back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Rreth Profesor Xhevat Korçës – shkruar nga Mërgim Korça

Gazeta

Xhevat Korça (1893-1949)
Xhevat Korça (1893-1949)
Dy fjalë lexuesit eventual të këtij shkrimi
Padyshim që mbas leximit të çdo shkrimi, një farë trysníje mbetëse
nuk ka se si të mos vazhdojë tek lexuesi. Pikërisht kjo arsye më nxit
t’i shkruaj këto radhë që lexuesi eventual t’i lexojë… para se ta lexojë të gjithë shkrimin.
Në Rusin’e dikurëshme, që me Revolucionin e Tetorit 1917,
i njejti sistem vazhdon dhe e mban të mbërthyer Shtetin Sovjetik!
Mirëpo né, banorët q’é provuam mbi supet tona po atë sistem për thuajse 47 vite me radhë,
na vjen tejet keq tek vemë ré se si ish Rinija e dikurëshme Sovjetike,
e që sot të plakur diskutojnë me né dhe na thonë sinqerisht se ata
“…as e kishin idénë se si do të zhvilloheshin ngjarjet e pa lé pastaj të mbrrijshin
e të përfytyrojshin se sistemi komunist i tyre do të zgjaste deri më sot…
pa lé edhe për sa vite të tjera në vazhdim!
Pikërisht ky ankth më bën… t’i shkruaj radhët e mësipërme!
.
Mergim Korça
Mergim Korça

Rreth Profesor Xhevat Korçës

shkruar nga Mërgim Korça

Po japim disa ngjarje nga jeta si edhe ndodhít’e burgut të Profesor Xhevat Korçës, ish Ministër i Arsimit, i dënuar nga Gjyqi Special në vitin 1945, me “burgim të përjetshëm”, pasi ishte kërkuar për të dënimi me vdekje nga Bedri Spahiu, prokuror i trupit gjykues, ku i pandehuri ka një prej historive më domethënëse të qëndresës kundra-komuniste. Jeta e tij pati fund tragjik, por ngjarjet e viteve të burgut dhe dëshmitë që vijnë për të nga ajo kohë, na japin sot, leksione  të mëdha për qëndresën, idetë progresive dhe guximin.
Duke mos dashur ta harrojmë George Fred Williamsin, që më 1914 ka shkruar: “Po të kthehemi në parahistori, para se rapsodët homerikë t’u këndonin hyjnive dhe heronjve mitologjikë si edhe para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull i njohur me emrin Pellazg.”
E pra Shqiptarët janë të vetmit që kanë ardhur deri më sot nga kjo racë e fuqishme parahistorike. Vetëm vitet e fundit është përcaktuar se Pellazgët kanë qenë Ilirët e lashtë… Dhe pikërisht njeri nga këta shqiptarë është pikërisht im Atë i cili ka qenë pjesëtar i çetave të Mihal Gramenos si edhe Themistokli Gërmenjit, çeta të cilat luftuan për ta shkëputur ndikimin grek si edhe turk ndaj Shqipërisë e kësisoji të fitohej edhe lirija e vëndit tonë, gjë për të cilën Ai u dënua dy herë me vdekje në mungesë si nga grekët edhe nga turqit.
Si shkollë të mesme, Xhevat Korça, kreu gjimnazin e Janinës, Zosimean. Në vazhdim, me interesimin e Themistokli Gërmenjit si edhe përkrahjen e Bajram Currit, administrata shqiptare gjatë pushtim-administrimit austro-hungarez e dërgoi Xhevatin së bashku me disa djem të tjerë, të shquar në mësime, me studime në Vjenë ku ai ndoqi studimet në Fakultetin e Filozofisë, dega histori, nga 1917 dhe përfundoi studimet me vlerësimin “summa cum laude” më 1922. Nuk duhet lënë në harresë fakti se me 15 dhjetor 1918, së bashku me bashkëstudentët Jani Basho, Remzi Baçi, Nush Bushati, Raqi Buda, Fuad Asllani, Gjovalin Gjadri, Luigj Kakarriqi e të tjerë, i paraqitën presidentit amerikan ëilson një lutje ku i kërkojnë “në emër të djelmërisë shqiptare e të kombit shqiptar ta merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen t’Uaj.”
