back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Nuk ka mbrojtje për Nasho Jorgaqin – nga Agim Baçi

Gazeta

Agim Baçi
Agim Baçi

Nuk ka mbrojtje për Nasho Jorgaqin

nga Agim Baçi

“Dragoit” Nasho Jorgaqi iu dha një shans që të dilte e të kërkonte ndjesë publike për pjesëmarrjen e tij me aq gëzim si bashkëpunëtor i Sigurimit famëkeq të diktaturës. Natyrisht, në këto tridhjetë vjet nuk pati guxim ta thoshte i pari pjesëmarrjen e tij në radhët e spiunëve, por mundej që pas botimit të dokumenteve nga studiuesi dhe profesori Agron Tufa ai të dilte e të shpjegonte “jetën e tij prej dragoi”, të cilën, sipas letrës së firmosur nga vetë ai e të publikuar nga Tufa, dallohet pjesëmarrja me zell në organet e sigurimit famëkeq.
Në fakt, ai mund të kishte dalë përpara se këto dokumente të publikoheshin e të kërkonte ndjesë për atë deformim kriminal që i bëri mërgatës politike shqiptare, përmes një romani që ka bartur gjithë ligësinë e atij sistemi mbi ata që nuk e deshën kurrë regjimin antinjerëzor të 45 viteve në Shqipëri. Por, “mendjet e robëruara”, siç i quan novelisti Çesllav Millosh bashkëpunëtorët e zellshëm të regjimeve gjakatare, si Nasho Jorgaqi, nuk turpërohen për të shkuarën e tyre edhe kur janë në dijeni të masakrave që ka bërë ai sistem ndaj bashkëqytetarëve të vet, sidomos me mbështetjen që i kanë dhënë sigurimit famëkeq.
Madje, për fatin e tyre të keq, të tilla mendje të sëmura përdorin edhe gra, si rasti i djeshëm i zonjës Reso, e cila dukej sikur kishte bërë një zbulim shkencor në favor të Nasho Jorgaqit, kur shkruante në shkrimin e saj të “Panorama” (01.10.2020), se gjyshi dhe babai i saj, Bexhet dhe Bardhyl Reso, paskan sharë partinë në prani të Nashos dhe nuk i kishte gjetur asnjë e keqe.
Dashtë Zoti që të mos jenë në këtë botë për t’u turpëruar nga qëndrime të tilla foshnjarake në mbrojtje të një njeriu që nuk do ta mbronte dot as shejtani e jo më një njeri me pak moral. Në fakt, hileja e shkrimit të zonjës Reso – një shkrim që dallohej lehtësisht se ishte gatuar nën shijet e “dragoit” – përveç aludimeve qesharake për z. Tufa, ishte edhe përfshirja në këtë mes edhe e shkrimtarit Ismail Kadare, a thua se Nasho Jorgaqi po fajësohej për marrëdhëniet me shokët dhe jo për pjesëmarrjen e tij në Sigurimin e Shtetit, që shpiku dhjetëra dokumente false apo që krijoi qindra e qindra situata absurde për të ndëshkuar bashkëqytetarët se nuk ishin dakord me idetë e sistemit.
.
Deklarata e bashkpunimit me Sigurimin e Nasho Jorgaqit
Deklarata e bashkpunimit me Sigurimin e Nasho Jorgaqit
Ose edhe më ironike, ai sistem nuk ngurronte për të dënuar herë pas here pjesëtarë të vetë kupolës së diktaturës, sepse ai lloj regjimi gjakatar ka në themel të narrativës së vet krijimin e grupeve armiqësore që të mbajë gjithnjë të terrorizuar shoqërinë.
Duhet të pohojmë se zonja Reso nuk është e vetme në këtë logjikë justifikimesh, pasi kohët e fundit kemi pasur edhe vendime nga organet e sapoformuara të drejtësisë në Shqipëri, të cilët kanë certifikuar në organet e vetingut ish-pjesëtarë të Sigurimit me justifikimin se “kanë qenë të mirë gjatë kohës që kanë shërbyer në organet e sigurimit të shtetit!”.
Kjo logjikë e relativizimit të së keqes është helmi i radhës që kanë futur në këta tridhjetë vjet gjithë përkrahësit e atij regjimi kriminal, e sidomos pjesëmarrësit e zellshëm në zemrën gjakatare të atij sistemi, siç ishte Sigurimi i Shtetit.
Nasho Jorgaqi dhe gjithë “dragonjtë” e tjerë si ai e kanë humbur shansin që të kërkojë ndjesë për bashkëpunimin e tyre me të keqen. Robërimi i Jorgaqit është firmosur sidomos kur ribotoi romanin “Mërgata e qyqeve”, duke e vulosur vetveten si qyqari më i madh, që nuk pati kurrë kurajë që të pendohet për deformimin dhe shpifjet. Libri i tij duhej prej kohësh të ishte kthyer në simbolikën e mënyrës se si një shkrimtar nuk duhet të shkruajë, sidomos lidhur me bashkëpunimin e tij të hapur me ata që krijuan gjithë urrejtjen për shqiptarët që u larguan për të mos jetuar nën ferrin e diktaturës – një ferr që ngrohej nga dru si Nasho Jorgaqi.
Pa dyshim që mungesa e një gjyqi publik në këto tridhjetë vjet lidhur me krimet e komunizmit ka bërë që sot të ketë mbrojtës si zonja Reso apo vendime miratuese të organeve të drejtësisë për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit. Gjyqe të tilla do të shpëtonin nga turpërimi publik edhe llojin e personave si zonja Reso, që këto vite kanë mbrojtur ish-agjentë të Sigurimit apo vrasës, por njëkohësisht edhe do të hapte një debat të rëndësishëm për studiuesit e letërsisë shqipe lidhur me deformimin e qëllimshëm në kohën e diktaturës, që ka i bërë arti historisë dhe vlerave të shqiptarëve. Një gjyq i tillë është i rëndësishëm edhe pas tridhjetë vjetëve, që të jemi të paktën moralisht të drejtë me fëmijët, pasi një popull që nuk di të shkruajë të vërtetën e vet, rrezikon që të bjerë gjithnjë nën kthetrat e së njëjtës ligësi.
Krenaria e “Dragoit” se ka shitur mijëra ekzemplarë të shpifjes së tij letrare, të mbështetur në versionin e ish-bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, tregon pikërisht një rikthim me krenari të atyre që nuk i dënuam dot për të keqen që mbollën jo vetëm gjatë diktaturës, por edhe më pas. Përpjekja e zonjës Reso për të vënë përballë Nasho Jorgaqit, Agron Tufën, është një kambanë alarmi për të gjithë ne për të mos lejuar që askush të guxojë të barazojë fytyrën e asaj të keqeje me ata të cilët në këto vite kontribuuan në zbardhjen e fytyrës së vërtetë gjakatare të diktaturës më të egër në gjithë kontinentin tonë.
.
Marrë nga http://www.panorama.com.al/nuk-ka-mbrojtje-per-nasho-jorgaqin
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.