back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Duke medituar për Camajn, Koliqin, Fishtën… nga Ernest Marku

Gazeta

Ernest Marku
Ernest Marku

Duke medituar për Camajn, Koliqin, Fishtën…

nga Ernest Marku

Kardinal Ernest Troshani, nuk është i pari. As Kardinal Mikel Koliqi, nuk ishte. Ka qenë gjithmonë një kardinal me mjekër në Kurien e Shenjtë Romake. Që nga fundi i shek. XV, nuk ka munguar asnjëherë. Ky është kardinali që përfaqëson Urdhërin e Shën Bazilit në Italinë e Jugut, urdhër që është gjithë çfarë ka mbetur nga Kisha Unite, e cila lulëzonte dikur në Arbërinë e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Ç’është kjo kishë? Pse nuk flitet për të? Pse dokumentet bizantine heshtin për historinë e Skëndërbeut? Ç’rrezik përbënte kjo kishë për ortodoksinë? Çfarë besimi i përkiste Gjergj Kastrioti, i ashtuquajturi Skënderbe? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë shumë të ndërlidhuara me njëra-tjetrën, si dhe na nxisin të ndjekim fillin e një dikutimi që vjen deri në kohët tona.
.

Historia

Dy janë momentet historike që hedhin dritë mbi ekzistencën e Kishës Unite. I pari është rasti i njëqind ushtarëve katalanas, që vijnë në Krujë në mbështetje të Skënderbeut. Në letrën e parë, shkruar para se ushtarët të niseshin për në Arberi, kapiteni i tyre, pyet nëse është nevoja të marrin prift me vete. Me sa duket, iu dha informacioni se po shkonin në një zonë katolike dhe për pasojë, nuk ishte nevoja të merrnin prift me vete. Mirëpo, në letrën e dytë, po ky kapiten, shkruan nga Kruja: “Na dërgoni urgjentisht një prift. Këta thonë se janë katolikë, po një Zot e di se çfarë katolikësh janë…!”
Momenti i dytë, është në kohën e kryqëzatës së thirrur nga Papa Piu II, humanisti italian, Enea Silvio Bartolomeo Piccolomini. Skënderbeu, sapo kishte nënshkruar një armëpushim 10-vjeçar me Sulltan Mehmetin dhe s’kishte asnjë interes ta prishte. Megjithatë ai e prishi dhe sulmoi Beratin, kurse Papa vdiq në Ankona disa ditë më pas. Historia flet qartë se si dështoi kjo kryqëzatë dhe se si humbi Skëndërbeu shtatë nga kapedanët më të mirë, duke dështuar ta merrte Beratin por edhe duke rrezikuar një humbje totale. Ajo që më intereson mua, është vetëm një çështje: “Ç’ishte ajo arsye që e shtyu Skëndërbeun të hynte në këtë valle?” Pas kësaj ngjarje, ai nuk do të ishte më ai i pari. Zotërimet e tij erdhën duke u rrudhur, humbi shumë kështjella dhe pothuajse rrinte nëpër male. Më 1466, kapiteni venedikas që po organizonte mbrojtjen e Krujës nga osmanët që po vinin drejt saj, nuk ia hapi derën Skënderbeut që të hynte në kështjellë. Disa muaj më vonë, siç dihet, ai vdiq në Lezhë, ku kishte shkuar, në një përpjekje të dëshpëruar për të ringjallur Lidhjen e Princërve Arbër, të themeluar 25 vite më parë.
