back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ungaretti – Jeta e nji njeriu – nga Isak Ahmeti

Gazeta

Giuseppe Ungaretti - Jeta e nji Njeriu
Giuseppe Ungaretti – Jeta e nji Njeriu

Ungaretti – Jeta e nji njeriu

nga Isak Ahmeti

Këto ditë ka dalë në dritë vepra e plotë: “Jeta e një Njeriu”, e Giuseppe Ungarettit në përkthimin shqip nga Jozef Radi. Kjo vepër, të cilës iu nda edhe Çmimi “Agim Ramadani” në kuadër të Takimeve të Dom Mikelit (26.09.2020), sipas propozimit dhe vlerësimit të Sarë Gjergjit dhe Isak Ahmetit, dy specialistë të letërsisë dhe anëtarë të përhershëm të Këshillit Organizativ të këtyre Takimeve, është një margaritar i rrallë jo vetëm në poezinë italiane të periudhës së hermetizmit, por tash edhe në shqip, në një gegnishte të bukur e të rrjedhshme, nga Jozef Radi.
Ky përkthim i bukur vjen në vazhdën e përkthimeve të bukura, të pakrahasueshme, të Pashko Gjeçit, të Ernest Koliqit e të ndonjë tjetri duke filluar nga Dante, Petrarca, Pascoli, D’Annunzio e deri në ditët e sotme kur na erdhi e plotë vepra e Ungarettit.
Prof. Isak Ahmeti
Prof. Isak Ahmeti

1.Giuseppe Ungaretti (1888-1970)

Ungaretti, bashkë me Eugjenio Montalen (1896-1981) dhe Salvatore Quasimodon (1901-1968), përbën trininë e madhe të poetëve italianë të shek. XX. Këta poetë, të afirmuar dhe të çmuar edhe në rrafshin ndërkombëtar, me veprën e tyre poetike, të përkryer, kanë krijuar një vizion të sintetizuar të botës së të gjitha kohëve. Ky synim i tyre vërehet në opusin e tyre poetik, në veprën e tyre me vlera të mëdha poetike, që ka ushtruar një ndikim të madh në poezinë italiane të re dhe më të re. Ndikimi i tyre pozitiv më vonë është shtrirë edhe në rrafshin ndërkombëtar, madje edhe te një pjesë e poezisë shqipe në Kosovë (konkretisht te poezia ime).
E frymëzuar nga humanizmi, nga ndjenja e vdekjes, nga dëshira dhe gjakimi për një harmoni të përkryer midis njeriut dhe gjithësisë, poezia e Ungarettit, lirikut dhe përfaqësuesit më të madh të hermetizmit italian midis dy luftërave, është një kaptinë e veçantë e poezisë italiane të shek. XX. Duke ndjekur gjurmët e përvojës së Malarmesë dhe të Valerisë, më shumë se cilido poet tjetër italian, Ungaretti i është afruar idealit të poezisë hermetike.
Në strukturën e lirikës së tij, edhe në përkthimin shqip të Jozef Radit, fjala është simbol i emotivitetit të pastër, e rrethuar grafikikisht, me “qetësinë” e hapësirave të bardha; dykuptimësia e shpeshtë e fjalëve, që me siguri do i ketë hetuar edhe përkthyesi ynë në fjalë, shpërthejnë nga qetësia e brendshme dhe hermetizmi i saj që, poetikisht, në muzikën krejtësisht moderne, me sugjestivitetin magjik të tingujve dhe raporteve të papritura e të guximshme analogjike. Pas LDB, Ungaretti kishte botuar, veç tjerash, edhe përmbledhjet:
 
1.Toka e Premtuar (La terra e Promessa, 1950) dhe
2.Klithmë dhe peizazhe (Ungrido e Paesaggi, 1952),
ku vërejmë eksperimentimet e tij të reja dhe kërkimin e shprehjes më komplekse.
.
Montale, Quasimodo, Ungaretti - “Perfectum Trinum” - Përktheu Zef Zorba
Montale, Quasimodo, Ungaretti – “Perfectum Trinum” – Përktheu Zef Zorba

2.Përkthyesit e Poezisë së Ungarettit

Poezia e Ungarettit, me bukurinë e saj artistike dhe me mesazhin që ajo ngërthen në vete, që me kohë ka zgjuar edhe kurreshtjen e përkthyesve letrarë jo vetëm në Shqipëri, por më parë në Kosovë. Sepse në Kosovë kishte një liri më të madhe sa i përkiste leximit dhe përkthimit të poezisë moderne evropiane në krahasim me rrethanat që ishin në Shqiperi deri në vitet e 90-ta.
Kështu p.sh. në vitet e ’70-ta dhe ’80-ta poezinë e Ungarettit në Kosovë do ta përkthejnë Isak Ahmeti dheEqrem Basha, ndërsa pas viteve të ’90-ta në Shqipëri poezinë e tij do e përkthejnë: Klara Kodra, Anton Papleka, Shpëtim Kelmendi, Donika Omari, Mimoza Hysa, Xhevahir Spahiu e ndonjë tjetër. Ndër poezitë e Ungarettit të përkthyera në shqip janë këto: Dritare mbi det (përkth. Klara Kodra), Mallkim (përkth. Shpëtim Kelmendi), Vetmi (përkth. Donika Omari), Lumenjtë (përkth. Klara Kodra), Nostalgji (përkth. Anton Papleka), Mëngjes (përkth. Donika Omari), Përgjim, Kotësi (përkth. Mimoza Hysa), Krishtlindje (përkth. Donika Omari), Jam një krijesë, Një natë tjetër, Kam humbur gjithçka, Mos bërtisni (përkth. Xhevahir Spahiu), Kujtimi (përkth. Xhevahir Spahiu), San Martino del Carso (përkth. Shpëtim Kelmendi), Nëna (përkth. Klara Kodra), Çdo vit ndërsa zbuloj se shkurti (përkth. Anton Papleka), Injac Butita, Trashëgimi lotësh (përkth. Donika Omari), Kërshëndellat, Peshë, Agonia, Kotësi, Jam vetëm një frymë, Mos bërtisni, Shën Martini i Karsos, Një tjetër natë, Këngë, Ishulli, Nostalgji, Ushtarët etj. (përkth. Isak Ahmeti ), etj.
Këto përkthime, të bëra kur më mirë e kur jo, nuk e japin profilin e plotë të poetit Ungaretti. Madje disa nga këto poezi të përkthyera i kam krahasuar edhe me origjinalin me ç’rast kam vërejtur se ndonjëherë ato nuk e japin jo vetëm bukurinë por as idenë kryesore të origjinalit. Madje kemi edhe raste si p.sh. te poezia: San Martino di Carso (Shën Martini i Carsos), në përkthim të Shpëtim Kelmendit, është lënë një strofë, ndonëse me dy vargje (e fundit), që sipas vlerësimit tim, është kulmi kuptimor-poetik i vjershës:
 
