back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ballafaqim i një të Pandehuri me Prokurorin në botën e përtejme… nga Jozef Radi

Gazeta

Gjyqet ku denohej ajka e inteligjences shqiptare
Gjyqet ku denohej ajka e inteligjences shqiptare

Ballafaqim i të Pandehuri me Prokurorin n’botën e përtejme

nga Jozef Radi

 
Ka ndërruar jetë Bardhyl Spahiu.
Bardhyli u lind në qytetin e Vlorës më 1 maj te vitit 1938.
Shkollën fillore e të mesme e kreu në vendlindje në shkollën “Halim Xhelo”.
Studimet e larta i vazhdoi në Tiranë në vitet 1955-1959, në Fakultetin Juridik.
Në vitin 1961, emërohet me detyrë prokuror në qytetin e Lushnjes
detyrë të cilën e kreu deri në vitin 2002….
Shoqata AK Myzeqeja Lushnje, 28.10.2020
.
Prokurori Bardhyl Spahiu
Prokurori Bardhyl Spahiu
Bardhyl Spahiu paska ndërruar jetë…
Bardhyl Spahiun e njoh si prokuror me emër në Lushnjen e Kampeve, kur nën diktaturë pretencat ideollogjike të të cilit, ishin shëmbullore në dënimet e atyre që nuk pajtoheshin me regjimin komunist… E ndërsa lexoja ngushëllimet tek faqja e “Shoqata AK Myzeqeja”, nuk mund të ngushëlloja askënd, sepse m’u kujtua që në arkivin tim, kisha edhe një pretencë të prokurorit Bardhyl Spahiu, ndaj të pandehurit Musa Sina, dhënë më 23 shkurt të 1981, të cilën po e paraqes në trajtë integrale!
Ajo çka më trishtoi më shumë ishte një fakt suplementar… Bardhyl Spahiu kishte vazhduar i patrazuar si prokuror deri në 2002, edhe pse si moshë, ai duhej të kishte dalë në pension në vitin 1998. Dmth këta shërbestarët e diktaturës së djeshme, janë po kaq të nevojshëm për demokracinë e sotme… (demokraci i thënçin!!!) Kështu që nuk ngushëllova askënd, pse e quaj më të drejtë për ju edhe për vete ta lexojmë një pretencë të tillë model të tij dhe shumë sivëllezërve të tij, për ta kuptuar më mirë drejtësinë e sotme…!! e jo të merremi vetëm duke fajësuar kohën… po ata njerëzit vegla të diktaturëqë e bënë atë kohë…
Musa Sina, ka 25 vite që nuk jeton më, sepse vdiq i ri 63 vjeç, i sëmurë, me dy palë burgje, dhe një pafundësi interrnimesh, me dy vëllezër dhe babanë e vrarë, me tre vëllezër të arratisur, po me kurajon e një heroi të rrallë… Ndoshta “n’at botë” ka për t’ia thënë nja dy fjalë të ardhurit të rishtë, Bardhyl Spahiut, e gjithë bardhylëve, që ne, në kët botë, s’patëm mundësi t’u themi asgjë… po asgjë fare!
.
Musa Sina (1931-1994)
Musa Sina (1931-1994)

Pretencë kundra të pandehurit Musa Sina

Akuzuar se në kohë e vende të ndryshme, ka agjituar e propaganduar
kundër shtetit të Diktaturës së proletariatit në Shqipëri, Neni 55/1 i K. P.
 
