back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Lamtumirat e Miqve për Ramadan Musliu! (31 maj 1954 – 22 tetor 2020)

Gazeta

Ramadan Musliu (1954-2020)
Ramadan Musliu (1954-2020)

Lamtumirat e Miqve për Ramadan Musliu!

(31 maj 1954 – 22 tetor 2020)

.

Ramadan Musliu dhe Familja e tij
Ramadan Musliu dhe Familja e tij

Na këpute shpirtin babi jonë!

nga Ardiana Musliu

Na këpute shpirtin babi jonë!
Fjalët nuk mjaftojnë për me shprehë dhimbjen tonë.
Do të kujtojmë gjithmonë me dashuri, mall e krenari.
Një njeri i rrallë si ti, është humbje e madhe për ne si familje, e vështirë të kapërcehet.
Të duam shumë shummmëëë!
Mami, Syhana, Ardiana, Mendimi, Lira dhe mbesat e tua që ta rifreskuan shpirtin e i deshe kaq shumë!
.

Dhembje dhe lot për Ramadan Musliun!

nga Emin Azemi

Ndjej shumë dhembje për vdekjen e Ramadan Musliut, mikut e bashkëkohanikut tonë të shtrenjtë…
Ky virus i poshtër na e mori edhe një njeri të dashur… Ramadan Musliu ishte një aristokrat i heshtur i mendimit dhe shkrimit.
E kisha mik dhe do të më mungojë shumë.
Nuk do ta harroj asnjëherë çiltërsinë e tij dhe miqësinë me mua dhe me ata që i vlerësonte dhe nderonte.
Ramadan Musliu mbetet një nga emrat e rrallë të letrave shqipe.
Ai jo vetëm që afirmoi qindra autorë, por me observimet dhe zbërthimet e tij studimore, vendosi një sandard të ri në valorizimin kritik të letërsisë shqipe.
Pusho i qetë miku im i dashur Dan, dhe tash e tutje paç mbrojtjen dhe mëshirën e Perendisë!
.
Me Danin ma t'mirin Naime Beqiraj
Me Danin ma t’mirin Naime Beqiraj

Dan bre, pse bre Dan shkove?

nga Naime Beqiraj

Bisedën e fundit e lamë të takoheshim mbas dy ditësh në Prishtinë
“Redaktimin e librit ta besoj veç ty xha Dane!”, unë me humor.
“Si gjithnjë. Edhe dy ditë besoj me kalon Covid e kolli, e lo fshatin e rithehna në Prishtinë, qoftë edhe për ta pirë nga një kafe”, ai me humor.
Miku im, i mirë, më i miri! Poeti fin, kritiku ma i mirë letrar që ka pas ky vend, i mbylli sytë përgjithmonë.
Njeriu që kurrë sëmundje në trup nuk pat, nuk piu duhan, nuk vuajti. Njeriu që bëri më shumë për të tjerët se sa për vete. Autori i disa librave me poezi, kritikë, studime, publicistikë. Më i dituri ndër ne.
Zemra më dhemb për ty Dan i dashur, për Misreten, për Syhanen, Mendimin, Ardianën e Lirën, për mbesat që ta ringjallën shpirtin – familje e rrallë ku flitej për artin e dashamirësinë, aty ku me dekada hëngra bukë e mora aq shumë dashuri.
Prisnim e luteshim që ditët e fundit me covid të tejkaloheshin e ti përsëri të më qerasje me kafe në Elida.
Tash ke shkuar te prindët, të Ibrahim Rugova që e pate mik dhe e deshte shumë!
Kemi me të kujtu gjatë Dan!
Harresa nuk takohet kurrë me veprën tënde!
.

