back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Kuajt, si totem dhe metaforë lirie, tek poezia “Kuajt ” e Gjek Marinajt – nga Emi Krosi

Gazeta

Gjekë Marinaj
Gjekë Marinaj
Kur poezia “Kuajt” mori jetë, Shqipëria ishte e mbyllur për 45 vjet dhe ishte një shembull thuajse unik në botë, se si një vend i vogël në Ballkan, i kishte mbyllur plotësisht të gjitha portat e komunikimit me botën përreth.
Kjo gjendje kaq e rënduar psikologjike e sociale, ky terror i pajustifikuar për jetën kulturore shqiptare në atë kohë, krijoi një klimë mbytëse auto-censure, dhe në shumë plane shihej dështimi i atij sistemi, që kishte kufizuar lirinë e njerëzve ndërsa komunistët po e mbanin me forcë e terror. Në këto kushte, një poeti ri malësor, nga Bruti i Kastratit, me emrin Gjekë Marinaj, guxoi, ndoshta nisur edhe nga një naivitet i habitshëm, që i shoqëron gjenitë, dhe botoi 4 poezi në gazetën “Drita” të “Lidhjes së Shkrimtarëve”, ku poezia e fundit e atij cikli të përmbledhur nga poeti Ndoc Gjetja, ishte “Kuajt”. Ishte guxim i madh nga poeti i ri, por edhe nga botuesit e gazetës Drita, që nuk kaloi në heshtje. “Kuajt” ishin një britmë vërtetësie në qiellin e errët shqiptar të kohës, një “vintergæk”, si i thonë danezët “luleborës”, që hapi siparin e lëvizjes studentore shqiptare kundër diktaturës në Shqipëri dhe sjelljen e demokracisë në vend.
Poezia me 21 vargje ishte mjaft goditëse për sistemin komunist në Shqipëri. Të nesërmen e botimin të poezisë, nën idenë se “shteti e zë lepurin me qerre”, Sigurimi i shtetit i çon fjalë poetit të ri atje në Brut, që të paraqitet në Degën e Brendshme në Shkodër. Gjeka e kuptoi se kjo ishte një thirrje, që mund ta dëmtonte përjetë. Padyshim se mund ta prisnin tortura çnjerëzore, dhunë e pajustifikuar, poshtërim i tejskajshëm e rrezikim i jetës. Në këtë konflikt të madh me vetveten, duke e parë rrezikun në sy, ai pa folur me shumë njerëz, e ndau mendjen, që të arratisej për në Jugosllavi.
Dalip Greca, gazeta dielli.com
 
Gjek Marinaj në një takim për poezinë e tij
Gjek Marinaj në një takim për poezinë e tij

Kuajt, si totem dhe metaforë lirie,

tek poezia “Kuajt ” e Gjek Marinajt

nga Emi Krosi

Leximi është i pakohë. Siç është i pakohë edhe shpirti profan i poetëve. Ndonjëherë shpirti romatik dhe rebel, na ngjit në piedestalin më të lartë të kujtesës kolektive, por edhe na zhyt deri në rrethin e nëntë të ferrit. Qasja ndaj një poezie, kur ka si metaforë mungesën e lirisë së individit, në totalitarizëm, një poezi që shumëkush e ka quajtur si “barka e Noes”, apo thjesht “fatsjellëse” , poezia “Kuajtë” si parathënëse e lirisë, ndonjëherë nuk duket si “model momental i receptueshëm”, duke rrokur në topikën e marrëdhënies së njeriut me lirinë si qenie, dhe të marrëdhënies me lirinë si individ, që në konceptin diakronik dhe sinkronik, apo edhe në rrafshin krahasimtar, njeriu është një kalë, por një kalë që s’mund ta shfrytëzosh gjithmonë, se një ditë do të shkelmojë.
Fjalët kyçe: kuajtë, recepetim, metaforë, liri, diktaturë etj.
.
Gjeke Marinaj diten kur u botuan "Kuajt"
Gjekë Marinaj ditën kur u botuan “Kuajt”

