“Autokritika”…
Rrefim nga Dine Dine
“Ore, po qo ish për të vanur kujën, jo ta themi kshua, si burri burrit. Qy ish sabotim. Ke sabotur aksionin dhe e di ku të shpie qo… Qo do të thotë të çoish ujë në mullirin e armikut…”. Kështu përpiqej të imitonte myzeqarët Ahmet Kolgjini, ndërsa ishim drejtuar për në mbledhjen e Bashkimeve Profesionale për të dhënë llogari.
Ndërsa Ahmeti s’ishte aspak i prirur për imitime atë natë duket se e kish kapur një lloj dalldie që e bëri të mos pushonte derisa iu afruam derës së mbledhjes. E qeshte e qeshte pa pushim duke përmendur ato dordoleca që do të përpiqeshin të na gjykonin për një mëkat që në fakt nuk e kishim bërë.
Të dielën kishim qënë në aksion për krasitjen e barit të skrapatave të kolektorit. Të gjithë punonin në grupe. Unë punoja me Ahmet Kolgjinin dhe Sokol Mirakën. Megjithëse, shumë nuk ia kishim haberin bujqësisë, pasi të tre punonim në ndërtim, të shtunën në darkë më erdhi në shtëpi Xhevit Matjani e më tha që të nesërmen të merrnim edhe veglat e kalitjes sepse e gjithë skrapata e kolektorit ishte me gurë zalli. Do të na duhej që të paktën për çdo 10 minuta të kalisnim, lopatat se ndryshe do të hanim veten me dhëmbë e s’do të bënim dot asnjë punë. E kështu bëmë. Kjo gjë na e lehtësoi punën aq shumë sa që e mbaruam në një kohë rekord dhe me cilësi edhe pse pothuaj gjysma e kohës na shkoi duke kalitur lopatat. Por le të vazhdojmë të tregojmë ngjarjen ashtu si ndodhi, për ta bërë më të kuptueshëm faktin se si përfunduam të akuzuar për diçka që nuk e kishim bërë, por që na detyruan të jepnim llogari e të mbrohemi si të ishim para një gjyqi.
Ditë e diel. Ishim në aksion si zakonisht.
Një orë para se të mbaronte puna kur dielli ishte në perëndim, papritur u duk përgjegjësi hipur mbi një kalë. Pa i zbritur kalit, me një buzëqeshje që i dukej sheshit që nga larg, përshëndeste “vullnetarët” herë herë me kokë e herë herë me duar si të shihte Bonaparti vetë. Por në fakt ai ngjiste çuditërisht me Don Kishotin, jo vetëm fizikisht, por edhe në veprimet. Kishte edhe një dobësi që e shfaqte në çdo rrethanë: kërkonte të respektohej me çdo kusht. E po mos ti plotësohej kjo dëshirë të nesërmen në mëngjes provokonte ndonjë mbledhje. Pasi thoshte ca fjalë për mbarëvajtjen në bujqësi e planet për të ardhmen, menjëherë delte te ajo pika e dobët. Pasi kritikonte ndonjë puntor, i drejtohej i revoltuar, me një agresivitet të paskrupullt: dhe ajo që dua të shtoj është se duhet të jeni më të respektueshëm sepse gjithmonë e kam theksuar dhe ja ku po ua përsëris edhe këtu se, “një bythë duhet të ngrihet për një kokë”. Kështu edhe e mbyllte mbledhjen duke na uruar punë të mbarë.
Ndërsa po kalisnim veglat e përgjegjësi po afrohej, u propozova shokëve që të paktën të ngriheshim përgjysëm e ta salutonim me kokë ose me dorë. Ahmetit i shpërtheu një e qeshur që s’po e mbante dot dhe ishte dakort që të bënte ashtu siç thashë unë, ndërsa Sokoli e kundërshtoi kategorikisht: “Pse atij palaçoje do t’i ngrihem unë?! Ne po na del shpirti këtu gjithë ditën ai, hipur në kalë kërkon që t’i ngrihemi e t’i bëjmë reverenca! Të betohem, në asnjë mënyrë nuk do t’ia jap atë kënaqësi!”
