back to top
0.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kosovës – Poezi nga Arshi Pipa – (Libri i Burgut)

Gazeta

Arshi Pipa (1920-1997)
Arshi Pipa (1920-1997)
 
Në prandverë të vitit 1955, nji grup studentash të Lyceut të Tiranës,
u arrestuen për arsye se kishin guxue të mbrojshin hapur Kosovën
si nji pjesë të pandashme të Shqipnisë ethnike.
Lyrika ne fjale asht shkrue disa kohë mbrapa.
Arshi Pipa – Libri i Burgut
.
Kosovë 1942
Kosovë 1942

Kosovës

Poezi nga Arshi Pipa (Libri i Burgut- 1955)

Vllazën shqiptarë, Kosova asht e jona.
Kush me e përmend guxon, ai ban tradhti!
O kob që s’do të harrohet kurrë tevona!
Kosova e ngratë dergjet e vdes n’robni.
 
Prej bastardhësh qi i zhgulën zemrën
e n’pré ua hodhën klyshve që Moskova
për gjak ndërsen, me prazmën shkelë nën thembrën
mizore sllave, po jep shpirt Kosova.
 
Deri kur vllazën, do ta ndjejmë ne veten
fajtorë pse vendin ku Shqipnia leu*
Guxojmë ta duem, tue pasun frikë fatshkretën
Kosovën tonë ta quejmë gjymtyrë atdheu?
 
O tokë e bukur ku fjala burrneshë
ilire ushton qysh me mjegull gojdhane!
Gjoks i Shqipnisë, ku e ndryme si luaneshë
ndër hekura gjëmon zemra dardane.
 
A mundet ajo, vallë me u zhgulun dejsh
pa ba kufomë llogoren e krahnorit?
Lumninë tande Kosovë, at’herë ta rrfejsh
kur gjaku i lirë t’vadisë hullin e plorit.
 
Sot tjetërkush ta gzon frytin e punës
mbi tokën tande, kosovar, je skllav!
Ta shof përgjakun, heu, vulën e dhunës,
që t’la mbi vetulla kamxhiku sllav!
 
Qoftë e mallkueme fara qi aty hidhet
me djersë e njomun pleqsh, me lot kërthinjsh!
Bukën e turpit e t’poshtnimit t’idhët
o vend martyr, der kur do ta kapërdijsh?
 
Qenka pra faj me lypë të drejtën tande?
Dorën për lmoshë duhet me i shtri kusarit?
O gjuhë, ti banu rrfe e tmerrin trande!
Do t’vijë, do të vijë nji ditë ora e shqiptarit!
 
Mbas nesh tjerë kanë me ardhë. S’fiket Shqipnija
pse disa qindra nesh rrzohen nën plumbin.
Se për çdo dhjetë prej nesh qi amshon lirija
dhjetë mijë do të lindin e dhjetë mijë do t’humbin!
 
Do të humbin shqim ata që sot na shtypën!
Kulshedra e re me lakmitë e vjetra
at’herë do të shemben kur ta shofin shqypen
prej majesh tu’e sulmue me sqep e kthetra.
 
Andej na priret shpirti i fortë me hove
t’dalldisuna ngadhnjimi, ushton jehona:
O vllazën, nalt ju ballin! Prej Kosove
der n’Çamëri – Shqipnia asht gjithë e jona!
.
*Në Prizren, më 1871, u mblodh Lidhja Shqiptare, qi hodhi themelet e Shqipnisë së rilindun. Në Manastir, më 1908 u mbajt Kongresi që vendosi alfabetin e soçëm shqip. Kosovarët qenë të parët që u ngritën kundër shtypjes së Turqëve të Rij.

Mjafton të përmendet ktu Lufta e Kaçanikut dhe marrja e Shkupit nga kryengritësit shqiptarë në 1912.
.
 
 
 
 
 


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.