Shokë Gjyqtarë,
Në seancën e sotme u gjykua i pandehuri Musa Sina, sipas nenit 55/1 i Kodit Penal. Jemi në vitin jubilar të 40-vjetorit të themelimit të Partisë tonë. Gjatë këtyre dekadave, vendi ynë ka arritur suksese kolosale në të gjitha anët e jetës. I vetmi vend socialist që lufton imperializmin dhe revizionizmin në shkallë botërore. Për gjithë botën është fener ndriçimi!
Në këtë realitet madhështor të vendit tonë, ka njerëz si i pandehuri, që i kundërvihen me ndërgjegje e revolucionit tonë popullor. Vendi jonë la luftuar gjithnjë kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm. Një nga këta armiq është i pandehuri.
I pandehuri ka origjinë në vazhdimësi dhe tradicionale kundër pushtetit popullor. I jati i tij, oficer me gradën kapiten i regjimeve reaksionare, është nga fshati Rreth Kale, i rrethit Dibër. Ai u lidh me okupatorët dhe luftoi me armë lëvizjen nacionalçlirimtare. Pas çlirimit u arratis në Jugosllavi dhe ka ardhur si diversant, derisa u kap dhe u dënua nga pushteti popullor si armik i popullit. Pesë vëllezërit e tij i ka të arratisur. Njerëzit e tij të afërt, si edhe nga ana e gruas kanë qenë të deklasuar. Vetë i pandehuri pohon se me pushtetin popullor nuk e lidhte asgjë, se është në armiqësi me të, për shkak se është ushqyer me ide kundërrevolucionare e armiqësore. Ai në vitin 1953, është dënuar me 10 vjet heqje lirie për tentativë arratisje.
Pra, duke qenë person i predispozuar për të luftuar pushtetin popullor, ai ku e gjente rastin, çvishte armët e luftës ato që ka mundur kundra pushtetit popullor.
Aktiviteti i tij armiqësor përfshin një periudhë të gjatë kohe, qysh nga viti 1968, por e kufizuar në persona. Bile dy nga at që deklasuar. Kjo tregon se i pandehuri tregohej i matur edhe në persona që ai nuk kishte besim. Ai pra, në vende dhe persona të ndryshëm ka agjituar e propaganduar pushtetit popullor.
Qysh në vitin 1966, ai u këshillua të ketë kujdes për shkak se bënte biseda për arratisje me Pasho Vrenozin.
Veprimtaria armiqësore e të pandehurit është shprehur në këto drejtime:
1.Errëson rendin tonë socialist. Shpif me dashje se gjoja vendin tonë kanë pak të ardhura, dhe nuk e përballojmë dot jetesën. Ai bile arrin të marrë në mbrojtje vëllezrit e tij që u arratisën duke thënë se: “Bënë mirë që u arratisen, se këtu do të vuanin!”
I pandehuri duhet të dijë se vendi ynë nuk ka ngritje çmimesh, nuk ka papunësi, nuk ka inflacion, nuk ka asnjë taksë; të sëmurët kurohen gratis, ndërsa arsimi është masiv dhe pa shpenzime. I pandehuri vetëm se do të errësojë realitetin tonë, prandaj nuk i vë në dukje këto anë të revolucionit tonë popullor. Vendi ynë ka ritme shumë më të larta produktit shoqëror, krahasuar me gjithë vendet e tjera. Ndërsa në vendet kapitalisto-revizioniste ndodh e kundërta. Kriza e përgjithëshme politiko-ekonomike, ideologjike i ka mbërthyer fort. Shtohet shtypja shtetërore brenda dhe jashtë vendit; fashistizohet jeta e vendit, rritet papunësia; 8-10% e popullatës e krahëve të punës janë të papunë, sidomos të rinjtë dhe gratë. Rriten buxhetet për armatime; bien ritmet e zhvillimit ekonomik; rriten çmimet, shtohet inflacioni, acarohen kontradiktat ndërmjet punës dhe kapitalit si dhe kontradikta të tjera…
2.I pandehuri pretendon se vendi ynë është i rrethuar nga armiq të shumtë dhe përhap mendimin se vendet e tjera nuk do e lënë Shqipërinë ashtu siç është, por do të ndërhyjnë dhe rrëzojnë pushtetin popullor.
Politikë e jashtme dhe brendshme e vendit tonë është parimore. Ne ekzistencën e kombit tonë nuk e mbështesin në konjuktura ndërkombëtare, por vendit tonë i kemi dalë zot! Ne nuk lejojmë që armiqtë e jashtëm të na dëmtojnë, por jemi ndeshur dhe ndeshemi me ta. Zhvillimin e e vendit e mbështesim vetëm në forcat e brendshmë dhe nuk kërkojmë kredi nga imperialistët dhe revizionistët. Duke qenë se ndjekim një politikë kaq të qartë dhe udhërrëfyese për të tjerët, gëzojmë simpatinë e masave punonjëse përparimtare të të gjithë botë. Është e vërtetë se armiqtë e jashtëm e të brendshëm si një kor sorrash kjo janë në garë për shpifje ndaj vendit tonë, por janë ata qëdiskreditohen për shkak se popujt nuk besojnë atyre, për shkak se ata janë dëshmitarë të zhvillimit gjigant të vendit tonë. Në këtë kuadër i pandehuri pretendon se: “Titoja ishte udhëheqës i madh! Se në varrim i vajtën nga e gjithë bota dhe vetëm shqiptarët e shajnë!
I pandehuri për këtë çeshtje e mburr politikën e Titos, këtij tradhëtari ndërkombëtar, këtij shërbëtori të shumë zotërinjve, i cili i ndihmuar nga Partia Komuniste Jugosllave nuk lejoi që në fillim ndërtimin e socializmit, duke marrë kredi nga imperializmi. Shpifjet e kapitalizmit veprojnë fuqimisht në këtë vend. Titon e mburrin kapitalistët, sepse që në fillim ai dha shenja se ishte shërbëtori tyre. Pra ai pretendonte që popujt t’i nënshtroheshin Amerikës dhe kapitalizmit etjërë. Përsa i përket jetesës jugosllave, ata nga e mira nuk emigrojnë nëpër botë, por për shkak të papunësisë së shkallës së lartë dhe ne veçanti të popullsinë shqiptare.