-Me përgjegjësin, Sokoli i kish vringëlluar shpatat disa herë dhe mund të them pa frikë se asnjëherë nuk i kish lëshuar pe. Kjo e kish bërë përgjegjësin që të ndërzehej edhe më tepër. Të dy kishin alergji për njëri tjetrin. Para një viti, pasi i kishin konsumuar në maksimum fjalët ndaj njëri tjetrit, përgjegjësi bëri të pamundurën që ta vërviste nga ndërtimi në bujqësi, dhe ja arriti qëllimit! Por ama edhe shoku ynë nuk ia fali kurrë atë lloj hakmarrje. E injoronte totalisht. Ishte ndoshta i vetmi në sektor që s’e përshëndeste kurrë. E kjo gjë e irritonte përgjegjësin tonë në atë masë sa ia ngacmonte nervat. Një herë qëllova aty afër rastësisht kur përgjegjësi në pushimin e drekës, me fjalë të matura e me një ton dashamirës i kërkonte të shkarkonte një makinë plehu kimik që shoferi mos të vonohej. Ndoshta përgjegjësi kërkonte t’i jepte një sinjal se mund të pajtoheshin. Kjo ishte njëfarë tendence për pajtim që ai kërkonte të bënte e tani po gjente mënyrën që ta zbuste kundërshtarin duke e detyruar që t’i bindej urdhërit të tij, kështu që përsëri do të ishte ai fitimtari, sepse edhe pse nuk ishte shumë i zgjuar ndoshta e ndjente thellë. Kur u bind se Sokoli nuk po i shkonte pas avazit e humbi durimin e në çast iu kërcënua:
– Të urdhëroj!
– Ik ore! Nuk je ti nga ata burra që mund të më japësh urdhër mua në kohën e pushimit të drekës!
– Të urdhëroj! – bërtiste me sa kishte në kokë përgjegjësi – Të urdhëroj të zbatosh urdhërin se ndryshe do të keshë pasoja!” Sokoli filloi të ngërdheshej me një farë lloj ironie sikur ia plaste në fytyrë e i thoshte hapur se as desh t’ia dinte për urdhërat e tij. Dukej që të dy e kishin humbur durimin. Përgjegjësi vazhdonte të llomotiste me zë të lartë që të kthehej e të zbatonte urdhërin, ndërsa Sokoli që kish marrë rrugën për në shtëpi i përgjigjej: “Bjeri legenit ti bjeri, se po të dëgjoj shumë!”
I çmendur nga rreagimi i tij, përgjegjësi pasi llomotiti ca fjalë që ndoshta as vetë s’po i merrte vesh, me zërin të ngritur në qiell i tha: “Unë kurrë nuk i kam rënë legenit por ti do t’ia dëgjosh muzikën më vonë këtij avazi” – Në nuk i ke rënë kurrë, sot, ja ku po ta them hapur, që bash po i bie gjithë ditën!
Të dy u ndanë si të kishin bërë duel njëri i lodhur nga puna e nga nervat i ish prerë edhe oreksi për të ngrënë, ndërsa tjetri për të menduar planet për një hakmarrje sa më të shpejtë.
Ky incident kish ndodhur para disa javësh, ishte ende i freskët në mendjen e përgjegjësit, dhe kjo ishte arsyeja që më dukej pa kuptim që, me atë rast edhe bënim pak humor edhe përgjegjësin e lumturonim, gjë që ia kishte ënda aq shumë dhe ne nuk na kostonte asgjë. Sidoqoftë, në ato rrethana kur ai mezi priste rastin të hakmerrej, të nesërmen në mëngjes sapo dolëm për të marrë planin e punës na urdhëruan që të afroheshim pranë zyrave të sektorit se kishim mbledhje. Për fat të mirë a të keq atë ditë mbledhja nuk zgjati më shumë se 15 minuta, sepse që në batutat e para të dy palët u acaruam dhe filluam të shkëmbejmë fjalë fyese. Përgjegjësi na akuzonte ne të treve se në aksion nuk kishim realizuar normën e kishim bërë punë me cilësi të keqe do të thotë “të shpiesh ujë në mullirin e armikut”.