Kuajt

Tërë jetën duke vrapuar rrimë
Shohim veç përpara
Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë.
Ne nuk kemi emër
Të gjithëve kuaj na thonë.
Nuk qajmë,
Nuk qeshim;
Heshtim,
Dëgjojmë;
Hamë atë ç’na japin,
Ecim nga na thonë,
Asnjë nga ne s’është mendje hollë.
Kush qe kalë mbreti,
Posti qe i lartë
Kush qe kalë princeshe
I bënë shalë të artë
Kush qe kalë fshatari
Pat samarë me kashtë
Kush qe kalë i egër
Tërë jetën fjeti jashtë.
Po qemë dhe mbetem kuaj, para njeriut…
 
Ndodh shumë rrallë, që një poezi të shenjojë ose të jetë “fatsjellëse” si poezia “Kuajt”, (Gjetja: 1990) e Gjekë Marinaj-t, por një kumtim i tillë nga ana tjetër ka qenë fatale, për shumë poetë “rebelë” dashnorë të lirisë. Fatlumi Gjekë, gjeti një liridashës të “marrë”, si (Ndoc Gjetja), duke publikuar një poezi antitotalitare, në një kohë absurde dhe groteske, “ajo ishte një poezi e shkruar në mënyrën më naive, me një shkujdesje ritmike dhe e paorganizuar deri në fund. E megjithatë fatin e saj do ta kishin dëshiruar edhe poezitë më të qëndrueshme antologjike”, (Kaloçi: 2000), por poeti i ri u besëpre, nga uturima, hingëllima dhe ulërima e kaujve “fatsjellës të Gjekës”, (Demushi: 2020), sepse tejskajet e lëvizshmërisë së lirisë, rrafshoheshin, anoheshin, tëholloheshin përmbyseshin pambarimisht “edhe pse kjo gjë mund të paguhej me kokë” (Marku: 1991). Fillimvargu: “Tërë jetën duke vrapuar rrimë/ Shohim veç përpara/ Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë/ Ne nuk kemi emër,” poeti ka stimuluar foljen përcjellore, si mënyrë lëvizëse, duke vrapuar, lëvizshmëria një metaforë magjike është çmitizuar, se shprehitë figurative, në kundërshtinë e tyre mes subjektives dhe objektives, në formë lineare të lëvizjes horizontale se “gjuha është sistemi i përcjelljes së mendimeve”, (Sapir: 1949), ashtu si konjukturat politike të kohës, ku diktatura lëvizte “vetëm përpara”, duke “injoruar” një realitet kontradiktor me realitetin shoqëror, moral, ideologjik, se subjekti krijues me anë të intuitës të jashtme (lidhja me objektin frymor kuajtë) krijon lidhjen e brendshme artistike, jo vetëm si strukturë të re konvencionale, duke “krijuar emocione dhe përjetime estetike”, (Dado: 2006) se përceptimi i vargut: ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë, nuk është vetëm papërgjegjshmëria e regjimit ndaj “dhunës”, “vrasjeve”, “dëbimeve”, “damkosjes” , “pengimit”, “heshtjes” së intelektualëve vetëm se mendonin ndryshe, se kuajtë (në shumës) tregojnë masat e popullit, se janë vetëm turma që vrapojnë si kuajt me “urdhër” saora koha e regjimeve totalitare ka njerëz me numra dosjesh, ne nuk kemi emër, vjen në kujtesën e njerëzimit, holokausti, atje nuk kishin emra, por numra, pra ishin vetëm kuaj pune, por jo njerëz. Ndoshta përqasjen time mund ta shtrij në një fashë tjetër krahasuese, (guxoj akoma më larg tek Dantja), me Ferrit e tij, njerzit janë vetëm, nji vrazhdar turmash aq pafund po shkonte, (Alighieri: 2004 ), hije “mëkatarësh” që ecin në baltovinën e frikës, pa mundur të dalin nga (radhët e Ferrit), si kuajt, ndaj kjo lloj afrie, në sfond ka figura ekspansive, që lidhet me figurat e mendimit, “e pasionit të fortë dhe e mendimit origjinal ”, (Wellek, Waren: 2007). Vargjet: “të gjithëve kuaj na thonë./ Nuk qajmë,/ Nuk qeshim;/ Heshtim/ Dëgjojmë;/ Hamë atë ç’na japin,/ Ecim nga na thonë,/” Asnjë nga ne s’është mendje hollë, përformanca autoriale nëpërmjet, heshtjes, frikës, ku nuk duhet të qash, të qeshësh, të flasësh, është modeli i “një shtypje vigane të personalitetit të njeriut”, (Oruell: 1980), del tek vargu: të gjithëve kuaj na thonë, mund ta përqasim me vargjet e Majakovskit, poetit të madh rus që u quajt edhe poeti i futurizmit, “kalë, nuk bën kështu, Kalë, dëgjoni…”(Vukaj: 2019) jo vetëm një “ndërfutje poetike”, (Todorov: 2000), por edhe një procedim letrar, vjen