Më 1922, u caktua arsimtar në Shkodër, ku u themelua Gjimnazi Shtetëror, së bashku me Anton Palucën, Kostaq Cipon, Kolë Margjinin, Gabriel Meksin, Gjergj Kokoshin, Simon Rrotën etj. Xhevati ishte anëtar i organizatës Krahu Kombëtar. Më 1923, u emërua drejtor i parë i Gjimnazit të Shkodrës. Asokohe botoi në shtyp-shkronjën Nikaj në Tiranë studimin “Tri pyetje nga jeta e Skënderbeut”. Përkrahu Lëvizjen e Qershorit, arsye për të cilën pas kthimit të Zogut si edhe me Triumfin e Legalitetit në dhjetorin e 1924-ës, u largua drejt Mbretërisë Jugosllave. U inkuadrua prej prof. Henrik Bariqit si lektor i gjuhës shqipe në kursin-seminar që albanologu mbante asokohe. Këshilli i Fakultetit të Filozofisë pranë Universitetit të Beogradit, me nismën e Prof. Bariqit, kishte aprovuar me datën 31 maj 1925 krijimin e “Seminarit për filologjinë shqipe”. Kështu në vitin 1925, Xhevat Korça u caktua prej Bariqit si lektor me honorar për gjuhën dhe letërsinë shqipe, ndërsa gjatë vitit akademik 1927-’28 ai mbajti kursin “Gjuha shqipe për fillestarë”. Fryt i këtij bashkëpunimi janë edhe dy reçensionet që Xh. Korça botoi tek revista e Bariqit: “Arhiv za arbansku starinu, jezik i etnologiju” në vitin 1926 (lib. III, n. 1-2), njëri i botuar sërbisht i përket “Historisë së Skënderbeut” që Fan Noli kishte botuar në Boston në vitin 1921. Ndërsa tjetri i shkruar gjermanisht analizon në mënyrë kritike përkthimin gjermanisht që Gustav Weigand-i i kishte bërë në vitin 1925 në faqet e “Balkan-Arkiv-it” të tij disa pjesëve të Lahutës së Malcís. Gjatë kohës që Xhevat Korça jepte mësim në Seminarin e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Beogradit, i shkuan dy herë të ndryshme atentatorë të dërguar nga shteti dhe qeveria Shqiptare që i bënë në Beograd atentate. Doemos këta fakte, të lidhur edhe me tregimin e baxhanakut të tij Sejfi Vllamasit, ku Xhevat Korça i kishte treguar se kishte organizuar dhe shoqëruar Alqiviadh Bebin për në Pragë, ku ky i fundit qëlloi me tre plumba në kokë Ceno beg Kryeziun, arsye për të cilën, u akuzua nga autoritetet ushtarake të oborrit mbretëror jugosllav si bashkëfajtor në vrasje, Xhevati mezi doli nga toka jugosllave duke u vendosur në Austri.
.
Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special
Në Austri Xhevati vazhdoi të jetonte si emigrant politik, duke iu përkushtuar përkthimit të dokumenteve të Arkivit të Shtetit austriak mbi historinë kombëtare shqiptare. Pas atentatit që Azis Çami dhe Ndok Gjeloshi i bënë Zogut në Vjenë, një advokat austriak shkroi një artikull të gjatë kundra shqiptarëve. Ky fakt e shtyu tim Atë, Xhevat Korçën t’i niste advokatit një ftesë për në duel ku armën ta zgjidhte ai, austriaku (gjë të cilën ia kundërshtuan Xhevatit të gjithë miqt’e Tij, duke i thënë se austriaku mund të ishte “mjeshtër në përdorimin e shpatës”, pavarësisht se Xhevati ishte mjeshtër në përdorimin e pistoletës!)Do ti që advokati austriak, që nuk e njihte asnjerën nga armët kërkoi t’i shmangej absolutisht duelit me armë. Atëhere Xhevati i kërkoi atij që në të njajtën gazetë ku i kishte fyer shqiptarët të shkruante po aq faqe si edhe po atë numër fjalësh duke u kërkuar falje shqiptarëve për fyerjen që u kishte bërë pa i njohur fare! Dhe në fakt advokati bëri ashtu si e këshilloi Xhevat Korça!