Ishte një sllogan që përdorej dëndur nga nomeklatura komuniste. Ne ishim vetë armiqtë për të cilët ai aludonte. I pari e mori fjalën Ahmeti, duke u përpjekur t’i shpjegonte me fakte se kishim bërë sasi e cilësi të mirë e për këtë mund të thirrej Fili (shkurtimi i emrit Karafil), tekniku i kanaleve, dhe të dëshmonte të kundërtën e asaj që akuzonte përgjegjësi. Ahmeti nga që ishte mjaft i edukuar, i tha këto me një ton të ulët e të matur. Përgjegjësi s’e la as të merrte frymë. Iu përgjegj me një batare fjalësh të shpejta saqë u bind se ai kishte të drejtë pa asnjë dyshim e ne duhej të bënim autokritikë në vend para të gjithë puntorëve se vetëm ashtu mund të mbyllej ajo punë. Sokolin s’po e zinte vendi. Dukej sikur po e përpinte me sy. Unë i bëra shenjë të mos të fliste, por ai më bëri një xhest refuzimi. Edhe pse e drejta ishte me ne, dihej që s’mund të fitonim. Përgjegjësi kishte pushtetin, atë pushtet që siç e përsëriste shpesh se “e kishin fituar me gjak e me gjak do ta mbronin po të ishte nevoja…” Ti mund të kishe të drejtë, por sapo pretendoje që e drejta të ishte me ty, ajo automatikisht kalonte në anën tjetër dhe po të këmbëngulje me verbëri atëherë llogjika jote s’vlente as pesë para, sepse ajo ishte llogjika e “armikut të klasës”. Sokoli mbahej me zor. E dinte mirë që po ta fyente publikisht s’ishte gjë me mend, dhe mund të shkonte si cjapi te kasapi. Nuk donte t’ia jepte atë kënaqësi. Të dënohej për fyerje, vetëm për ca çaste që do të shfrente, ta nxirrte përjashta gjithë mllefin e mbledhur prej vitesh… S’ia vlente barra qiranë. Për ta evituar atë incident e mora fjalën unë. Me një ton krejtësisht të qetë, sigurisht të shtirë, u përpoqa t’i argumentoj se e gjithë kjo mesele kish qënë thjeshtë një keqkuptim e mund të sqarohej lehtë. Sasia dhe cilësia e punës ishin aty. Nëse s’mund t’i besohej teknikut të kanaleve që kish marrë punën në dorëzim le të krijonte vetë, përgjegjësi një komision dhe ta verifikonte në terren. Ne të tre ishim dakord. Fjala e urtë thotë: “Shurdhi më i keq është ai që s’do të dëgjojë…”. Po përgjegjesi s’hante asnjë lloj pyke. Më ndërpreu e përmendi emrat e nja tre-katër vetëve që të lëviznin e të diskutonin sepse asnjë zë nuk pipëtinte pasi 90% e punëtorëve kishin qenë në aksion me punë “vullnetare” dhe e dinin që vetëm treshes sonë e dy-tre të tjerëve u qe marrë puna në dorëzim, e nuk kishin ç’të diskutonin.