Dani, kaq shpejt – s’e pritëm ikjen tënde?!!

nga Sami Piraj

Vetëm një ditë pa u shtri në spitalin e Prishtinës më the me shumë optimizëm: S’kam asgjë nga këto që u thonë simptome të Covid 19. Me atë fjalorin tënd optimist më the: ndoshta jam pak i ftohur. Disa kollitje të lehta më bënë të shqetësohem.
Shqetësimet më dolën të sakta. Ike pa e pi kafen tek “Elida”, aty ku gjithmonë e lenim takimin, kah ora 12 e ditës. Në tavolinën ku e promovuat çerdhen e intelektualëve, prirë nga Dr. Ibrahim Rugova, në vitet ’80 e tutje. Si në shaka më the: Dëgjo po i marr këto barna, dhe shihemi tek vendi për kafen e zakonshme.
Dhe ike, nuk u ktheve as për kafe dhe as për llafe. Pritsha çdo ditë fjalë ngazëlluese nga spitali. Ato vinin herëtë ngrohta e herë të ngrira deri sa u bënë korb për tërë jetën.
.
Dan Musliu
Dan Musliu

Kundrimi i një kritiku me shije e sens te hollë…

nga Fadil Hysaj

Lamtumirë Dan Musliu!
…Nuk ke mujt me qenë në shoqni me Danin e me folë për trivialitete ditore. Me të ke mujtë me ba biseda të gjata për ndonjë roman të mirë, dramë apo poezi, për teori të ndryshme letrare, për semiotikë e estetikë, për tekstin, metatekstin… Ke mujtë ne folë edhe për politikë, për Ibrahim Rugovën dhe për kohën e Tij… Ai githçka ka dijtë ta kundrojë nga kandvështrimi i një kritiku me shije e sens të hollë e të thellë… Dhe kur bisedat devijonin në tema profane, ai më me andje rrinte në heshtje… Heshtja i rrinte bukur dhe një nur mendimtari ia përshkonte fytyrën… Dhe heshtja në fund e mori me vete, përgjithmonë.
U prehsh ne paqë, mik mendjendritun!
.

Ikja e poetit të jashtëzakonshëm…

nga Shaip Beqiri

Nga ditët e para të mërgimit tim, para plot njëzet e pesë vjetësh, kur pati dhënë grahmën Anton Pashku, matanë kësaj bote kanë kaluar dhjeta miq të mi, ndër më të dashurit e të shtrenjtët, kurse sot asaj Çete të Ndritur iu bashkua edhe Ramadan Musliu.
Nuk e kisha menduar që premtimin në fund të një teksti për librin e tij të fundit të poezisë, shkruar para gati një vjeti, do të më duhej ta bëja duke e vazhduar me përkujtimin në ditën e grahmës së tij.
Më takoi fati të qëndroja e krijoja midis miqsh e shkrimtarësh të jashtëzakonshëm të dy brezave krijues të Kosovës; tek i pari qenë: T. Dërvishi, B. Musliu e Y. Shkreli, kurse tek i dyti: A. Mala, R. Musliu e A. Konushevci. Deri tash mallin e pjesëtarëve të afërt të këtyre dy brezave krijues, tok me shumë të tjerë, sa herë vija këtu, e hiqja deri në fund vetëm me R. Musliun; atje vazhdoj ta bëj ende me Y. Shkrelin e papërëritshëm.
Ikja e poetit të jashtëzakonshëm dhe kritikut e studiuesit ndër më seriozët e të thellët që kishin letrat shqipe, më ngriu fjalën në grykë!
Gllamnik, 22 Tetor 2020
.
Dan Musliu duke diskutuar... mes Anton Berishës e Prend Buzhalës
Dan Musliu duke diskutuar… mes Anton Berishës e Prend Buzhalës

Figurë elitare e letrave shqipe…

nga Prend Buzhala

Shkoi në amshim njëra ndër figurat elitare të letrave shqipe, poeti e kritiku i spikatur letrar, Ramadan Musliu (1954-2020).
Lajmi është pafundësisht i trishtë!
Ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit krijues!
Lamtumirë, mik i letrave!
I përjetshëm qoftë kujtimi për të!
.

