back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Triska e Frontit – tregim nga Agron Tufa

Gazeta

Shkrimtari Agron Tufa
Shkrimtari Agron Tufa

Triska e Frontit

tregim nga Agron Tufa

Një tregim i shkruar vërtet bukur nga Agron Tufa…
Ngjarja e tregimit është e vërtetë…
duhet të ketë ndodhur në Savër diku nga fillimi i viteve ’70…
Personazhet reale janë Musa Sina dhe Pepe (Demir) Balla…
që ishin miq mes tyre, mbasi të dy ishin edhe njerëz me humor.
Pepja, ishte me bigrafi të mirë dhe kishte qerren e fekaleve…
Mbasi banjot ishin në rrugë dhe çdo barakë, kishte 4 banjo, (8 deri në 12 familje)
Para se të dilte në pension Pepja, i kishte thënë Musës të merrte qerren e fekaleve
mbasi paguhej 250 lekë në ditë dhe punohej deri në drekë…
Ai i bëri pak kurs Musës për drejtimin e qeve dhe për një javë ia la të ushtronte qerren…
Për të vendosur u mblodh “Shtabi i Emergjencave” të Savrës dhe…
vazhdon historia e rrëfyer nga Agroni…
Batuta që Musa e bëri popullore ishte se:
“Edhe për qerren e mutit u dashka me Biografi të mirë…!”
Meqë ngjarjen e kam të jetuar në vetë të parë…
dhe personazhet i kam të gjallë, me kënaqësi i bëj vend në faqen time…
jozef radi, gusht 2020
.
Mbas dy burgjeve or burra, për rrafsh 23 vjet kokërr m’kokërr – po fliste e rrëkëllente tespihet një plak thatan me kësulë në konakun ku hymë (ne zumë vendet pa bëza) – Muratin nuk e kthyen… Nuk e kthyen në katundin e vet ku kishte shpi, nji copë tokë, njerëz e farefis, po i dhanë pil n’internim, në nji katund të Lushnjës. Nuk u kthye ma… s’di si u vendue atje me familjet e persekutueme, herë në nji kazermë, herë në do farë magazinash, barakash… Yhaa! 30 vjet e kusur… por po ta kishe pa atëhere, kishe me thanë se aj grusht burrë nuk e kap motmotin qetër. Ai pak shtat njeriu, dukej sikur u kishte hapë vend mbrenda vetes të gjitha sëmundjeve të burgjeve e kampeve ku kishte bujtë. Me e pa, ishte njisoj si me kqyrë nji frut të rrudhun, të bremë e të ngranë përmbrenda prej krymash… Po kush i din punët e Zotit, se kur ia fik njeriut flakën e kandilit… Se kishte me rrnue kaq gjatë, as unë, as tjetërkush, e as ai vetë, s’kishte me zanë besë! Ata që e kishin njohë Muratin para burgut, thonë se kishte kuvet, sa me u kacafytë me dy arusha mali e me i vu përfund… Po unë kam njohë, si duket, hijen e tij… Hijen e një burri sa bishti i shatit. Hijen e nji burri që, dita me ditë, hollohej e sosej mbas bishtit të shatit, prej kur niste me da drita dheun, deri kur e mblote nata prapë. Po e kujtojsha me vete e qe, m’ra n’mend nji kohë e ligë n’internim, kur edhe Murati, rahmet gjettë i lumi, e ka pas nji shpresë; at’ shpresë matte e çmatte gjithë kohën e lume.
Na e morëm vesh shpresën e Muratit, ditën kur doli në pension njëfarë Pilo… Pilo Korroveshi… Murati ia kishte pas vu synin atij vendi pune dhe mendonte me vete, se kur të dilte në pension Pilo, kryesia e kooperativës – tue e pa si shnetin e tij të lig, ashtu dhe duzinën e smundjeve që kishte mbledhë burgjeve, – karrocën e Pilos do t’ia linin atij. Tan ditën e lume Pilo Korroveshi transportonte… si me e thanë, bre burra, se nuk përmendet… me nder jush… jashtëqitje, fekale si i thonë. Po, por fekalen e mbante karroca me rrota dhe e tërhiqte kali! Murati kishte ba mend me shpëtu prej bishtit të shatit, që po ia hante kapak e përditë atë shkop hije që i kishte mbetë. Mandej nuk i kishte sajue krejt kot llogaritë: me atë karrocë dhe atë punë, Pilo merrte pare ma shumë se të gjithë punonjësit e asaj kooperative: kokërr më kokërr – 250 lekë! Kshtu de, Pilo doli në pension, dhe menjëherë Murati ngarendi me paraqitë kërkesën në zyrat e Kryesisë së Kooperativës.
.

Savër 1966 - Musa ditën e dasmës
Savër 1966 – Musa ditën e dasmës
Ditën e mbledhjes e thirrën Muratin. Mbledhja mbrenda, Murati jashtë. Priste. Dikur e thirrën dhe hyn Murati në sallë. Hala pa iu mësue sytë prej dritës së fortë t’qershorit, pa i dallue mirë fytyrat e mbledhuna rreth tavolinës së presidiumit me beze t’kuqe, dikush i briti fort:
-Murat Sina! Ju na keni dërguar një kërkesë për të marrë karrocën e Pilo Korroveshit, kështu?
-Siurdhëroni, – përgjigjet Murati në tym, tue e kullue kadalë shikimin e tue i ra thartë prej presidiumit të mbledhun në atë sallë: nuk mungonte asnjë prej “Komitetit Qëndror të Kooperativës”, siç na tha ai vetë, ma vonë.
-Ju elementët e klasave të përmbysura, në vend që të edukoheni nëpërmjet punës, kërkoni qoshe të ngrohta, si e si për t’iu shmangur ballafaqimit me të! Këtu ju kanë sjellë në internim, që të edukoheni nëpërmjet punës, të ndërroni mentalitet, e jo të bëni karrierë!
-Për çfarë karriere e ke fjalën or shoku sekretar!? Të gjithë e dinë që jam i smut… që jam i kputun fuqish…
Të gjitha kokat filluan me pëshpëritë në veshin e njeni-tjetrit. Sekretari i partisë, në qendër të tavolinës gjatoshe, ndigjonte herë pëshprimat që i vinte kah e majta, herë ato që ia sillnin shokët kah e djathta. Tundtte kryet, diç zhgarraviste, e Murat Sina kishte mbetë aty, pa luejtë vendit para tyne, si një kërcu i përzhitun kaherë prej rrufesë. Ma në fund sekretari i drejtohet Muratit:
-E shqyrtuam kërkesën tuaj dhe vendimi i shokëve është, se juve, një ish-të pandehuri, të dënuar nga drejtësia popullore, tani – të internuar, – nuk mundemi në asnjë mënyrë t’jua besojmë një punë e detyrë të tillë. Përmbi të gjitha, ju nuk keni as triskë Fronti!
-As triskë Fronti! – përsëdyti zymtë kryetari i Këshillit.
Gjatë qëndroi para tyne Murat Sina, heshtun e me shpresë se mos ndonjeni ndryshonte mendim, por kur e pa se Kryetari i Frontit po ia bënte me trinën e dorës gjestin dëbues – çka donte me thanë: “Ik, thyej qafën!”, atëherë, para se me u largue, Murati ia shprazi gjithë habinë e vet sekretarit të Partisë:
-Pashë njat’ Zot, or shoku sekretar! Po a edhe me ngranë mut mor, u dashka triska e Frontit?!
.
Marre nga Muri i Fb i Agron Tufes, 20 gusht 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.