I pari e mori fjalën një fshatar nga Krutja: Vendas denbabaden, ai kish pasur disa pozita në fshat si; sekretar partie, kryetar fronti, etj. Nga fundi, i kishin dalë në shesh gjithë të palarat dhe si dënim e kishin përzënë nga kooperativa dhe kishte përfunduar punëtor në fermën tonë. Duhet thënë, se ishte më mirë të ishe puntor ferme, se të kishe ndonjë lloj pozite në fshat. Këtu merrte para, ndërsa atje fitonte pikë! Pikët me parat i ndante një mal. Me pikë nuk siguroje as bukën e misrit, ndërsa me para bleje bukë gruri dhe mbaje tërë familjen. Puna e pikëve ishte si ajo puna proverbit: “Lepuri në mal e tigani në zjarr”. Nuk plotësohej plani i shtetit… dhe pikët avullonin. Kështuqë Loni i detyrohej përgjegjësit aq shumë sa s’dinte si t’ia shpërblente. Por edhe përgjegjësi, në fund të fundit kish detyrime se e kish edhe bashkëfshatar dhe kish ngrënë e kish ngritur dolli me të kushedi sa herë, sepse kishin lidhje të herëshme. Prandaj ia kish bërë atë favor. Në fund të fundit “miku i mirë në ditë të vështira”. Ishte rradha e Lonit që pa e bërë dysh t’ia shpërblente mikut. Në fund të fundit fjala s’i kushtonte para. Por në fakt, e pati të vështirë sepse fjalët s’po ii dilnin nga goja. Përtypej e mbllaçitej, dhe m’u duk se kurrizi i dalë edhe nga pleqëria i ishte bërë edhe më i madh, si një gungë deveje nga tortura nëse mund ta mbronte mikun e vet si duhej! Në çast, përgjegjësi që padyshim e humbi durimin iu gërhush me një ton të ashpër e të prerë: “Hë Lon Shtëmbari, fol se i gjithë qy milet që ke përpara pret të ngjojë fjalën tënde!” U duk sikur po i këlthiste me sa i mbanin kordat vokale: “Mos kërkon të mbrojç armikun e kllasës?! Gjer këtu ke arritur e Lon Shtëmbari!”.
Pasi u mendua një hop Loni filloi: “Po qysh ta gjykonj o shokë, ja… qysh ta them. Ish e drejtë ta themi se përgjegjësi e ka gabim?! Arè, po qo ish evidente. Pse gënjeka përgjegjësi, ç’interes ka qy përgjegjësi t’kritikojë? Ai thjesht zbaton vendimet e Partisë. Pranaj e ka vënë qeverria e Partia, që të hapinj sytë e t’i çojë vendimet deri në fund. Pse kshua do ecim përpara? Jo ere, kështu nuk ecet! Përgjegjësi flet me zërin e Partisë, e zëri i partisë do ngjuar o shokë. S’ka njeri që ka lindur nga barku i nanës e t’i kundërvihet Partisë sonë! Pranaj e them dhe një herë, jam plotësisht dakord me vërejtjen që bari përgjegjësi, dhe u baj thirrje shokëve qi ta pranojnë gabimin e bile të bajnë edhe nji autokritikë se në fun të funit s’u bie rybja. Kaq kisha unë”.
Sokoli qe zverdhur i tëri.
Sapo desh ta hapte gojën, ndërhyra unë vetëm për mos ta lënë të fliste: “Vetëm një pyetje kisha për Lonin. Nuk dua t’i bëj biografinë. Shumica e di. Ai vetë e di mirë se përse ia dhanë shkelmin nga kooperativa. Por kjo nuk hyn në pyetjen që kërkoj t’i bëj Lonit. Dua ta pyes nëse ishte dje në aksion apo flet kuturu? Nëse kërkon t’i bëhet krah përgjegjësit, pa pasur asnjë fakt kundër nesh, kjo tingëllon thjesht hipokrizi! Por edhe hipokrizia ka një kufi. E di se mund ta dojë e bile ta adhurojë përgjegjësin, dhe kjo është e kuptueshme se kanë lidhje e miqsira të hershme… por në vend që të bëjë autokritikë për veten, që s’ka pasur vullnetin e mirë që t’i përgjigjej aksionit, vjen e na kritikon ne se s’kemi bërë punë me cilësi!…
Sokolit nuk ju durua më, papritur më ndërpreu: “Ti dalësh në krah çdo njeriu qoftë ky edhe përgjegjësi, pa e ditur të vërtetën dhe pa pasur asnjë fakt, kjo është një lajthitje që edhe vetë përgjegjësin nuk e nderon. Përgjegjësi me siguri, as që e di që ti s’ke qënë fare në aksion, por edhe sikur ta dinte, vetëm fakti që asnjë puntor s’po e hap gojën, sepse e dinë të vërtetën, dhe ajo, dihet, është në anën tonë, s’duhet t’ia lejojë vetes që t’iu bëjë presion punëtorëve t’i bëjnë jehonë gënjeshtrave.