Nga Graz-i vështirësitë ekonomike e detyruan Xhevat Korçën të largohej e të shkonte e të banonte në Itali, ku u vendos në Fiume. Kur Italia e pushtoi Shqipërinë më 7 Prill të vitit 1939, Xhevati e kapërceu urën që ndante Fiumen italiane me qytetin jugosllav Sushak, për t’i telegrafuar prej atje mbretit Zog – mbasi në Itali çensura mund ta bllokonte lehtësisht komunikimin telegrafik. Objekti i komunikimit ishte kërkesa që ai i bënte kundërshtarit të vjetër politik t’i hapte kufijtë në mënyrë që të lejoheshin patriotët e ikur ta mbronin Atdheun. (Këtë fakt e ka dëshmuar para trupit gjykues të Gjyqit Special Zonja Lela Bumçi e cila bashkë me të shoqin, Z. Rudolf Bumçi si edhe të shoqen e Xhevat Korçës e shoqëruan Xhevatin përgjatë këtij udhëtimi si edhe veprimi në Sushak!
Xhevat Korça u kthye në Shqipëri pesë muaj mbas pushtimit fashist.
Në vitin 1940, Ai pranoi emërimin si anëtar i Këshillit të Shtetit së bashku me Riza Danin, Sejfi Vllamasin, Omer Nishanin, Fuad Asllanin, Dhimitër Berattin, etj. Me emërimin e mikut të tij Mustafa Kruja si Kryeministër i vendit në vitin 1942, Xhevat Korça pranoi të bënte pjesë në Kabinetin Ministror, duke marrë mbi vete barrën e Ministrisë së Arsimit, por me dy kushte:
1.Gjuha italishte të hiqej si gjuhë e detyruar prej shkollave fillore të Shqipërisë edhe të Kosovës.
2.Të liroheshin prej kampit të internimit në Ventotene të Italisë të gjithë arsimtarët e internuar shqiptarë. (Kjo qé edhe arsyeja se pse autoritetet fashiste italiane i liruan A. Ermenjin, Z. Palin, V. Andonin, S. Butkën dhe shumë antifashistë të tjerë, të cilët i dërgoi Xhevat Korça në vazhdim si mësuesa në Kosovën që tashmë i ishte bashkuar tokës amë).
Në vijim, që në fillim duhet të tregojmë edhe një fakt tjetër skajshëm kuptimplotë, i cili e jep të plotë idénë se si themelet e saja Qeverija Kruja i kishte tejet atdhetare! Vetë K/Ministri Mustafa Kruja për t’i treguar publikisht pushtuesit italian se si edhe ai vetë nuk e merrte mbi vete postin e lartë pa kushte, për ta pranuar atë post vinte dy kushte:
1.Të hiqeshin dy simbolet e fashizmit, sëpatat e Liktorit vendosur anash Shqiponjës së Flamurit Kombëtar.
2.Të hiqej nyja e Shtëpisë Savoia nga bazamenti i Flamurit Kombëtar.
Një tjetër prej ndërmarrjeve kulturore me rëndësi të asaj periudhe, në të cilën mori pjesë edhe Xhevat Korça, (i cili e mbulonte asokohe Dikasterin e Arsimit), ishte edhe themelimi i Institutit të Studimeve Shqiptare. Me këtë rast nuk qëndrojmë dot pa e zënë në gojë një fakt skajshëm kuptimplotë sa u takon mohimeve, (ose lënies në heshtje), që u kanë bërë historianët tanë të 47 viteve të diktaturës fakteve historike dhe prandaj, siç nuk mund të lihet në heshtje sot fakti se që nga data 20 Nëndor e deri më 25 Nëndor të vitit 1972, me nismën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në Tiranë zhvilloi punimet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe në Kongres u përfaqësuan gjerësisht forcat e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare ku ky Kongres i ngarkoi vetes edhe detyrën e vendosjes se cila do të ishte Gjuha e Njësuar Shqipe, po ashtu nga ana tjetër, (gjatë së gjithë periudhës diktaturës komuniste), as që e kanë zënë kurrë në gojë faktin se si 30 vite të shkuara, që më 8 Prill të vitit 1942, me krijimin e Institutit të Studimeve e Gjuhësísë qé caktuar edhe Gjuha e Njësuar Shqipe!
Mirëpo të gjitha këto masa me karakter kombëtar të kësaj qeverie u ndërprenë nga vrasja me nxitjen e italianëve të Qazim Koculit në Vlorë, gjë që e shtyu Kryetarin e Qeverísë, Mustafa Krujën, të jepte dorëheqjen në shenjë proteste.
Me daljen nga qeveria Kruja, merr fund edhe aventura politike e Xhevat Korçës, të cilin marrja e pushtetit prej komunistëve do ta gjejë në shtëpinë e tij në Tiranë. Menjëherë pason arrestimi i tij dhe i të birit Gencit, i cili kishte luftuar me batalionin “Besnik Çano” në Kosovë kundër çetnikëve dhe partizanëve jugosllavë.
