back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Prenda Mark Sadiku: Si u arratisa së bashku me at Danjel Gjeçajn, Martin Camajn etjerë.

Gazeta

Prenda Mark Sadiku
Prenda Mark Sadiku

Prenda Mark Sadiku:

Si u arratisa së bashku me at Danjel Gjeçajn, Martin Camajn etjerë.

Auron Tare, me Koliqin e Camajn me një shashkë synoi të godasë një herësh disa zogj.
Krist Malokin, dom Lazër Sheldinë edhe Daniel Gjeçaj (Mark Prela)
i njohur me nofkën “Miku i Maleve” anëtar i Komitetit të Prizrenit.
Madje djallëzia e tij arrin deri aty sa thotë: Nuk di pse Gjeçaj ndryshoj emër
kur dihet se çdo prift kur shugurohet merr një emër meshtarak
të ndryshëm nga ai i pagëzimit…
Për publikun po përcjell kujtimet Prenda Sadik Markut,
dëshmitare okulare e gjallë kësaj arratisje
.
Prenë Markja, kështu e thërrasin dhe njehin Dukagjini si bijën e vet shembullore. Është vajza e fundit e interpretit të njohur të kanunit të maleve tona Mark Sadiku dhe stërmbesa e prijësit historik të Djelmisë së Shalës Mehmet Shpendit.
Prena është një grua shembullore, fisnike si vetë dera e saj, më fort burrë se grua. Sjellja e saj plot mirësi kudo i shkeli këmba, njerëzia, bujaria, zgjuarsia dhe zotësia për punë të vlefshme që i ranë për dore e bëjnë të çmohet e nderohet nga vendlindja dhe nga mbarë shoqëria ku jetoi qoftë në Shqipëri dhe në mërgatën shqiptare te Evropës së lirë. Është 90 vjeç (26 korrik 1930), por nuk njeh pleqni as në paraqitje, as në shëndet, as në shqisa. Prena është dëshmitare e vetme e gjallë e asaj arrtisje të bujshme të At Danjel Gjeçajt, Martin Camajt dhe një çete prej 36 armiqsh politikë të regjimit komunist të Tiranës. Pikërisht për këtë ngjarje e pyeta çikën e Dukagjinit të prononcohet për gazetën “Dukagjini”
.
Pyetje: Që kur e keni njohur At Danjel Gjeçajn dhe në çfarë rrethanash e keni njohur? Përgjigje: Për herë të parë e kam takuar në Rragam të Thethit, në gusht të viti 1948, kur fati na bashkoi një çetë të madhe antikomuniste. Ka qënë ngjarja ma dramatike e jetës për secilin nga ne. Prej tmerrit, për t’i shpëtuar furtunës së kuqe u detyruam, me zemër të plagosur, t’i kthyenim shpinën vatanit . Unë isha vajzë 18 vjeçe, bile edhe e fejueme në shtëpinë e Zef Marashit të Kirit. Vëlleznit Sadiku dhe Gjetoja e kishin nda mendjen të arratiseshin. Kishin dalë në mal kundër regjimit, që në fillim të 1945-ës, ishin dorëzuar dhe ishin burgosur në burgun e Shkodrës. Edhe pasi u liruen po i përndiqnin dhe vetëm burgu i pritte prap shpejt. Një ditë, nga fundi i korrikut 1948, bashkë me nanën çuem nji lopë kryegjaje në Pult. Pasi përshkuem rrugën Kirë-Plan, Qafë Boshit, Pecaj sa kam hy në shpi pa u mbushë mirë me frymë Gjetoja me tha:
-Çohu, bahu gati shpejt se do arratisemi.
-Jo more vëlla! Nuk asht punë për mue. Jam vajzë e ku do të shkoj malit?
-Nuk mund të la mbasi të tretin internimeve dhe të keqtrajtojnë komunistët!
-Jo, jo nuk mund të vij, po nanën ku me lanë?
-Nuk mund të lash nanën apo të fejumin?!
-Mirë pra, më prijë se erdha.
U nisa, ashtu si kisha ardhë nga rruga së bashku me dy vëllezërit Sadikun dhe Gjeton kunatën (nusja e Gjetos Age Vocja) e bija e Voc Dedës së Kirit, Marash Kolën prej Pecajve një burrë i mrekullueshëm, i kulturuem dhe i mirëarsimum pinjoll i shtëpisë zaplotë të Bal Tonës, Prel Markun djalë i Bajraktarit të Shalës së bashku më Zojë Sokolen, e cila ka qënë shtatzanë .
Jemi bashkue me grupin e Nikaj -Mërturit që vepronte në bjeshkë të Vuksanajve e drejtohej nga Nikë Sokoli. Në Rragam u bashkuem më shumë koçakë të tjerë dhe me Mark Prelën (që pati marrë emnin rregullator Danjel Gjeçaj) Me shtëpinë tij të veçueme kishim jo vetëm njohje e dashamirësi, por edhe kumari. Lek Currin, vëllai im Sadiku e kishte kumarë, Mark Prela pra ishte nipi i Lekë Currit. Më kujtohet si sot, masi Danjeli binte në sy si djalë i qetë, i thjeshtë, i sjellshëm e mjaft i pashëm. E dijshëm që më përpara se ishte frat. Aty në mesin tonë ishte i veshun si ne, me pantallona stofi, nji këmishë t’errtë dhe nji xhaketë kadifje të zezë. Kishte nji çantë që mbante në shpinë. Ju përshtat shumë mirë malit pa kurrfarë përçmimi u ba nji me njerëzit e çetës që ishin ma pak o aspak me shkollë.
