back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Fatos Arapin – poeti me heshtje dhe magjinë e fjalës – nga Behar Gjoka

Gazeta

Poeti Fatos Arapi (1930)
Poeti Fatos Arapi (1930-2018)

Fatos Arapin – poeti me heshtje dhe magjinë e fjalës

nga Behar Gjoka

Poeti që foli me tekste dhe me heshtje, po flet po ashtu me magjinë e fjalës poetike nga amshimi, duke ndezur dhe rindezur dritën e fjalës shqipe.
Foli me libra të shumtë, në prozë, studime, ese, dhe sidomos foli si poet, nga më të rrallët në poezinë shqipe, në gjithkohësi dhe në gjithë hapësirat, një poet ku lirika përkundet gjer në lumni, ashtu si në vargun e Serembes dhe Naimit, Lasgushit e Reshpes.
Foli me libra më të shumtë si poet, ku gati barazohen librat e shkruar para ’90, me ato të shkruara pas këtij momenti, duke u kthyer natyrshëm në mjellmën e poezisë, që kohët nuk ia prenë këngën dhe fjalën e bukur shqipe, madje kohët e ndryshme nxjerrin në pah magjinë e poezisë së Arapit, ku fjala buron pozinë e larmisë, me spikamë të lirikës së brishtë.
Pjesë e brezit të viteve gjashtëdhjetë, bashkë me Agollin, poetin e lindur, Kadarenë, poetin e mendimit, Arapi qe poet i lindur dhe gjithnjë në kërkim të shprehësisë moderne, dhe më i dalluari prej tyre, si botëperceptim dhe shprehësi.
Arapi për shumë mote foli me heshtje, ndryshe nga shumëkush, prej vitesh ndenji në moskomunikim me botën, me kohën dhe me lexuesin, pra zgjodhi të heshtë, ndonëse poezia e tij, zbulohet secilën ditë dhe zdritet gjithnji e ma shumë.
Arapi është poeti që para disa vitesh mori çmimin e festivalit ndërkombëtar “Netët e poezisë strugane”, njëri nga festivalet më të rëndsishme të poezisë, së rajonit dhe në rang ndërkombëtar, dhe nëse do të rrekeshim të portretizonim tipologjinë e tij më përfaqësuese, pavarësisht se para viteve ’90 i këndoi komunizmit, ashtu si Kadare dhe Agolli, është nga të paktit që kërkoj falje për atë rend, për letërsinë zyrtare, që në vend të ëndrrës paskësh ndërtuar zhgjëndrrën, dhe mandej edhe ma herët shkroi poezi shpirti, ku zbulohet natyra fine e poetikës së tij.
Nëse Lasgushi është poet i liqerit, Camaj poet i lumit, pra i lumit Drin, Arapi është poet i detit, ku vargu dhe fjala ngjyhet në shkumën e bardhë të valës së detit.
Lamtumirë, pulëbardha e poezisë shqipe!
Tani nis komunikimi me krijimtarinë, e sidomos me poezinë, si mjeshtër dhe magjistar i lavrimit të saj!
.
 
Poeti Fatos Arapi
Poeti Fatos Arapi

Si s’të desha pak më shumë

 
Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: -Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.