Ideator i Letërsisë dhe Arteve tona…
nga Ismail Kadare
Requiem për vdekjen e Diktatorit
Me dhimbjen e thellë të përgjithshme për humbjen e Udhëheqësit shkrihet dhimbja e shkrimtarëve, artistëve, e gjithë krijuesve tanë. Siç e thotë fjala poetike: Ky prill përjetoi atë që s’do ta përjetojnë qindra të tjerë. E pamësuar është gjuha për të formuluar mungesën e Atij që ka qenë i pranishëm midis nesh përherë dhe në gjithçka. Të pamësuar janë pena e shkrimtarit dhe mermeri i skulptorit. I papërgatitur është gjithë mendimi, gjithë përfytyrimi ynë.
Duke qenë ideator dhe arkitekt i Shqipërisë së re, Enver Hoxha është njëkohësisht i tillë edhe për shkencat, artet dhe letërsinë tonë. Mendja e Tij e gjerë prej ideologu, filozofi e eruditi të pashtershëm ka qenë një ndër faktorët kryesorë për të përcaktuar përmasat e themeleve të arteve e letërsisë së re shqipe, përmasa prej të cilave do të kushtëzohej pastaj shtati dhe lartësia e gjithë ngrehinës. Dhe kështu nën mësimet e Tij u realizua një nga arritjet më të mrekullueshme të epokës: në vendin me kulturë mijëvjeçare, në dyzet vjet të epokës socialiste letërsia dhe artet tona arritën zhvillimin më të madh e më intensiv, të paparë ndonjëherë në historinë e qytetërimit të shqiptarëve.
Ai ishte mik i madh i shkrimtarëve e artistëve, me të cilët e bashkonin shumë gjëra. Duke qenë krijues i Partisë, i shtetit modern shqiptar, i gjithë levave dhe mekanizmave të sistemit të socializmit, Ai ishte njëkohësisht krijues veprash filozofike-letrare të një vlere dhe bukurie të rrallë.
Ai e njihte letërsinë si askush tjetër, klasiken dhe të renë, shqiptaren dhe botëroren, që nga përrallat e moçme gjer tek veprat më moderne. Gëzoheshim që lexonte aq shumë, por edhe kishim një preokupim: do ta lexojë ndoshta Ai, thoshim me vete sa herë që uleshim të shkruanim diçka dhe mendimi vetvetiu kërkonte thellësinë, fjala saktësinë dhe peshën. Ata shkrimtarë e artistë që e kanë pasur fatin ta njohin e të bisedojnë me Të, e kanë të paharruar në kujtesë, fuqinë pasionante, thellësinë, poliedrizmin, ngrohtësinë intime dhe njëkohësisht monumentalitetin e fjalës së Tij. Shembulli i fundit i kësaj ishte Përshëndetja e paharruar që Ai i dërgoi popullit e gjithë kombit shqiptar disa muaj më parë në 40-vjetorin e Çlirimit. Tani, në sfondin e dhimbjes e të humbjes së Tij, ajo Përshëndetje na ngjan si fjala e Tij e lamtumirës.
Por do të ketë lamtumirë e s’do të ketë lamtumirë me Enver Hoxhën. Populli në baladat e tij, pena e shkrimtarëve, pentagramet e muzikantëve, mermeri në studiot e skulptorëve, vetvetishëm do të synojnë drejt pamjes, figurës, mendimeve të Tij, për ta sjellë Atë përsëri midis nesh, ashtu siç ka qenë përherë, a siç thuhet për të pavdekshmit: më të gjallë se gjithë të gjallët.
(Gazeta “Zëri i Popullit)