Dyzimi mendor i krijuesve shqiptarë gjatë diktaturës dhe pas saj
Ese nga Thanas L. Gjika
Kjo ese nuk synon të hapë polemikë mbi problemin e dyzimit të krijuesve shqiptarë nën dikturën komuniste, por vetëm të verë në dukje dy dukuri:
Së pari, gjatë atij regjimi pjesa më morale e më kurajoze e shoqërisë sonë përbëhej nga të përndjekurit e ndërgjegjes;
Së dyti, nga radhët e krijuesve që ishin në shërbim të diktaturës nuk doli asnjë disident i vërtetë dhe se pas kapitullimit të sistemit asnjë krijues i shquar nuk kërkoi të falur për gabimet e krimet artistike që kishte kryer gjatë diktaturës dhe nuk e vlerësoi sa dhe si duhej veprën e të përndjekurve të ndërgjegjes. Pjesa dërmuese e këtyre krijuesve pas ndërrimit të regjimit nuk bëri asnjë gjest qytetarie si është vendosjes te varret a memorialet e kolegëve të tyre të pushkatuar e varur gjatë regjimit diktatorial.
Regjimi diktatorial komunist arriti ta shtypte mendimin ndryshe më fort se çdo regjim që kishte sunduar në Shqipëri gjatë shekujve XIX-XX. Ky regjim e ktheu shumicën e banorëve të Shqipërisë në njerëz me mendësi të dyzuar, që ndryshe mendonin e ndryshe shpreheshin.
Qeveria turke i ndoqi dhe i luftoi rilindësit tanë, të cilët përhapnin idenë e lirisë kombëtare, pra mendimin ndryshe, por s’arriti ta shuante lëvizjen e tyre që u kthye shpejt në një lëvizje mbarëkombëtare. Kjo lëvizje kundër zgjedhës turke ndërgjegjësoi një pjesë të madhe të popullit dhe më tej çoi në organizimin e kryengritjeve të armatosura dhe së fundi tek akti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Fatkeqësisht, nën trysninë e politikës sllavomadhe të Rusisë cariste, Fuqitë e Mëdha të asaj kohe krijuan një Shqipëri të lirë në gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët.
Qeveritë shqiptare që u krijuan në vitet 1912-1913 dhe 1920-1939 e lejuan shprehjen e mendimit ndryshe nëpër gazeta, revista, libra dhe në debatet parlamentare. Në saje të lirisë së shprehjes së mendimit ndryshe lulëzoi në Shqipërinë e atyre viteve gazetaria dhe letërsia përparimtare që iu kundërvu politikës së qeverive të kohës si dhe monarkisë Zogiste. Respektimi i shprehjes së mendimit ndryshe vijoi edhe gjatë viteve 1939-1944, kur sunduan qeveri të ndryshme shqiptare bashkëpunëtore të pushtuesve italo-gjermanë. Në ato vite u botuan krahas organeve qeveritare që propagandonin politikën e pushtuesve të huaj edhe gazeta, revista, libra që shprehnin mendime kundër kësaj propagande. U krijuan organizata patriotike “Balli Kombëtar”, “Partia Komuniste Shqiptare”, “Partia e Legalitetit”, “Partia Social Demokrate” të citat botonin buletinet e tyre ku propagandonin lirinë kombëtare.
Mbas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare mendimi ndryshe, pra mendimi që nuk përputhej me propagandën e qeverisë në pushtet, u luftua shumë ashpër. Në fillim kjo luftë u krye pa pasur ligje të shkruar, por shumë shpejt u sajuan dhe nene e ligje që e dënonin mendimin ndryshe. Këtyre dënimeve iu dha emri “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”, kurse të dënuarit shpalleshin “Armiq të Partisë e të atdheut” dhe u jepej një dënim nga 3 deri 10 vjet burg. Ky dënim që shoqërohej krahas burgimit të personit dhe me internimin e familjarëve. Shumë nga të dënuarit pasi kryenin vitet e burgimit ridënoheshin me vite të tjerë burgu, ose dërgoheshin në kampe internimi për disa vjet, ose për gjithë jetën. Me të tilla dënime u shfaros pjesa më e madhe e intelektuatëve të formuar në shkollat perëndimore. Në popull u krijua një gjendje frike dhe terrori.