Lamtumurë miku i zemrës, i shpisë dhe letrave shqipe!

nga Isak Ahmeti

Pushofsh i qetë në dheun e Kosovës, o mik i shpisë dhe i zemrës, Ramadan Musliu! Me pikëllim e dhembje të thellë në zemër mora lajmin për kalimin tënd në amshim, Ramadan Musliu.
Humbje e madhe për Familjen, miqtë, shokët, kolegët dhe kulturën shqiptare.
Mbetesh thellë dhe i pavdekshëm në kujtesën tonë si njeri dhe si shkrimtar elitar në letrat shqipe.
Lamtumurë miku im i zemrës, i shpisë dhe letrave shqipe!
Dritë pastë shpirti yt në jetën e amshuar!
.
Mbramje me Dan Musliun
Mbramje me Dan Musliun

Lamtumirë Dan Musliu!

nga Ndue Ukaj

Kjo vjeshtë e hershme të këputi nga fjalët, ku jetove me dinjitet.
Ti jetove në zemrën e gjërave, prej ku, me fisnikëri krijove botë të bukura letrare.
Do të kujtojmë të qeshur e plot energji, me sibilat e tua melodike.
Do të kujtojmë si njërin prej mendjeve më fisnike të Prishtinës. Si intelektual të vërtetë dhe të rrallë ndër ne.
Pushofsh në paqe!
.

Trishtojnë vdekjet e miqve, e jotja më kërrusi Dan!

nga Rexhep Shahu

Dan Musliu, ikjen tende po e përjetoj rëndë. Më krijove një boshllëk, një ftohtësi, një frikë, një pendesë se nuk kemi folë shumë për vetët tona, po për punë, letërsi, libra. Nuk të kam përshëndetë më shpesh, nuk të kam falenderuar më shumë.
A të kujtohet kur më the se kam heqë dorë të shkruaj për shtyp e revista por kur është fjala për Teki Dervishin, patjetër të sjell shkrim dhe ma solle.
Me gazetën Rilindja në Tiranë, po ta them edhe me shkrim, ti me shokët e tu u bëtë shkollë perëndimore, universitet gazetarie.
Në numrin e fundit të revistës Illz që është në shtyp, janë poezitë e nobelistes së fundit dhe të ballkanasve të përkthyer prej teje.
Nuk ma dërgove parathënien e Antologjise poetike të ballkanasve…
Unë do ta mbaj fjalën… Do ta botoj e do t’ua dhuroj unë në emrin tënd 100 libra shokëve tu.
Të siguroj.
Të gjitha vdekjet e miqve dhe të dashurve trishtojnë, por kjo e jotja sot me kërrusi, më mpiu më shumë.
Për gjithë herët që nuk të kam thënë mjaftueshëm, po të them, ishe njeri i shkëlqyer, poet, kritik, përkthyes e studjues klasi për letrat shqipe, ndonëse tani asgjë, por asnjë nga këto fjalë nuk ka vlerë për ty.
Lamtumirë Dan Musliu!
,
Ramadan Musliu
Ramadan Musliu

