back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Linçimi i Tefta Tasit – nga Lekë Tasi

Gazeta

Intelektualja Tefta Tasi ditën e arrestimit
Intelektualja Tefta Tasi ditën e arrestimit

Linçimi i Tefta Tasit

nga Lekë Tasi

Fragment nga libri “Grabjani rrëzë kodrave” (ditar internimi)
.
Demaskimi i Tefta Tasit në sektorin e Grabianit,
ka qenë tronditës për gjithë kampet e shumta të interrnimit në Myzeqe…
Në harkun e 24 orëve u shpërnda si vetëtimë lajmi i demaskimi
po edhe i linçimi me gurë i saj dhe shtëpisë ku jetonte familja e Tasëve…
Si të mos mjaftonte demaskimi publik dhe linçimi me gurë,
si një kërcënim i egër mbas 48 orësh ishte urdhëruar edhe arrestimi i saj…
Kështu, ndaj një gruaje fisnike, ndaj një intelektualeje, ndaj një familje me emër e me histori,
nisur nga kontributet te Vatra… hordhitë e pushtetit komunist,
ishin derdhur me gjithë barbarinë e tyre…
Në kët përiudhë, në gjithë kampet e internimit,krahas një fushatë demaskuese
kishte shpërthyer edhe një fushatë masive arrestimesh… (nga 4-5 për çdo sektor).
Binte në sy në këtë fushatë se demaskimet bëheshin nga njëfarë moshe (mbi 50 vjeçarë)
ndërsa të arrestuarit kryesisht 40 vjeçarë, i kishin fëmijët adoleshentë, nga 15 vjeç e poshtë…
Në demaskimi e Tefta Tasit, shkëlqente si gjithnji sekretari i partisë, Petraq Nushi,
një i shkolluar që vetëtinte me gjuhën e ashpër dhe barbare.
Mbas ’90, ai gjeti strehim në Greqi ku edhe vdiq…
Demaskimi dhe arrestimi i intelektuales Tefta Tasi, do të ishte një sirenë alarmi,
për të gjithë ata që kishin mbrojtur vlerat intelektuale, edhe mbas 35 vitesh pushtet komunist…
jozef radi, 23 gusht 2020
.
Lekë Tasi - Grabjani rrëzë kodrave
Lekë Tasi – Grabjani rrëzë kodrave

