back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Hermetizmi si altruizëm i kuptimit në poezinë e Martin Camajt – nga Yzedin Hima

Gazeta

Martin Camaj (1925-1992)
Martin Camaj (1925-1992)
Gjurmimi jashtëletrar i “kleçkave” të shkrimtarëve,
pra edhe të Koliqit dhe Camajt, Fishtës, Kutelit, Trebeshines, Markos etj.,
përpos adhurimit të një pjese, me pa nga vrima e çelsit,
lidhet ngushtësisht me nivelin e akademizmit shqiptar, që përsëri ka në qendër autorin,
që lidhet me konceptin pozitivist të Ipolit Tenit, që përkon me fundin e shek. të XIX.
Ende s’po gjen vend ideja e Roland Barthes, mbi vdekjen e autorit, që lidhet me vitet ’60
të shekullit të kaluar, i cili anësohet nga teksti dhe ligjërimi letrar dhe gjuhësor…
Vlerat letrare të Koliqit, Camajt, nuk kanë nevojë për avokatinë e Akademisë,
që e ka si parimësi verifikimin biografik…
Behar Gjoka
.
Yzedin Hima - Berati në sfond
Yzedin Hima – Berati në sfond

Hermetizmi si altruizëm i kuptimit në poezinë e Martin Camajt

nga Yzedin Hima

Martin Camaj e ka kaluar fëmijërinë në viset epike të arbërisë, në Alpe. Imazhet e këtyre viseve herë-herë shfaqen befasuese në tekstet poetike, së bashku me fjalët curraj, karpa, korbi, gjethue, mjedërr, xhingalla, xhixhillojë, qokth etj.
Këto imazhe primitive të derdhura në kujtesë, nyjëtuar më vonë në format më moderne poetike, falë formimit letrar të autorit në atdheun poetik të Dantes, Leopardit, Ungaretit, gjithashtu edhe në mjedisin poetik gjerman të Paul Celan, Gotfrid Ben, Magnus Ecenzberger, formojnë yllësinë poetike të Martin Camajt, sa të largët aq edhe të prekshme, sa enigmatike aq edhe edhe të afërt me kontinuitetin arbënor. Primitivia dhe modernia në tekstet poetike të Martin Camajt nyjëtohen të alternuara si formë dhe domethënie.
Poezia me titull “Xhelozia” mund të jetë më e shenjuara si e tillë. Gjenden dy simbole në këtë tekst: Vida e butë dhe Pllumbi i egër. Vida e butë simbolizon modernen, të kultivuarën, të sofistikuarën si formë, ndërsa Pllumbi i egër simbolizon primitiven me rrënjët e zanafillës, bukurinë e qëndrueshme që po tretet në kohë dhe i ka shpëtuar kohës, sakrificën sublime në emër të dashnisë dhe të së bukurës, dhimbjes për zbutjen dhe humbjen e identitetit, etj. Teksti i Martin Camajt nuk i shpëton gjenezës epike të mbrujtjes së autorit, ndonëse lirikë, ka fabul dhe nis si rrëfim:
 
Iku vida e butë në mal/ Dhe në currat e ashpër/ Gjet një pllumb të egër.
 
Në leximin e parë inversioni përdoret për të shenjuar veprimin e Vidës: iku. Çdo ikje ka një arsye, që fillon nga ato më të rëndomtat, deri te arsyet madhore. Ky kalim ka një arsye tejet grishëse, të parezistueshme: Vida e butë kërkon takimin me Pllumbin e egër. Dy të kundërtat e kërkojnë njeri-tjetrin për t’u bërë një:
 
Në çerdhen e vjetër në shkamb/ puhija e ngrohtë e majit fryni
e u rrqeth ndër qeta çdo lule e gjeth/ në kënaqsi pa skaj.
.
Penda e Kristalte - Erika Camajt
Penda e Kristalte – Erika Camajt
Martin Camaj nuk tregon veprimin, por rrjedhojën dhe efektin për të shenjuar energjinë shpërthyese të takimit, që ndikon krejt mjedisin rreth e rrotull dhe shpërndahet nga puhija e majit në tërë habitatin. Takimi ndodh në çerdhen e vjetër.
Leximi i dytë i tekstit të shtyn drejt zbulimit të esencës krijuese të Martin Camajt. Forma moderne poetike – Vida e butë, kërkon të takohet dhe të çiftëzohet me primitiven, zanafilloren, origjinalen, substancën – Pllumbin e egër, për të lindur më pas tekstin, poezinë moderne të nyjëtuar nga një Vidë e butë – forma dhe një Pëllumb i egër, ekzotik, substanca. Një arsyetim i tillë të çon te kodet e artit të Martin Camajt dhe te dekodifikimi i tekstit të tij poetik. Po cili është çelësi, instrumenti që na dërgon në këto dyer?
 