Në prill të vitit 1945, Xhevati doli para Gjyqit Special, të kryesuar prej Koçi Xoxes dhe me prokurorBedri Spahiun, i cili kërkoi që si kolaboracionist me fashizmin Italian, Xhevat Korça të dënohej me vdekje, kërkesë e cila, në vazhdim të procesit gjyqësor, u kthye në dënim me burgim të përjetshëm.
Mbas një periudhe gjatë së cilës Xhevati ishte i shtruar në spitalin e burgut, atë e nxjerrin nga spitali pa i dhënë asnjë mjekim e doemos si pasojë ai vijoi dënimin në Burgun e Burrelit ku, pas një farë kohe vendosi t’i jepte fund jetës me anë të një greve uríje si pasoj’e së cilës ndërroi jetë më 27 korrik 1959.
Mes dëshmive të shumta të bashkëvuajtësve të tij, në qelitë e Burgut të Tiranës e më pas të burgut të Burrelit, do të veçojmë disa, si p.sh. një takim domethënës me Mehmet Shehun në Tiranë, përballjen me drejtorin e burgut të Burrelit kur nisi grevën e urisë, një debat të fortë më Kadri Hazbiun dhe momentet e ditëve të fundit të jetës… ndërsa shokët e vuajtjeve përpiqeshin ta bindnin që ai të mos e sakrifikonte veten me grevë uríje!
I mbyllur në kaush, në Burgun e Tiranës pas Gjyqit Special, Xhevat Korça u përball një ditë me Mehmet Shehun, me të cilin shkëmbyen një bisedë në kufijtë e një debati politik. Sipas dëshmive të të burgosurve të pranishëm, Mehmet Shehu ishte futur në kaushin ku e mbanin të izoluar Xhevat Korçën dhe me qesëndi i kishte thënë: “Eh, more Xhevat Korça, u binde tani se ne luftuam për kauzën e drejtë, kurse ju e kishit gabim?” Pas kësaj pyetje, kishte nisur një replikë, ku Mehmet Shehu i drejtohej me “Xhevat” dhe ky i fundit me “zoti ministër”. Duke diskutuar për teoritë e Marksizmit, Mehmet Shehu, i ulur në krevatin portativ të të burgosurit, i impresionuar nga përgjigjet dhe argumentet e Xhevat Korçës, filloi t’i drejtohet me “profesor”. Pas kësaj, edhe Xhevat Korça i drejtohet me emër: “Mehmet”.
Të gjithë të burgosurit e pranishëm, por edhe shoqëruesit e Mehmet Shehut, po e ndiqnin me interes debatin teorik mes të dyve. Më tej, diskutimi ishte shtrirë në fushën e zbatimit të Revolucionit të Tetorit, në Bashkimin Sovjetik. Pasi Mehmet Shehu e kishte dëgjuar me kujdes, kishte pyetur: “Po ti profesor, si e njihke kaq mirë Revolucionin e Tetorit?” Shehu shtangu kur dëgjoi përgjigjen e Xhevat Korçës: “E ke lexuar ti Mehmet librin, “Dhjetë ditë që tronditën botën”, të John Reed-it? E pra, dije se unë e kam përkthyer”. I befasuar, Mehmet Shehu i kishte pasë thënë: “Duke e njohur kaq mirë e në detaje teorínë komuniste, si nuk u bëre me né?” Atëherë, Xhevat Korça krejt gjakftohtë, ia kishte kthyer: “Pikërisht kjo edhe arsyeja, nga që e njoh kaq mirë teorinë dhe zbatimin në Rusi të kësaj teorie, u bëra antikomunist i vendosur!” Kaq sa diskutuam qé njera anë e bisedës por vetë diskutimi ynë më bën të të kujtoj fjalët që, gjatë Gjyqit Special, ia drejtova Kryetarit të Trupit Gjykues, Koçi Xoxit, mbasi prokurori Bedri Spahiu kishte kërkuar për mua dënimin me vdekje si kolaboracionist me fashizmin! Unë i thashë kryetarit, Koçi Xoxes duke iu drejtuar edhe Trupit Gjykues:
“Mos i zgjasni hetimet ndaj meje kot. Po Ju a deklaroj sot, zyrtarisht si edhe publikisht… Në qoftë se prokurori së bashku me Ju gjeni se si unë gjatë kohës që kam qenë Ministër i Arësimit jam shprehur zyrtarisht apo kam shkruar qoftë një fjalí të vetme pro fashizmit – mos e zgjasni fare por Dënomëni me vdekje!” Ky pohim e kishte xhindosur Mehmet Shehun, i cili, sipas dëshmive, ishte ngritur vrik nga shtrati portativ, i kishte hedhur një vështrim hakërrues profesorit të burgosur dhe… ishte larguar pa thënë asnjë fjalë.
