back to top
6.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Një shoqëri kameleontësh, ku ka humbur çdo vlerë e shejtërim… -Respekt, Robert Priftit nga Gëzim Celhyka

Gazeta

Robert Prifti (1925-1993)
Robert Prifti (1925-1993)

Një shoqëri kameleontësh, ku ka humbur çdo vlerë e shejtërim

Respekt, Robert Priftit nga Gëzim Çelhyka*

Të gjithë e kemi qejf atë fjalë që të bën me dinjitet dhe që e ka emrin respekt. Respekti dhe dinjiteti janë vetëm çështje etike dhe vlere. Respekti është një targë, stampë, një vulë, një sigël apo logo e qytetërimeve normalë, është një imperativ etik, është një parim dhe premtim për paqë, është një impuls dhe mall njerëzor. Por tek ne, njerëzorja është arratisur dhe imperativi ynë është egoizmi dhe intoleranca, çdo gjë është sipërfaqësore dhe kështu mediokrit jetojnë lavdinë e tyre.
Ne nuk kemi mëshirë, dhe nuk kursejmë asnjeri. Nuk kursehen as klasikët apo kolosët e kulturës, nuk kursehen as korifejtë!
Tek ne konflikti dhe urrejtja është e përbindëshme dhe nuk bëhet fjalë më për respekt. Ne nuk jemi ende në gjëndje të ndërtojmë as ura komunikimi në mes nesh, dhe jo më vlerësim reciprok.
Tek ne respekti dhe dinjiteti është kthyer në një alternativë përshtatjeje konkuruese për të mbijetuar. Respekti është një faturë që njeriu e meriton kur noton në kohë të stuhishme dhe pranon të jetë më shumë në një det të hapur se sa në një port apo gji të diktaturës, ku po të hidhje spirancën në ato gropa thithëse, do dilje i fabrikuar.
I tillë njeri ishte Robert Prifti, që nuk gjeti qetësi në portet e diktaturës, po notoi në dallgët dhe stuhitë e saj. Respekt për këtë njeri që ka një profil dhe identitet model, dinjitoz dhe jo dyfytyrsinë dhe maskat e shumë krijuesve që ankoruan në lagunat e kënetës së qetë të diktaturës. Dinjiteti i tij vetëm lartësohet dhe s’është kurrë i humbur, por ai si një dritare e kohës apo si një gur kilometrik na çon dhe na orienton në një stuhi tjetër të antivlerave dhe të një bote ku egoizmi dhe mediokriteti nuk njohin doganë. Ne jetojmë në një shoqëri si në një variete kameleontësh, ku ka humbur çdo vlerë dhe shejtërim dhe po përjetojmë krizën e personalitetit dhe në këtë stuhi apo kaos personaliteti, profili dhe vetë jeta dhe shkrimet e Robert Priftit janë një orientim, janë një shenjtërim që prona intelektuale nuk humbet, ashtu siç nuk do të humbasin kurrë vlerat, dinjiteti dhe respekti për modele të tilla të intelektualit.
.
Piktori Gëzim Çelhyka
Piktori Gëzim Çelhyka

*Gëzim Çelhyka, piktor. Në vitin 1990 ka hyrë në Ambasadën Gjermane dhe që nga ajo kohë jetoi dhe punoi në Gjermani. Gëzim Çelhyka lindi në Kavajë më 26 maj të vitit 1960. Përveç pjesëmarrjes në ekspozita të ndryshme pikturash, të organizuara në Kavajë, Durrës, Tiranë ka shkruar artikuj kritikë për artin si dhe vazhdon të shkruajë artikuj kritikë për problemet që po kalon shoqëria jonë në gazetat e kohës. Gjatë viteve ’80 ka botuar karikatura në revistën humoristike “Hosteni”. Nga kritika profesioniste e kohës është vlerësuar në shkrime të ndryshme. Në fund të viteve ’80 ka qenë nga aktivistët e parë që morën guximin të shpreheshin kundër diktaturës komuniste, në forma të ndryshme si: shkruajtja e parrullave antikomuniste në gjimnazin e qytetit të Kavajës “Aleksandër Moisiu” (ish “Medar Shtylla”), organizimi i revoltës së parë qytetare në Shqipëri në stadiumin sportiv “Besa” gjatë ndeshjes “Besa- Partizani” më 26 mars 1990, ditë, në të cilën u arrestua nga policia. Për t’i shpëtuar ndjekjes së sigurimit të shtetit, në shënjestrën e te cilit ishte vënë vitet e fundit, arratiset jashtë vendit, bashkë me qindra të tjerë duke kapërcyer muret e ambasadës gjermane në Tirane, më 2 korrik 1990. Në vitin 1993, dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë z. Sali Berisha me titullin “Pishtar i Demokracisë“ për veprimtarinë patriotike kundër diktaturës komuniste. Qysh nga viti 1990 banon në Gjermani ku dhe ushtron profesionin e piktorit.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.