Mbrojtja e ankthit të vetëmbrojtjes
nga Shaip Beqiri
Diskutimi i dosjes së Tares për shkrimtarët tanë të mëdhenj, Ernest Koliqin e Martin Camajn, më duket që po katandiset nën udhë. Askush nuk ka kërkuar kurrfarë ndëshkimi për ta e as për veprat e tyre, që bëjnë pjesë në fondin më të çmuar të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Përkrye këtyre vlerave, misioni i udhëhequr nga Koliqit për dërgimin e 200 mësuesve shqiptarë në Kosovë dhe gjithandej në pjesën e pushtuar shqiptare ka qenë një ngjarje e madhe kombëtare që mund të krahasohet me hapjen e Shkollës së Parë Shqipe të Korçës dhe me Normalen e Elbasanit. I takon merita e madhe këtij personaliteti që vuri themelin e vërtetë jo vetëm të shkollës shqipe, por më fort të qenësisë kombëtare të asaj pjese të Shqipërisë që, pa këtë vepër të Koliqit, rrezikohej të shpërfytyrohej dhe të zhbëhej.
Nuk është me më pak meritë as Martin Camaj, i cili në rrethanat e atëhershme, pra menjëherë pas LDB, ishte poeti i parë shqiptar që botoi librin e parë të poezisë shqipe në Prishtinë, duke e pasuar menjëherë edhe me të dytin, atje ku pjesa më e madhe e shkrimtarëve dhe intelektualëve tanë tërë shkollimin e kishte nxënë në gjuhën serbokroate. Merita e madhe i takon Camajt që me dy librat e vet dëftoi tingëllimën e ëmbël të shkrimit me rrënjë të shqipes!
Iluzioni i këtyre shkrimtarëve dhe një çete të tërë refugjatësh të Shqipërisë me shumë andralla se kishin gjetur mënyrën e duhur me e rrëzuar regjimin diktatorial në atdheun e vet, duke u bërë vegla në duart djallëzore të UDB dhe të agjenturave të tjera, është më shumë se një vetëmashtrim i verbër dhe jo më pak djallëzor se i padronëve të tyre. Të ushqesh një iluzion të tillë, se ishte Jugosllavia ajo që do të bënte një veprim kaq human për këta njerëz të shkretë dhe më keq akoma, duhej të mos shihje asgjë rrotull vetes: çfarë po bënte kjo lubi e popujve me bashkëkombësit e këtyre njerëzve të vetëmashtruar? Pikërisht në mes të vjetëve ’50, Jugosllavia e Titos kishte zënë të mbyllte shkollat që kishte hapur Koliqi 10-12 vjet më parë; kishte shtruar në dru shqiptarët në aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve, kurse shumëfish më shumë shqiptarë vendës po i dëbonte jashta tokave të veta për të vendosur në to kolonë serbë e malazinj. Dhe këta njerëz të shkretë, duke fërkuar duart dhe duke xixëlluar sytë, pritnin që pa vonuar shumë do t’u vinte komanda e shumëpritur nga Aleksandar Rankoviqi e Dushan Mugosha që t’u jepnin urdhrin me iu vërsulur diktaturës në Tiranë.
Gjithë kjo komedi tragjike, e cila ende vazhdon të shpuret përpara me njerëz të tillë të shkretë e të djallëzuar, ende nuk është ndalur së luajturi duke mos zbriturt nga skena me thikat e përgjakura mbi hartat e tokave të lakanisura shqiptare. Të mbrohen idetë dhe projektet shfarosës antishqiptarë për shkakun se në një pikë kohe në rrjedhjen e tyre qenkan kredhur edhe dy shkrimtarë të shquar, se atë shfarosje apo nënshtrim nën thundrat e armiqve tanë shekullorë e paskan aprovuar edhe jo pak politikanë shqiptarë, që nga Enver Hoxha deri te Hashim Thaçi, është diçka që nuk kapërdihet dot!
.
Këta shkarravitës letrash e bombardues portalesh duhet të dinë se kjo tokë është njomur cep më cep me gjak, se në një ditë të bukur, me bekimin e Zotit dhe me vullnetin e plotë të shqiptarëve ajo do t’i bashkohet Shqipërisë, duke qenë plotësisht e lirë dhe përjetësisht e bashkuar!