Vargu i poezisë: “në kënaqsi pa skaj” na tregon se ky takim nuk është një takim i thjeshtë të dashurish, por shumë më shumë. Kënaqësi pa skaj zor se të jep dashnia, seksi, por diçka shumë më sublime dhe ky është nyjëtimi i tekstit të arrirë, arti. Vetëm arti i madh nuk ka skaje kënaqësie estetike. Dikush shkroi se i shtrirë përmbys në krevat, duke lexuar poezi të mira, ndjente kënaqësinë më sublime, që të jep një pozicion i tillë.
Në pjerrinën e kësaj persiatjeje mund të sjellim edhe pamje të tjera në të mirë të mendimit. Pasi forma dhe përmbajtja, modernia dhe zanafillorja nyjëtohen e bëhen një, shfaqet teksti poetik në formën e pëllumbtë, që sjell një fatbardhësi mali:
 
Kur mbrrini mbramja vida/ dhe pllumbi
fluturuen tue pru ndër krahë/ një fatbardhsi prej malit.
 
Nëse jemi të kujdesshëm në lexim, vërejmë se Vida dhe Pllumbi i kanë humbur epitetet e butë dhe i egër. Nuk flitet në tekst më për Vidën e butë dhe Pllumbin e egër. Po çfarë ka ndodhur? Substanca (e egër), është tretur në formë (e butë), duke u nyjëtuar në “fatbardhsi prej malit”, tashmë në një tekst poetik, ku forma dhe përmbjtja janë një. Teksti poetik realizohet te lexuesit, në rastin tonë te gjindja:
 
Kah nji balkon me gjind/ Vida kryet e uli,
Ajrin teposhtë tue pre./ Po çfarë po ndodh me Pllumbin?
 
Substanca, zanafillorja reziston fort, kurrsesi nuk mund të durojë metamorfozën në formë, aq më tepër në një formë tejet moderne, siç është teksti poetik hermetik, që fsheh apo humb krejt kuptimin, teksa shfaqen simbolet si ajsberg në trupin e tij:
 
“Ku, ku!” e pyeti pllumbi i egër,/ Por vida s’ndigjoi e për nën pullaz/ Në çerdhen e vet ra.
 
Takimi i tekstit me lexuesin është një takim sa misterioz aq edhe grishës. Është çasti i realizimit të tekstit si nyje artistike e kuptimore tek receptuesi. Ky takim është pothuajse po aq mistik sa takimi i formës (Vida e butë) me përmbajtjen (Pllumbi i egër) dhe nyjëtimi i tekstit, që ndoshta nuk përfundon kurrë si proces, derisa do të ketë lexime dhe rilexime të tij:
 
Pllumbi pau në largsi një dorë/ Njeriu që vidën kapi
E prapë nji tjetër qafë e krye tue i lmue
 
Kur vëren Vidën e bukur, (Le ta emërtojmë këtë lloj teksti me termin teksti primomodern) tek vërtitet në duart e gjindjes, Pllumbi i xhelozuar vetsakrifikohet, siç sakrifikohet domethënia për formën në tekstin hermetik:
 
Në fyt, ndër krahë/ Helm iu ba tashmë pllumbit ajri:
Fluturoi mbas rrezeve të fundit,/ Ra në diell dhe u dogj.
 
Poezia “Një ditë e ka dhe korbi”
 
