back to top
7.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Shfaqja “ndryshe” e Kadaresë… nga Jozef Radi

Gazeta

Ismail Kadare 1936
Ismail Kadare 1936

Shfaqja “ndryshe” e Kadaresë…

nga Jozef Radi

Nuk them asgjë të re kur theksoj se i përkas brezit të parë që është ushqyer në mënyrën ma sistematike me veprën e Kadaresë. Si gjimnazist i viteve ’71-’76, mund të them se: rrallë mund të ketë ndodhë në historinë e letërsisë që nji shkrimtar dhe vepra e tij, sapo dilnin nga shtypi, futeshin ngutshëm në orët e mësimit të letërsisë dhe ashtu të ngrohta e gjithë avull, na ngjisheshin në në mendje përmes shënimesh të pafundme dhe mësimit përmendësh të qindra vargjeve ekzaltuese. Sigurisht Kadare, ka shkruar gjithnji ndryshe prej të tjerëve, edhe lexohej ndryshe prej të tjerëve. Ai mbetesh nji figurë intriguese letrare dhe intelektuale, sepse ishin të shumtë ata që kalbeshin burgjeve për vepra shumë më minore se ajo e tija, dhe ishin të shumtë edhe ata që te veprën e tij gjenin flamurtarin ma të zelltë të Partisë dhe Kryeudhëheqësit. S’mundem ta mohoj se kam lexuar gjithçka nga vepra e tij dhe se në atë kohë diktature kam besuar se liria nji ditë mund të kishte emrin e tij, po s’mundem as ta harroja edhe atë frymën tejet terrorizuese që më ngjallte vepra e tij në paraqitjen e “armikut të klasës”…
Eseja e Kadaresë “Si e shkrova Eskilin”, u realizua në kapërcyell të ndrrimit të kohrave. Mbasi ia kish vjelë krejt lavdinë kohës që po zhytej me shpejtësi në humnerë, Kadaresë i duhej nji projekt bindës për ta mbrojtur dhe garantuar atë lavdi edhe për kohën e re që po vinte me zhurmë e me shembje idhujsh e tabushë. Sigurisht ai ishte intelektuali numër nji i kohës së vet, pra edhe figura ma me dritë e regjimit… Shpirti i tij ambig, kishte krijuar gjithandej lexues dhe ndjekës… po edhe përçmues, sepse kurrë s’kishte dalë nga riga. Ai ishte Shqipëria përballë Botës… Dhe duhej të shfaqej pak ma ndryshe… Ishte njeriu që mund të dëshmonte se nuk ishim popull i harruar dhe i braktisur… Sigurisht kjo ishte shpresa, por si shpresë kishte brenda edhe frikën dhe iluzionet… Sepse regjimi kishte krijuar plot mekanizma për ta mbajtur peng: si njeriun, edhe shkrimtarin, edhe intelektualin… Kadare… Pra ishte nji raport i ndërlikuar, i vështirë, nji raport në teh të arsyes dhe gjykimit… nji raport kompromisesh reciproke të heshtura dhe të ashpra: regjim-intelektual, parti-shkrimtar…
E megjithatë kjo ese, e shfaqur në shtypin letrar me 17 qershor të ’90… fiks dy javë para shpërthimit të ambasadave, është ndër më të mirat dhe më të guximshmet e Kadaresë dhe mund të lexohet edhe sot me qetësi për mesazhet e saj guximtare dhe emnacipuese. Ajo mund të quhet edhe pasaporta e tij para Perëndimt, në momentin kur edhe ai u bë pjesë e Ikjes së Madhe… Sigurisht, këtu ai del nga plani i gjykimit te realitetit shqiptar dhe futet tek mardhëniet e shqiptarëve me fqinjët e tyre, te e drejta e autoktonisë së tyre, po aty shfaqen për herë të parë nji seri konceptesh për deklarimin e të cilave ishin plot burgjet e diktaturës… Pra kjo ese mbetet sigurisht më intelektualja e Kadaresë… Eskilin ai e gjen si pjesë të autoktonisë… dhe merret me raportet midis sllavëve ardhacakë dhe shqiptarëve autoktonë, dhe thekson se mardhëniet fqinjësore duhet të forcohën midis ballkanasve autoktonë ku ai mbetet nji inspirues i raporteve pozitive midis grekëve dhe shqiptarëve…
E rilexuar sot me sytë e 24 vite më parë, kjo ese më ridëshmon emocionet që po sillte fryma e lirisë, ajo eufori shprese që nxorri në pararojë spekullantët… sepse kush qe i zoti ta shfrytëzonte diktaturën, me lirinë mund të bënte si i donte qejfi… E dhimbshme po dhe e vërtetë…
25 tetor 2013