Në atë kohë, nuk është se kishte një ndarje të qartë midis katolicizmit dhe ortodoksisë. Shumë princër apo mbretër në Ballkan, kalonin nga njëri besim te tjetri; po ashtu edhe papët e Romës, nuk reshtën kurrë negociatat me Kostandinopojën. Më 1437, nisi punën Koncili i Firences, në të cilin do të merrte pjesë edhe Kostandini XI, Perandori i fundit Bizantin. Ky koncil vendosi bashkimin e dy besimeve dhe njohjen e Papës si Vikar i Krishtit në Tokë, mirëpo, kur perandori u kthye në Kostandinopojë, ndeshi në kundërshtimin e fortë të bashkëqytetarëve të tij, të cilët ishin nxitur nga patriaku ortodoks i asaj kohe. Ortodoksët e Bizantit e kishin më të lehtë të pranonin çallmën e Sulltanit, se sa tiarën e Papës. Dhe më 1453, Mehmet Fatihu, e mori Kostandinopojën duke e kthyer katedralen e Shën Sofisë në një xhami. Kisha Unite, e cila mbështetej nga Skënderbeu, ishte shpresa e fundit e papëve të Romës, për unifikimin e besimeve të krishtera.
Ja pse ka diskutime të shumta, nëse Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i përkiste besimit katolik apo atij ortodoks! Ai mbante pranë vetes si bashkëpunëtorë ipeshkvinj e prelatë katolikë, si i mirënjohuri Pal Engjelli; por nga ana tjetër, në Krujë qëndronte edhe një peshkop, i cili i drejtonte besimtarët e tij sipas ritit ortodoks, ndonëse njihte Papën si mëkëmbësin e Jezu Krishtit në Tokë. Ky ishte edhe thelbi i Kishës Unite: riti ortodoks dhe njohja e paritetit të Papës. Pranimi i Papës, në fakt, e bënte atë pjesë të Kishës Katolike, pasi “katolike” do të thotë “universale”. Në vitet 1462-1463, Skëndërbeu u përfshi nga ëndrra e Papa Piut II, për çlirimin e Kostandinopojës dhe dhënies fund të shizmës ortodokso-bizantine. Nga kjo ëndërr dhe nga kjo Kishë Unite, ka mbijetuar vetëm Urdhri i Shën Bazilit, i cili u themelua në Italinë e Jugut, mes shqiptarëve të vendosur atje, kryesisht pas vdekjes së Skënderbeut, ndonëse shqipatët e Moresë, kishin nisur të vendoseshin atje që rreth mesit të shekullit XIV. Ja pse kronistët bizantinë, janë përpjekur ta lënë në harresë emrin e Skënderbeut dhe atë të Kishës Unite.
.
Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike, diplomatike.... Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi. At Gjergj Fishta dhe Asdreni.
Katër gur themeli të binasë sonë kombëtare,
qytetnuese, letrare, politike, diplomatike….
Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi – Gjergj Fishta dhe Asdreni.

