back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Esat Mekuli (1916-1993) – Jeta dhe vepra – nga Flamur Gashi

Gazeta

Esat Mekuli
Esat Mekuli

Esat Mekuli (17 dhjetor 1916 – 6 gusht 1993)  jeta dhe vepra

nga Flamur Gashi

Në kujtim të, poetit të parë të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore;
një nga themeluesit e “Universitetit të Kosovës”, “Bibliotekës së Kosovës”,
“Institutit Albanologjik të Kosovës”;
kryetarit të parë të “Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës”;
nismëtarit, themeluesit dhe kryetarit të parë të
“Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”;
themeluesit dhe kryeredaktorit të revistës së parë letrare në Kosovë “Jeta e re”,
.
Esat Mekuli - 100 Vjetori i Lindjes
Esat Mekuli – 100 Vjetori i Lindjes

Akademik Esat Mekuli (17 dhjetor 1916 – 6 gusht 1993)

Esat Mekuli lindi në Plavë, më 17 dhjetor 1916, dhe vdiq në Prishtinë, më 6 gusht 1993.
Familja e tij në Plavë kishte ardhë nga fshati Nokshiq.
Babai i Esad Mekulit, edhe pse ishte hoxhë, fëmijët e tij i orientoi në shkollim jofetar.
Esad Mekuli, shkollën fillore e kreu në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm – gjimnazin e filloi në Pejë, për ta vazhduar pastaj në Prizren e Sarajevë, ndërsa e përfundoi në Pejë në vitin 1936.
Menjëherë pas kryerjes së shkollimit të mesëm u regjistrua në fakultetin e veterinarisë në Universitetin e Beogradit, të cilin e vazhdoi në më pastaj në Zagreb e në Itali.
Në këtë fushë, ai edhe doktoroi në Beograd në vitin 1959.
Si nxënës i shkollës së mesme, por edhe si student dëshmoi se është përparimtar dhe çdo herë gjendej në rrethin e atyre që e kritikonin regjimin e kohës. Pikërisht për këtë ai ndërroi shumë shkolla të mesme dhe fakultete. Madje edhe mjaft shpesh u burgos. Tri herë është burgosur, dhe ka rënë në duar të famëkeqit Kosmajc – shef i policisë.
Më së vështiri e ka pasë kur ka kundërshtuar marrëveshjen për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi.
Esad Mekuli ishte aktivist i dalluar dhe bartës i jetës kulturore të studentëve.
Në Beograd ishte edhe redaktor i fletorës “Beogradski student”. Në këtë sferë siç ka thënë vetë, si gjimnazist ka shkruar romanin “Vendeta” – hakmarrja”, për të damkosë këtë të keqe në mesin e shqiptarëve. Pastaj ka shkruar punime sociale në revistat e ndryshme, si: “Venac” – Beograd, “Mlladost” – Zagreb, “Podmladak jadranske Staze” – Split, “Granit” – Podgoricë, “Novi Behar” – Sarajevë, “Student” – Beograd e të tjera.
Në këto revista ka shkruar në gjuhën serbe, dhe çdo herë ka shkruar për popullin e vet – shqiptarët, të cilët i ka mbrojtur kur të tjerët i kanë akuzuar.
Si student përparimtar, ai u burgos në vitin 1940, dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941.
Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942, e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali.
Në fund të vitit 1943, ai iu bashkua aradhave partizane dhe ishte redaktor i gazetës ilegale partizane “Lirija”.
Edhe pse shkencëtar, Esad Mekuli, punës krijuese nuk iu nda kurrë. Ai pas Luftës së Dytë Botërore, punoi punë të profesionit të vet, por ishte edhe redaktor në gazetën e vetme shqipe “Rilindja” e pastaj themeloi revistën letrare “Jeta e Re” ku arsimoi gjenerata të tëra të letrarëve, të cilët edhe e pagëzuan si “Bard të letërsisë shqipe në Kosovë e më gjerë.”
Esat Mekuli shkroi dhe bashkëpunoi me shumë gazeta e revista shqipe, si: “Rilindja”, “Zëri i rinisë”, “Fjala”, “Pionieri”, “Përparimi”, “Shëndeti” në Prishtinë, “Flaka e vëllazërimit” të Shkupit dhe me ato në gjuhën serbe: “Jedinstvo” e “Stremljenje” të Prishtinës, “Borba”, “Politika”, “Književne novine”, “Mostovi” të Beogradit, “Pobjeda” dhe “Stvarenje” të Pdgoricës, “Bagdalla” të Krushevcit, “Republika” dhe “Forum” të Zagrebit.
Pos shkrimeve kryesisht në poezi, Esad Mekuli ka përkthyer nga gjuha shqipe në serbe dhe anasjelltas.
Esad Mekuli ka meritë të veçantë për botimin e tregimeve dhe romanit, “Gjarpijt e gjakut” të Adem Demaçit, në revisten letrate “Jeta e Re”, të cilën e kishte redaktuar për shumë kohë.
Ka përkthyer në shqip rreth 18 vepra të të gjitha gjinive lerare.
Poezitë e Esad Mekulit janë përkthyer në gjuhën serbe, maqedone, hungareze, kroate, italiane etj.
Punimet e tij janë prezantuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe, por edhe në shumë antologji botërore.
Esad Mekuli ka shkruar edhe me pseudonimet Sat Nokshiqi dhe Sat Hoxha.
Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.
.
Esat Mekuli (1916-1993)
Esat Mekuli (1916-1993)

