back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Martin Camaj, shkrimtar i lartësive – Parathanie e veprës nga Ismail Kadare

Gazeta

Martin Camaj (1925-1992)
Martin Camaj (1925-1992)

Martin Camaj, shkrimtar i lartësive

Parathanie e veprës nga Ismail Kadare

1.

Ndjesia e parë që provon lexuesi kur hyn në botën letrare të Martin Camajt është ajo e lartësisë. Pa përjashtuar përftimin eufemik të shprehjes, atë që ka lidhje me gjithë shkrimtarët e mëdhenj të një letërsie, te Camaj shprehja merr një kuptim të mirëfilltë. Në shumicën e veprave të tij, në mjediset e përshkruara, në klimën e tyre, te personazhet, ajri, madje dehjet e shëndetshme apo të turbullta që vijnë prej tij, janë ato të alpeve.
Sipas Ernest Koliqit, adhurues e njëherësh mentor i shkrimtarit, ky luks gjeografik lidhet me zanafillën e shkrimtarit. Lartësitë e bjeshkëve, më saktë Dukagjini, ku ai kishte lindur, kishin gjetur, më në fund, te biri i tyre, mjetin e vet shprehës.
Është një mendim i fisëm, nga ata që sa ç’kuptohen me lehtësi, aq edhe kanë nevojë për plotësim. Është e vërtetë se visoret dhe klima në veprën e Camajt të kujtojnë shpesh ato të vendeve veriore, madje tepër të skajshme, si Islanda, por ato afrohen çuditërisht me klimën e teatrit grek, nëpërmjet të njëjtit fill të padukshëm që, siç e ka vënë re francezi Jean-Pierre Faye, kultura parake shqiptare përkitej me antikitetin.
Rrugëtimet e brendshme të ndjeshmërisë artistike mbeten shpesh të pazbuluara prej nesh. Por kjo nuk pengon që në një tjetër hartë ato të kryqëzohen, ashtu siç ndodh me sagat islandeze, doket e vjetra ballkanase dhe artin antik.
Ka gjasë që më shumë se te këto, te vetmia e shkrimtarit të gjendet shkaku i thellë i këtij mënjanimi. Martin Camaj ka qenë, pa dyshim, shkrimtari më i vetmuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të Njëzetë. Duke i strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi, që iu siguronte pavarësinë, ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën.
I larguar tepër i ri nga atdheu, i cili çdo ditë e më tepër bëhej i huaj për të, për shkak të komunizmit, ka kujtuar se atë ç’ka humbur e ka gjetur disi në Kosovë, por ky nuk mund të ishte veçse një iluzion. Ka ndërruar truall përsëri, madje e ka lënë Gadishullin dramatik të Ballkanit, për një tjetër gadishull, më pak të tillë, atë të Apenineve, gjersa edhe prej andej është larguar përsëri. Po të kishte qenë muzikant ose piktor, më lehtë ndoshta do ta kishte shkëputjen, por arti i tij lidhej me gjuhën shqipe, atë vargor të rëndë, të cilën as mundte e ndoshta as donte ta ndërronte dot. Te viset e arbëreshëve, ku, ashtu si Koliqi, shkonte shpesh, gjente vërtet një spikamë të botës shqiptare, por kishte gjasë që, ndonëse e pabezdisshme prej doktrinës, ajo spikamë e zbehtë, më shumë se zëvendësuese, ishte thjesht një trishtim.
E ka kuptuar se përderisa poeti Zef Skiroi, ndonëse i lindur në këto vise, i kishte quajtur megjithatë “te dheu i huaj”, aq më tepër do të ishin të tilla për të. Një tjetër Zef, ai i Serembes, një shekull e ca më parë, e kishte shpjeguar të fshehtën:
 
Arbëria që prapa detit na kujton/ Se ne të huaj jemi te ky dhé.
 