Bardhyl Spahiu - faqja e katert e Pretences kundra Musa Sines
Bardhyl Spahiu – faqja e katert e Pretences kundra Musa Sines
Pra, ky renegat, Titoja për rolin e ulët që ka luajtur në zhvillimin e lëvizjes revolucionare të klasës punëtore botërore, ka fituar urrrejtjen e komunistëve të vërtetë të të gjithë botës, dhe Partia jonë me vetëdije e ka cilësuar si revizionist i rrezikshëm dhe i lidhur me imperialistët. Pra, i pandehuri me dashje i kundërvihet cilësimit që i bëri vendi ynë dhe Partia jonë Titos!
3.I pandehuri errëson realitetin tonë lidhur me politikën e dënimeve. Në vendin tonë dënohen të gjithë ata që kryejnë një veprim ose kundravajtje penale. Në vendin tonë nuk dënohen njerëz të pafajshëm. Diktatura e proletariatit, prandaj ishte e fortë se vepronte në emër të popullit e të ligjit, duke shprehur demokracinë në një shkallë të lartë, dënon ata që i kundërvihen.
I pandehuri, me dashje errëson realitetin e thotë se tek ne dënohen me shpifje. Politika e dënimit tek ne është unike. I pandehuri pretendon dhe merr në mbrojtje nga Gaqo Moskon, i cili ishte dënuar një herë si armik, dhe prap s’ka hequr dorë. Veprimtaria e tij u zbulua, Gaqua u demaskua, por nuk iu dha gjyqit. Kjo tregon humanizmin tonë në luftën kundër armiqve, ashtu siç do të luftojmë edhe kundër të pandehurit.
Po këtë gjë thotë i pandehuri duke marrë në mbrojtje armiqtë e vendit tonë si Liri Gega dhe Dali Ndreu, sipas tij ato u dënuan për hakmarrje nga Presidenti i Kuvendit Popullor. Në fakt armiqtë tek ne dënohen nga gjykatat dhe jo nga persona të veçantë. Përsa i përket meritave të Presidentit, ato populli ynë ia njeh që gjatë Luftës, dhe ai duke qenë si Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, që është organi më i lartë i pushtetit shtetëror, i ushtron të gjitha kompetencat që i jepen në Kushtetutë. Në mënyrë të veçantë instituti i faljes është në kompetencë të Presidiumit të Kuvendit popullor dhe atë e ushtrojnë sipas rastit në persona të sinqertë e të penduar dhe që japin garanci, por për njerëz si pandehuri me shokë nuk ka vend për mëshirë! Luftën e klasave ne do ta zhvillojmë, ashtu siç e mendojmë ne! Në rradhë të parë i edukojmë ata që na kundërvihen dhe kur është e domosdoshme dhe do të ushtrojmë shtypjen shtetërore pa pyetur se si do të reagojë borgjezia, e cila është xhelate e popullit, e shtyp, e vret të pafajshëm dhe na kundërvihet neve si shtet i vetmi socialist, për të na rrëzuar, sepse ka frikë se klasa punëtore e vendit të tyre mëson nga ne dhe i vë në jetë ato që shikon këtu tek ne.
I pandehuri e mohon akuzën, e pohon se asgjë s’e lidh me pushtetin popullor dhe se gjakun ujë nuk e bën. Ai ka agjituar me Meriva Spahiun, Gjergji Petron e Pasho Vrenozin. Me këta ka patur marrëdhënie të mira, ndërsa me të tretin miqësi familjare, prandasj thëniet e tyre bëhen të besueshme! Në personalitetin e të pandehurit duhet të kihet parasysh rrezikshmëria shoqërore, si njeri që i kundërvihet revolucionit socialist; si njeri i dënuar për tentativë arratisjeje! Po kështu vepra e kryer prej tij është shoqërisht e rrezikshme sepse shpif me dashje, ndaj disa aspekteve të politikës së partisë dhe shtetit tonë, ndaj armiqve të brendshëm dhe të jashtëm. Prandaj duke u mbështetur në sa u argumentua më sipër dhe në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal, kërkoj që i pandehuri të deklarohet fajtor për agjitacion dhe propagandë dhe në bazë të nenit 51 dhe 31 pika “a” e Kodit Penal, dhe të dënohet me 10 vjet heqje lirie.
.
Ndihmës prokurori i Rrethit
Bardhyl Spahiu (firma)
.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Kafile Sina
    Kur më arrestuan babanë, unë isha vetëm 13 vjeçe dhe isha më e madhja e tre fëmijëve. Babai ishte njeri me zemër të madhe dhe ajo skena e kontrollit të shtëpisë është trauma më e madhe e jetes sime. Unë u largova nga shtëpia dhe kam qarë fshehtas 20 orë… Babai im ka qenë njeri me zemër të madh, me humor dhe antikomunist i betuar… Unë kam qenë në gjyqin maskaradë të tim eti dhe s’e shihja dot ashtu të bërë jeshil nga 5 muaj hetuesi. Si prokurorin, gjykatësin, po edhje tre dëshmitarët i kam si sot parasysh… Njerëz të neveritshëm! Edhe ky njeri që ka shkruar një pretencë të neveritshme, nuk mund të jetë ndryshe… Babai im me shpirtin e tij të mosbindjes dhe të humorit pakufi është heroi im… I tillë mbeti edhe për të gjithë ata që e kanë njohur…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.