B-të e shqipes, misionarët françeskanë dhe jo vetëm

Marin Barleti, Gjon Buzuku, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani… Të gjithë shqiptarë katolikë! Pa këta emra, s’kemi çfarë të flasim për letërsi shqipe në shek. XVI dhe XVII. Pastaj vjen shekulli i errët, ai i XVIII, ku mund të mburremi vetëm me letërsinë e bejtexhinjve. Barleti shkruante latinisht, po ku ka më shqip se “Historia e Skënderbeut”. Buzuku qe i pari që i hyri kësaj rruge me guxim, ndonëse Pal Engjelli e kishte shkruar një formulë në shqip, mbi një shekull më parë. Bardhi përpiqet ta rreshtojë shqipen bashkë me gjuhët e tjera simotra të Europës, pa harruar të shpërthejë në një publicistikë historiko-analitike mjaft pestigjoze, kur tentojnë t’i prekin Skënderbeun, Heroin Kombëtar të Shqiptarëve. Te Budi, kemi ndoshta provën e parë, që edhe shqipja mund të të mrekullojë me bukuritë e saj, kur muza poetike frymëzon pendën e një mjeshtri. Bogdani pastaj, është një kulm më vete, është një mal, pas të cilit pllakos një errësirë mbi njëshekullore.
Ata që do ta çanin këtë errësirë, janë jezuitët në misionet e tyre shëtitëse si dhe prefekturat françeskane. Këta nuk ishin shqipëtarë, po italianë, kroatë, gjermanë, boshnjakë etj. Vetëm Leonardo de Martino ishte arbëresh. Ai ishte i pari që provon të shkruajë drama në shqip, pasi për poezi, letrat shqipe kishin njohur edhe Pjetër Zarishin, që ishte prift dioqezan. Ndoshta duhet të përmendim edhe benediktinët, që ishin pararendës të fretërve minorë. Falë këtyre dy urdhërave të Vatikanit, kemi sot katolikë në Shqipëri dhe falë disa pinjollëve të dalë nga këto treva katolike, apo nxënësve të dalë nga Kolegji Françeskan në Shkodër, apo sivllau i tij, Kolegji Saverian i Jezuitëve; letërsia dhe kultura shqipe ka me se të mburret. Ja si shprehet At Amato da Luka, në mesin e shek. XIX, në një letër për gjeneralin e Urdhërit Françeskan në Romë: “Katolikët shqipëtarë, janë të denjë për të gjitha lavdërimet, sepse kanë qëndruar të tillë nën një qeveri me të vertetë tiranike, sidomos ndaj të krishterëve; duke u trajtuar si skllevër të vërtetë të osmanëve, në mes të të cilëve u duhej të jetonin…”.
Shekulli XX pastaj, do të sillte një plejadë të tërë, shkrimtarësh dhe artistësh, nga rradhë e shqiptarëve katolikë, me një kontribut të pazëndësueshëm në kulturën shqiptare. Mjaft të përmendim Fishtën, Mjedën, Nikajn, Abat Doçin, Gurakuqin, Prendushin, Palajn, Kurtin, Koliqin, Camajn, Pashkun, Harapin, Sirdanin, Rrotën, Gazullin, Shllakun… Edhe Konica ka ndjekur Kolegjin Saverian, në rininë e tij. Aleksander Xhuvani, vinte nga Elbasani në Shkodër, për të marrë pjesë në Komisinë Letrare. Në kongresin e Manastirit konkuronin tri alfabete, të cilat mbroheshin nga një frat, një prift jezuit, kurse i treti nga Mid’hat Frashëri. Mjeda dhe Fishta, me atë që bënë në atë kongres, i vunë vulën alfabetit që kemi sot, ndonëse të ndihmuar edhe nga rrethanat historike që pasuan. Vetëm Noli, i cili shkëlqeu si pasojë e edukimit të vet skrupuloz, Vëllezërit Frashëri që ishin një tjetër diell i shqiptarisë, Lasgushi, Kuteli apo Çabej e ndonjë tjetër që u shkolluan në shkollat austriake të kohës; mund të krahasohen për nga niveli, me produktin kulturor të Shkodrës së katolikëve shqiptarë.
Ajo që është për t’u vlerëruar në gjuhësi, etnografi, histori, pikturë, letërsi etj., në Shkodrën e viteve të diktaturës, por edhe më gjerë; ose është produkt ish-nxënësve të shkollave françeskane apo jezuite, ose vjen nga bijtë apo familjarët e ish-oficerave të sigurimit të shtetit, të cilët ranë në kontakt me librat e pabotuar të fretërve. Për këta të fundit, At Konrad Gjolaj na jep një listë goxha të gjatë dhe me emra të mirënjohur.
.