Dhe gjëja më paradoksale (Sokoli përdori një fjalë që me siguri asnjëri s’ia dinte kuptimin) është se…
Përgjegjësi u tërbua. E ndërpreu Sokolin dhe deklaroi solemnisht: “Sokol Miraka, Ahmet Kolgjini dhe Dine Dine në mbrëmje të paraqiten në mbledhjen e Bashkimeve Profesionale”. Mbledhja deklarohet e mbyllur! I zbehtë dyll, u zhduk si hije e përfundoi në zyrën që e kish aty pranë. Puntorët bashkë me brigadierët u shpërndanë për te vëndi ku shpërndahej palni i punës. Ndjehej një përshpërimë e përgjithshme, një si gumëzhimë bletësh.
Po shkonte ora 7-të, kur dikush na lajmëroi se mbledhja ishte gati të fillonte. Siç e përmenda në fillim, Ahmetit i kishte hypur një frymëzim për të bërë humor, qeshnim e qeshnim e papritur Sokoli propozoi: “Ti daxha Ahmet të caktojmë si avokatin tonë, që të na mbrosh me dinjitet. Ke njohuri të gjëra, kulturë të gjërë, di gjuhë të huaja, je i martuar, ke edhe përvojë burgu, merr vesh edhe nga magjitë, kështu që mund edhe ti hipnotizosh ata lolo e t’ua qepësh gojën që mos të jenë në gjendje të na përgjigjen e të na akuzojnë. Me prezencën tënde, sidomos me vështrimin e syve që e ke disi të veçantë, do u dukesh si një qenie jashtëtokësore. Plus kësaj, do keshë rast të shpalosësh oratorinë tënde, që e mbulon vazhdimisht me heshtje. Që në fillim do t’i bindësh ata se kjo ngjarje është një absurditet që s’i lejohet askujt e në veçanti një përgjegjësi. Por ti, me siguri, meqë çështja është disi delikate, do të gjesh fjalët e duhura që ata të mos fyhen se ndryshe do të turren e ti do të humbasësh toruan fare! Aq vuxhut ke ti! Po të shkoi ndonjë fjalë e pamatur, na mori lumi. Do të të përmendin burgun, do të fusin përsëri në burg o i shkretë, e për gjithë këtë katrahurë, unë që të propozova për avokat, mbaj përgjegjësi personalisht, – pastaj përsëri shtoi: – Hajt hajt se bëj shaka, mos u frikëso se nuk je nga ta që t’a ha qeni shkopin ti!”.
Ishim afruar pranë derës së sallës, o më drejtë stallës, dhe Ahmeti që kishte vetinë të mos të të ndërpriste, vetëm qeshte. Para se të shtynim derën, për një çast qëndroi dhe tha: “Me këtë leksion që më dhe, ndjehem i pazoti t’ju përfaqësoj, dhe e dyta Partia këtu te ne i ka hequr avokatët se populli din të mbrohet vetë” dhe pa e lënë Sokolin të vazhdojë humorin trokiti në derë.
Stalla ishte mbushur plot. As miza nuk pipëtinte, e kjo i jepte mbledhjes një farë solemniteti.
Në podium ishin ulur njëri pas tjetrit Kryetari i Këshillit, Sekretari i Partisë dhe Kryetari i Bashkimeve Profesionale që ish njëkohësisht edhe gjykatësi popullor.
Fjalën e mori Kryetari i BP. Shkurtimisht ai iu referua ngjarjes në përgjithësi dhe akuzave që na bënte përgjegjësi i sektorit në veçanti, dhe kërkoi që fjalën ta merrnim ne. I pari u ngrit Ahmeti, pasi në rradhë qëndronte i pari dhe kryetari e drejtoi gishtin drejt tij.