Vetëm kur ndokush merrte vrull si guraleci në rrgallë, ndërhynte e mirëpeshonte dhe qetësonte situatën. Afër Danjelit rrinte e nuk i ndahej nji djalë fillikat, i gjatë, shtathedhur i urtë që nuk i ndihej zani. Edhe për atë thoshin së është mësues e kishte ikë nga Prekali nga frika e arrestimit. Në mal, mes koçave mësova se qe quhej Maritin Camaj, ishte nga fisi i Temalit që ma vonë u ba ndera e Shqipnisë.
.
Lahutarët malsorë - në mes Gjergj Pllumbi
Lahutarët malsorë – në mes Gjergj Pllumbi
Pyetje: Sa zgjati aventura e arratisjes dhe kush u ndihmoi që të kalonit pa ra në grackën e kufitarëve? Përgjigje: Nga Thethi në Dënell deri në Rragam kemi kaluar natën rrugë e pa rrugë. Jemi ndalë në bjeshkën e Rragamit në mes t’nji pylli të dendun, ku kemi qëndrue afërsisht dy javë. Kemi fjetë në podina ashte dhe lëndina barishtore, afër burimeve ujore të mrekullueshme. Po ç’e do atë ujë të kristaltë kur në bark zorrët na oshtinin nga uria. Kishte aty në lëndina plot bagëti, por mos o zot askush s’ka vu dorë në to. Edhe pse në vulkun e verës natën, kemi vuejt jo pak prej të ftohti. Ishte bjeshkë e naltë, dhe zjarm kishim frikë me nezë se na paditte tymi. Sa binte dielli dilnim e shpiheshim në rreze si dhitë e egra që i çelë drita shkrepave të shkretë.
.
Pyetje: Si jeni ushqye për një kohë kaq të gjatë? Përgjigje. Bukë dhe ushqim çdo buzë mbramje na ka sjellë Ndre Cufa nga Gjelajt e Thethit që dritë i baftë shpirti! Po mos të kishte qenë Ndreu nuk e di si dhe ku do kishim përfundue. Ai na ushqeu me sa kishte mundësi, kuptohet se nuk na mjaftonte, por jeta koçakut njashtu ishte.
Qëndruem kaq gjatë pa kalue pasi kishim frikë se mos do t’na kthenin mbas pala jugosllave. Nga mesi i javës dytë, Ndreu na thotë se ju kanë diktue forcat e ndjekjes. Nuk pritëm ma gjatë, udhëtuem natën pa hanë për kapërcimin e kufirit madje pa e ditë mirë se a jemi në tokën tonë apo jugosllave. Prej Vuthajsh zbritëm në Guci. Kapiten Gjon Destanisha, Nikë Sokoli, Marash Kola, Pal Ceka ishin drejtuesit e grupeve. Unë kam ecë hap mas hapi me Sadikun dhe Gjeton. Nuk pranova të rrija ka fundi i karvanit. Vllaznit ishin të dy të armatosun e po të kristë pushka doja të isha në krah të tyne e gjallë a e vdekun. Isha nisë për mos m’u kthye mbrapa e gjallë. Kur kisha lanë mas nanën dhe këputë fillin e fatit martesor s’e kisha ma problem për asgjë. Ka deshtë zoti dhe me shumë sakrifica kemi kalue kufirin shnosh e mirë dhe jemi ndalë në nji vend që quhej Za Stan. Këtu jemi ndalue nga forcat jugosllave, Gjetoja, vëllai që dinte serbisht ka shkue vetë i dyti dhe u ka tregue autoriteteve se kush jemi, sa jemi dhe pse jemi arratisë. Në Guci na kanë shoqnue me forca policore dhe strehue kolektivisht në nji objekt tip magazine. Na kanë dhanë miell kallamoqi me zije kaçamak. Vat Marashi i Shoshit që i vinte dora për gatime ma mire se çdo stajanice gatoi plot nji kazan. Për fatin tonë jo të mirë kazani që na dhanë kishte pas vajguri dhe gjithë mundi Vatës i shkoi kot, ndërsa Danjel Gjeçaj, duke qeshë thoshte:
Bini burra n’kaçamak/ Hani shumë e leni pak
.
Pyetje: Si vazhdoi aventura juaj në Jugosllavi dhe ma tej? Përgjigje: Të nesërmen nji bijë nga Lekajt e Shalës, e martueme në Guci na ka pru tri bukë kollomoqi e djathë. Nikë Sokolin e Btoshës bashkë me të nipin e kanë futë menjiherë në burg, ne tjerët ishim të gjithë me roje dhe në mbikëqyrje nga sigurimi jugosllav. Unë me vëlleznit, kunatën, Danjel Gjeçajn gjetëm strehë te Vocërr Bala i Shalës që kishte emigrue para lufte në Guci, Vocrri ishte daja i Ambroz Martinit xhakue nga Thethi, shok i ngushtë i At Danjel Gjeçajt. Pas 12 ditësh na kanë thanë: Ngrehuni se do lëvizni nga këtu. Na hipën n’nji vagon, ishim të rrethuem me roje e ushtarë. Na kapi paniku se mos pa na kthenin në Shqipni.