një kuartet i madh foljesh, ( të v.I, n. sh), folje nga veprore në joveprore, [qaj/qajmë, qesh/qeshim, hesht/heshtim, dëgjoj/dëgjojmë etj]. Vargu: të gjithëve kuaj na thonë, sepse kali është kafshë fisnike, besnik, i njeriut por i nënshtruar ndaj (njeriut), “shohim veç përpara/ Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë,” është fati i njeriut nën regjimiet totalitare (shqiptari nën regjimin komunist, i nënshtruar, i ngarkuar me punën fizike si kuajtë, “duke parë vetëm para”, (motivi i Kongreseve të Partisë). Kulti i kalit është i plotfuqishëm dhe i veçantë që në historinë më të hershme të njeriut, (që lidhet edhe me njeriun-kalë, Centaurët (Centauri Kiron) që edukoi Akilin, (vetë emri Hipius, që quhet kali, lidhet me foljen “hip”, d.m.th. të kalorësh. Sipas Treimerit fjala “kabalos” që e kanë romakët për kalin është fjalë tipike ilire. Kombi ilir përdorte qerret me kuaj) “dhe kali tek ilirët qe një hyjni edhe e tokës edhe e detit” (Zeqo: 2020). Vazhdimi me vargjet e mëposhtme: “Kush qe kalë mbreti,/ Posti qe i lartë/ Kush qe kalë princeshe/ i bënë shalë të artë/ Kush qe kalë fshatari/ Pat samarë me kashtë/ Kush qe kalë i egër/ Tërë jetën fjeti jashtë,” përsëritja e togjalëshit [Kush qe kalë], ka formën anafore, se poeti është në kërkim të optikës së dijes së përbashkët nëpërmjet shenjës që të çon tek teksti, referenca e shenjës në raport me njësinë referenciale, por poeti e sjell nëpërmjet “tri rrokjeve”, (Eco: 2007):
a)rrokja morale, (paraqitja që mbështet në dijen enciklopedike)
b)rrokja sematike, (intepretimi tekstor me një analizë jo vetëm tek niveli sipërfasor)
c)rrokja mbresore, (raporti paralogjik mes tekstit dhe subjektit, ku dallohet raporti ndiesor, “vlera e jetuar”, që teksti prodhon mbi subjektin), duke kuptuar se rrokja mbresore ka rëndësinë primare të krijimit estetik të objekteve tekstore se figura letrare, “vëmendje e tepërt i është kushtuar anës emocinale të figurës, çka i jep forcë figurës nuk është aq gjallëria e figurës sesa aftësia e saj për të qenë fakt i vetëdijes, e lidhur në mënyrë specifike me perceptim ndjesor”, (Murry: 1931). Përcaktesa ose ndarja e kuajve, është edhe roli që kishin nëpunësit dhe oborrtarët besnik të partisë, renditja ishte në rënie (regresive), sepse përshkallëzimi vjen në zbritje që nga Mbreti (diktatori) deri tek kali i egër, (intelektualët) që nuk u frikësuan, por i qëndruan besnik fjalës së lirë. Mëtimi drejt një poetike ulëritëse, ndaj sistemit, ku fjalët: [qaj-më/qesh-im/hesht-im/dëgjoj-më] me poshtë shkujdesja vargore, ose rima në [vargjet: 14,16,18,20, lartë/artë, kashtë/jashtë] kombininimi mes asonancat, [a/ë] dhe konsonancat [t/r, k/sh] që vijnë nëpërmjet kryemetaforës së kalit, në tekst merr formën e metonimisë, alegorisë,
sinekdota, satira, “ku lexuesi qartësish nxit imagjinatën ose “plotëson rrjeshta bosh” të pathëna nga autori (Ingarden: 1973). Vargu i fundit: po qemë dhe mbetëm kuaj, para njeriut, tregon edhe antitezën e njeriut-kalë të regjmit, që mjeshtërisht kanë shpalosur figurat tingëllimore, sidomos kosonancat, [rr/sh/gj/ll/nj/th] sidomos tingëllima [sh]. Vetë mesazhi, i poezisë, “vartësia” e kafshëve që njeriu i përdor për punët dhe qëllimet e tyre aq më shumë kafshët shtëpiake, (pra lloji i ngjashëm me ne, ose brenda llojit) sepse vetë hingëllima e kuajve se “qemë kuajt dhe të tillë mbetëm”, në shërbim të pushtetit, na fut në skutat e rinjohjes dhe receptimit nga lexuesi i çdo kohe nëpërmjet “teorisë së receptimit të Isre-it”, (Iser: 1978).
Kjo poezi ka një “strukturë semio-narrative” (Greimas: 1966), që në rrugëtimin gjenerativ, duke i shtuar nivelin diskursiv, vetëm instanca e thënies përzgjedh një stukturë hapsinore-kohore, “figura të artikuluara në rrugëtime figurative”, (Courtes: 1979), bazuar vetëm në një fjalë të vetme, më përmbajtësore të krejt kësaj poezie.
 