Në vazhdim, një tjetër përballje do të nxirrte në pah vlerat më të larta njerëzore e intelektuale të Xhevat Korçës. Ai ndodhej i izoluar në Burgun e Burrelit. Pasi i a kishin kthyer dënimin me vdekje në dënim të përjetshëm, ai vijonte me qëndrimin e tij të paepur edhe në qelitë e Burrelit. Kushtet aty ishin çnjerëzore, uria e tmerrshme, dhe kujdesi mjekësor ndaj të burgosurve: pothuajse zero. Një ditë Xhevat Korça i drejtohet prerë drejtorit të burgut, duke i kërkuar të ndërhynte menjëherë, për të përmirësuar kushtet dhe për të plotësuar të drejtat themelore të të burgosurve, e nëse ato nuk do të përmirësoheshin, ai do të vetëflijohej duke filluar grevën e urísë.
Disa ditë më vonë, ndërsa bashkëshortja me djalin e saj, me pak ushqime me vete, prisnin ta takonin babë Xhevatin, gardianët e njoftojnë drejtorin e burgut për ardhjen e tyre, por edhe që i burgosuri kishte nisur grevën e urísë. Drejtori i burgut kishte shkuar tek i burgosuri dhe e kishte kërcënuar se do të merrte masa nëqoftëse Xhevati nuk do t’i jepte fund grevës që kishte nisur ai dhe masat që do të merreshin do të ishin masa skajore ndaj tij! Me gjithë këtë, duke e ruajtur gjakftohtësín’e tij, Xhevat Korça i ishte përgjigjur se ai nuk lëkundej nga vendimi që do të merrte drejtori: “Ju kam thënë se do t’ju kundërvihem me grevën e urísë. Kjo është e vetmja armë që kam dhe nuk heq dorë prej saj. Por lërmëni t’i takoj për herë të fundit gruan dhe djalin tim”, u kishte thënë ai.
Drejtori i burgut, duke menduar se do ta thyente, nuk e lejoi t’i takonte familjarët, duke shpresuar se të nesërmen Korça do të tërhiqej nga vendimi që kishte marrë. Por ai nuk u tërhoq as të nesërmen, e as në vazhdim! Por drejtori i burgut duket se nuk e njihte mirë Xhevat Korçën. Mua, Tomorr Dosti më ka dëshmuar se si një ditë ai ishte duke ecur nëpër zonën e lejuar për ecje të burgut Burrelit përkrah me të burgosurin, ish Sekretarin e Përgjithshëm të Qeverisë kryesuar nga Mustafa Kruja, Engjëll Çobën. N’ato kushte ndalon me ta një ish i burgosur i cili edhe ai po shkrythte këmbët dhe me një frymë u thotë: “…e keni marrë vesht se Xhevat Korça ka shpallur grevë uríje…!”(?) Engjëll Çoba ndërhyn n’atë çast dhe pohon me një bindje të thellë e thotë: “Mos more, ç’na thé… Xhevatit askush nuk mundet me ia kthye mêndjen kur Ai e vendos dishka!” Dy ditë pas nisjes së grevës së urísë nga ana e Xhevat Korçës, i cili ishte rasti i parë dhe i vetëm deri atëhere në burgjet e vendit, drejtori i burgut të Burrelit kishte njoftuar për ngjarjen e pazakontë drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrinë e Brendëshme. Menjëherë pas kësaj, mbrrijti me urgjencë në Burrel, Kadri Hazbiu, i cili urdhëroi menjëherë që t’i sjellin në drejtorinë e burgut të burgosurin rebel! Sipas dëshmísë së avokatit Xhevdet Kapshtica si edhe Reis Hashos, të dy bashkëvuajtës në të njëjtën qelí me Xhevat Korçën, në fillim Kadri Hazbiu ishte përpjekur me të mira e premtime për t’ia ndryshuar mendjen por më vonë, kur e kishte parë që Xhevat Korça nuk lëshonte pé, kishte nisur nga trysnítë e kërcënimet. Pasi e kishte dëgjuar deri në fund, Xhevat Korça i kishte thënë: “…dëgjo këtu more Kadri Hazbiu. Ti e ke kot që mundohesh të më thyesh me trysní e kërcënime! Unë me vendimin që kam marrë, nuk gjendem më në mes të të gjallëve, e si pasojë, as që egziston për mua, as ti e as Enver Hoxha! E di si më duket mua tani Enver Hoxha? I “vooogël…!” dhe duke afruar gishtin tregues me gishtin e madh, sa gati i puthiti, i thotë: “Ja, kaq të vogël e shikoj unë tani Enver Hoxhën! Por kije mëndjen, se pikërisht ti je një nga ata që ai, ndër të parët, ka për të ta hequr kokën nga trupi!”