Ishte gjithmonë ajo, Shqipëria, që në epoka të ndryshme rrezatonte të njëjtin trazim.
I vendosur më në fund në Lenggries të Bavarisë, në këmbë të alpeve gjermanike, që i kujtonin bjeshkët e Dukagjinit, e ka ndier se ato, në fund të fundit, nuk ishin veçse pamje. E ka ndier përfundimisht se ashtu si Filokteti antik, me plagosjen e tij të pashërueshme, ai gjithashtu nuk do ta kapërcente dot mungesën e atdheut. Dhe atëherë, duke e parë se nuk i largohej dot më, ka bërë atë, për të cilën me siguri ka kujtuar se s’do të ndodhte kurrë: të dëgjonte lajme që vinin andej, pikërisht prej katrahurës, së cilës i ishte larguar me aq ngulm. Të dëgjonte ç’ndodhte me atë popull, me zhurmat e tij, me kambanat që po heshtnin, me burrat që kishin ulur kryet, me gratë e hijshme, së fundi me gjuhën shqipe dhe me shkrimtarët dhe fatin e tyre ziplot.
Një qerthull, nga ata që duket se krijohen prej harmonive të epërme, po mbyllej, më në fund, për të sqaruar raportet e ndërlikuara të shkrimtarit me lirinë dhe me vendin e vet. Liria dhe Shqipëria ishin të ndara. Së bashku ngjanin ende të pamundura.
Martin Camaj, ashtu siç iu qëllon rrallëherë shkrimtarëve, u rrek të kapërcejë pikërisht të pamundurën. Ishte ky epilog që, në trajtë testamentare, u shpreh në fjalët e tij, drejtuar gjithë shqiptarëve, e natyrisht kolegëve të tij, pak kohë përpara se t’i linte lamtumirën kësaj bote: “Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijtë”.
 .
Shkrimtari Ismail Kadare 1936
Shkrimtari Ismail Kadare 1936

2.