“E il mio cuore/ il paese piu straziato”
 
që në përkthimin e bukur të Jozef Radit del kështu:
 
“Asht zemra jeme/ vendi ma i sfilitun“…
.
Ungaretti - Jeta e nji Njeriu - shqip nga Jozef Radi
Ungaretti – Jeta e nji Njeriu – shqip nga Jozef Radi

3.Jeta e Nji Njeriu

Vepra komplete e Giuseppe Ungarettit, në edicionin definitiv, është stampuar nga Mondadori në një titull të përbashkët: “Një jetë njeriu”, të cilën, falë mundit dhe përkushtimit të madh, për 16 vite, na e bjen në shqip, në një gegnishte të bukur Jozef Radi, përndryshe edhe autor i këtyre veprave:
1.Muret e muzgut – 1993,
2.Kujtesa e mjegullës – 2000,
3.Ancona segretta – 2008 dhe
4.Fletorja e vjeshtës – 2011.
Botimi komplet në shqip i veprës poetike të Giuseppe Ungarettit është një eveniment kulturor shumë i rëndësishëm edhe për faktin se, Ungaretti, siç e kam theksuar diku në fillim të këtij shkrimi, përbën treshin më të madh të poetëve italianë të shek. XX. Në lidhje me profilin e poetit në fjalë, përkthyesi, ndër të tjera na sjell, jo rastësisht, në kopertinën këtij libri, këtë tekst të Ungarettit:
“Poeti i sotëm ka sensin e mprehtë të natyrës, asht poeti që ka marrë e merr pjesë në disa prej ngjarjeve ma të tmerrshme në histori. Nga afër ka provue dhe provon gabimin, dhe e vërteta e vdekjes e ka mësue n’se ia vlen ai çasti në t’cilin hyn veç instikti.
Dhe ka një familjaritet të tillë me vdekjen, saqë jeta e tij i duket një përmbytje. S’ka asnjë objekt që s’ia pasqyron, përmbytjen vetë jeta e tij shtrihet prej fillimi në fund, herë mbi njenin e herë mbi tjetrin objekt gjithfarësh, në të cilin rrëzohet krejt rastësisht, shikimi i tij.
Në t’vërtetë, jeta e tij s’asht ma shumë se objektive – e s’asht jeta që i ban qëndresë rastësisë ma shumë se njaj objekt shfaqë ma s’pari.
Asht njaq jetëshkurtë e i tendosun përqëndrimi i tij në çastin e nji objekti sa s’mundet me imagjinue as masën. Asht detyrue m’u përqëndrue – kjo përban aventurën e tij – në çastin e nji objekti, përjetësia. Njat herë objekti naltsohet prej ferrit në pafundësi të sigurisë hyjnore.”
 
Këtij libri në fjalë i paraprin shkrimi i përkthyesit me titull shumë përmbajtësor ku, ndër të tjera, shkruan: “ky libër, jo veç ka vigjilue n’shijet e mia, po edhe m’ka diktue; herë me thjeshtësinë e vet, herë me sublimitetin artistik, herë me potencimin e frazës, po ma së shumti përmes delikatesës së mendimit e thellësisë së mesazhit artistik, jo gjithnji i përtypshëm.”
 
Ungaretti, sipas përkthyesit në fjalë, “asht konsiderue baba i hermetizmit italian, po edhe ma gjanë. E vërteta simbas meje, mbas kësaj pune rreth njizet vjeçare prej Sizifi mbi veprën e jetën e tij, asht paksa ma ndryshe. Unë mendoj, se Ungaretti asht ma pak hermetik se asht shpallë, bile kisha me e quejtë sintetik, pse ai t’i ban të prekshme objektet, njerëzit, luftën, natyrën, gruen, fëmijën e dhimben… Ai asht aq tokësor sa të bahet pjesë e së përditshmes, pjesë e jetës tande, pjesë e mënyrës së të menduemit… Ai të bahet familjar në misterin e tij, e misterioz në sinqeritetin e tij poetik.”
 
Pa e njoftë mirë jetën e Ungarettit s’mundesh me e lexue as me e kuptue poezinë e tij – konstaton Jozef Radi, të cilit i urojmë shëndet dhe vepra me vlerë si: Një jetë Njeriu në shqip.
.
Marre https://fjala.info/jeta-e-nje-njeriu-nga-giuseppe-ungaretti, 29 shtator 2020
.


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.