back to top
1.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Tirana, – metropoli shqiptar i pushtetit e i kulturës – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Artan Kafexhiu
Artan Kafexhiu
Viti 1991.
Për ata që e mbajnë mend mirë vendin ku kanë lindë e janë rritë.
E që ndoshta kanë nostalgji për këto pamje bardhë e zi, siç ishte edhe jeta në ato kohëra.
Diku, në ditët e Vitit te Ri, një fëmijë duke iu gëzuar tullumbaces…
Ku të jetë marrë vallë kjo foto??
Më poshtë një shkrimi im relativisht i gjatë, për Tiranën,
pas një mungese për më shume se një dekadë në Atdhe.
 
Tirana e fillimviteve '90
Tirana e fillimviteve ’90

Tirana, – metropoli shqiptar i pushtetit e i kulturës –

nga Artan Kafexhiu

Tirana “liminale”

Hapsire “liminal”- e thuhet për një gjendje “në midis”, në kufirin e dy ambjenteve historiko-kulturor, koncepteve ndërtimore-arkitektonike të ndryshme. Eshtë një term relativisht i ri i arkitekturës bashkëkohore i huazuar nga sociologjia. Liminaliteti, në kuptimin më të ngushtë, është një veçori urbane, ku karakteri lokal, ruajtja e origjinalitetit, duke humbur monopolin mbi urbanistikën e qytetit, i lë vend gjithnjë e më shumë, karakterit bashkëkohor të ndërtimeve. Kjo gjë ka ndodhur me Tiranën, e në një farë mënyre, liminaliteti midis kozmopolitanizmit dhe asaj që identifikohet si “autoktone”, “karakteristike tiranase”, ka komplikuar përpjekjet për t’i dhënë asaj një identitet të vetin.
Tirana e sotme ka pësuar një transformim marramendës. Ka ndryshuar kryekëput raporti midis natyrales dhe artificiales, midis origjinales dhe modernes, midis hapsirës private e publike, vlerave të përdorimit të tyre. Vet sjellja e njerëzve ka ndryshuar, duke vënë në pikpyetje kufijtë, ndarjet urbane, fillimet e mbarimet e hapsirave të qytetit. Grupmoshat me status social-ekonomik të ndryshëm, i kanë dhënë përmbajtje e kuptim të ri të gjitha hapsirave kryeqytetase. Ka ndryshuar kuptimi i dikurshëm antropologjik i hapsirës publike e private. Rolet e hapsirave, ambjenteve me historitë e tyre urbane-arkitekturale janë përzjerë. Liminaliteti urban, ndërthurja, funksionet kalimtare të hapsirave, e kanë kthyer të gjithë Tiranën në një gjendje “liminale”. Eshtë krijuar një konfuzion ontologjik në vetë hapsirën individuale, botën e brendëshme, të qytetarëve të hershëm e të rinj të Tiranës. Fantazia kolektive përsëri dominon mbi atë individualen. Eshtë një fantazi e komercializuar. Masat e njerëzve, përditë janë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të baticave e zbaticave retrospektive e futuriste të komercializuara, të vlerës dhe antivlerës së jetës urbane kryeqytetase.