Njerëzit që kishin fituar një farë formimi demokratik para luftës, për të mbijetuar u detyruan të mbyllnin gojën. Edhe pse në mendje mendonin ndryshe, kur flisnin në ambjente shoqërore ata aprovonin vendimet e partisë shtet, madje dhe i duartrokisnin fjalimet e udhëheqësve të partisë. Frika stimuloi dyzimin mendor te shumë njerëz, si dhe te shumë krijues të letërsisë dhe artit. Ndër krijuesit u zhvillua një dukuri e re, autocenzura. Ky vetëkontroll kryhej vullnetarisht për t’i krijuar veprat në përputhje me vijën politike të partisë. Shumë pak krijues që mendonin ndryshe nuk vijuan të krijonin vepra të reja pas vitit 1944. Këtë rrugë ndoqën Lasgush Poradeci, Ali Asllani, Mustafa Grëblleshi e ndonjë tjetër.
Krijues që kishin filluar të krijonin para vitit 1944, si Dhimitër Shuteriqi, Andrea Varfi, Aleks Çaçi, Foto Stamo, Shefqet Musaraj, Fatmir Gjata, etj, të cilët morën pjesë në Luftën Antifashiste në krahun e Nacional Çirimtares, pas vitit 1944 u bënë flamurtarë të metodës së re letrare, metodës së realizmit socialist. Kjo metodë e re u importua prej Bashkimit Sovjetik bashkë me thënien e Leninit “Shkrimtarët dhe artistët janë vidë dhe burmë e propagandës së partisë”.
Propagandimi se shoqëria komuniste synonte barazi midis njerëzve dhe krijimin e një shoqërie të re pa shtypje e shfrytëzim bëri për vete shtresat e varfra, si dhe shumë përfaqësues të borgjezisë e mikroborgjezisë së dobët shqiptare. Trysnia për nënshtrimin dhe kthimin e gjithë popullit në popull të nënshtruar e servil ushtrohej në dy dretjtime: nga njëra anë përmes terrorit policor me burgime e internime që kryenin Ministria e Punëve të Brendshme me organet e veta dhe Komisioni i Dëbim-Internimeve; dhe nga ana tjetër përmes propagandës me gazeta, revista, radio (më pas u shtua dhe televizioni), me botime veprash letrare, prodhim filmash, organizim festivalesh të këngës, ekspozita pikturash e skulpturash, etj.
Trysnia që kryhej me anën e propagandës artistike ishte forma më frutdhënëse, prandaj shpërblehej me lejë krijuese, honorare, dërgime jashtë shtetit, tituj e grada shkencore për studjuesit e shkencave shoqërore, etj. Ky lloj arti duke e pushtuar mendjen dhe zemrën e lexuesit, spektatorit, dëgjuesit me figuracionin artistik të krijuar me imagjinatë krijuese e kthente popullin në simpatizantë e rob të propagandës së partisë. Këtu qëndron dëmi i madh i helmit të sofistikuar që përhapnin këngët, poezitë, poemat, romanet, dramat, filmat, tablotë murale, skulpturat e komplekset monumentale që realizoheshin me nivel të lartë artistik, por me brendi ideore të gabuar. Përmes tyre propagandohej Partia Komuniste dhe udhëheqja e saj si e vetmja forcë përparimtare që po e shpinte vendin nga fitorja në fitore, kur dihej tatëpjeta ekonomike, politike dhe morale që kishte marrë realisht Shqipëria. Po kaq të dëmshëm ishin dhe studimet në fushën e shkencave shoqërore, ku shtrembërohej realiteti dhe e vërteta historike për ta përputhur atë me vijën politike të partisë shtet. Të tilla vepra shkencore bashkë me veprat artistike të krijuara sipas normave të realizmit socialist përbënin botëkuptimin e gabuar te brezi i ri që formohej në shkollat e asaj kohe.