Ahmeti foli shkurt, e njoftoi presidumin se, mbrëmë tekniku i kanaleve na e mori punën në dorëzim, dhe dy tre vetave të tjerë dhe kur u largua në prezencën e të gjithë punëtorëve tha se: “Ata të ndërtimit kanë bërë punë më me cilësi se gjithë të tjerët”. Kjo është e gjithë meseleja. Unë s’di asgjë më tepër.
I dyti foli Sokoli. Dukej i acaruar. Edhe pse përpiqej të mbante gjakftohtësinë e tradhëtonte fytyra. Ai akuzoi drejtëpërsëdrejti përgjegjësin si hakmarrës dhe pyeti presidiumin se si ishte e mundur që një njeri që mban një pozitë të lartë shtetërore, guxon të akuzojë pa argumenta, pa fakte vetëm e vetëm pse për një arsye a një tjetër i teket të hakmerret. Shokë – shqipëroi Sokoli jo pa një farë ironie – kjo është thjeshtë hakmarrje dhe për ta illustruar këtë mund t’ju bie dhjetra fakte, por këtu nuk është vendi për këto, prandaj informohuni mirë, bëjani përgjegjësit të kjarta faktet, sepse gjithë këta që janë prezent këtu në këtë mbledhje e dinë dhe atëhere merreni mundimin e hajdeni të na gjykoni! Ndërhyri sek. partisë duke e sugjeruar Sokolin që ta ulte pakë zërin dhe mos të përdorte fjalë të tilla si “hakmarrës”. Ai në radhë të parë mbronte interesat e Partisë e të popullit, e ata s’mund të lejonin që të përbaltej emri i tij. “Së dyti, duhet ta dini mirë që sonte jemi mbedhur që t’ju gjykojmë juve e jo përgjegjësin. Është më mirë të bëni një autokritikë e t’i japim fund kësaj mbledhje se sa të merremi me llafe e të rrimë gjithë natën duke i rënë daulles pa ardhur në asnjë përfundim. Sokolit nuk iu durua përsëri: “Po sikur t’i thuhet përgjegjësit që t’i tërheqi mbrapsht akuzat, thjeshtë, se ka qenë një keqkuptim dhe të na lejë rehat me hallet e problemet tona…”.
Sekretari i partisë e pa kjartë që nuk po delnim kërkund, veçse po rrihej ujë në havan, prandaj drejtoi gishtin tek mua.
U ngrita jo pa emocion, por me një vetëpërmbajtje të shtirur që ish jashtë natyrës sime, pasi Sokoli i kish shprazur bateritë të gjitha.
Përsërita ato që kish thënë Ahmeti e Sokoli bashkë pa përmendur fjalët hakmarrje e as atë shprehjen që Sokoli e kish shqiptuar me një mllef të paparë, “që përgjegjësi t’i tërheqë mbrapsh akuzat” gjë që ishte absurde dhe përfundova duke u thënë se si do që të bëhej, ne të tre nuk do të bënim kurrsesi autokritikë, bile theksova që ta hidhnim çështjen në gjykatë dhe aty të ndahej shapi nga sheqeri. Po që se neve vërtetë paskemi sabotuar jemi gati të pranojmë përgjegjësitë tona, e pse jo, të bëjmë edhe një autokritikë, ashtu siç e kërkon partia.
Askush s’hapte gojë. Sekretari i partisë iu drejtua të pranishmëve nëse dikush kërkon të marrë fjalën. Askush nuk e ngriti dorën. Bile, për çudinë e madhe as Feçorr Pirra, brigadier e dikur edhe sekretar partie, një nga njerëzit më negativë që kam hasur në përvojën time. Megalloman, hakmarrës, kritikues në çdo rast e ndaj cilitdo. Injorant i paprecedent. Prototip i atyre njerzve që s’dinë asgjë, e që kujtojnë se dinë shumë, cilësi këto, që e bënin të urrejshëm, dhe ai i shfaqte vend e pa vend bile dhe mburrej me to.