Shumica e transformimeve urbane të Tiranës është bërë në kushtet e rizhvillimit, adaptimit të hapësirave e arkitekturës së një ish-kryeqyteti socialist. Logjika e ndërtimeve të mëparshme ishte kryesisht e karakterit utilitar-propagandistik, e tejngopur nga tullat, të murrme e të hirta, blloqet e hekur-betonit “alla sovjetik” apo te “silikatit e parafabrikatit kinez”. Kthimi gjithnjë më i madh drejt konsumerizmit, ka rritur si asnjëherë investimet urbane, ku materialet e reja të ndërtimit dhe konceptimi i ri arkitektonik janë pjesë e një marrje-dhënie globale. Rolet e hapsirave e të historive po përzien e ndërthuren gjithnjë e më shumë. Tirana jo vetëm që ka ndryshuar pamjen, por edhe vlerat kulturore, rutinën e përditëshme të punës, kalimit e kohës të lirë, domethënien sociale të përdorimit të kohës e hapsirave. Hapsirat tranzicionale, liminalitetet e metropolit postmodern tiranas, ndërthuren në një kombinim te ri.
Arkitektura moderne, ndërtesat e larta shumëkatëshe, në vetminë e tyre grishin qiellin e Tiranës, ndërkohë që poshtë tyre, turmat, masat e njerëzve në ciklin 24 orësh popullojnë pazaret, sheshet, trotuaret, lulishtet, kafenetë, restorantet, klubet, butikët e pafund, kërpudhat e passhiut kapitalist foshnjor shqiptar. Qendrat e reja tregtare, ndryshimi i infrastrukturës të brendëshme rezidenciale, forcat e reja ekonomike, dualizmi liminal hapsirë-kohë, e kanë ndryshuar raportin e njerëzve me institucionet tradicionale sociale, duke ndryshuar raportin e njerëzve me vet Tiranën. Njerëzit në këtë transformim liminal, nuk e konsiderojnë veten të lidhur pazgjidhshmërisht me hapsirat apo institucionet sociale tiranase (të konsideruara “tabu” dikur). Liminaliteti social-hapsinor i ka shtuar Tiranës, një cilësi, një karakteristikë, një vlerë, që nuk e kishte më parë.
Tirana në njëfarë mënyre është kthyer në një metropol postmodern, ku tiranasi e ndjen veten edhe qytetar të botës. Besohet se banori i sotëm i kryeqytetit shqiptar, nuk do ta gjente traumatike, udhëtimin, ndryshimin e rezidencës tiranase, me të një metropoli tjetër të botës. Apo vice-versa, një banues i një metropoli perëndimor, shqiptar etnik apo i huaj, nëse do të vendoste të ndryshonte rezidencën e vet aktuale me Tiranën, nuk do ta ndjente veten të izoluar nga bota.
.