"Eskili - ky humbës i madh"
Eskili – ky humbës i madh”

Ismail Kadare: Si e shkrova Eskilin

“Drita” 17 Qershor  1990

Me rastin e daljes së librit “Eskili ky humbës i madh”
i drejtuam autorit të tij: Kadarese, disa pyetje lidhur me rrethanat në të cilat u shkrua ky libër,
mesazhet që përmban, problemet që shtron lidhur me marrëdhëniet e kritikës sonë
me atë greke e botërore, si edhe me raportet e letërsisë me kritikën.
.
Librin e konceptova tërësisht dhe pjesërisht e shkrova në dimrin e vitit 1984-1985. Në janar, prej tij botova një pjesë si parathënie për tragjeditë e Eskilit. Një shtysë kryesore për këtë libër ka qenë, pa dyshim, klima e helmuar që u përpoq të krijonte (dhe në fakt e krijoi), në një pjesë të gadishullit ballkanik, shovinizmi. Kur përmendim këtë fjalë mendja na vete në radhë të parë te shovinizmi serbomadh. Ai nisi një kryqëzatë të turpshme kundër njërit prej popujve më të vjetër të gadishullit: shqiptarëve. Ky ishte një sulm i pashembullt; sulmi i injorantit kundër të kulturuarit, i uzurpuesit kundër të zotit të shtëpisë, i barbarisë kundër qytetërimit. Synimi kryesor i fushatës ishte që të impononte një mashtrim të madh: që shqiptarët s’kanë vend në shtëpinë e tyre, se kjo shtëpi iu përket serbëve, se raca, gjuha, kultura shqiptare janë të gjymta etj. etj.

Kambanës kryesore i ranë sidomos për të thënë se shqiptarët nuk janë autoktonë, por të ardhur, dhe se serbët janë më të vjetër këtu se ata, me fjalë të tjera, për të vërtetuar, siç ka thënë një poet, se “degët janë më të vjetra se rrënjët…”
Natyrisht që polemika për vjetërsinë dhe jo vjetërsinë e popujve kur kjo bëhet për sqarimin e problemeve bashkëkohore është përgjithësisht e trishtueshme, por kur partneri i padenjë fill pas saj mpreh hanxharët e krimit dhe nxjerr nga kazermat tanket. Je i detyruar t’i përgjigjesh.
Me librin për Eskilin desha, pa dyshim, ta luftoj këtë klimë shoviniste, por ta luftoj jo me mjetet e saj, domethënë me urrejtje dhe helm, por në mënyrë të kundërt: me një kumt miqësie.
Poeti grek Seferis ka një poemë, ku tregohet se pas ndeshjes së gjatë që bënë macet e një ishulli me gjarpërinjtë ato vërtet triumfuan, por në fund gjaku i tyre u helmua. Një luftë e gjatë me të keqen që zakonisht mençuron dhe e fisnikëron një popull, mund të bëj ndonjëherë edhe të kundërtën. Dihet se arma më e keqe për të  luftuar shovinizmin është nacionalizmi. Bile ajo është arma që do të parapëlqente shovinizmi vetë. Sepse ajo, përveç që është e parrezikshme, për të, i vjen për shtat. Kurse arma e vdekshme kundër tij është përgjigja e kulturuar. Kultura është arma e më të fortit, sepse i forti është ai që nuk ka nevojë për tërbim, histeri dhe zhurmë boshe.
Në fund të fundit, vetë stili i polemikës dëshmon se cilët janë ballkanasit e kulturuar, trashëgimtarë të qytetërimit mijëvjeçar, dhe cilët ardhacakët barbarë, ende të paqytetëruar.
Kjo është, pa dyshim, një nga arsyet që shkrova këtë libër, që duke qenë një dëshmi për lidhjet e moçme kulturore greko-shqiptare, është, në radhë të parë, një akt dashurie për kulturën greke, pra për popullin  grek.
Mendoj se sa më shumë të ketë libra të tillë të shkruar nga ballkanasit për ballkanasit, pa i pritur që ato të shkruhen vetëm nga anglezët, francezët ose gjermanët, aq më tepër do të pastrohet ajri në këtë gadishull.
Kjo është, padyshim, një nga arsyet, por jo e vetmja. Mendoj se është mirë kur disa arsye bashkërisht bëhen shtysë e një libri…
Një arsye tjetër që lidhet gjithsesi me të parën është koncepti i së drejtës, të cilin ishte Eskili ai që e shtjelloi i pari në botë: gjerësisht dhe artistikisht. Dihet se shqiptarët janë një popull që si rrallë kush problemi i së drejtës i ka shqetësuar tepër e i ka bërë të vrasin mendjen për një kohë të gjatë. Një popull shqetësohet gjatë për diçka kur ka shkaqe të thella.
Shqiptarët kanë qenë të obseduar prej të drejtës, nga që e drejta e tyre ka qenë shpeshherë e kërcënuar, e marrë nëpër këmbë, e goditur. Ata e kanë ndjerë se për t’i bërë ballë sulmit të padrejtësisë duhet të ndërtonin një makinë mbrojtëse. Baza e saj ishte parimi të jesh i drejtë, do të thotë të jesh i drejtë me tjetrin. Makina e së drejtës nuk mund të funksionojë nëqoftëse nuk është universale: të drejtat qytetare, të drejtat e njeriut, të drejtat e kombeve, të pakicave kombëtare, të individëve, të grupeve, gjer te e drejta e fajtorit për të mos u dënuar me shumë se ç’meriton, të gjitha këto janë pjesë e një mekanizmi, janë të lidhura me njera-tjetrën dhe nuk mund të punojnë veçse në harmoni.
Shqiptarët e krijuan kodin e tyre juridik, aq të rreptë për veten, për të pasur të drejtën të kërkojnë prej të tjerëve atë çka u qe mohuar. Sepse vetëm kur ke vënë drejtësinë në shtëpinë tënde mund ta kërkosh atë me gojën plot tek të tjerët. Ata e bazuan kodin e tyre mbi parimin e mosteprimit, një nga parimet më të shenjta të drejtësisë, për të shmangur zhvendosjen e së drejtës te pala kundërshtare, që është një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë e një kombi..