Ndërroi jetë Ramadan Musliu

nga Behar Gjoka

Ndahet nga jeta miku, poeti, kritiku dhe gazetari Ramadan Musliu. Ndahet nga jeta para kohe, e shumëçka nga dertet e kombit dhe letërsisë i mori me vete si peng. Kujtoj me mall e dhimbje njohjen nga afër, nga viti 1996, kur drejtonte gazetën “Rilindja” e Kosovës në Tiranë. Ajo gazetë, në idenë dhe bindjen time, u bë djep dhe shkollë e shtypit të lirë në Shqipërinë, e sapodalun nga diktatura. Kjo lidhet me natyrën komunikuese, kulturën dhe mendjen e hapur që pati Dani me të gjithë, pavarësisht udhëve të ndryshme që gazetarët morën, pasi u formuan në këtë gazetë. Po them një gjë pak më personale, po të mos ishte gazeta “Rilindja” dhe padyshim edhe pranimi i mendimeve të mia, për letërsinë nga ana e Musliut, unë nuk do isha marrë kaq gjerë me kritikën letrare dhe me studimet letrare. Në vitet 1996, ’97, ’98, ’99, aty kam botuar shkrimet e para për Fishtën, Sami Frashërin, Pashkun, Camajn, Trebeshinën etj, të cilat më dhanë mbështetje dhe besim me e viju punën studimore. Në vitin 2004 bashkë me Danin, kemi botuar gazetën letrare Kalendari Letrar, me disa numra, një përvojë e vyer se si mund të realizohet një gazetë letrare, me mendim të hapur, pa përjashtuar askënd, asnjë alternativë ligjërimore, të letrave shqipe. Ramadan Musliu me njohu me shkrimtarin Kasëm Trebeshina, dhe bisedat me të zgjatën me vite, ai u bë nxitës dhe bashkë me Abdullah Zenelin, mundësuan që në vitin 2006, Trebeshina të ishte shkrimtari i panairit të atij viti. Falë asaj vizite kemi një libër poetik të beftë, Këngë për Kosovën, nga Trebeshina.
Të jetuarit intensiv me fatet e kombit, të çështjes së Kosovës, të përcjellësit të botimeve të reja, te Rlindja, të kontributeve të vyera në kritikë dhe në poezi, i ka sigurur një vend meritor në historinë e letrave shqipe…
.

Vjeshta e Mbrame e Poetit Ramadan Musliu

nga Agron Tufa

Ikja e papritur e Ramadan Musliut, poetit dhe kritikut të shënuar të letrave tona më goditi dhe mua, si shumëkënd tjetër besoj, që e ka çmuar letërsinë e tij, kontributin krijues e intelektual të Danit. Ai ishte një natyrë e urtë, sqimatare, një burrë jashtëzakonisht i këndshëm e i çiltër kur gjente kuvendues. Kam mësuar shumë prej dijeve të tij në mes të viteve ’90. Përtej fjalëve dhe mpirjes që më pushton, dua t’ju sjell një pjesë nga ajo pavdekësi e poetit Ramadan Musliu, i cili gjatë gjithë karantinës së këtij viti na solli zërat e padekësisë me poetë nga gjithë kulturat. E hidhur të mendosh se kjo paska qenë vjeshta e mbrame e poetit. Prandaj për vete dhe për miqtë e poezisë po sjellim një pjezës të tij, ku mendoj se harrimi nuk është i pushtetshëm: Poezitë. Dhe mendoj se mbijetesa e poetit s’ka ku provohet më mirë, përveçse në silabet e vargjeve të tij.
.
Petrit Palushi & Dan Musliu Rozhajë - 22 prill 2012
Petrit Palushi & Dan Musliu – Rozhajë – 22 prill 2012

Lamtumirë, fisniku Ramadan Musliu!

nga Petrit Palushi

Lajm dëshpërues deri n’skajmëni.
Te Ramadan Musliu merrte kuptimin e duhun fjala NJERI, ma tepër se i kulturuar, aristrokat në fjalën e vet.
Poet dhe kritik letrar elitar dhe do shtoja se mbas Arshi Pipës, Ramadan Musliu asht kritiku letrar ma i dallueshëm në letrat shqipe.
Kisha miqësi me të prej vitit 1994, kam shumë me shkrue për të, por sot është ditë pikëlluese dhe s’mund të shkruaj asnji fjalë më tepër.
.