Vitet 80-të, – fermenti i transformimeve

Fermenti i transformimit të shijeve kulturore të kryeqytetasve e ka zanafillën në vitet ’80-të, vitet, ku në hapsirat e kryeqytetit, brezi i të dipllomuarve, universitarëve, masa e gjerë kryeqytetase, e ndjenin që diktatura ishte në grahmat e fundit.
Në Tiranë, me tepër se në çdo vend tjetër, po përgatitej spontanisht një terren artistik-kulturor i nëndheshëm, i krijuar si reaksion i trusnisë kulturale-ekonomike të viteve më të egra të diktaturës. Artistët, talentet e profesionistët shqiptarë, fermentonin artin, kulturën e tyre, jo për konsumerizëm (krejt e pamundur apo jo?!), po për të përgatitur veten, artin e kulturën shqiptare, për kategorite e reja artistiko-kulturore postdiktatoriale. Në shumicën e rasteve, ato njëkohësisht ishin themeluesit, krijuesit e kategorive të reja artistike, dhe konsumatorët e kulturës artistike të nëndheshme.
Në atë kohë sapo kishte filluar të ndjehej shqetësimi i shqiptarëve me historinë e tyre, që kishte mbetur mbrapa karvanit botëror. Historia që kishin prodhuar shqiptarët me mitin e tyre historik, ishte reflektuar në çdo cep të Tiranës. Çdo cep rruge, çdo shesh, çdo park, çdo hapsirë publike e private, çdo institucion kryeqytetas, përjetonte mitet e gurëzuara të një kujtese të kalçifikuar historike, në statuja, murale, pllakata e parulla të pafundme.
Kujtesa historike kishte humbur koherencën, duke i shkaktuar tiranasve më tepër se një bezdi. Në një revoltë të heshtur, banorët e Tiranës, shkëmbenin shikime domethënëse në çdo përvjetor, ceremoni përkujtimore, ku një nënqeshje e brendëshme ilarizuese u ndriçonte shikimin, duke tradhëtuar shprehjet uniforme të fytyrave të tyre. Tirana kishte filluar të zgjohej. Për kryeqytetasit, Tirana, me vendet e hapsirat e saj, ku kishin ndodhur ngjarjet e mëdha historike, kishte humbur sensin e vlerat e një Tirane si produkt material historik për konsumatorin e përditshëm vizual. Vlerat e sensi i Tiranës historiko-turistike, kishin humbur në hiperbolën e Tiranës heroike, Tiranës së kuqe, të njësiteve guerrile, të themelimit të PKSH, të Enverit, etj. Turistët e vetëm që vizitonin Tiranën ishin banorët e rretheve, që vinin të organizuar në bazë ndërmarrje apo shkolle me autobuzë, kamjonë të paguar po nga shteti.
Kultura historike e mitizuar, e fabrikuar me imazhe avandgarde social-komuniste, i servirej vizitorëve të rretheve, jo për motive turistike konsumeriste, por si indoktrinim, ideologjizëm i kulluar. Banorët e rretheve, të varfëruar, të harruar, të lënë mbasdore, i kishin mëshuar fort këtij lloj “turizmi ideologjik”, nëpërmjet të cilit i jepej rasti të vizitonin kryeqytetin e vendit të tyre. Motivet e makinës shtetërore, e këtij lloj turizmi të organizuar lokal, ishin thjesht ideologjiko-didaktike, e për të mbushur muzeumet e galeritë bosh të Tiranës. Por banorët e rretheve, si në një konspiracion të madh, marrëveshje të fshehtë, të nënkuptuar nga të gjithë, shijonin për disa orë kryeqytetin dhe banorët e tij, duke dashur njëkohesisht të masnin pulsin e ndryshimeve të pritëshme politike të Tiranës zyrtare.
.