Po çudia nuk zgjati veç pak sepse ai më në fund kërkoi të fliste. S’dua ta bezdis lexuesin me marrëzitë e tij. Foli gjithë kohën vetëm budallallëqe, por gjithmonë në emër të Partisë e të Popullit, si përfaqësues legjitim i tyre dhe kjo ishte ajo retorika që i jepte siguri dhe autoritet njëkohësisht. E gjithë fjala e tij u përqendrua tek pyetjet: Si është e mundur që të shpifë përgjegjësi?! Pse këta të tre nuk bëjnë autokritikë ashtu siç e kërkon Partia dhe t’i japim fund mbledhjes, po merren me thashetheme duke lënë pa gjumë gjithë këta puntorë të ndërgjegjshëm që nesër që në mëngjes herët do të ngrihen e të realizojnë detyrat që u ngarkon Partia për të mirën e popullit?!
Sokoli e kish humbur durimin përsëri. Unë gjithashtu. U ngritëm njiherësh të dy, po Sokoli u shpreh i pari: “A e kupton se çfarë marrëzishë po nxjerr nga goja mor Feçorr? Për fat të mirë ti nuk e di, sepse do të të neveritej vetja”… Po, po mos i hap sytë hiç…!! Sekretari i partisë, që situata mos të shndrrohej në një skandal, i ndërpreu të dy, por Feçorrit që e ndjeu veten të fyer nuk iu durua e shpërtheu përsëri: “Ju kërkoni anglo-amerikanët”!
-Po ç’hyjnë këtu anglo-amerikanët more hajvan! A e kupton ti se herë hap gojën nxjerr budallallëqe me thasë?… “Personaliteti” i Feçorrit u përdhos si asnjëherë!!
Sekretari i partisë, edhe pse pa shkollë për hir të vërtetës, duhet të them se e kuptoj që po bëhej shumë zhurmë për asgjë, dhe deklaroi një pushim 10 minutësh.
Të gjithë megjithse përgjumshëm dolëm jashtë. S’di pse, Hekurani sekretari i partisë, më thirri në veçanti në një qoshe.
“Dëgjo o Dino, po të flas si burri burrit. Këto që po të them, ngelen midis nesh. Unë e di që përgjegjësi ish ofendur se ju s’u ngritët në këmbë ta përshëndesnit. Ta themi me sinqeritet… me kta shokët i verifikum të gjitha. Qemë te puna. Morëm edhe Filin me vete. Ja kshua kini të drejtë, ça t’themi. Ti je i quat. Bëje nji farë autokritike si të duash ti dhe ne da pranojmë. Vetëm të përmendet fjala autokritikë. Kimi 6 orë, o Dino. Jimi rraskapitër. T’shkojmë e t’flemë gjumë se nesër do çohmi herët. Bëja si ta kish qejf vetë, se përgjegjësi s’ka interes ta zgjasë. Ai e di ma mirë se ti e se unë që s’ka të drejtë. Pranaj futja e të hikim se jemi telekosër. Ja ku po ta thomi, da bash për muan!!”
Nuk e kundërshtova, më së fundi e vendosëm dhe u futëm brenda.
Të gjithë prisnin me ankth se si do të bëhej autokritika. As Ahmeti dhe as Sokoli s’e kishin idenë se çfarë biseduam me Hekuranin.
Kur u ulën të gjithë, u ngrita në këmbë dhe pas një pauze, kur të gjithë prisnin se çdo të thuhej, së fundi u shpreha:
“Shokë! Nuk dua të përsëris ato që u diskutuan për 6 orë rresht, sepse për të gjithë është e kjartë që ne të tre, dje në aksion kemi bërë një punë shëmbullore, që do të nderonte secilin. Kjo u vërtetua nga tekniku i kanaleve që mori punën në dorëzim, kjo u verifikua edhe nga shokët që sonte drejtojnë mbledhjen e nga të gjithë ju që qetë prezent deri në minutat e fundit kur mbaroi aksioni.
