S. Nolit, pa na dhënë përmbajtjen e saj hedh dyshime të forta që ajo mund të jetë e sajuar fjalë për fjalë vetëm e vetëm për të justifikuar variantin gjeneologjik të prejardhjes së Kastriotëve nga bota serbe.
2.Interesant është fakti që nuk jepet asnjë referim se ku është marrë kjo copë letër, përveç lidhjes që ajo ka me Manastirin Serb të Hilandarit pa na dhënë dhe autorësinë e zbulimit.
1.Përmendja e kësaj cope letër më 1921, nga Fan Noli dhe zbërthimi i pjesshëm vetëm me 1949, e tregon fare qartë se ekzistenca e saj merret me mënd që është përpara vitit 1921, por ajo është bërë e njohur midis viteve 1921-1949.
Sarandë, 31 maj 2020
.
*Shkrimi mban numrin 149, çka përbën numrin e temave të trajtuara nga Genci Hoti


 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Flamur Slova
    Ne rastin me ye mire, Miloja del nje historian siperfaqsor, i dobet, naiv dhe i pakompletuar. Ne rastin me te keq del nje historian i shitur serbofil ose grekofil, neqoftese vertet nuk ka te dhena te pakontestueshme qe nena e Skenderbeut ishte sllave. E kam lexuar para disa vitesh nje postim te faqja njekomb te Aurel Plasarit ku me 24 pika tregon se pse nena e Skenderbeut nuk ishte sllave, me pelqeu sepse ishte drejt ne fakte dhe jo imponim te mendimit. Natyrisht, kur kemi historian shqiptare te pakte ne number dhe ato qe jane jan ne kundershtim me njeri-tjetrin, ne si lexues te thjeshte nuk mundet ti pranojme theniet e tyre si kapitull i perfunduar. Asgje te keqe dhe nuk mund ti hiqet asgje nga rendesia figures se Skenderbeut edhe po te ishte 100% serb apo sllav apo grek, ka shume raste ku mbahen hero neper bote personalitete me origjine tjeter nga vendi ku eshte hero. Sic kemi raste te shumta qe shqiptaret jane figura nacionale ne shtetet e huaja(greqi, turqi, egjipt, etj, etj). Si lexues i thjeshte , me gric kureshtja nese Skenderbeu kishte gjak sllav, atehere si ka mundesi qe- Skenderbeu vet asnjehere nuk e ka thene kete?(shprehjet kombetare ne ate kohe nuk ishin me rendesi, dhe po te kishte gjak sllav do ta thoshte per hir te konsolidimeve te lidhjeve me sllavet), po te kishte gjak sllavi, do dukej me e natyrshme te kerkonte ndihme nga dhespotet serb apo bullgar dhe domosdo nga Rusia dhe jo nga venediku, vatikani e Napoli. Po te kishte gjak serbi do ishte e natyrshme qe Skenderbeu te luftonte per te mar toka serbe , sepse do ishte natyrale per kete gje mbasi do dukej si shpetimtar nga sllavet. Po te ishte me gjak sllavi do te kishte te pakten disa simbole sllave ne vulat dhe hieraldiken e tij. Po te kishte gjak sllavi, do ishte e natyrshme qe pasardhesit e tij te shpernguleshin ne serbi, e rusi apo gjetke ne teritore slkave. Po te kishte gjak sllavi , nuk besoj qe akademia serbe (ajo serioze dhe jo ca fantazues) do ta neglizhonte kete fakt, duke e ditur qe akademia serbe ka shume dokumenta te vlefshme qe ne nuk i dime, sidoqofte eshte me e pasur se ajo shqiptare nga volumi. Po te ishte me gjak sllavi, papa qe deshte ta shpall mbret te arberise do ta kishte cekur kete fakt sepse ka rendesi. Po te ishte me gjak sllav, te gjithe historianet e asaj kohe do ta kishin thene kete sepse ka rendesi ne perhapjen sllave ne teritore pa pasur kompleksin e nacionalizmit sic mund ta kene schqiptaret, greket apo sllavet.
    Per te gjykuar drejt per ate kohe, duhet mentaliteti dhe pikpamja te jete e kohes se mesjetes dhe jo me syrin e sotem. Feja ne ate kohe ka qene e rendesise primare , kurse nacionaliteti mund te themi e rendesise 4 ose 5te. Duke e ditur sa kembengules kane qene priftrijnte ortodoks dhe sidomos sllav te asaj kohe , po te ishte Skenderbeu sllav do e kushte shume shume te veshtire te konvertohej ne katolik pasi erdhi ne trojet tona ose te pakten pa u cekur ne histori qe nje sllav ortodoks po konvertohet ne katolik, duke e anashkaluar fene muslimane sepse dhe po te mbante ate fe do ishte buje dhe do kishte perfitime politike, mos harrojme qe plot princesha serbe kane qene neper obore turke dhe nuk e kane ndrruar fene. Kujt ti besojme? Ke te marim per te qene? Kur historianet flasin opinione dhe jo fakte?

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.