Në mesin tonë kish ra nji hije si morde. O me gojë, o me mend thonim – Eh kaq e pat, mbaruem të tanë. Kur mbas nji kthese të gjanë e kur lokomotiva ndryshoi drejtim, vëllai Gjeto që kishte qenë në Jugosllavi e kuptoi se në ç’drejtim po lëviznim na e dha sihariqin.
-Qebesa pshtuem. Treni po lëvizë drejt Podgoricës! Si dielli që zbon mjegullën nga kreshtat plisbardha, njashtu u skjarën fytyrat tona. Nga gëzimi shpërtheu kanga e gjatë majakrahut sikur t’ishim në maje të Arapit. Ndërsa shumica këndonin si me qenë dasmorë në një ndenjëse më vete Danjel Gjeçaj lutej e thoshte uratë për ne! Në Jugosllavi me At Danjelin kam qëndrue plot dy vite. I kam la rrobat e shërbye si vllazënve të mi. Në vitet e para të qëndrimit në Jugosllavi ka punue fort e pa fjalë me punë fizike për hapje traseje e shtrim rrugësh.
Mbas punës së lodhshme të gjithë shtriheshim e pushonim në do dyshekë pambuku të shtrirë direkt në dysheme prej drrasash, ndërsa Danjeli lexonte libra se nga i gjeti s’e di dhe shkruente ne disa fletore shkollore.
.
Pyetje: Nga kampet e punës në Jugosllavi At Danjeli gjeti udhën e shumdëshiruar të meshtarisë dhe të studimeve elitare. Ju dhe vllaznit fati u çoi në tokat franceze si ndodhi kjo zgjodhët vetë apo ju dërguan spontanisht? Përgjigje: At’ Danjeli, Martin Camaj, po edhe Ambroz Martinin, Lin Delinë që gjetëm atje ishin njerëz të letrave të ditunisë dhe mbas sakrificave të para gjetën ma lehtë rrugën e fillimit të jetës së re në fushën e ditunisë. Për ne ishte ndryshe, na u desh të punojmë, të lodhemi, të djersitemi dhe të integrohemi me dinjitet në nji shoqëri dhe shtet që nuk e kishim pa as n’andrra. Nuk ka qenë në dorën tonë përzgjedhja se ku do të jetonim, por mue dhe familjes time dhe disa të tjerëve na ra për hise Franca: Danjel Gjeçaj shkoj në Romë dhe bani emën në gjithë mërgatën shqiptare të diasporës. Ai asht aq i madh sa unë nuk mundem me dhanë vlerësime, as për studimet, as për librat, as përkthimet e tij. Jam fiks 90 vjeçe dhe në jetën teme nuk kam pa shqiptar ma të njerëzishëm, ma gojëmjaltë e mirënjohës. Nuk them se e kam e dashtë ma shumë se vllaznit e mi, por prej tyne nuk kam dijtë me e nda. As vitet që rrjedhin si lumë, as largësia dashamirësinë, dhe respektin familjar nuk e ka zbehë kurrë për kët njeri të mirë. Sa herë ka ardhë në Francë, s’ka ikë pa bujtë te ne ose te Marash Kolë Hajdari të cilin e kishte mik buke, këndimesh, shkrimesh e ditunie. Na ka dërgue sa e sa letra tue na pvetë për çdo hall. Kur ashtë takue me Padër Gjon Palin e II-të, më ka dërgue me dedikim fotografinë që kanë pozue sëbashku, të cilën e ruaj si nji nga dhuratat më vlera që disponoj. Gjithmonë m’ka thanë motër.
Nga respektit që kishte për t’paret e mi, më ka vlerësue edhe ma tepër se e meritoja prandaj më thoshte: “Moj Prenë, ti bija e Mark Sadikut, mbesa Mehmet Shpendit edhe çika tanë Dukagjinit!” M’ka ftue disa herë për festat e lumnueshme të Krishtlindjes. Një rast mbasi kam dalë në pension për 15 ditë më shoqnuen në të gjitha kishat kryesore të Romës. At Danjel Gjeçaj asht i pari shqiptar që ka shkrue nji libër për “Mehmet Shpendin e Mark Sadikun” e Shalës. Ky libër i ban nder jo vetëm familjes time, por Dukagjinit dhe historisë. Ket njeri me hire shejti, pata fatin ta njof në ditët ma të vështira e ma të begata të jetës! Lum Kisha, Dukagjini dhe Shqiptaria qe të pati Lumja unë që t’pata vëlla!
.
Botuar në gazetën Dukagjini Nr. 197 mars 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.