back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Persekutimi i motrave Qiriazi, si u vetëvra i biri i Sevastisë në hetuesi – Letër nga Viktoria Dako­-Ruli

Gazeta

Qiriazët, Dakot dhe Miqtë e tyre
Qiriazët, Dakot dhe Miqtë e tyre

Diktatura në Shqipëri:

Persekutimi i motrave Qiriazi,

si u vetëvra i biri i Sevastisë në hetuesi

Askush nuk do ta mendonte, ato jo se jo, që të gjitha sakrificat e tyre për gjuhën shqipe, atëherë kur Perandoria Osmane të syrgjynoste për vepra të tilla, do të shpërbleheshin me mosmirënjohje, grabitje, dhunë, hetuesi, akuza për tradhti e agjenturë. Motrat Qiriazi, ato gra të guximshme që hapën Shkollën e Vashave në vitin 1891, që punuan për gjuhën shqipe dhe çështjen shqiptare, edhe kur u larguan drejt Amerikës (1915­-1921) do të provonin ferrin komunist në mënyrën më të shëmtuar.
Të larguara nga Shqipëria gjatë luftërave ballkanike, ato do të ktheheshin në atdhe për të mbështetur qeverinë e re, reformat në arsim dhe emancipimin e gruas. Por të gjitha këto nuk do t’u shërbenin para pushtetit të ri komunist. Pasi u kthyen nga kampi i përqëndrimit nazist, ku shpëtuan gjallë, Sevasti e Parashqevi Qiriazi së bashku me familjen u përballën me plaçkitjen, sekuestrimin e pronave, të ngelurit në mes të katër rrugëve e deri në arrestimin e dy djemve, Aleksandrit dhe Gjergjit.
Ky i fundit nuk u rezistoi dot torturave të hetuesisë, teksa kërkonin t’i bindnin që të pranonin se ishin agjentë të amerikanëve. U vetëvar. Dhe Sevastia, ajo grua e fortë që nuk ishte ndalur para asgjëje, trokiti derë më derë t’i kthenin trupin e të birit, por mori si përgjigje vetëm përplasje dyersh. Do të ndahej nga jeta vetëm pak muaj pas vdekjes së të birit dhe humbjes së trupit të tij në buzë të lumit të Tiranës. Shumë kohë më pas, në vitin 1962, me rastin e 50­vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë për koniunktura politike të regjimit komunist u tregua interes për veprimtarinë patriotike të familjes Qiriazi. Katër pjesëtarë të familjes Qiriazi, Gjerasimi, Gjergji, Sevastia dhe Parashqevia, u dekoruan me “Urdhrin e Lirisë” dhe urdhrin për “Veprimtari patriotike”.
Fundin tragjik të Qirizëve na e rrëfen mbesa e Sevastisë, Viktoria Dako­Ruli, në një letër e cila i është bashkëngjitur librit autobiografik të Sevasti Qiriazit “Jeta ime”, botuar vetëm pak kohë më parë nga Instituti për Studimet Shqiptare dhe Protestante, promovuar në ambientet e Teatrit të Metropolit. Kjo autobiografi e gjetur në Arkivin e Shtetit botohet për herë të parë.
.
Sevasti Qiriazi (1871-1949)
Sevasti Qiriazi (1871-1949)