Nuk duhet mohuar se disa vepra letrare e artistike të krijuara sipas parimeve të realizmit socialist kanë në nivele të pëlqyeshme artistike. Ato janë krijuar me frymëzim të lartë dhe me imagjinatë të fuqishme. Të tilla vepra s’ishin krijuar nga zori e frika, si thonë sot autorët e tyre, por sepse të tilla ishin bindjet artistike të krijuesve në atë kohë. Niveli i lartë artistik i këtyre veprave dëshmonte dhe dëshmon se partia shtet duke e përdorur politikën e kulaçit e kërbaçit, i pati bërë ushtarë të ndërgjegjshëm të propagandës së saj, si ish-partizanët edhe krijuesit që nuk ishin lidhur me Luftën Antifashiste. Më vonë këtij grupi iu bashkuan edhe krijuesit e rinj që filluan krijimtarinë pas vitit 1955.
Ndërkohë kontakti me vepra të letërsisë përparimtare botërore, kontakti me njerëz si Lasgush Poradeci, Ali Asllani, vepra e Mitrush Kutelit që nuk shkruhej sipas normave të realizmit socialist, etj, i nxitën disa romancierë, regjisorë, etj, të kalonin në trajtimin e tematikës historike të kohës së para krijimit të Partisë Komuniste. Kjo lloj tematike i shpëtonte ata nga detyrimi për të krijuar në veprat e tyre një hero pozitiv komunist ose sekretar partie.
Në Bashkimin Sovjetik pasi Nikita Hrushovi dënoi kultin e individit dhe krimet e Stalinit, filluan të delnin shkrimtarë dhe artistë disidentë që e kundërshtonin parimin e realizmit socialist dhe politikën e partisë shtet. Në këtë kohë edhe në Shqipëri filloi të shihej me simpati ideja se disidenca ishte një mendësi pozitive, që ndihmonte ecjen drejt lirisë. Mirëpo, pikërisht në këtë kohë partia shtet e forcoi edhe më tepër ndjekjen dhe shtypjen e çdo shfaqjeje të mendimit ndryshe në shtyp dhe në shoqëri. U arrestuan krijues si Pjetër Arbnori, Trifon Xhagjika (këtë pas pak vitesh e pushkatuan në burg). Vala e përndjekjes u shtuan pas pleniumit të IV të PPSh-së (1973). U arrestuan Frederik Reshpja, Luk Kaçaj, Vangjush Tushi, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Jamarber Mako, Maks Velo, Visar Zhiti, etj. Terrori arriti kulmin me pushkatimin e poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi më 1977 dhe me varjen në litar të poetit Havzi Nela më 1988 (një vit para shembjes së murit të Berlinit).
Shqiptarët brenda atdheut ishin ndarë në disa grupe: Njëri grup përbëhej nga të dënuarit politikë, të cilët formonin grupin e kundërshtarëve të regjimit, vepra e të cilëve u izolua e nuk ra në kontakt me lexuesin. Një grup tjetër përbëhej nga gojëmbyllurit, të cilët hiqeshin si neutralë, por kur vinte puna duartrokisnin bëmat e partisë edhe pse në thellësi të disave tyre vlonin mendime kritike ndaj regjimit. Një grup tjetër përbëhej nga krijues aktivë të cilët përmes veprave të tyre mbështesnin vijën e partisë, punë që helmonte masat e popullit. Kurse disa më të pakët përpiqeshin të luanin një farë roli disident në ato kushte të vështira. Këta krijonin herë pas here krahas veprave socrealiste dhe vepra me nëntekst kritik ndaj disa aspekteve të jetës e të propagandës së partisë. Kritika e tyre godiste disa aspekte të jetës e të propagandës komuniste, por nuk kritikonte thelbin e regjimit komunist, pra këta krijues nuk e mohonin sistemin, nuk arrinin të ishin kundërkomunistë. Më i guximshmi midis këtyre krijuesve ishte shkrimtari më i talentuar shqiptar Ismail Kadare, deputet në disa legjislatura dhe nënkryetar i Frontit Demokratik. Veprën e tij partia shtet filloi ta përkthente frëngjisht e botonte në Francë për të treguar se ishte parti liberale dhe jo diktatoriale. Bota perëndimore e pëlqeu dhe e përkrahu veprën e I. Kadaresë sepse ai ishte shkrimtar i talentuar që përdorte një stil tërheqës dhe që në disa vepra shkruante me tone kritike ndaj disa aspekteve të jetës nën diktaturën komuniste, si në veprat e botuara të asnjë krijuesi tjetër shqiptar.