Por ka edhe disa gjëra të tjera o shokë, që dikujt mund t’i duken të vogla e pa rëndësi, por që në fakt kanë edhe ato rëndësinë e vet. Unë reflektova gjatë për të kuptuar se ku qëndronte kleçka që përgjegjësi dukej aq i pakënaqur e arrogant me ne.
Kur ai parakaloi, hipur mbi kalë, asnjëri prej ne të treve nuk denjoi ta përshëndeste përgjegjësin. Dhe a e dini pse? Ishim të rraskapitur dhe po kalisnim veglat, sepse e gjithë vëmëndja jonë ishte përqëndruar në cilësinë e punës, gjë që edhe e arritëm. Dhe jemi krenarë.
Ja pra, kjo ishte arsyeja që ne s’arritëm as t’ia bëjmë edhe me dorë shokut përgjegjës. Kjo është e vërteta dhe në rast se kjo konsiderohet gabim edhe fjalët që shpreha duhet të konsiderohen si “Autokritikë”.
-Po ja qo ish! Qy e bari autokritikën. Me kaq mledhja maron!
Kur po delnim iu afrova Ahmetit: “Doni më për Belulin?!” Ndërsa ai vazhdonte të qeshte me shpirt kushedi ç’luhej në trurin e tij. Ndoshta një ditë do t’i përshkruante këto episode tragji-komike, me saktësinë dhe urtësinë që e karakterizonte.
Sidoqofë, kur u shpërndamë të gjithë ngelën të kënaqur. Përgjegjësit iu tha: “Pranun, e banë autokritikën…!” Hekurani më ishte mirënjohës për fjalën që mbajta edhe pse ajo fjalë e kish vënë në lojë përgjegjësin si Don Kishot që ishte.
Sokolit s’i ra më në qafë si përpara… Ai vazhdoi të punonte në ndërtim, deri ditën që u shëmb diktatura.
Gati me mbushe mendjen… paskam qenë trim ore…!!
Një shkrim shumë i vërtetë, dhe një nga shkrimet më të përkryera qe kam lexuar gjatë gjithë kësaj kohe, dhe që më dha kënaqsi të madhe për mënyrën e shtruar të rrëfyerit. Me shumë dhimbje për kohën që u jetua, po edhe përplot humor mbi injorancën dhe nivelin e ulët të përfaqsuesve të Partisë… Një përshkrim diskreditues dhe plot ironi ndaj “pseudo-personalitetit” të dikurshëm. Dialekti i përdorur i Myzeqesë, e bën akoma më të bukur çdo rresht të këtij shkrimi… dhe të bën të qeshësh me shpirt… Histori të tilla ka pafund ajo kohë… po shumë pak kanë kurojo t’i shkruajnë e t’i bëjnë të njohura…
Përgëzime autorit !!
Këto histori janë e vërteta e dhimbshme e jetës së djemve ma fisnikë të ktij vendi, që u kalbën në baltat e Myzeqesë… Megjithëse janë tregu pothuejse plotësisht me humor, ngjarje të tilla kanë qenë nji torturë e vërtetë dhe vetëm kush i ka provu, mund t’i kuptojë ato. Mjafton të kujtojmë faktin që mbledhja e dytë ka zgjatë 6 orë… me qëllim që ta detyronte “treshen armike” me ba nji “autokritikë” sa për sy e faqe. Ky tregim i Dines, humori i ksaj copëze, më sjell ndërmend po atë nivel ironie të Hashekut (te Ushtari i Mirë Shvejk). Myzeqarçja e tij më pëlqeu, pavarsisht se në disa raste s’i ka ndejtë besnik të folmes origjinale të vendit. Ka pastaj diçka për me ndryshu në fjalën “ndërsim”, që e ka dhanë me tjetër kuptim, por që s’ia prish rrjedhën tekstit, tue qenë se bahet fjalë për nji përgjegjës hipun mbi kalë! Edhe diçka: kur i del emni Lonit, le t’i dalë edhe këtij përgjegjësi kokebosh, se e lezeton historinë!