Torba e minjve
nga Elmaz Fida
Një agronom që punonte në një fshat të thellë të Egjiptit, tregon përvojën e tij me një fshatar.
Kisha hipur në tren dhe isha nisur drejt Kajros. Përbri meje ishte ulur një bujk i moshuar, me një torbë të mbushur përgjysmë mes këmbëve. Gjatë gjithë rrugës, bujku e trazonte torbën, e përmbyste dhe e përziente mallin që kishte brenda. Kjo, pothuajse çdo çerek ore. Këtë gjë e bëri gjatë gjithë rrugës me tren.
Agronomi u çudit nga kjo sjellje dhe në një moment, ndërhyri dhe e pyeti
“Përse e përmbysni dhe e përzieni mallin që ka kjo torba?! Kam vënë re që këtë e bëni çdo çerek ore.”
Bujku egjiptian iu përgjigj: “Unë gjuaj minj e brejtës dhe ia shes qendrës kombëtare të studimeve në Kajro. Ata i përdorin për eksperimente, në laboratorët e tyre.”
Agronomi e pyeti: “Mirë, por a s’më thua, përse i përmbys dhe i trazon ashtu?!”
Bujku u përgjigj: “Këta janë minj e brejtës të zënë në fusha e male dhe nëse i lë për më shumë se çerek ore pa i trazuar dhe pa i përmbysur, ata fillojnë e qetësohen dhe u largohet ankthi. Nuk do të kalojë shumë dhe secili prej tyre do të fillojë ta brejë torbën time për t’ia mbathur më pas. Duke i trazuar herë pas here, unë i mbaj në gjendje ankthi të vazhdueshme dhe ata s’e kanë mendjen ta brejnë torbën. Ja përse i trazoj dhe i përmbys, për t’u rritur nivelin e ankthit, sa të mbërrij në qendrën e kërkimeve në Kajro.
E di çfarë o bir?! Ne u bëjmë minjve e brejtësve, pikërisht atë që na bëjnë politikanët tanë ne vendeve lindore dhe të pazhvilluara.
Për të na mbajtur të nënshtruar, të varfër, të pazhvilluar dhe të përulur, herë pas here, ata e tundin “torbën” e tyre. Herë na flasin për komplotet botërore që thuren kundër nesh, herë shkaktojnë kriza ekonomike, herë të tjera shkaktojnë trazira e kriza politike …
E gjitha kjo, me qëllim që të na mbajnë gjatë gjithë kohës në gjendje paniku e frike, me qëllim që të mos ua çjerrim “torbën” dhe të qëndrojmë të nënshtruar brenda diktatit të tyre.