Letërsia shqipe është krahasuar disa herë me një ngrehinë të rreptë e të ftohtë, gjysmë kështjellë, gjysmë manastir. Fillimet e saj si letërsi murgjish, e kanë nxitur ndoshta një përftim të tillë.
E paktë, e tkurrur tragjikisht, për shkaqe dhe rrethana që dihen, me një ndalim të gjatë shumëshekullor, me një periudhë dygjuhëshe, latine dhe shqipe, me alfabet të padashur, madje të demonizuar në ceremoni zyrtare fqinjësh, ka mbërritur në shekullin e njëzetë, ku, në kundërshtim me shpresën, e ka pritur një zezonë e re: censura dhe vetëcensura, fajtore për të cilat nuk ishte askush tjetër veç vetë Shqipërisë.
Ndonëse e tillë, e ngushtë, përherë e pamjaftueshme, spartiate e pa madhështi të jashtme, si gjithë vlerat shpirtërore të krijuara përmes vështirësish, e rrezatonte megjithatë një hije të rëndë. Ndërkaq, për një paradoks të madh, në vend që të ishte mikpritëse ndaj shkrimtarëve që do të plotësonin mungesat e saj, bënte të kundërtën. Portat e saj rrinin më shumë mbyllur se hapur. Prej tyre ishin nxjerrë përdhunshëm personazhe të mëdha, ikja e të cilave bënte që të ngjanin edhe më të zbrazëta hajatet dhe qelat e saj.
Përpara këtyre portave u gjend një ditë Martin Camaj. Nuk ishte i nxjerrë jashtë mureve, si Fishta, Konica, Koliqi, por kjo nuk e bënte më pak të ndërlikuar problemin e tij. Kishte qenë thjesht nënshtetas i atij vendi që quhej Shqipëri, por asnjëherë brenda kullës letrare. Ka gjasë që për një kohë të gjatë, në nënvetëdijen e tij shestohej e paarritshmja: të bënte pjesë një ditë në atë fis apo në atë urdhër trillan.
Brenda kullës, përveç hijeve të mëdha, ishin shkrimtarë të gjallë, të ngjashëm me ta, por të padashur, si Lasgush Poradeci ose Mitrush Kuteli. Siç ishin të pakuptueshëm për epokën brenda së cilës u gjendën, ashtu do të ishin më pas, kur epoka të ndërrohej. Studiuesit do ta kishin më të lehtë të pohonin se, meqenëse në një epokë të tillë mizore nuk mund të krijohej letërsi, ata e kishin braktisur krijimin letrar. Ndërkaq, pikërisht në kohën e vështirë ishin krijuar disa nga perlat më të çmuara të të gjitha epokave, si vjershat “Gremina” dhe “Flaka” të Poradecit ose “E madhe është gjëma e mëkatit” e Kutelit e ndoshta të tjera vlera, që do të zbuloheshin më pas. Pyetje të shumta do të lindnin: ç’do të bëhej me këto perla? Do të mohoheshin, ngaqë bezdisnin klishetë dhe mendjet e ngushta, apo mashtrueshëm do të kalonin në tjetër kohë?
Edhe më të vështira do të ishin pyetjet për aradhen e shkrimtarëve që kishin lindur ose ishin rritur në epokën që quhej e gabuar. Për shkak të saj, e pas rrëzimit të saj, ata do të quheshin gjithashtu të gabuar e do të binin bashkë me epokën, apo fati i tyre do të vendosej pas ligjesh të tjera, e nga një tjetër verdikt?
Martin Camaj nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi të shkruante kundër sivëllezërve të tij në Shqipëri. Ishte e vërtetë se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë. Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme.
Në vetmi, rrallëherë i kuptuar nga njerëzit, Camaj vazhdonte veprën e tij, duke u përpjekur të ruante dritësimin e saj alpin, qoftë në poezitë, qoftë në prozën e tij. Ishte pakti i tij i pandryshueshëm me artin, me lartësitë e bjeshkëve nga kishte dalë, e ku një ditë shpresonte se do të kthehej.
S’due me qenë si moti i lig,kumtonte në një nga vjershat, duke shpallur kështu kthjelltësinë e fisme mbi pasionet politike, e sidomos mbi mllefet, pa të cilat ishte vështirë të përftohej bota shqiptare.
“Poezia shihet si formulë për ngadhënjimin e tragjikes”, shkruante për veprën e tij poetike studiuesja gjermane E. Glaser. Ai vetë do të sqaronte se “prej letërsisë kam pasë gjithçka, edhe vullnetin për të jetue”. Që nga përmbledhja e parë “Një fyell në male” e vitit 1953, në Prishtinë, e gjer te “Palimpsesti”, i botuar më 1991 në Munih e Nju-Jork, pak kohë përpara vdekjes, shtrihen dyzet vite krijimtarie të pandërprerë poetike. Poezisë së tij, ndonëse e një drejtimi që gabimisht dukej i huaj në letrat shqipe, modernizmit europian, kryesisht hermetizmit, përkundër paragjykimeve shkollareske, i shkon natyrshëm kostumi shqiptar. Arti i madh është njëherësh i kohës e i gjithëkohës. “Këngët e Milosaos” e De Radës, e cila disa vite më pas do të mbushë dy shekuj jetë, na tingëllon po aq e freskët e moderne sot, sa në vitet kur u shkrua.
Në art asgjë e epërme nuk është e përjashtuar, e aq më pak përjashtuese. Kështu janë poezitë e Camajt, romani i shkurtër “Djella”, me shoqërimin poetik, që si një pasqyrë iu hap udhë rreshtave të prozës, veprat e tjera, si “Dranja” dhe “Karpa”, ku në të parën u rrek të sendërgjojë fatalitetin a mallkimin, me fjalë të tjera, të rrokë të parrokshmen e të shprehë të pashprehshmen, tundim jo i rrallë i shkrimtarëve. Ndërkohë në të dytën përpiqet të shkojë edhe më larg, i ndjellë prej një magjistareje lojcake, gjuhës shqipe, prej përdorimit të së cilës, siç thotë vetë: “e kam ndie veten shpesh virtuoz, d.m.th, jam në gjendje të thom shqip gjithçka due!”.
E po kështu vijnë veprat e tjera, si romani “Rrathët”, dy dramat e përkora, për të mbërritur te novelat e gjata, “Pishtarët e natës” dhe “Rrungajat në mars”, ato “fletë të lume” në letrat shqipe, po të përdornim shprehjen e Koliqit, e që ndoshta përbëjnë majën më të lartë të artit të tij.
 .
Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku
Ernest Koliqi, Martin Camaj e Krist Maloku

3.