Letra nga Viktoria Dako­-Ruli

24 shkurt 2015

Pjesë të zgjedhura nga një letër për Dana Stucky­n –
nga Viktoria Dako – Ruli, mbesa e Sevasti Qiriazit
Tregim fillon në vitin 1943, kur Sevastia dhe Parashqevia jetonin në Kamzë, pa ndonjë veprimtari publike të veçantë. Ishte kohë lufte. Sevastia kishte dy djem. Aleksandri shërbente si atashe me legatën e Kilit në Romë, kurse Gjergji punonte në spitalin civil në Tiranë si pjesë e ekipit të kirurgjisë. Meqenëse qëndrimi në Itali u bë i rrezikshëm, mbasi Italia kapitulloi dhe u pushtua nga gjermanët, të cilët filluan të hakmerreshin kundër popullsisë civile, Aleksandri u kthye në Shqipëri. U kthye edhe e shoqja e tij, Rozi, dhe vajza e vogël 2­ vjeçare, Viktoria. Gjergji banoi në Kamzë bashkime të shoqen e tij, Maria (që ishte motra e Rozit) dhe nuk kishin fëmijë. Aleksandri u mor me administrimin e pronës në Kamzë. Në nëntor të vitit 1943, gjermanët erdhën në Kamzë mbasi dikush kishte thënë se në pyllin tonë prapa shkollës fshiheshin partizanët. Ata qëllonin me top nga rruga e Shkodrës. Në ballkonin e shtëpisë gjendej gjithë familja dhe disa miq të ardhur nga Durrësi. Miku ishte Gjon Zaja, një shqiptar nga Mali i Zi me të birin, Xhixhin.
Topi që qëlloi vrau Gjon Zajën dhe Xhixhin, ndërsa Rozi u plagos në këmbë. Për të parandaluar një tragjedi më të madhe, Parashqevia dhe Sevastia dolën në ballkon me një çarçaf të bardhë, për të treguar që nuk kishte kundërveprime nga ana jonë. Gjermanët, pa dashje, vranë një ushtar të tyrin dhe donin të na e hidhnin fajin neve, por Gjergji u tregua i shkathët dhe e nxori plumbin nga trupi i ushtarit dhe u tregoi gjermanëve se ai ishte plumbi i tyre. Në shtëpi ne kishim vetëm një çifte gjahu dhe një pistoletë, të dyja me leje. Megjithatë, gjermanët na nxorën të gjithëve jashtë në oborr me nga një ushtar me mitraloz pas shpine dhe filluan të na kontrollonin shtëpinë. Ata morën të gjitha gjërat me vlerë, florinjtë (monedha), madje morën edhe kapakët e Enciklopedisë Britanike, që ishin prej një lëkure të mirë. Pas kësaj filluan të na hipnin në një kamion dhe, kur i erdhi radha Rozit me mua në krah, shoferi i tha: “Po të kesh ku ta lësh vajzën, lëre. Se atje ku po ju çojnë, nuk do të dilni të gjallë”.
Nëna nuk kishte ku të më linte, mbasi Sevastia, Parashqevia, Aleksandri, Gjergji, Rozi, Maria edhe unë, madje dhe kuzhinierja besnike e shkollës “Rukie Tafaj”, ishim të gjithë në kamion dhe u drejtuam nga Rruga e Elbasanit. Afër fshatit Ibë me një kundërurdhër, kamioni u kthye dhe ne shpresuam se do të na kthenin në shtëpi, por kamioni vazhdoi rrugën e Shkodrës për në Veri, kapërcyem kufirin dhe u gjendëm në kampin e përqendrimit “Banjica në Beograd”. Aty filloi kaluari i vërtetë i familjes. U ndamë veç gratë dhe veç burrat, dhe gjatë gjithë kohës asnjëra palë nuk e dinte nëse tjetra ishte gjallë apo vdekur. Kushtet në kamp ishin të tmerrshme. Ushqim ishin lakra dhe lëkura patatesh të ziera, nga të palarët zumë morra, pleshta e tartabiqe, rrezikova disa herë të vdisja nga uria dhe shpëtova falë vajzës së një gjenerali anglez, që ishte kapur rob nga gjermanët dhe e mbanin aty në kamp.
Ajo punonte në shërbim të komandantit të kampit dhe mblidhte gjithë mbeturinat e drekës dhe të darkës dhe m’i sillte mua. Kështu shpëtova. Atë e vranë natën e fundit para bombardimit të kampit. Sevastinë dhe Parashqevinë i merrnin vazhdimisht në pyetje pse i kishin sjellë aty.