Tirana e ditëve të sotme...
Tirana e ditëve të sotme…

Transformimi urban kultural i Tiranës

Transformimet që pëson Tirana drejt një metropoli postmodern, janë të lidhura si me kapitalin e grumbulluar të investuar kryesisht në ndërtimet e reja, ashtu edhe me proceset e transformimit kultural të përditshme, të kryeqytetit shqiptar. Strategjia më e sukseseshme për t’i rritur vlerën ekonomike një investimi të ri, është ruajtja, përshtatja, transformimi i objekteve të vjetra, historike, muzeumeve, galerive artistike, teatrove e sallave publike ekzistuese; rivlerësim kulturor, duke i riveshur me artin, historinë, domethënien social-kulturore të arkitekturës së humbur apo të ripërtëritur nga koha. Shumica e transformimeve social-kulturore të kryeqytetit është rrjedhojë e ndryshimit të shijes aestetike të banorëve të tij. Shijet e reja aestetike-kulturore kanë provokuar një reaksion zinxhir në ndryshimet strukturore urbane.
Në Tiranën monarkiste, u hodhën hapat e parë të ndërtimit të pushtetit politiko-administrativ të shtetit shqiptar, autoritet i cili, nuk kishte ekzistuar më parë. Në arkitekturën e ndërtimet e Tiranës, “landscape”-i (peisazhi) i pushtetit politiko-administrativ, u përqëndruar në qendër të Tiranës, me ndërtesa impozante, të cilat me madhështinë e arkitekturës të tyre imperiale, nëpërmjet institucioneve ligjëvënëse-administrative donin të prezantonin, simbolizonin autoritetin e shtetit të ri shqiptar monarkist. Një dekadë më vonë, u ndryshua ngjyra e përmbajtja e pushtetit. Të njejtat ndërtesa me disa “simotra” të reja sovjeto-kineze, iu imponuan masës së shqiptarëve, me një dozë më të madhe propagantistike, me forcën dhe autoritetin e diktaturës proletare të pushtetit socialist. Ndërkohë, Tirana e masës së gjerë, vazhdoi të popullohej, disi e distancuar, në pjesën historike të qytetit, në pjesën e brendëshme të tij, në shtëpitë prej qerpiçi, në rrugicat me kalldrëm apo të shtruara me zhavorrin bituminal të ndërmarrjes rruga-ura, pallatet katër-pesë katëshe të punës vullnetare që ngriheshin në oborret, kopshtet, tokat e shtëpive e familjeve tradicionale tiranase, rreth pazareve e punishteve të vogla, etj. Sot, kohrat e motivet kanë ndryshuar katërcipërisht.
Ndërtimet e reja, ripërtëritja e vlerave arkitekturale të degraduara, të harruara nga pluhuri i kohës, stilet e reja, kanë bërë që vlerat historike, kulturore, artistike, turistike të Tiranës të humbasin karakteristikat e një muzeumi ideologjik-didaktik, shpesh herë, i ndërtuar mbi një histori të hiperbolizuar, të fabrikuar të mitit shqiptar, të rezistencës e luftës, të Tiranës së kuqe, etj. çfarë po rizbulohet tani është një Tiranë tjetër, e vërtetë, e re dhe historike njëkohësisht. Eshtë ajo pjesë e Tiranës së harruar, të abandonuar, të përvetsuar, Tiranës toptanase, Tiranës së zejeve e pazareve, Tiranës tregetare, Tiranës së pasunikëve tradicionalë e të rinj, Tiranës së kulturës embrionike, të etur për importet artistike-kulturore perëndimore, Tiranës së vërtetë muzeale, të rrugëve e rrugicave, bulevardeve të hijeshuar nga gjelberimi tradicional, vilave “alla frënga” e shtëpive prej qerpiçi, ku eksplorohet historia e saj.