Në vitet 1990-1991 u pranua dhe në Shqipëri dështimi i regjimit diktatorial. Të burgosurit e ndërgjegjes u liruan dhe u krye ndërrimi i sistemit socialist me sistemin pluralist dhe ekonominë e tregut. Ish-të përndjekurit e ndërgjegjes botuan veprat e tyre, metoda e realizmit socialist u hodh poshtë si metodë e gabuar. Disa krijues dhe studiues të shkencave shoqërore, që kishin krijuar në përputhje me vijën e partisë shtet në mbështetje të propagandës së partisë, tashmë të çliruar nga frika, u kthjelluan dhe filluan të evoluonin drejt së djathtës. Këta filluan të hartonin vepra letrare artistike realiste dhe të kritikonin krimet e komunizmit, kurse studjuesit e shkencave shoqërore filluan të hartonin studime ku respektonin me objektivitet ligjet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore.
Një shumicë e madhe e krijuesve të veprave të realizmit socialist, edhe pse e braktisi këtë metodë krijuese dhe filloi të shkruante ndryshe, nuk mundi të evoluonte sa e si duhej. Këta nuk i kritikuan veprat e tyre të shkruara para vitit 1990, nuk i dënuan krimet e komunizmit dhe nuk deshën t’i vlerësonin veprat e të përndjekurve politikë. Në krye të tyre qëndroi poeti e shkrimtari i talentuar Dritëro Agolli, ish-kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve, rreth të cilit u bashkuan mjaft krijues, sidomos poetë, regjisorë, aktorë teatri e filmi, piktorë, etj. Ky grup e konsideroi evoluimin si një kërkesë të dëmshme dhe nuk i dënoi veprat e veta të realizmit socialist.
Për fat të keq mosevoluimin e D. Agollit pas vitit 1992 e kritikuan shumë pak njerëz. Madje studjuesi i talentuar i Kosovës, Prof. Rexhep Qosja, me rastin e largimit nga jeta të këtij krijuesi, e vlerësoi mosevoluimin e tij si tipar me vlera të mëdha: “Për jetëshkruesit e tij Dritëro Agolli do të mbetet i çmuar, shumë i çmuar edhe për një arsye: do të mbetet i çmuar përgjithmonë për qëndrimin e tij vertikal, të dinjitetshëm pas rënies së komunizmit. Ai nuk do të provojë asnjëherë, me asnjë fjalë të arsyetohet për farë veprimesh a për farë shkrimesh që në kohën e shkuar mund të ketë bërë, siç iu ka ndodhur, më në fund, të bëjnë jo pak të tjerëve”.
Kurse I. Kadareja pas largimit nga Shqipëria, pra pas tetorit 1990, u largua gjithnjë e më shumë nga ndikimi i klanit komunist. Duke jetuar në Paris ai pati mundësi të kuptonte se regjimi diktatorial komunist ishte i gabuar dhe në shumë aspekte të tjerë. U shpreh kundër terrorit komunist, kërkoi hapjen e dosjeve të Sigurimit dhe dënimin e krimeve të komunizmit, vlerësoi veprën e At Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Ernest Koliqit, Martin Camajt, etj, të cilët i kishte përçmuar gjatë diktaturës nën presionin e propagandës së partisë. Shkroi vepra të reja ku thelloi kritikën ndaj regjimit diktatorial, ktheu sytë tek një pjesë e të përndjekurve të regjimit komunist, por jo dhe ndaj të përndjekurve të vërtetë të ndërgjegjes që vuajtën ndër burgje e kampe internimi që nga vitiet 1945-1953. Pra evoluimi i I. Kadaresë nuk ishte shembullor, gjë që u duk edhe në një intervistë të muajve të fundit ku pyetjes se a ndjente nevojë për t’i kërkuar të falur popullit shqiptar, ai u përgjigj: “Unë kam kryer detyrën si shkrimtar edhe në kohën e vështirë të diktaturës, prandaj nuk ndjej nevojë të kërkoj ndonjë të falur”.