Në tetorin e vitit 1981, një nga stinët më të zymta të tiranisë shqiptare, rrethanat e sollën të takoj Martin Camajn. Isha i ftuar në Panairin ndërkombëtar të librit në Frankfurt, kur, në mbarim të një konference shtypi, gjatë së cilës iu isha përgjigjur pyetjeve jo të lehta të gazetarëve, m’u afrua një burrë i gjatë e i hijshëm që, me njëfarë mëdyshjeje, më foli shqip: quhem Martin Camaj, a mund t’ju flas? E kisha dëgjuar emrin e tij, madje diçka kisha lexuar prej tij në revistën “Shejzat” të Koliqit, që botohej në Romë e gjendej me vështirësi në Tiranë. I thashë, natyrisht, që mund të flisnim dhe ai shtoi se kishte ardhur enkas nga Munihu për të më dëgjuar.
Një mik i tij shqiptar që e shoqëronte, ka përshkruar vite më pas në shtypin e diasporës ato pak minuta të takimit, kryesisht mëdyshjen dhe shqetësimin e tij se mos, duke më folur, më dëmtonte.
Ishim aty, në atë sallë të zhurmshme, shkrimtarë të të njëjtin vend e të së njëjtës gjuhë, por të largët si dy qenie, më saktë, dy fantazma të planetëve të ndryshëm. Ishim dy Filoktetë, gjithmonë me të njëjtën plagosje të njohur të pashërueshme, njëri që e kishte atdheun, por jo lirinë, tjetri, me liri, por pa atdhe.
Folëm diçka, në vështrim të parë të rëndomtë, por që, me siguri, nuk kishte të bënte me atë çka do të duhej të flisnim. Rreth dhjetë vite më pas, Werner Daum, intelektual dhe diplomat i shkëlqyer gjerman, mik i përbashkët i imi dhe i tij, personazh i dorës së parë në ngjarjet dramatike të Tiranës 1990, më ka takuar në Paris, për të më sjellë ndër të tjera përshëndetje nga Martin Camaj. Me ndërmjetësinë e diplomatit u vendos midis nesh një shkëmbim i përkorë mesazhesh, madje u caktua dhe një takim në Munih, ku do të udhëtoja dy muaj më pas, në mars të vitit 1992, në një forum ndërkombëtar shkrimtarësh.
Ky takim nuk ndodhi kurrë, për shkak të ikjes së tij të parakohshme, pikërisht në muajin mars të atij viti. S’më mbetej veçse, me ndihmën e shoqërueses sime, gazetares së “Frankfurter Rundschtau”, Verena Nolte, që e njihte dhe e çmonte, të kërkoja varrezën ku pushonte, për të vënë një tufë lulesh sipër tij.
Nëpërmjet Werner Daum-it, kisha arritur t’i tejçoj disa mendime për veprën e tij. Por ato ishin tepër të pakta në krahasim me atë çka do të duhej të thuhej. Një pjesë e tyre janë shprehur në këtë hyrje të botimit të veprave të tij të plota, tetëmbëdhjetë vite më pas, e gjithmonë janë pak. Të tjerat e kanë kohën e tyre përpara, atëherë kur vepra e shkrimtarit do të ketë qasjen e saj të plotë të lexuesit, atje ku nis një jetë tjetër e artit të letrave, ajo që përtëritet prore, në pafundësi.
Epokat dhe popujt zakonisht nuk bëjnë gabime në vlerësimin e artit të madh. Edhe kur gabimet ndodhin, nuk janë veçse të përkohshme. Gjithmonë vjen ora kur të vonuarit mbërrijnë dhe të munguarit shfaqen. Kështu kanë për të zënë vendet e tyre Anton Pashku i Kosovës dhe Zef Zorba i heshtur, dhe të tjerë ndoshta, të cilët, prej rastit ose rrethanave, janë penguar diku.
Tiranitë, krahas nervozizmit dhe stuhive kalimtare, janë përpjekur të krijojnë portat e rreme e të gabuara. Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha.
Siç është thënë dikur, De Rada i paharrueshëm, në një përshkrim të natës së p
.
(Marrë nga Vëllimi i Parë i veprave të M. Camaj, Onufri, Tiranë, 2010)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.