.
Shkolla e Dakos 1930 - (foto xhezo cana)
Shkolla e Dakos 1930 – (foto xhezo cana)
Ne nuk ishin shoqëruar me dokumente me arsyen pse na kishin marrë, mbasi ishte caktuar që të na vrisnin, për të humbur çdo gjurmë. Kështu kaluan ditët dhe muajt, derisa erdhi fundi i nëntorit 1944 dhe kampi u bombardua nga forcat aleate dhe dyert e kampit u hapën. Ne u larguam deri në kufi të Shqipërisë me tren dhe nga kufiri në Tiranë, rrugë të cilën e bëmë për 5 ditë, erdhëm me kafshë dhe me ndihmën e fshatarëve që na ndihmuan me veshje dhe ushqime. Kur u kthyem në Kamzë, çdo gjë ishte shkretuar e vjedhur. Gjërat me vlerë i kishin marrë gjermanët, ndërsa gjithë pajisjet e shkollës dhe të shtëpisë ishin vjedhur nga banorët e Tiranës, të cilët vinin nga Tirana me qerre e merrnin ç’të mundnin. Sevastia dhe Parashqevia vajtën në komandën ushtarake të qytetit për të kërkuar ndihmë. Ato mundën të siguronin një kamion dhe dy ushtarë, me të cilët vajtën në pazarin e vjetër të Tiranës, ku na thanë se shiteshin gjërat tona. Sevastia mundi të merrte disa krevate, velenxa, jorganë, jastëkë, dyshekë nga të shkollës, si dhe një gramafon mobilie, një komplet kolltukësh, dy dollapë kuzhine, tavolina e karrige, si dhe dy tapete persiane me vlerë; ngarkuam kamionin dhe menduam të ktheheshim sërish të nesërmen. Por të nesërmen, asnjë nuk doli të shiste plaçkat tona dhe nuk patëm më mundësi të rikuperonim asgjë tjetër. Në këto kushte, gjendja e familjes ishte mjaft e vështirë, çdo gjë ishte shkatërruar e vjedhur, prandaj Sevastia dhe Parashqevia, me ndihmën dhe të pjesëtarëve të familjes, filluan të merreshin me një ekonomi ndihmëse, duke mbjellë zarzavate. Me frutat e pemëve që kishin mbetur bëmë marmelatë sa për të kaluar dimrin. Por pas dy javëve, një ndihmë e madhe u erdhi nga njerëzit besëmirë të familjes.
Pranë familjes kishin jetuar dhe punonin pesë vëllezër kosovarë nga Luma, njerëz shumë besnikë dhe të ndershëm. Ata kujdeseshin për tufën e bagë­tive që kishim ne, në verë ata bashkë me bagëtinë shkonin në bjeshkët e Lumës dhe në dimër zbrisnin poshtë në Kamzë, duke sjellë me vete djathin, gjalpin dhe gjizën që kishin bërë gjatë verës në stan, madje sillnin dhe këlyshët e qenve që kishin lindur atje. Sapo e morën vesh që ishim kthyer gjallë në Kamëz, erdhën dhe sollën me vete tufën e deleve dhe prodhimet e tyre, dhe disa pula e zogj, gjë që na lehtësoi shumë kushtet e vështira që po përjetonim. Viti 1945 kaloi shpejt, duke u marrë me punë rreth pronës për përmirësimin edhe më shumë të kushteve të jetesës, por në janar të vitit 1946 erdhi një urdhër nga qeveria që do të merrte godinën e shkollës me qira. Mbas dy muajve erdhi urdhri i sekuestrimit të të gjithë pronës dhe dëbimi i familjes nga Kamza. Sevastia dhe Parashqevia u ankuan dhe ato u lejuan të jetonin përkohësisht aty. Rukia i ndihmoi të përshtatnin një kotec pulash për të jetuar.
Por pas tre muajsh, edhe ato u dëbuan me urdhër të qeverisë. Sevastisë iu desh të kapërcente dhe një moment të hidhur dhe tragjik të jetës së saj. Shkolla ishte kthyer në shkollë partie, ku mësonin ish-partizanë dhe fshatarë injorantë, të cilët e shkatërruan varrin e Kristo Dakos. Kockat i nxorën nga varri dhe i shpërndanë andej­këndej dhe sot nuk dihet se ku janë. Në Tiranë nuk dinim se ku të strehoheshim, prandaj kuzhinierja besnike, Rukije Tafaj, na ofroi të banonim në njërën nga shtëpitë e djalit të saj. Ajo ishte një shtëpi përdhese dhe muret dhe dyshemenë prej balte pa tavan, pa ujë brenda dhe me një nevojtore jashtë në oborr. Në këto kushte të vështira Sevastia merrej me gatimin e ushqimit, Parashqevia me punët e shtëpisë, mbasi Rozi me Marien punonin që të siguronin triskat e bukës. Në fund të vitit 1946, Sigurimi i Shtetit filloi të merrte në pyetje çdo natë Aleksandrin dhe Gjergjin, me shpresë që t’i fusnin në ndonjë grup armiqësor…