Ata që mbetën në shërbim të klanit Hoxha-Alia nuk e duronin dot evoluimin e I. Kadaresë dhe të të gjithë atyre që u shkëputën prej atij klani, prandaj u turrën kundër tyre nëpër faqe gazetash e interneti si sambistë, tashmë jo me shkopinj, por me penat e tyre të fëlliqura gjithë sharje e shpifje.
Rrugën e evoluimit e ndoqën shumë shkrimtarë, poetë, piktorë, skulptorë, muzikantë, etj, si dhe studjues të shkencave shoqërore. Numri i krijuesve dhe studiuesve që evoluojnë drejt së djathtës, që i bashkohen grupit të krijuesve dhe shtudiuesve të përndjekur, vjen duke u shtuar. Krijuesit dhe studiuesit e këtij grupi nuk vuajnë nga dyzimi. Ata përdorin figuracion të kuptueshëm, secili ecën në rrugën e vet krijuese si krijues i pavarur nga grupe ose parti politike. Ata lëvdojnë rrallë njëri tjetrin, por edhe kritikojnë dobësitë e njëri tjetrit.
Kurse krijuesit dhe studjuesit që i qëndruan besnikë vijës politike të PS-së, vijueses së PPSh-së, mbetën të dyzuar. Përpiqen të tregojnë se nën diktaturë kanë qenë në pozita të shëndosha, se patën krijuar vepra me vlera artistike, madje dhe me tipare disidente, se u janë hequr nga shtypi një apo më shumë poezi e vepra, etj. Po ashtu dhe studjuesit e shkencave shoqërore të këtij grupi pretendojnë se studimet e tyre i patën hartuar në përputhje me ligjet e shoqërisë njerëzore me të cilat, sipas tyre ishte në përputhje vija politike e partisë shtet. Këta bënë shumë pak ndryshime në studimet e tyre pas vitit 1992. E ripunuan dhe e ribotuan “Historinë e Shqipërisë” së periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” duke përsëritur shumë gabime të botimeve të mëparshme.
Sot dyzimi mendor i këtyre krijuesve e studiuesve nuk lidhet me frikën ndaj pushtetit, por me frikën ndaj opinionit shoqëror. Ata e mbështesin politikën e pushtetit, por hiqen sikur nuk janë shërbëtorë të tij dhe kritikojnë aty këtu ndonjë shkelje të të drejtave të njeriut, por jo thelbin enverist të këtij pushteti, me të cilin janë lidhur me fije të dukshme e të padukshme. Përpiqen të paraqiten si përparimtarë e modernë duke u maskuar pas figurash e shprehjesh të pakuptueshme. Përpiqen të tregohen të ditur duke cituar shprehje e ide autorësh të shquar të botës, duke trajtuar shpesh tema kulturore për një elitë që nuk ekziston dhe rrallë tema që interpretojnë problemet e së sotmes dhe së ardhmes së popullit. Arratisja nga e sotmja është dëshirë e brendshme e tyre. Lëvdojnë njëri tjetrin për të krijuar tym e mjegull duke u veshur kolegëve të grupit të tyre epitete “i madh”, “i shquar”. U japin çmime miqve të tyre nëpër zhuri, nuk kritikojnë dobësitë e njëri tjetrit, kultivojnë frymën e grupazhit, si dikur frymën partiake. Thënë thjesht këta krijues vijojnë të jetojnë me nostalgjinë e së kaluarës, kohës kur ishin rrethuar me aureolën e lavdisë prej partisë shtet.