.
Vjene 1927 - Levizja e Qershorit - Ulur Ahmed Dakli, Riza Dani, Mustafa Kruja, Xhevat Korça
Vjene 1927 – Levizja e Qershorit
Ulur Ahmed Dakli, Riza Dani, Mustafa Kruja, Xhevat Korça

***

Kujtimet e hidhura të ditëve të fundit të jetës së Xhevat Korçës i sjell avokat Xhevdet Kapshtica, i cili ndodhej në një kaush (dhomë) me të, ndërsa Xhevati vazhdonte grevën e urísë… Shokët e burgut u përpoqën me të gjitha mënyrat ta detyronin të tërhiqej nga një vendim i tillë… Dikush kujton, kur caktuan Atë Pjetër Mëshkallën, si njeri me shumë autoritet dhe respekt për ta bindur atë të ndërpresë vetvrasjen… Ati, i veshur me rroben fetare, i afrohet, ulet në gjunjë, mbasi dysheku ishte për tokë dhe i drejtohet me fjalët: “Xhevat, të lutem mos e humb shpirtin… Hiq dorë prej grevës urísë!” – Por përgjigja me zë të ulët ishte e prerë: “Padre, kam kujtuar se të kam patur mik, nuk ma merrte mendja që tani, ndërsa unë vazhdoj rrugën e nisur që mos të bëhem lodër e komunistëve, ti kërkon të më thyesh!” Atit i rrodhën dy pika lot. E puthi Xhevatin dhe… u largua.
Një tjetër dëshmitar kujton: “E përsëritën këtë provë me ish-Ministrin e Arsimit të sistemit komunist, Gjergj Kokoshin… Në fakt, Xhevat Korça nuk fliste me të, mbasi i kishte prerë relatat që kur ai ishte lidhur me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe Xhevati e konsideronte si komunist… Prandaj, miqtë i kërkuan që të shkonte për t’ia kthyer mendjen, duke gjykuar se vajtja e Gjergj Kokoshit do të merrej si një kthesë nga kursi i mëparshëm, gjë që mund ta bënte Xhevatin ta ndërpriste grevën e urisë. Dhe dëshmitarët tregojnë se si Kokoshi i afrohet dyshekut, ulet në gjunjë, ia zgjati dorën dhe ndërsa të tjerët prisnin së pari nëse Xhevati do t’ia jepte dorën si edhe nga ana tjetër, se ç’mund t’i thoshte Gjergji, nga ana e tij për ta bindur… ndërsa ai (Gjergji) i drejtohet me këto fjalë: “Xhevat, ti po e mbyllë jetën t’ânde me kapak florini… Hallall të qoftë, se po bân atê që na s’mundena m’e bâ!” Në fakt edhe Gjergji largohet me lot në sy… duke e lënë Xhevat Korçën të vdiste disa ditë pas fillimit të asaj greve uríje! Ndërsa unë ndjehen shumë i lehtësuar tashti që pohoj një të vërtetë e cila ngjarje tamam që u zhvillua ashtu siç e kam përshkruar unë por hiç fare, siç as nuk e zenë në gojë historianët e kohës diktaturës komuniste, të cilët dokumentat e Zyrave të Arkivave të Shtetit i shfrytëzojnë siç u vjen mbarë dhe si duan vetë as pa iu avitur sadopak ngjarjes së vërtetë!
.
Shënim për lexuesit:
Të dhënat e këtij shkrimi i referohen librit “Dosjet e diktaturës” të studiuesit Pjetër Pepa, kujtimeve të  ish të burgosurve politikë, avokatit Xhevdet Kapshtica e Reis Hashos me gjithë Tomorr Dostin me shokë, (që m’i kanë pohuar me gojët e tyre), si dhe shkrimit studimor “Xhevat Korça, fundi i një korifeu” i Prenjo Imerajt./ kujto.al

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.