Veprat letrare

“Për ty” – Prishtinë, 1955, 1963, 1967
“Dita e re” – poezi për të rinj, Prishtinë, 1966
“Avsha Ada” – Prishtinë, 1971
“Vjersha” – Prishtinë, 1973
“Brigjet” – Prishtinë, 1981
“Rini e kuqe” – Prishtinë, 1984
“Në mes të dashurisë dhe urrejtjes” Tiranë, 1986
“Dita që nuk shuhet” – Prishtinë, 1989
“Qëndresë urtësie” – ASHAK, Prishtinë, 1996
.

Popullit Tim

Deshta, shum’ kam dasht-dishrue
që me këng të trimnoj, me fjalën tënde të ndrydhun
të ngrej fuqitë prej gjumit…
Këndova (dhe kur m’ishte ndalue)
se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun.
Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhun’,
n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti,
mbi forc’ të bashkimit mbarë:
mbi vrullin tand të mshehun
– unë, biri yt dhe – poeti.
Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi,
ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë –
pse për liri – me tjerë
ke dhanë dhe ti
djers’ e gjak si etnit.
Kam dhanë, i dashtun… Dhe sot, në liri –
kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa
pranga mbeti,
me ty këndoj mbi fuqinë e ngjallun nën yllin që na prì
– unë, biri yt besnik dhe – poeti.
.

Shqiptari këndon

Shekujt mbi ne
e në ne
e mbushen jetën plot vnerë*-
që pezme
e zjarri kryengritës
ndër zemrat tona m’u ngri,
që njeriu mos të jetë-njeri:
emri te na zhduket përherë.
Qemë-o njerëz po robe;
pa bukë, liri n’usdajë,
në vatrën tonë
pa shtëpi
në plangun tonë
argatarë!
Qemë-turq, dreqën me bishta,
Qemë-raje
që t’hiqet në vargoj
të mjerimit
të përbuzur-shiftarë**!
qemë…
por koha-luftë
shëron varret çdo ditë:
mbas natës së errët
të shekujve –
hap krahët koha e re…
Po, jemi gjallë!
Dielli dhe për ne shndërit…
.

Mbramja

Si tufa mëndafshi t’artë në të kaltërtën shami,
n’mes dy duersh t’bardha, dy kodra në borë-
flakron perëndimi… Retë mbi krye prore
ngasin nëpër qiell dhe zhduken n’hapsi.
…Dhe drita e mbrame shuhet mbi çdo sukë:
cipa e natës shtrihet mbi fushat e përhime,
malet heshtin n’errësi si me qenë të ngrime,
si të humbet jeta – xho gja u nxi, u zhduk.
N’ajri ndihen klithmat e natës që ra –
drujt pran rrugës era i përkund…
Ndërsa drita e bardh, e tretun dikund,
shigjeta të flakta mpreh errësinës me i ra.
Terri sundon botën. Katundet e shtrime
në mes të natës prehen n’lugin me andrrime.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.