back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Si u njoha me legjendën Bekim Fehmiu? – nga Avni Abazi*

Gazeta

 

Bekim Fehmiu (1936-2010)
Bekim Fehmiu (1936-2010)

Si u njoha me legjendën Bekim Fehmiu?

nga Avni Abazi*

Sot, pas 10 vitesh nga ikja në përjetësi e aktorit më të madh shqiptar Bekim Fehmiu, unë mbledhi veten për të shkruar një histori të shkurtër se si takova yllin në fjalë.
Me të filluar studimet në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, në vitin 1997, kureshtja më dërgoi në vendet ku rrinin aktorët. Dhe siç thotë thënia “atë çka kërkoni, gjithmonë e gjeni”, në Restorant Dora pashë për herë të parë Bekim Fehmiun, duke pirë një kafe me të ndjerin Ibrahim Krajkova. Mendova se duhet të shkoja e ta takoja, por diçka brenda meje nuk me lejoj. S’e di nëse ishte frikë a ndihesha shumë i vogël t’i afrohesha. Vendosa ma parë ta studioj duke e vrojtuar nga larg dhe duke pretenduar se po shihja në butiqet afër restorantit, me veshje të ndryshme dhe mendoja me vete “nëse ai më sheh mua, nuk do të vërejë se unë isha atje për të.
U solla e u pshtolla disa herë andej pari dhe prap s’po mund ta gjeja guximin t’i shkoja e t’i flisja. Ndërsa po largohesha nga ajo zonë e minuar me emocione, takova me aktorin tjetër që më ndaloi:
-Hej, – më tha, – të pashë që deshe t’i thuash përshëndetje Bekimit.
Në fillim u çudita, se si e diti dhe pa menduar thashë: “Po”, sepse ai aktor edhe mund të më kapte duke gënjyer nëse i thoja jo.
-Nuk mund ta takoni atë, nëse nuk i dini të paktën tri poezi?
-Më falni!? – e pyeta – Ai pyet çdo aktor që takon rreth poezisë.
-Nëse nuk interpretoni mirë një poezi, ai do t’ju largojë keq nga tavolina. Do t’ju fyej dhe injorojë.
E urreja faktin, që ai do të më kërkonte poezinë, nëse shkoja ta takoja? Thashë me vete se si mund t’i them a recitoj në një mënyrë të mirë ndonjë poezi para një ylli si ai? Duhet të jetë interpretim aq i mirë që të mund t’i pëlqejë atij. Prandaj vendosa që të mos e provoj. Gjatë studimeve mjaft aktorë thanë të njëjtën gjë. Disa nga aktorët në të vërtetë ishin shumë të zhgënjyer më të. Disa thonin se si mund të na kërkojë një poezi ose ndonjë gjë me aktrim, kur ai kurrë nuk e tha një fjalë në gjuhën shqipe. Në njëfarë mënyre nuk i besoja asnjërit prej tyre dhe disi doja të ruaja imazhin e shkëlqyeshëm që kisha për të! Kuptova që për një gjë të tillë, nuk duhej ta takoja fare. Kështu që ndalova së shkuari rreth tij për t’u përpjekur ta takoj. Në këtë mënyrë isha në paqe me veten dhe gjithashtu mbaja në kujtesën time aktorin e madh që pashë në shumë filma dhe për të cilin mburresha sa isha student në Tiranë.
.
Artisti Bekim Fehmiu
Artisti Bekim Fehmiu
Vitet kaluan. Një ditë shkova në Kinema ABC, dhe atje e pashë që ai po pinte kafe me disa artistë. Përsëri s’arrita ta tejkaloj vetën për të shkuar. Shkova te bari dhe i thashë vetes: Kam përfunduar serialin filmik “Jeta e një toke” dhe s’jam më ai studenti fillestar!”.
Me këto mendime në kokë befas, në mënyrë të furishme, një mike e shkëlqyer dhe një aktore brilante u afrua. Ishte Drita Krasniqi. Mbasi u përshendetëm i thshë:
-Dritë, si ta takojmë Bekimin? Kurrë në këto pesë vjet, s’kam pasë guxim të mjaftueshëm ta takoja.
-Ejani me mua! – më tha dhe duke më mbajtur përdore shkuam atje. Maestro Bekim Fehmiu, u ngrit në këmbë si aristokrat i vërtetë dhe e përshendeti Dritën plot respekt. Mbasi shkëmbyen disa fjalë, Bekimi na ftoj t’i bashkohemi tavolinës. Drita me prezentoi:
-Ky është producenti më i mirë në Kosovën e pasluftës. Sapo ka përfunduar serialin e parë dhe është ftuar në Amerikë ta shfaqë atje filmin.
-Sa mirë! – tha Bekimi! – E nga je me pyeti?
-Nga Peja! – iu përgjigja
-O sa mirë! E pse s’shkon në Pejë për ta bëre teatrin atje?
-E kam krijuar biznesin tim, dhe dua të bëj filma e të garoj me shtetet e tjera në Ballkan e më gjerë.
-Po më pëlqen “djalosh” – më tha.
U ndjeva fort i lehtësuem dhe krenar që kalova testin pa ma kërkuar poezinë dhe e ruajta respektin për të madhërishmin Bekim. Kam pasë nderin që me dhjetra herë të pinim kafe me të dhe të dëgjoj shumë gjëra të bukura që i tregonte me shumë pasion. Kishte humor të rafinuar dhe dinte t’i thumbonte ata që e meritonin. Më quante producenti amerikan… I shkreti unë, shpesh mendoja nëse do të mund ta bëja filmin tim të madh me të! Madje kurrë s’më thoshte jo…!
Nuk mundem pa e tregue edhe një moment kur një koleg dhe mik i imi mbasi kishte bërë pak emër me seri televizive më kërkoi që ta takoj me Bekimin. Po i thashë po takohemi, dhe ashtu ndodhi. U takuam në Kinema ABC. Mbas formaliteteve njohëse dhe mbasi kaloj testin e pyetjeve për skenar, miku im e pyet Bekimin: A lexon ti? Po tha, si jo… madje vazhdimishte lexoj… Me ta dhanë një skenar a e lexon? Po tha. Dhjetëmijë dollarë i jap dhe ta lexoj skenarin. Unë mendoj që ti mëson diçka kur lexon një skenar i tha skenaristi. Unë zgjedh autorët që lexoj, e ti s’je në mesin e tyre ju përgjigj Bekim Fehmiu.
Ndoshta s’bëra mirë që ndermjetsova… Nuk e di…
*Avni Abazi, aktor… 14 qershor 2020
.
Marrë nga muri i Fb i Drita Krasniqi, 15 qershor 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.