Katolikët shqiptarë të shek. XXI

Po t’i referohemi Kadaresë, katolikët shqiptarë ishin një popullsi autoktone, me një peshë e rrezatim vertikal kulturor, pa të cilën nuk mund të kuptohej ky komb. Këto rreshta, kombinuar me të vërtetën historike, mund të përkëdhelin sedrën e një katoliku shqipëtar, edhe kur është mendjehapur dhe erudit. Por, deri këtu! Të kalosh në ekstazë e të biesh në dashuri me identitetin tënd, pa vënë personalisht asnjë gur, sado të vogël, në murin e kulturës apo të historisë, nuk është gjë tjetër vetëm se një patetizëm i sëmurë, që, nëse nuk është për t’u shëruar, të paktën është për t’u mëshiruar. Nuk ka asgjë më boshe se sa krenaria që nuk ndërtohet mbi arritje personale.
“O sa mirë me kenë shqiptar”, “Lum na që jena katolikë” apo: “Vllaznia zemra jonë”; mund të jenë thirrje të bukura për në stadium, kishë apo altar; por, kushdo që pretendon të na argumentojë vërtetësinë e këtyre parullave, ose është delirant i pashërueshëm, ose më keq akoma, nuk i beson as vetë ato që thotë. Të pretendosh se i ke rezistuar pushtimit osman, pse ke arritur të ruash besimin katolik, kur, në të njëjtën kohë, ke ngritur strukturën shoqërore të bajrakut, me imponimin e Perandorisë Osmane; në mos qoftë verbëri arsyetimi, është mendje e sëmurë nga patetizmi, apo e nxitur nga interesi i gërgasit. Nuk po flas për kanunet e kodet, pasi ato janë thelbësisht shqiptare, edhe pse me ndikime të forta nga e drejta romake. Nuk po flas as për familjet princërore shqiptare, as kur këto u përshtaten në kushtet e reja të imponuara nga pushtimi, pasi ata janë princat tanë dhe nuk ka histori të lavdishme pa princër të lavdishëm. Po flas për struktura sociale e ushtarake, me atë të të cilave, Perandoria Osmane kishte ndërtuar skemën e kontrollit të këtyre territoreve.
Vitet e Diktaturës së Proletariatit, i dhanë një goditje të fortë traditave tona të besimit e të normave të bashkjetesës shoqërore. Njeriu i ri, produkt i propogandës së dikaturës, u ndje i braktisur nga idhujt e rremë, në fillim të viteve ’90 dhe në prag të shekullit të ri. Këta njerëz, janë viktima për t’u mëshiruar, por, kur disa prej tyre, zëvendësojnë idhujt e rënë me patriotizmin butaforik apo me “krenarinë e të qenit katolik”; atëbotë ata kthehen në qesharakë, për të mos thënë edhe në delirantë të rrezikshëm. “Nazizmi vdiq, – thotë Berthold Breht, – por mitra që e lindi është akoma e gjallë”. Si mund të flitet për 3000 vjet qytetërim të pandërprerë, në një qytezë që nuk ka as 20 vjet që ka ndërtuar trotuarin e parë, apo që nuk arriti dot të ruante një bibliotekë nga shkatërrimi.
Të jesh sot intelektual, përfaqësues i bashkësisë së shqiptarëve katolikë, është një përgjegjësi aq e rëndë, sa nuk ka vend as për krenari boshe e madje, as për përkëdhelje sedre. Të çosh përpara, atë traditë historiko-kulturore që përmendëm në pjesën e dytë, kërkon veçse përkushtim të pashembullt e përvujtni të pashoqe. Duhet derdhur shumë kile djersë, për të merituar një gram kreni. Nëmos, heshtni e mos na bani me marre.
.
Martin Camaj & Ernest Koliqi
Martin Camaj & Ernest Koliqi