Atë që bën një politikan është tjetër gjë, duhet vështruar ndryshe; ajo që bën një Poet ndryshon rrënjësisht dhe ashtu duhet parë! Nuk di pse bëhen gjithë këto reagime? Kjo mënyrë e mbrojtjes më ngjan si në kohën e zezë të diktaturës. Le të nxirret çdo fakt e argument, le të thuhet çdo gjë për çdo personalitet! Vetëm duke u ballafaquar me argumentet vihet në pah e vërteta. A ju duket mbrojtje e denjë e Koliqit dhe Camajt fakti që Enver Hoxha ishte projugosllav para tyre, apo më i madhi titist!? A dini ju sa poetë të Kosovës e më gjerë i kanë thurur himne e ode Titos e vëllazërim-bashkimit jugosllav? Ndonjëri ato i ka hedhur vetë, të tjerët i ka mbuluar harresa, kurse letërsia e kultura ka vazhduar udhën pa u penguar në ato plehurina… Më duket që kështu rri zgjuar ankthi i diktaturës, që ka lënë kaq thellë kthetrat përbrenda njerëzve të trazuar keq me një fakt kryeneç. Askush nuk kërkon ndëshkim për askë. Ka me qindra shkrimtarë të famshëm në gjithë botën, për të cilët është dëshmuar katërcipërisht se kanë bërë shërbime të tillë, se janë ndodhur në anën e gabuar të historisë, se kanë bërë politikë e diplomaci që nuk ka përkuar me dinjitetin njerëzor dhe aq më pak me vlerat e artit që kanë krijuar. A duhet t’u fshihen këto gjëra atyre për faktin se ua turbullojnë pamjen? Jo, aspak. Vepra del nga autori, por bën jetë vetëm nëse ka fuqinë e artit brenda vetes.
I them të gjitha këto ide jo fort të sistemuara, me shqetësimin jo të vogël përbrenda vetes. Jam nga ata që kanë admiruar veprat e këtyre dhe shumë kolosëve të tjerë të letrave. Atë admirim, deri në shkallë identifikimi të thellë, e kam shprehur hapur para më shumë se dyzet vjetësh në një poezi për Martin Camajn. Dua ta veçoj, duke e theksuar fort, faktin se janë këta dy autorë që kanë bërë ndikim të fuqishëm në pjesën më të bukur të letërsisë sonë, sidomos të pjesës së saj këndej Drinit. E tillë është pothuaj tërë vepra e tyre letrare: e bukur dhe madhështore.
11 korrik 2020
.
Gjysmëbiseda poezi nga Shaip Beqiri
kushtuar Martin Camajt
Ja ku na prunë përsëri
Flatrat e shogura të fjalës
Po të mbeteshim barinj
Ëndrrat do t`i kullotnim
Pllajave të pambarim të kohës
Nëpër vrimën e mbramë të fyellit
Vendlindjen do ta futnim në këngë
Sharrëxhinj po të ishim
Ditës do t`ia prenim gjunjtë
Diku thellë në pyllin e hijeve
Me mushkëritë tona të pagrira
Ndryshe do të ushtonte bjeshka
Po mullisë kur do të bëheshim
Prapa maskave tona të bardha
Të padukshme do t`i bënim thinjat
Egër do të bluanim pikëllimin
Për vercajtë e grave lehona
Tash fikim fundçet e shpresave
Në pëllëmbat prej kristali
Bëhemi vrimë e mbramë fyelli
Bjeshkën shikojmë nga ballkoni
Po thinjat nuk i fshehim dot
Më mirë që jemi poetë
E në fytyrën e madhe të vetmisë
Lëmë gjurmat e dhëmbëve të rënë
Tuz, 1979
Blerim Shabani
Si pikë e parë, duhet thënë këtë: nuk ka asnjë dilemë se Koliqi dhe Camaj janë vlera të padiskutueshme për kulturën dhe letërsinë tonë. Ato mbeten të tilla pavarësisht çfarëdo implikimi në procese të ndryshme që autorët do të kenë pasur gjatë jetës së tyre fizike, jashtë krijimtarisë. Por ajo që më bën të mos ndihem mirë në debatin e këtyre ditëve mbi Koliqin dhe Camajn është se një dorë debatuesish, duke dashur të mbrojnë dy të përmendurit (sidomos Camajn), nuk e konsiderojnë (aq) të dëmshme mundësinë, ende hipotetike, që ai të ketë pranuar të bashkëpunojë me shtetin jugosllav, le te themi dhe me UDB-në. Unë ende dëshiroj të besoj se nuk ka bashkëpunuar gjegjësisht se nuk ka fakte për një gjë të tillë. Por parimisht, fakti se ka të tillë që janë në gjendje të mbrojnë dikë, duke e ditur se ai ka bashkëpunuar me shërbimet që po përmenden në këtë debat, është, të paktën, shqetësues. Të përligjesh një bashkëpunim të tillë me argumentin se diktatura në Shqipëri ishte e keqja më e madhe që mund të ndodhte, i bie të mos kesh asnjë ndjeshmëri për gjendjen, sidomos të atëhershme, të shqiptarëve në ish Jugosllavi.