back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

“Na kishin kallur datënë poetëzezët t’anë” – Sotir Kolea (1931), i shkruan poetit Ali Asllani

Gazeta

Ali Asllani (1884-1966)
Ali Asllani (1884-1966)

“Na kishin kallur datënë poetëzezët t’anë”

Sotir Kolea (1931), i shkruan poetit Ali Asllani

Letër e Sotir Koleas, drejtor i Biblotekës Kombëtare
drejtuar poetit Ali Asllani. Në këtë letër të shkruar
me shumë drithërima lirike. Ai përshëndet poetin për “Hanko Hallën”
dhe kritikon me elegancë e hidhësi jopoetët shqiptarë
“Na kishin kallur datënë poetëzezët t’anë…”
.

Sotir Kolea (1872-1945)
Sotir Kolea (1872-1945)
12 gusht 1931
Shkëlqesis’ së Tijë
Ministrit’ të Shqipërisë
Z. Ali Asllani – Athinë
.
Na kishin kallur datënë poetëzezët t’anë; si zok na dridhësh zemëra sado herë shihnim fjalë të radhitura në trajtijë vjershash.
Ana e Veriut diç ka të tregonjë; dhe tjerë ndoca, kanë shkruar sende që s’janë për të hedhur.
Po Jugu? Cilin të kujtojëm? Cilinë të mbajëm, kë të hedhim poshtë?
Dhe janë me qint e me qinda, ndofta dhe me mija, qyqoderdimenët që na nxinë faqen duke nxirë kartën me thasë gomarllëkesh. Vargu është i gjatë, i gjatë stërhell; nis nga Papa Kristoja me Nazif Mamaqin dhe Molla Shabanin, përmbleth gjithë Dodanajt, Çakojt edhe Floqajt, dhe gjen kryet të fillit te poet i math, poet i poetëvet, poeti kombëtar, Lasgush Poradeci (Lasguscius Pogradecensis, maxima cum laude poeta nationalis, viri doctissimi et eruditissimi Zoii Zozae Fierensi, gratiae, laureatus) që na shpiku Doktor Zoi Xoxa.
Jugu ishte për faqe të zezë; shpirtë-se-e-karmë-sterrët talleshin me Toskët dhe fërkonin duartë; të huajët mbrruthnin supatë tuke tallandisur foshnjërijën t’ënë.
Sa her’ e sa herë, me gunë mbi krye, kemi qarë hallin me miq e me shokë. Po sbardhi më në funt dhe për Jugun dita, dhe na qeshi buza.
Kishte ardhur Vlora, po… vjershë! phë! kush rrin t’e këndonjë?
Pas ditësh harriti edhe Fshati Vajza; vjershë edhe kjo! Kujt i a mban zemëra t’e zërë me dorë?
Po fati – dhe vet se vetëm fati – e pru të shtjenj një sy, dhe… syri nuk u nda më që nga fjal’e parë gjer te fjal’e funditë.
Kjo qe!
Bini, more djema, bini shpejtë Vlorën; këndova dhe Vlorën, dhe të dyja bashkë jo një e dy herë, po tetë herë plotë, në dy ditët të para, dhe ndë rreth përhera më e më të gjërë. Po kush është ky Vlonjati, gjer dije i padalur në shesh e në dritë që na sbardhi faqen në sy të gjithë botës? Asnjë nga gjith’ata që u këndova Vlorën, që u këndova Vajzën, nuk diti të m’a thotë. M’u desht në pleqërijë, të dalij derë mbë derë, me shkop të lipindesë, të pyes – e të stërpyesij; po të gjitha kotë. Tirana nuk e njifte; fundi mbeti Vlora dhe matësham të shkronj, kur fat i mbarë më pru Major Bilal Nivicën. Nga radhët të para të Vlorës e ndau: Ky ësht Ali Asllani, tha, dhe ma rrëmbeu nga dora.
Fjala hapi fjalën dhe dolli se ndër gjithë sa më ra të pyesij, qeshë vetëm unë që burrin Vlonjat e njihnjam po s’e dinjam.
Erdhi edhe Darsma me cohën e kuqe; erdhi dhe Shqipëtarka me sisën e nënës.
Tashti qysh të them? Kë të vënj të parë, këtë them të dytë?
Si njëra, si jetëra, të katëra bashkë, jan’ ujë burimi që del rrëke nga shkëmbi; jan’ rruaza që shkrepin si ves e mënjgjezit në gji të trëndafilit; jan reze të djellit të derdhura qjellit, plot drit’e ndriçim; jan’ këngë filoshi që, me ngashërim, i lutet gjithësijës mos të lër të veshket lul’e bukurijësë.
.