Ismail Kadare 2009 - çmimin Prince of Asturias
Ismail Kadare 2009 – çmimin Prince of Asturias

Libri për Eskilin ka qenë, veç të tjerash një gur prove për ndërgjegjen time prej shkrimtari. Gjatë procesit të punës, kur e ndjeva se po e shkruaja me aq dashuri për kulturën greke, për popullin grek, njëlloj siç do ta shkruaja për popullin shqiptar, kam përjetuar një kënaqësi të rrallë intelektuale, sepse ti mund ta kesh brenda teje mikrobin e nacionalizmit, pa e ditur as vetë. Por gëzimi më madh ka qenë kur këtë gjë e kam vënë re në masën e gjerë të njerëzve. Të duash popujt e tjerë, sidomos këtu në Ballkan, të shqetësohesh për pakicat kombëtare njëlloj si për popullin tënd, kjo është me të vërtetë kurora e kulturës së një vendi. Sado që tani mund të duket e largët, unë kam besim se kjo vërtet do të arrihet prej popujve te Ballkanit. Në qoftë se në rrethana të tilla, unë do të arrij të shkruaj diçka të tillë, me aq dashuri për kulturën dhe letërsinë e kombit serb do ta konsideroj, veç të tjerash edhe një proces përkryerje brenda ndërgjegjes sime prej intelektuali. Kam bindjen gjithashtu se ky proces përkryerje do të ndodhë jo vetëm te njerëzit e arteve, por në një masë të gjerë. Jam i sigurt se nëqoftëse dy milionë shqiptarët e Kosovës do t’’i kishin të drejtat që i kërkojnë qysh prej gjysmë shekulli, të dyqind mijë serbët që jetojnë midis tyre, do të ishin të rrethuar me një dashuri e fisnikëri si rrallëkund. Mirëpo pikërisht kësaj dashurie shovinistët i janë trembur më fort se murtajës sepse dashuria i tmerron përherë tiranët…
Gjithmonë lidhur me të drejtën, më vjen mirë që dalja e librit për Eskilm përkoi me vendimet e Plenumit të 9-të e të 10-të të KQ të Partisë, për demokratizimin e mëtejshëm të gjithë jetës. Ka njerëz konservatorë e dogmatikë tek ne që nuk e kuptojnë se ky demokratizim është një forcim i mëtejshëm i pavarësisë dhe i rendit shoqëror  socialist. Duke qenë vetë antidemokratikë të vendosur, duke qenë shkelës së ligjshmërisë  e të drejtave të njeriut, ata nuk e durojnë dot diskutimin e debatin e lirë për to. Me ta bashkohen një turmë e tërë të paaftësh për të cilët demokratizimi i jetës është një prishje rehatie dhe rrezikim i asaj ç’ka kanë fituar pa kurrfarë meritash.
Dogmatizmi është streha e tyre, komploti i tyre i përbashkët. Vetia e parë e tyre është mungesa e tolerancës, mosrespektimi i tjetrit, monomania, frazat dhe veprimet absolutiste.
Kur personalitete të ndryshme të shkencës e të kulturës shfaqin mendime në shtyp (mendime për të cilat gjithkush ka të drejtën të ketë vërejtjen e objeksionet e veta), këta shtjerrakotë, në vend që të marrin penën e të shkruajnë në shtyp, duke gjallëruar debatin, parapëlqejnë të hungërojnë prapa krahëve kundër tyre. Sipas stilit të spekulantëve, të vetmen gjë që e dinë mirë, bëjnë insinuatat e njohura, ndër të cilat më tipikja është ajo e “mohimit të arritjeve”, e pas kësaj janë gati të përmendin Luftën Nacionalçlirimitare dhe dëshmorët, thua se dëshmorët luftuan për këta spekulantë. Por ata s’mjaftohen me kaq. Pas kësaj guxojnë të bëjnë kërcënime, përpilojnë lista intelektualësh e ëndërrojnë survejimin dhe persekutimin e tyre. Kështu këto plehurina, mendimet dhe veprimet e të cilëve për çudi, e ndoshta aspak për  çudi, koincidojnë me ato të shovinistëve serbë ndaj inteligjencies e kulturës shqiptare, guxojnë të paraqiten si ultrarevolucionarë pa menduar aspak se duke pasur kundër kulturën e këtij kombi, kanë kundër kombin e tërë.