Poet dhe mik, kritik letrar dhe deputet, Dan Musliu…

nga Visar Zhiti

Na vjen lajmi i hidhur, që u nda nga kjo jetë, befas, para kohe. E njohëm në fillim të viteve ‘90, kur gazeta “Rilindja” e Kosovës erdhi me gjithë gazetarët e saj në Tiranë, nga që pushtuesi serb e mbylli në Prishtinë. Ramadan Musliu ishte ndër më punëtorët e të kulturuarit, serioz dhe i përzemërt, korrekt, mbështeste me shpirt. Artikujt e tij kishin fuqinë e mendimit dhe estetikën e fjalës. Poezia e tij – e rrallë dhe e thellë, një yllësi e tij.
Botova dhe unë në “Rilindjen” që ata sollën, madje dhe librin me poezi “Dyert e gjalla”, me përkujdesjen e Danit doli. Kur m’u desh të ikja me punë në Itali, shtëpinë ia lamë atij me familjen. Dani ishte familjar i shkëlqyer, e kishte kult si ata në Kosovë. Dhe atje e kisha takuar pas luftës. Gjithmonë i përzemërt, që edhe heshtja i fliste… Dhe tani në kohën e mbylljes nga pandemia botërore, Dani sillte poezi nga bota, i përkthente vetë për të gjithë në fb. Që t’u gjendej të tjerëve bukur. Dhe iku…
Vepra e tij është një metaforë e fortë si dhe miqësia e tij.
 .

Me Danin, miq për tri dekada

nga Bajram Mjeku

Mikun tim të mirë Ramadan Musliun, do ta kujtoj gjithmonë për tre gjëra.
Ishte autori i parë i recensionit për librin tim të parë “Mashtrimi i Argusit”, i cili në vitin 1991, u vlerësua si libri më i mirë i vitit për shkrimtarët e rinj.
Dani po këtë vit dhe pa asnjë procedurë, më anëtarësoi në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, roli dhe rëndësia e së cilës në këtë kohë ishte e madhe.
Me Danin ishim miq për tre dekada. Do ta kujtoj gjithmonë për mjeshtërinë e shkrimit, modestinë e pashoqe dhe qëndrimin e heshtur e dinjitoz, përballë të gjitha rrëmeteve që i përjetoi dhe i përjetuan shkrimtarët dhe intelektualët dinjitozë gjatë tre dekadave të fundit.
Lamtumirë miku im i mirë dhe të qoftë e lehtë nata e parë e varrit!
.
Bajram Mjeku me Dan Musliun, shkrimtarët Lazër Stani e Ardian Haxhaj dhe miku ynë Imer Raci, në Panairin e Librit  2019 - Tiranë.
Bajram Mjeku me Dan Musliun, shkrimtarët Lazër Stani e Ardian Haxhaj e miku ynë Imer Raci, në Panairin e Librit 2019 – Tiranë.

Ata që të njohën të deshën… Dan!

nga Natasha A. Spahiu

U prehsh në paqe, miku im i paharruar, Ramadan Musliu!
Mirësia dhe bujaria jote ka qenë për mua një dritë e habitshme në grinë mediokre dhe armiqësore, jo vetëm letrare e kulturore, të mjedisit shqiptar këtej kufirit, sidomos në vitet ’90.
Pa asnjë hezitim, botove të plotë te Rilindja jote, në Tiranë, shkrimin tim të gjatë për botimin e falsifikuar të romanit të Petro Markos “Një emër në katër rrugë”, që s’guxonte ta botonte asnjë medie tjetër. Pas teje, e botoi A. Tufa tek Fjala.
Pastaj më dhe plot bujari pesë-gjashtë libra studimorë, botime të Prishtinës, kur more vesh se po punoja për dr. dhe nuk gjeja literaturë.
Na prite me tim shoq si mik i çmuar në Prishtinë, kur të ktheva librat (përveç fjalorit), dhe më urove shumë miqësisht, fat. Nuk mjaftoi gjithsesi, sepse fati pikërisht më mungoi…
E tani që jam larg, më vjen lajmi i largimit tënd. Ndihem shumë keq. Ata që të njohën dhe të deshën, janë të ngushëlluar, se emri dhe vepra jote do të ndrijë sa më shumë kohë të kalojë. Ata që s’të deshën dhe të luftuan, se ti ishe e vërteta, gjithnjë do të mrrolin sytë para emrit dhe fytyrës tënde të ndershme.
Ngushëllime familjes dhe miqve!
.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.