.

Repertor imazhezh të reja dhe kriza e identitetit

“Lëvizja e kapitalit” sot në Shqipëri, tregon se “kapitali dhe kapitalizmi shqiptar”, ka aftësi e mundësi financiare të revizionojë “landscape”-in politiko-administrativ.
Mundet të bëjë një përzgjedhje të ndryshme në repertorin e imazheve të reja, të krijojë atë liminalitetin kaq karakteristik, të domosdoshëm të metropoleve, ku simbolizmi i pushtetit, përzihet me jetën reale të popullsisë të gjerë qytetare, duke na krijuar paradën e të gjitha periudhave historike pa hiperbolizuar historinë e autoritetin e pushtetit. Asimetria e dikurshme vizuale midis pushtetit autoritar dhe masës memece të njerëzve, banorëve kryeqytetas pa pushtet, është zëvendësuar me një asimetri tjetër vizuale, – asimetrinë e forcave ekonomike. Pasanikët e rinj dhe emigracioni, u ka dhënë mundësi ekonomike shqiptarëve të jenë gjeografikisht e virtualisht më të lëvizshëm. Njohja me “landscape”-et e metropoleve të tjera, shkëmbimet kulturale, të kombinuara këto me kapitalin, fuqinë e re ekonomike të shqiptarëve, janë diktumi i sotëm historik i transformimeve urbane.
Arkitektura është e rëndësishme për shqiptarët e shtetin e tyre, por simbolizmi e funksioni i saj ka ndryshuar. Në Tiranën e sotme transformimi urban arkitektural nuk është thjesht simboli i autoritetit te pushtetit, por njëkohësisht, është vetë kapitali dhe simboli i kapitalizmit shqiptar. “Landscape”- i vjetër politiko-administrativ, si simbol i autoritetit të pushtetit, nuk nxiste asnjë lloj ndryshimi në jetën ekonomiko-kulturore të banorëve të Tiranës, kurse sot interesat kapitaliste të fitimit, janë motori dialektik midis vlerës së tregut, vendit e çmimit, karakterit lokal, riteve sociale, e kozmopolitanizmit. Interesat ekonomike, sipas rastit, i japin perspektiva të ndryshme “landscape”-it, hapsirave të Tiranës. Zgjedhja e një repertori të ri të imazheve, aktualisht ka ndryshuar edhe “landscape”-i ekzistues. Ky ndryshim, ka shkaktuar ndryshime edhe në ritualet sociale, rutinën e përditëshme të qytetarëve, që mund të kenë qenë karakteristike lokale për një pjesë të Tiranës, për një lagje, një bllok, një rruge, etj.
Qytetarët duket se nuk kanë opsione të tjera, veçse t’i përshtaten ndryshimeve urbane, ndryshimeve të “landscape”-it, brenda e jashtë vendeve të tyre të punës, banesave të tyre, apo atje ku kalojnë kohën e lirë. Repertori i imazheve të reja urbane, ka shkaktuar ndryshime të dukshme sociale. Ka shkaktuar erozionin e asaj që identifikohej si karakteristike, dallueshmëri lokale e Tiranës ose një pjesë të saj. Erozioni i lokales, prishja e arkeotipit të një komuniteti të bazuar në një vend specifikë të caktuar, këto ndryshime drejt një shoqërie të hapur, janë krejt të pritshme e të pranueshme, pavarsisht nostalgjisë, kujtesës kolektive apo individuale të justifikueshme qytetare.
.

