back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Homazh… – nga Lluka Qafoku

Gazeta

Petro Zheji (1929-2015)
Petro Zheji (1929-2015)

Homazh…

nga Lluka Qafoku

 Homazh Atij, që kudo ku shkoi,
dhe çfarëdo që bëri,
rindezi shpresën e shuar për Zotin
në errësirën enveriste…
(me rastin e përvjetorit te lindjes së Petro Zhejit)
 
Petro Zheji ka qënë një personalitet i jashtëzakonshëm shumëplanësh, që rrallë, shumë rrallë, ndeshet. Ishte një mësues i supertalentuar i të gjitha moshave dhe shtresave shoqërore, dhe gama e tij e mësimdhënies ishte e gjerë dhe e gjithanshme, siç ishte kultura e tij e thellë dhe e kristaltë. Takimi më të ishte shterues, ai ishte një psikolog i jashtzakonshëm dhe ka lënë gjurmë në të gjithë intelektualët e shquar që njohu, fatkeqësisht vetëm në Shqipëri.
Përkthimet e tij të shkëlqyera kanë ushtruar një ndikim të ndjeshëm në ngritjen në një stad bashkëkohor të aftësive shprehëse të gjuhës shqipe, me fjalëformimet e tij të larmishme e të bazuara fort në traditën tonë më të mirë, por duke futur edhe po ato mjete shprehëse të letërsisë bashkëkohore që e bëjnë shqipen sot të krahasueshme me gjuhët më të përpunuara, falë kulturës së tij titanike dhe saktësisë së shprehjes së të gjitha gjendjeve shpirtërore. P.sh. përkthimi i nobelistëve Steinbeck dhe Asturias kap edhe nuancat më fine të këtyre autorëve gjenialë.
Por, puna e tij e jetës ishte ekspozimi i një mjeti brilant të mendimit të tij në dobi të njerëzve dhe pikërisht përvijimi i një sistemi të ri të formalizimit të logjikës instinktive njerëzore. Me anë të këtij projekt-sistemi synohet të riinterpretohet sintetikisht e gjithë dija dhe të gjendet ndoshta një çelës i ri për realizimin e ëndrrave të përbashkëta filozofike – fetare të gjithë njerëzimit. Ky mjet sugjerohet në botimet “Shqipja dhe Sanskritishtja” (2 vol.), “Libri i Aforizmave” dhe “Roli Mesianik i Shqipes”.
Më poshtë po paraqes përshtypjet e mia nga komunikimi im intelektual me Petron.
Petro mendonte vetiu, ai kishte mendim që ishte në vetvete i vërtetë.
.
Petro Zheji - Shqipja dhe Sanskritishtja
Petro Zheji – Shqipja dhe Sanskritishtja
Ai gjente Absolutin kudo dhe punonte me të, sikurse Kisha sot lufton Relativizmin. Gjuha e tij është demaskuese por e qetë, mendimi i tij është revolucionar, por me kuptimin që trajton papa Ratzingeri në librin e tij “Revolucioni i Zotit”.
Ai kishte gjetur te shqipja mendimin e vetishëm, pra mendimin si e vërtetë e gjallë, mendimin që përjashton çdo dyshim, mendimin e pashkëputur nga fakti, mendimin e Frymës së Shenjtë. Shqipja e tij mbillte besim në çdo zemër.
Absoluti i tij pa fërkim, pa sforcim ishte jashtë realitetit; prandaj pikërisht nëpërmjet tij ai e shihte këtë të fundit tejpërtej, si i huaj, si i jashtëm për të, pra realiteti s’mund të mbante më sekrete për të. Absoluti i tij kuptoi Krishtin si e vetmja rrugë që zgjidhet si vetvrasja e egos për të lënë të hyjë, ose për të gjetur botën që aspiron Njeriu, botën ku aspirata e tij çlirohet.
Ai rivendos Absolutin si aksiomë të mendimit dhe përmbys Laplace-in kur i thotë Napoleonit të I: “Sire, je n’ai pas besoin de cette Hypothese” (Madhëri, nuk kam nevojë për këtë Hipotezë). Këtu, me Hipotezë, Laplace kuptonte Absolutin, Zotin.
Keni dëgjuar për clairvoyance? Ai e përjetonte dhe të infektonte me të.
Petrua komunikonte pa paramenduar siç porosit Ungjilli, mendimi i tij ishte vallëzues, siç e kërkon Niçja. Prandaj askush s’e kapte dot me algoritma linearë mendimi. Ai vuante nga “la douce folie de Christ” (çmendia e ëmbël e Krishtit). Zoti i tij s’luante me zare (Einstein) por ai e përdorte gjuhën si zar për zbulim dhe krijim.
Algoritmi i Petros është simbolik, ai s’kapet dot akoma informatikisht. Mesazhi i tij është i shifruar, i enkriptuar, por me shifër, zarf të hapur (One time pad), si vetë natyra. Ai mund të quhet edhe Algoritëm natyral. Ai është pra edhe Antialgoritëm, i lindur edhe nga përpjekja për t’u përballur me Antiligjin e asaj kohe.
Një dhuratë e bukur për trashëgiminë që na la Petrua është punimi i përkushtuar i Znj. Afërdita Zaja “Mendimi mistik dhe Norvegjishtja”, ku ajo tregon se gjuhët e Evropës veriore, aty ku ajo jeton e punon, i binden sistemit logjik inherent të gjuhës që propozon Petro. Gjithashtu komente shumë të vlefshme dhe të thella për punën e Petros ka bërë dhe filozofi dhe personaliteti i mirënjohur, Prof. Përparim Kabo.
.
Marrë nga Muri i Fb. i Lluka Qafokut, 18 tetor 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.