Poeti Ali Asllani mes miqve të tij në Vlorë
Poeti Ali Asllani mes miqve të tij në Vlorë
Vlora? E bukur ndër të bukura; Me ramazan e pashkë, me dyshen e kishës, më hënën këthyerë drejtë nga qabeja; me shtëmbën që dërsin, me kokrrën e mafishes që peshon një okë dhe me bishtë-fjollën që hyn ndëpër katoje; me djalën si yll, me çupën për në kupë që bën edhe hënën të rrij të mejtohet; pa le ajo vërësë, ajo vërs e bukur ajo vërs e dehur, sa çërrega lotësh shthuri ndër të lashtë?
Po Labërij e lirë? A ka vall’ më të bukur? Me vallet të djemvet, me hallet të pleqvet, dhe me protoenën që shkon aty pranë dhe që grin e ther me sy e me vetull? Tre grushtinj çelniku që ndeshen ball për ballë; Ku jan ata sy që munt të durojën ndriçimin që shkrepet nga këta të ndeshur? Ku ësht ajo mëndje që munt të mos luanjë nga valat që shkumbuan në det të kujtimit? Po ato ndodhijat që fati mos i dhëntë, që rrëfen aq ëmbël’ plaku i mëhallës? Po krism e kobures, po gjëmim i këngës, po ajo koq’e thanës dhe sqep i sqyfteritë? Vënd i Çepezijvet nuk ka qysh ankohet, u këndua aqë sa s’ka më si këndohet.
Po për Darsmën ç’mbeti? Pjesa më e mirë. Pam’ me sy të shpirtit si me sy të ballit kohën më të lumtur, kohën më të bukur të jetës jallane. Me sy të kujtimit pamë tufa-tufa thëllëzat e malit me shamin e shkretë majë kresë lidhur, gati për të rënë, gati për të sgjidhur, që na prishi mëndësh; dëgjuam edhe këngët dhe krismën e defit, dhe nga porosijat të Hankosë Hallë, të thëna në vesh, s’na shpëtoj as fjalë. Pa kur erdhi koha të hiqet duvaku, pam atë kuti-gojë, kuti me inxhi, dhe ato pika rruazësh që shkrepën në këth të syvet skrop të zij.
Dhe brinjë nuses pamë Vajzën Shqipëtare, ëngjëll bukurije, që sbrite nga qjelli, nisur e stolisur me rezet të djellit, me dritën e hënës; motërë thëllënxash, kushrirë zarkadhesh dhe bij e mbesolle të shqiponjës plakë. Sa buzë u drodhën sa zemëra psherëtitën, nga zemërat që humbën në tokat të botës!
Lum ti që na bërë, si pleq si të rij, të na njgjeqet fryma, të na mvishen sytë më lotë gëzimi!
Po sa më të lumtur janë gjith ata që u plove zemërat me shpresë të gjallë për jetën e kombit?
Sado poshtë rënë, s’ka si vdes një komp që ka bij të zotët të sbresin bukurijat të qjellit mbi dhee, dhe të ngrejën shpirtrat dhe zemërat gjer në qjell.
Tashti let’ të vinjë ajo dit e ditëvet; nuk na trëmp më rruga për mb’at’anë jetës; shok na u bë shpresa, e gjall e e patundur, se me djem si ti, kombi i yn do t’rronjë.
Të shtrova të vërtetën pa shtuar asnjë kërrabë; të vërtetën thjeshtë, ashtu siç e pam që ditën e parë, ashtu siç e shohim dhe sot e këtë ditë me miq e me shokë.
Pa dhe sos ka filoshi nevojë për mburrj’e për lëvdata?
Për të ësht sado që na gëzoj shpirtin, që na kënaqi zemërën, dhe që përpara botës na bëri të mburremi me hijën e gjerë të krahut të tij, hije më të ndritur se rrezet të djellit.
Po a mbaroj me kaq detyra e shejtë që të ka ngarkuarë fati i Shqipërijësë?
Pleqvet dhe brezit që është në vërsë u dolle nga barra; po për brezt tjerë, për brezat të njomë, që tashti sa zunë këmbëzat të para të shkallës së jetës? Për këta fleta kartë të bardha si dëborë, ç’ke ndër mënt të bëjsh?
Zot, vegjëlija e jonë ka nevojë për guga, për vjersha të vogëla, që të këndojën djellin dhe dritën e hënësë, të Mirin e Tomorrit, dhe besën e Shqiptarit, verënë me lule dhe zogun mbi gem dhe çerdhen e zogut; që të këndojën mollënë dhe gjethen e gjelbërë, qershijën e kuqe dhe qingjat dhe kopetë, këmboret dhe zilet si zil e deles krutë, ajo zil’e shkretë që mezin të këputë.
Zot, pipinjët e shqipes kanë mbetur si jetima, pa zë e pa këqlima. A të thotë zemëra të mbeten me të pallurat të Floqanjvet me shokë?
Zot, zoqëthit të shqiponjës do mbeten si memecë, po s’u dëgjoj veshi këngët dhe këqlimat të zogut të ferrës së Labërijës trime, që shërojnë shpirtin, sbukurojën jetën dhe trimërojën kombinë.
Tuke të uruarë, për të mbarën e kombit, jetë të gjatë sa mal i Tomorrit dhe tuke të puthur me shpirt e me zemërë dorënë që shkron aqë bukurija në gjuhë të perëndijvet’
Sotir Kolea
.
Sotir Kolea - Rilindasi i Fundit
Sotir Kolea – Rilindasi i Fundit
Sotir Kolea (1872-1945) i lindur në Berat ishte leksikograf, folklorist, publicist, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare në vitin 1928. Drejtoi gazetën “L’Albanie” në Lozanë të Zvicrës në vitet 1915-1919 si dhe “Një tufë proverbash” në 1944. Ka lënë në dorëshkrim një fjalor.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.