…Kur te e vona pllumbat kthyen në/ banesa,/ e ndieu vehten korbi pllumb në shpirt.
.
Martin Camaj - Poezi
Martin Camaj – Poezi
Poezia e Martin Camajt “Një ditë e ka dhe korbi” është një tekst poetik simbolist. Ndryshe nga tekstet simboliste, ku përpjekja për gjetjen e mesazhit kuptimor kalon në një aventurë estetike me rreziqe të ndryshme, ku duhet të eksplorosh figura e kuptime në rrëpira gjuhe e hone pa dritë, aty ku rriten lule të egra me aromë mahnitëse dhe ekzotike, që rrallëkush i gjen dhe i provon, ky tekst dekodifikohet disi më lehtë për shkak të simboleve si korbi dhe pëllumbi, të cilët janë mjaft të njohur e ndriçuar në ligjërimin poetik të traditës folklorike arbërore. Korbi, zog i përzishëm si simbol i vdekjes dhe zisë, ku forma dhe substanca bëhen një, në të folmen e përditshme përdoret si simbol i trishtimit dhe fatkeqësisë: Korba unë për ty! – është psikama e nënës për birin e humbur. Ndërsa pëllumbi është zog që simbolizon paqen, harmoninë, qetësinë, shpresën, lajmin e mirë.
Poezia “Një ditë e ka dhe korbi” nis si në rrëfimet e vjetra biblike:/Erdhi një korb te dheu i butë nën shkrepa/. Në habitatin e pëllumbave, korbi vëren si ai “s’dinte me ndjekun vallet e pllumbave”, nuk dinte të mbante “ritmin e flatrave ndër valle”.
Në respekt të të ndryshmëve, korbi nuk e përzit vallen, nuk nxjerr zë, me kujdesin se krrokama e tij do ta bënte pis ajrin, do ta ngjyente me zi. Befasia e këtij teksti vjen nga kontrasti, përballja e dy sistemeve të ndryshme të vlerave: ai i pëllumbtë mes gazullimit të përgjithshëm dhe ai i korbtë me lëmshin e zi të trishtimit që shthuret dhe përhapet ngadalë në fusha e pjerrina me krra-krra-krra.
Në këtë përballje Jetë – paqe – shpresë – lajm i mirë – në njërën anë dhe Vdekje – trishtim – zi, krrokamë në anën tjetër, butësisht triumfon jeta. Korbi ngrin, hesht, i vetdijshëm për atë çka përfaqëson, mahnitet dhe hutohet, gjithmonë me kujdesin për të mos u shfaqur dhe për të mos prishur bukurinë e habitatit të të tjerëve. Poezia mbaron me vargjet: Kur te e vona pllumbat kthyen në banesa,/ e ndieu vehten korbi pllumb në shpirt./
Çfarë ndodhi?!
Ndodhi metamorfoza, që nuk përfshiu pamjen, zërin, por shpirtin e korbit. E zeza, e përzishmja, ka ndryshuar së brendshmi. Ka triumfuar e mira, jo në pamje, jo në formë, por në substancë. Metamorfozat ndodhin në rastet kur ndodhin trauma të forta shpirtërore. Cila qe ajo forcë që e detyroi korbin të ndihej pëllumb në shpirt?! Arti? E bukura? Paqja? Shpresa? Lajmi i mirë?
Ndoshta të gjitha. Krejt si në një shfaqje teatri, ku pëllumbat janë artistët që luajnë në skenë, ndërsa korbi është spektatori i vëmëndshëm dhe i ndjeshëm. Loja në skenë e pëllumbave, krahas kënaqësisë hedonistike, nxiti te korbi i ndjeshëm efektin që shkakton çdo lloj art, katarsisin, pastrimin shpirtëror.
Teksti ka nëntë vargje gjithsej. Martin Camaj është mjeshtër i poezisë eliptike, ku me pak fjalë end një pëlhurë poetike sa të bukur aq edhe hermetike. Në këtë tekst shohim vetëm efektet, jo veprimin. Mungon narrativja, e cila rrjedh poshtë vargjeve të kursyer dhe, me një vrull e energji në vetdijen e lexuesit, ku ndërtohet tërësisht kuptimi dhe zbulohet nyjëtimi artistik, që sjell kënaqësi estetike. Lexuesi mbetet i mahnitur nga efekti, që shkakton e bukura, e cila e bën korbin të ndihet pëllumb në shpirt. E bukura është energji pozitive, që mund të transmentohet nga një burim te objektet përreth dhe të ndryshojë pikërisht substancën e këtij objekti, në këtë rast, shpirtin e korbit. Jo vetëm ta ndryshojë, ta pasurojë, por edhe ta shndërrojë nga të korbtë në shpirt pëllumbi.
Dikush tha se e bukura është “materiali” më i qendrueshëm. Sidomos e bukura e shpirtit. Dhe në një farë mënyre ka të drejtë sepse një fytyrë e bukur plaket dhe e humb bukurinë, ndërsa një shpirt i bukur nuk ndryshket dhe nuk plaket kurrë, ndaj dhe Martin Camaj vërën se ndryshimi, shndërrimi ndodhi pikërisht te esenca e korbit, kur ai u ndje në shpirt pëllumb.
.
https://exlibris.al/hermetizmi-si-altruizem-i-kuptimit-ne-poezine-e-martin-camajt
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.