Lidhur me pyetjen tuaj për marrëdhëniet e shkrimtarëve me kritikën, kjo ka qenë edhe një arsye tjetër për këto përsiatje për tragjikun e madh. Kam mendimin se pjesa më e madhe e kritikës sonë të sotme i është përshtatur letërsisë mesatare dhe asaj mediokre. Ajo i ngjan kështu një makine që funksionon me materie të cilësisë së tretë. Me fjalë të tjera që ingranazhet e saj, klishetë dhe skemat teknologjike t’i shkojnë për shtat mediokritetit. Në qoftë se është vërtet kështu, kjo është mjaft e hidhur. Aleanca (marrëveshje) të tilla të pashpallura midis letërsisë së varfër dhe kritikës së varfër janë tepër të dëmshme për artin. Kritika duhet të merret në radhë të parë me ajkën e artit. Edhe kur merret me mungesat, mediokritetin, ajo e bën këtë jo për përjetësimin e tyre, por, përkundrazi, për tëharrjen e barërave të këqija në mënyrë që t’i japë sa më shumë hapësirë artit të vërtetë.
Së fundi, duke shkruar për një nga gjenitë më universalë të letrave, desha të ridëshmoj një fakt që kultura jonë e ka dëshmuar disa herë në mënyre të shkëlqyer: faktin që njeriu shqiptar ka qenë dhe është gjithmonë në gjendje të japë mendime për dukuritë e mëdha të artit shqiptar e atij botëror. Fan Noli e ka bërë këtë duke guxuar të thotë një fjalë të re e plot sukses para auditorit ndërkombëtar për Bethovenin dhe Shekspirin. Rexhep Qosja me veprën e tij monumentale për Naim Frashërin, dhe të tjerë do ta bëjnë me siguri në të ardhmen. Një dukuri e tillë është e një rëndësie të dorës së parë, sepse lidhjet tradicionale të letërsisë shqiptare me letrat botërore i shtjellon si diçka të natyrshme e harmonioze. Dhe ato janë të tilla, përderisa burojnë nga thellësi të mëdha: nga mendësia dhe filozofia e jetës së njeriut shqiptar asaj mendësie që ka në bazë nderimin për tjetrin, mikpritjen, mosprekjen e të huajit shkurt, atë që në formulimet e sotme quhet: miqësi e bashkëpunim midis popujve.
Duke përfunduar, desha të shtoj se jo pa një farë shqetësimi e kam paraqitur dorëshkrimin e veprës te botuesi im francez. Për Eskilin janë shkruar mijëra ese e studime, ku kanë konkuruar emra të ndritur të kulturës botërore. Mund të kujtoje se ke shkruar diçka me vlerë, por ajo mund të zgjonte interes në vendin tënd e jo përpara publikut ndërkombëtar. Ndaj ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua, kur dy ditë pas dorëzimit të dorëshkrimit, presidenti i shtëpisë botuese – “Fayard”, Klod Dyran, më mori në telefon në mesnatë për të më thënë se sapo kishte mbaruar leximin dhe se do ta botonte veprën menjëherë me shumë gëzim.
Por kënaqësia ime ishte e dyfishtë, kur pas botimit dhe suksesit në Francë, Klod Dyran më lajmëroi një ditë në telefon se vendi i parë që kërkoi botimin e librit ishte Greqia…

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Vetëm ai, Kadareja di ta mbrojë kulturën e popullit të tij aq bukur duke e paraqitur si të pandashme me atë të grekëve antikë, popullin që iluminoj gjithë botën, duke ditur se gjuha shqipe është pjesë e asaj arkaike greke, ai paraqet popullin e tij… pjesë të kulturës dhe autoktonisë së padiskutuar greke…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.