Hakmarrja e diktaturës

Që një grusht katolikësh, rreth o rrotull e brenda Shkodrës, kanë arritur të krijojnë një produkt kulturor, që ua errëson sytë zbriturve nga mali me lugë në brez e bijve të tyre, apo dhe anadollakëve të shpërndarë andej-këtej Shqipërisë, kjo nuk do as mend as kalem. Por, që të guxojnë të përballen intelektualisht me këto vepra, nuk e kanë parë dot një skenar të tillë, as në ëndrrat e tyre më të bukura, Atëherë, çfarë mbetet? Mbetet “goditja poshtë brezit”. Ky term i huazuar nga rregullat e boksit profesionist, e përcakton më mirë çdo gjë tjetër, faullin teknik të pseudostudiuesve, që nuk iu janë tharë akoma lotët për rrëzimin e Diktaturës së Proletariatit.
Janë përpjekur ta bëjnë këtë gjë edhe me Fishtën. Kurse tani po tentojnë ta bëjnë me Koliqin e Camajn. Ani! Vetëm pema me kokrrra gjuhet me gurë. Kur Koliqi kishte marrë propozimin për t’u bërë Ministër i Arsimit, në qeverinë e kryesuar nga Mustafa Merlika (Kruja); siç tregon ai në kujtimet e veta, kishte shkuar të konsultohej me Fishtën për këtë propozim. Patër Gjergji, pa e mbaruar tjetri fjalinë, i kishte thënë: “Me shkue”. Mirëpo, Koliqi, i shqetësuar për faktin se si do ta merrnin bashkëatdhetarët e tij këtë akt, kërkon një vendim më të pjekur e më të studiuar. Fishta e kishte ndërprerë përsëri, duke i thënë: “Me shkue, se kushdo tjeter qi t’shkoje, ka për t’ba ma keq se ti… për shqiptarët!” Ky është një arsyetim e një logjikë, që vjen prej një personaliteti, i cili nuk e ndan dot veten nga kombi; ai nuk mund të fshihet e të shpëtojë emrin e vet, sa kohë që kombi ka nevojë për të, qoftë edhe duke sakrifikuar emrin e vet. Kujtesa popullore ruan edhe një anekdotë mbi motivet e pranimit e titullit të akademikut nga Fishta. Thuhet të ketë thënë, pak a shumë: “N’kyt moshë qi jam, s’mund t’i baj kombit tjetër shërbim, veç se t’i fali nji akademik… Edhe pse e dij se kan me m’sulmue, posaçe ndoj toskë me mendje prej Rusije”. Nga e njëjta “shkollë” mendimi vinte edhe Patër Anton Harapi, i cili, disa vite më vonë, kur do të pranonte të bëhej anëtar i Këshillit të Regjencës në kohën e pushtimit gjerman, do të deklaronte: “Ma mirë t’thonë: gabove, o Atë!, sesa: Ku ishe, o Atë…?”
Të gjithë e dimë se ç’bëri Koliqi nga posti i Ministrit të Asimit, me shkollat shqiptare që u hapën deri në Mitrovicë. Kurse Fishta i detyroi italianët të ndërtonin rrugën Lezhë-Kallmet-Troshan-Nënshatë-Vau u Dejës, rrugë e cila ruhet e padëmtuar edhe sot e kësaj dite. At Zef Pllumbi, në kujtimet e veta, tregon se si Fishta t’u jetë drejtuar fretërve të rinj me këto fjalë: “…Por unë ju premtoj ju, se kurrën e kurrës, nuk do ta ul përpara të huajve, rodin e shqiptarit. Me të vërtetë që sot ata na kanë okupuar, si dikur Roma Ilirinë; por unë në konferencat e mia, do t’ua përsëris italianëve pa pushim; se vërtet Roma dikur e ka patur namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhenj ilirë, ishin ata që kishin në dorë fatet e Perandorisë Romake. U bëj edhe një premtim tjetër; sapo ato konferenca të përfundojnë dhe gjashtë muajtë të kalojnë, siç e kërkon rregullorja; unë menjëherë, do të kërkoj të vi në Shqipëri”. Dhe Fishta vdiq në Shqipëri, diçka më shumë se një vit më vonë. Ajo që bënë me eshtrat e tij, të zbriturit nga mali më 1944, nuk është as më pak as më shumë se ajo që po kërkojnë të bëjnë bijtë e tyre me Ernest Koliqin e Martin Camajn.
Nëse pastaj, do të hymë të diskutojmë për vlerat letrare të Fishtës, Camajt, Koloqit etj., nuk më bëhet të shkruaj gjë tjetër për “arkeologët” e arkivave, përveçse të përifrazoj Fishtën:
“… Hajde, hajde, Ali Dërvella/ po kush t’shtini n’kto punë t’kthella?!”.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.