18 Tetor ’79

Tefta nuk është më me ne; e arrestuan dje. Në datën 15 i bënë “demaskimin” në sallën e kinemasë; pastaj, dy ditë me rradhë na hodhën gurë në shtëpi dhe dje erdhi Gazi e mori.
Oborri është plot me gurë, copa tullash, xhama të thyera. I lamë pa fshirë që t’i shihte ndonjë hetues se ç’u punua në kurriz tonë. I bëmë telegram Ministrisë, po të gjitha dolën kot. Ky institucion vendosi kundra nesh.
Me rradhë ndodhi kështu: të mërkurën mbasdite kishim dalë në apel me çunat për dore. Pritëm mjaft se s’po vinte njeri të na numëronte si përherë. Ora kaloi, po errej, kur në shesh të sektorit ndaloi një Gaz dhe zbriti Guri. Na hodhi një shikim si grup, i ngutur dhe menjëherë na urdhëroi të futemi në sallë për mbledhje. Deshëm t’i çonim fëmijët në shtëpi, meqë ishte vonë, por ai s’na la. I morëm në sallë, por pastaj i çoi Danaj dhe u kthye. (S’di ç’do të kish ndodhur po t’i kishim aty).
Populli po mblidhej me shumicë, të sinjalizuar si duket që mbledhja ishte me rëndësi. U ngucëm në mes të gjindjes, dhe Guri na çoi në rreshtin e tretë, tamam përballë tryezës me beze të kuqe të përgatitur për presidiumin.
Atmosfera ishte e keqe. Para disa javësh, mund të ketë dy muaj, kanë demaskuar Dumet, para pak ditësh kemi bërë fjalë me Gurin, por sidomos fjala e kryetarit të Degës na ndillte për keq. Salla u mbush dhe turma vazhdonte të hynte duke plotësuar edhe hapësirën para të dyja portave. Zuri vend presidiumi, partia e Grabjanit, plus Petraq Nushi, sekretar i partisë së ndërmarrjes. Turma gumëzhinte po kur u ngrit Filipi, sekretar i partisë, kureshtja e mundi zhurmën.
“Jemi mbledhur sot tha gati i buzëqeshur, që të bëjmë demaskimin politik të Tefta Tasit. Ku është Tefta?” pyeti pastaj. Dëgjova time motër që u përgjegj: “Këtu jam”.
“Ngrehu këtu para popullit. Atje te muri, të të shohë populli!”.
Tefta u ngrit dhe vajti qëndroi tre metra larg presidiumit.
Ia dhanë fjalën Petraqit (zeshkan, faqekuq, arrogant). Filloi të lexonte akuzën e tij, të mbushur me fjalë fyese si: “e poshtër, reaksionare, amorale, bushtër, kërmë…”.
Ç’mund të bënim? Të ngriheshim? Ishte vonë, dyert ishin të bllokuara. Ai vazhdoi me ton të lartë dhe vazhdimisht e shtonte zemërimin, nga fundi edhe me shkumë në cepat e gojës… “I ati ka qënë ministër i Zogut, i dënuar nga partia si armik i popullit, po ashtu edhe xhaxhai i saj, po ashtu dhe daja, dhe i vëllai… janë familje reaksionare. Nuk del në punë, vjell vrer, shan mallin e dyqanit. Duan përmbysjen e pushtetit, duan që të vijë imperializmi. Por populli u ka thyer kokën gjithmonë!” etj, etj.
.
Lekë Tasi - Mbledhje (pikture)
Lekë Tasi – Mbledhje (pikture)
Populli duartrokiste, brohoriste. Shpesh ia ndërprisnin fjalimin, dhe sa herë bëheshin këto ndërprerje, zëri i hollë i një skraparlliu flokëbardhë delte përmbi zhurmën me një klithmë “Rroftë shoku Enver!!” Salla ngrihej në këmbë dhe shpërthente në “urra” të gjata. Një i rinisë m’u afrua mu në fytyrë duke më zbardhur dhëmbët me zgërdhi.
Vendosëm të mos çohemi nga vendi dhe kështu ne të tre këtu dhe Tefta atje ishin të vetmit që nuk rrihnim duart dhe e mbanim gojën mbyllur.
…Zhurma u ul. Presidiumi u vështruan me njëri-tjetrin dhe natyrisht nuk ngulën këmbë që ajo të fliste. (për ta nuk ka asnjë shkelje që i akuzuari edhe të mos flasë fare.)
Ia dhanë fjalën popullit, por për ne kishte mbaruar çdo gjë; në mënyrë demostrative u ngulëm në një qëndrim të heshtur, Tefta atje dhe ne të tre këtu.
Të gjithë sa folën, patjetër ishin të porositur, por mënyra se si u zhvillua mbledhja dhe sidomos fakti që ne nuk pranuam ndonjë faj, por reaguam, u dha dorë organizatorëve: Fjalimet e atyre që kishin porositur dolën tamam të zemëruar. Ata shprehën indinjatën sikur ne të kishim shkelur të drejtën! Më i buti prej tyre, më i maturi të themi, një agronom me të cilin Tefta as ka këmbyer ndonjëherë një fjalë, tha: “Unë nuk e njoh personalisht Teftën, por ç’është ai të ecur në rrugë?! Sikur ka çliruar Shqipërinë!!” (ai në fakt me këto fjalë përmblidhte qortimin e rajasë që i bën sjelljes më normale qytetare, dhe në këtë identifikohen shumë nga ata që e kanë ulur kokën përfundimisht në mjedisin tonë mbytës). Pas tij u ngrit vetë Nuria dhe tha: “Kjo këtu merr një fëmijë për dore dhe shkon serbes në postë” (Nënteksti: Si guxon të më kalojë para?! Ajo vetë, Nuria, ka një frikë patologjike nga ata të sigurimit, megjithëqë u bën gjithë këto shërbime). Pastaj dy pleq dhe një i ri kërkuan i pari arrestimin e menjëhershëm të Teftës, dy të tjerët jo vetëm të sajin… por edhe tonin, meqë nuk duartrokitëm. (I dyti kishte një habi të thellë të vizatuar në fytyrë kur pyeste: Të mos duartrokasësh për shokun Enver! Si u bënka!?).
…Dritat ishin të dobëta në sallë, tymi i duhanit i mjegullonte edhe fytyrat, konturet. Isha shumë i tronditur që të mund t’i kujtoj të gjitha sa thanë. Mbas këtyre të parëve folën një sërë hipokritësh pa rëndësi dhe grash që janë me gisht në Sektor.
Njëra prej këtyre, një e shëndoshë me krahë të shkurtër, (për të cilën qarkullon fjala se e ka përpjekur me jaranin majë një mani) tha: “Kjo vë një kapele në kokë (siç duket e ka parë në rastet kur lante kokën), merr një trastë të jashtme dhe na shet mend në dyqan!”. Një tjetër (antare partie, më e shëndoshë se tjetra dhe fare e shthurur nga goja, e famshme për grindjet e gjata, me lëmin ku lëshon për të kullotur 100 pulat e dy plepave të saj-kotece) u ngrit mes rromuzeve të çunave, e rëndë si një vozë dhe tha me zë burri: “Kësaj nuk i pëlqejnë zarzavatet e shtetit! Ça do qo? Apo do kohën e bejlerëve?!” Të njëjtën gjë në thelb, por me një fije të hollë zëri, e emocionuar në kulm e përsëriti shitësja e zarzavateve, ajo që kaq herë nuk i jepte Teftës edhe kur kishte radhën…
Pastaj Lika, brigadier dhe sekretar partie u ngrit nga rreshti i parë dhe më tregoi mua me gisht: “Ky këtu, nuk paraqitet në punë, ikën nëpër malësira me bletë, rri me javë..” (në malsi unë…? – që duhet të dal dy herë ditën në apel…!!)
Me këto e ca të tjera mbaroi mbledhja. Populli u ngrit dhe u mblodh tek porta kryesore. Daljen tjetër e mbanin mbyllur që të mos ndahej masa më dysh dhe i binim shkurt ne për në shtëpi. Duhej të ndodhte në shesh të Sektorit ajo që kishin përgatitur.
U futëm dhe ne në turmën që grumbullohej, kur Teftës i erdhi një shtytje e fortë nga mbrapa. Unë që isha përpara ktheva kokën dhe pashë djalin që këto ditë më merrte biçikletën për xhiro. S’desha ta besoj. E pyeta me sy, por ai më bëri një shenjë mohuese, por në formë tallëse. Kishte përreth shokët e organizatës që e nxisnin dhe ky bëhej trim. Në koridor të gjithë na vështronin ftohtë, siç na kishin në mes. Shumë prej tyre duhet t’i kishin gurët në xhepa. Futëm Teftën në mes dhe vazhduam mes të shtyrave. Nga hapësira e portës se jashtme pashë gazin e Degës që s’kishte lëvizur nga vendi.
.
Marrë nga muri i fb i Agron Tufës, 23 gusht 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.