Qendra e Tiranes para Betonimit
Qendra e Tiranes para Betonimit

Kaledoskop identitetesh të reja dhe rivlerësimi i “landscape”-it

A munden sot qytetarët e Tiranës, duke përjetuar ndryshimet marramendëse të “landscape”-it të tyre, të ruajnë, të ndryshojnë, apo të përcaktojnë identitetin e tyre nëpërmjet vendit prej nga vinë apo vendit ku aktualisht jetojnë? Kjo të rikujton konfuzionin ontologjik, ndryshimi antropologjik hapsirë-kohë të përmendur më parë, që pëerjetojnë dita-dites tiranasit. Sot janë një numër variablesh qe i japin formë e përmbajtje identitetit kryeqytetas.
Përvetësimi i kulturës kozmopolitane duke qenë specifike për Tiranën e tiranasit, ka karakteristikat e përbashkëta me transformimet kulturore, të përsëritura në mënyrë ciklike, në metropolet e tjera të botës. Në qendër të Tiranës vihet re një vazhdimësi, një përpjekje për përforcimin e idesë të centralizimit e të fuqisë së shtetit. Duke iu larguar qendrës verën se kjo ndjesi zëvëndësohet me ndjenjën e komfortit materialo-financiar të pushtetit ekonomik, qendrat e reja rezidenciale, vila, parqe, hotele, qendra aktivitetesh ekonomike, parqe sportive, etj. Motivet që përsëriten në çdo metropol, po bëhen të dukshme edhe në Tiranë. Perreth Tiranës, “periferisë” po i shtohet një pamje tjetër më urbane, “suburbia”, diçka midis fshatit dhe qytetit. Ka natyrën e gjelbërimin, veçoritë e fshatit, por njëkohësisht komfortin ekonomiko-kulturor të qytetit. Kjo është rezultat i drejtpërdrejtë i asimetrisë ekonomike, ku individë të veçantë, shtresa të ndryshme të shoqërisë, nëpërmjet karrierës, pasurimit, kanë krijuar perspektiva të ndryshme, më të mira për jetën e tyre. Eshtë pikërisht kjo pjesë e shoqërisë të Tiranës, gjeografisht më e lëvizëshme e më e pasur, që shpenzon ditën e natën midis qendrës e “suburbia”-s, që ka influencën më të madhe në ndryshimin e pasurimin e “landscape”-it tiranas. Eksperiencën e “landscape”-ve të metropoleve të tjera, “lëvizja e kapitalit”, e sjell të imagjinuar e të materializuar në ndërtimet e reja që i shtohen përditë Tiranës. Sot vërehen dy lloj lëvizjesh të përditshme, karakteristike të asimetrisë ekonomike që po bëhet gjithnjë e më e dallueshme në kryeqendrën shqiptare. Eshtë lëvizja e periferisë drejt qëndrës së Tiranës në kërkim të punës, është dhe lëvizja e shtresës së re, e privilegjuar ekonomikisht drejt “suburbia”-s, ku ka ndërtuar rezidencat lluksoze e qendrat e argëtimit. Janë pikërisht këto lloj lëvizjesh që e shohin “landscape”-in në perspektiva të ndryshme. Periferia e projekton veten vetëm në një vend qendrimi, imagjinon artifakset, gjërat që nuk janë pjesë e eksperiencës së vet. Tiranasit në përgjithësi, pavarsisht nëse udhëtojnë ose jo nëpër botë, ashtu si të gjitha metropolet e tjera në botë, e realizojnë nocionin e lëvizshmërisë e “të parit të dynjallikut”, pa lëvizur fare nga Tirana. Imagjinata e kryeqytetasve tash ka një baze reale, eksperiencën e shumë “landscape”-ve të metropoleve të tjera duke u ndërtuar e u pasuruar në Tiranën aktuale. Forcat ekonomike, interesat e kapitalit siç shihet edhe në ndryshimet e Tiranës së sotme, tentojnë të globalizojnë “landscape”- in, duke e rivlerësuar atë. Në përgjithësi, ato i rrisin vlerën ekonomike, nëpërmjet dialektikës të revizionimit të “landscape”-it, mekanizmit të vlerës aktuale e potenciale të tregut, vendndodhjes, e çmimit.
Nën influencën e kësaj dialektike ndodhet edhe pjesa më e madhe e popullsisë që nuk i ka mundësitë ekonomike të atyre që revizionojnë “landscape”-in. Eshtë kjo influencë që shkakton ndryshime kulturore e ekonomike në popullsinë e gjerë tiranase. Por në thelb, ajo çfarë i rrit vlerën qytetare-kulturore, ekonomike, “landscape”-it urbanist të Tiranës, është reciprociteti midis lëvizjes së kapitalit dhe rivlerësimit kulturor. Në rritjen e vlerave kulturore të Tiranës, rol të drejtpërdrejtë kanë tiranasit në përgjithësi. Këtu marrin pjesë të gjithë, jo vetëm artistët, fondacionet, shoqëritë artistike-kulturore, muzeumet, por edhe kujdestarët artistikë e studiuesit e vlerave urbane-historike, këshilltarët e kompanive, agjentët, kërkuesit, e mbrojtësit e talentit artistik, stafi i galerive e i muzeumeve, arkitektet, etj. Infrastruktura kritike që i rrit vlerat urbane Tiranës, është një kolazh profesionesh e punësimi; janë kamarierët, shefat e kuzhinës të restoranteve, shitësat e dyqaneve e butikave, pritësit e hoteleve e zyrave, janë pronarët e të punësuarit njëkohësisht. Eshtë një kolazh financiar, kulturor, profesional, ku marrin pjesë të gjitha shtresat e popullsisë tiranase.
.