Shkollat fillore dhe të mesme i kishin bërë në Amerikë dhe kur Sevastia u kthye në Shqipëri në 1922, djemtë vajtën në Kolegjin Robert të Stambollit dhe pastaj për mastera në Itali. Kështu, ata qëndruan në Shqipëri nga fundi i vitit 1944 e deri në fund të 1946, kur u burgosën dhe u akuzuan si spiunë të amerikanëve. Për Sevastinë, kjo qe një goditje shumë e rëndë, të dy djemtë në burg pa asnjë faj dhe, meqenëse ishin në hetuesi dhe asnjeri nuk i kishte pranuar akuzat, nuk mund t’i takonte. Kështu, për gati tre vjet ajo nuk i pa djemtë e saj të dashur. Në shkurt të vitit 1949, na njoftuan se Gjergji kishte vdekur, që kishte vrarë veten, mbasi nuk po i duronte më torturat. Sevastia shkoi për të marrë trupin e të birit. Të paktën do ta shikonte të vdekur, por atë nuk ia dhanë. Sevastia mundi të zbulonte se ata që vdisnin në burgoheshin në lumin e Tiranës. Kështu, natën ajo u nis bashkë me Marien në Bregun e Lumit për të gjetur trupin e Gjergjit dhe trupin e gjetën të mbështjellë me një hasër. Ndërkohë po gdhinte mëngjesi dhe kishin frikë se mos dikush i diktonte, kështu që ato e fshehën trupin në anë të tokës dhe u kthyen në shtë­pi, me qëllim që të ktheheshin në mbrëmje dhe të merrnin trupin e tij. Por kur u kthyen, e gjetën tokën të punuar nga traktori dhe trupi ishte zhdukur për të mos u gjetur më kurrë. Sevastia, megjithëse në jetë kishte kaluar shumë telashe e peripeci, e karakterizuar nga një fortësi dhe kurajë, kësaj here dhimbja qe mbi forcat e saj dhe ajo ra në një depresion të thellë, u end plot pesë muaj nëpër zyrat e qeverisë me qëllim që të mund të rimerrte trupin e djalit të saj të dashur 36­ vjeçar, por asnjë nuk iu përgjigj. Kudo që vajti, i gjeti dyert mbyllur. Kështu, në gusht 1949, Sevastia i mbylli sytë e saj e dëshpëruar dhe me zemër të plagosur pa e parë djalin e madh që dergjej në burg, i paralizuar nga njëra këmbë nga torturat shtazarake.
Aleksandri, pas tre vjetësh izolim, duke mos pranuar asnjë akuzë, u dënua me shtatë vjet burg dhe u lirua në vitin 1953. Shumë kohë më pas, në vitin 1962, me rastin e 50­vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë për koniunktura politike të regjimit komunist, u tregua interes për veprimtarinë patriotike të familjes Qiriazi. Kështu, aty në Vlorë, ku 50 vjet më parë u shpall Pavarësia e Shqipërisë, katër pjesëtarë të familjes Qiriazi, Gjerasimi, Gjergji, Sevastia dhe Parashqevia, u dekoruan me “Urdhrin e Lirisë” dhe urdhrin për “Veprimtari patriotike”. Më vonë, Sevastisë dhe Parashqevisë iu dha titulli “Më­suese e Popullit”, titulli më i lartë për arsimin. Parashqevia jetoi gjithë kohën me familjen e Aleksandrit dhe vdiq në vitin 1970 në Tiranë. Fatkeqësisht, të gjitha këto nderime Sevastia, edhe po të ishte gjallë, jam e sigurt se nuk do t’i shijonte, duke mos e pasur pranë djalin e saj të dashur 36­vjeçar, i pafajshëm dhe në lulen e rinisë së tij.
.
By voal.ch dhjetor 20, 2016
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.