Ikonat kulturore

Gjenialiteti i investuesve, artistëve, urbanistëve, arkitektëve, studiuesve historianëve të Tiranës (duke shpresuar se të tillë po e transformojnë ato) është aftësia për të cytur fantazinë urbane.
Kryeqyteti shqiptar, besohet të përmbledhë, të përfaqësojë, peisazhin, imazhin, që nxit imagjinatën për suksesin e frymëzon krenarinë kombëtare. Tirana dëshirohet të mishërojë vendin e ëndërrave jo vetëm të qytetarëve të Tiranës, por shqiptarëve mbarë, jashtë e brenda Shqipërisë.
Ikonat kulturore, që krijojnë atë sensin e të veçantës, të papërsëriteshmes, që nuk e gjen në asnjë vend tjetër, sot për sot, Tirana nuk i ka. Tiranës i mungon një ndërtesë karakteristike, i mungon një pozicion gjeografik unik, i mungon një ambjent historik-kulturor që mund të ndeshet në Tiranë e vetëm atje. Si mund të krijohet ai sens i veçantisë të Tiranës, si mund të ngrihen simbole për të krijuar kapitalin e vlefshëm kulturor tiranas?
Tirana e dikurëshme, si kryeqendra e vitrinës së masovizmit, ishte simboli i një vendi utopik, ku të gjithë kishin të hanin, shkollat e shtëpitë ishin publike, kishte punësim të plotë. Pronësia private nuk e kalonte pragun e një shtëpie prej qerpiçi, e ndërtesat që ngriheshin ishin prodhim i një pune vullnetare pa vlera urbane. Imazhi ikonoklast socialist që përbente edhe kontrollin social mbi shqiptarët ishin pllakatat, parrullat e një skeme imagjinare, të një ekzistence imagjinare të njeriut të ri socialist. Njeriu i ri socialist, ikonklasti kulturor imagjinar, e për ironi të fatit, njëkohesisht ikona utopiste imagjinare e shqiptarëve, ishte e pandarë nga struktura politike-ideologjike e centralizuar socialiste. Ikonoklasti vet, u thërmoq. Shqiptarët nuk kanë mundur akoma ta zëvëndësojnë me një simbol, ikone kulturore të re. Vendi është akoma bosh. Tiranës i takon të krijojë imazhin e ri, kapitalin kulturor, ikonat kulturore të kohës, të cilat i mungojnë. Çfarë mund të shëndrrojë ikonoklazmin e dikurshëm kulturor të kryeqytetin shqiptar në një frymë të re? Arkitektura, muzeumet, monumentet, gjelberimi, teatrot, shtëpite botuese e gazetat e panumërta, stacionet televizive, komoditetet e ndryshme që importohen në metropolin shqiptar…?
Kapitali kulturor i Tiranës, duhet të jetë “landscape”-i që ëndërrohet dhe që kthehet në skenën e mundshme, të vërtetë, të përpjekjeve shqiptare për të realizuar ëndrrën. Kapitali kulturor nuk mund të krijohet pa imagjinatën, artin, ikonat kulturore, kaq të nevojshme për konsumin vizual. Cila mund të jetë ikona (ose ikonat) kulturore e Tiranës? Ajo mund të jetë gjithçka, mjafton që tiranasit ta kenë për zemër e të shohin vlera të vërteta në të, që i nxit imagjinatën, që i jep shpresë e zemër, se përpjekjet për të realizuar ëndrrën e tyre do të jenë frutëdhënëse. Mund të jetë një karakter real apo imagjinar filmash me kartona, të pikturuara në bluzat turistike “Made in Tirana”, mund të jetë një leitmotiv i një këngë që mund t’i ketë rrëmbyer zemrat tiranasve, por mund të jetë edhe piktura moderne e kërcimtarve të Abdurrahim Buzës, një derivim gjenial i futurizmit të Matisë. Shqiptarët veshur në kostume kombëtare në një rreth që hedhin valle.
Piktura, ngjyrat, idetë dhe realizimi janë gjeniale. Atje është Tirana dhe e gjithë Shqipëria, ashtu siç e duam ta shohim, me të gjitha kostumet, me të gjitha ngjyrat.
Atje gjen njëkohesisht Matisin futurist, kozmopolitan, por edhe Buzën po aq kombëtar, me ngjyrat kaq karakteristike lokale e shqiptare. Eshtë një rreth kërcimtarësh, është një valle që përfshin të gjithë shqiptarët.
© AK

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.