Konfigurcioni diskursiv “Kuajtë”
(përkufizuar si kafshë pune në shërbim të njeriut, sport/ hipizëm)
Rrugëtime figurative frymorë kafshë të lirë punojnë (gjallesa që marrin frymë)/(kafshë shtëpiake)/ (janë në gjendje të egër/ hipizëm)/ (mbajnë barrë/ transport/punë bujqësore)
Së fundmi: teksa përmbyll këtë analizë të një poezie, që nuk shpalos “një gjuhë” të lartë, përmbushem me shpresë, se njeriu sado të shtypet, nuk jeton pa lirinë e tij si Qenie, sado të ngjitet në Everest, ku ajri rrallohet, përsëri do të frymojë i lirë. E shkruar në vitet ’90, na kumton sot: se çdo gjallesë kalë apo njeri qoftë, nuk jeton dot pa thagmën e Lirisë. Autori i saj tashmë ka “fluturuar” shumë larg, duke krijuar një imazh në ndërtesën e Epërme të letrave shqipe, por kjo poezi është fillesa biblike e një besimi të madh, se Zoti dhe fati, kur janë me ty, mund të rikthehesh sërishmi Feniks.
 
Emi Krosi
Emi Krosi

Bibliografia:

1.Alighieri, Dante: (2004), Komedia hyjnore, përkth: Mark Ndoja, “Lisita”, Tiranë.
2.Courtes, Joseph. (1979): Introduzion á l’analyse narraive et discursive, PUF, Paris.,
3.Dado, Foresha: (2006), Intuitë dhe vetëdije krtike, “Onufri”, Tiranë.
4.Demushi, Denada: (2020), Poezia “Kuajt”- “Fatsjellësja” e Gjekë Marinjat, “Gazeta Naciaonal”, 17 prill, 2020.
5.Eco, Umberto; (2007), Gjashtë shëtitje në pyllin e tregimtarisë, përkth; Diana Kastrati, “Dituria”, Tiranë.
6.Gremias, Algirdas, (1966): Semantique Structurale, Larouse, Paris
7.Gjetja, Ndoc: (1990), Kuajt, “Drita”19 Gusht 1990.
8.Ise Walfang. (1978): The Act of Reading: A Theory of Aesthetic Response (Baltimore and London: Johns Hopkins University Press).
9.Kaloçi, Dashnor: (2000) Marinaj, poeti që në 1990-ën, kaloj tela me gjemba me “kuajt” “Gazeta Shqiptare” 10 Tetor 2000.
10.Marku , Rudolf: (1991), Sfida poetike, “Drita” 30 Qershor 1991.
11.Murry, J.Middleton. (1931): “Metaphor”, Contries of dhe Mind, second series, London.
12.Oruell, Xhorxh: (1980), 1984, përkth: Ramiz Kelmendi, “Rilindja”, Prishtinë.
13.Sapir, Eduart. (1949): Culture, language and Personality, University of California Press.
14.Zeqo, Moikom: (2020), Kali tek ilirët dhe shqiptarët, “Njëkomb”
15.https://njekomb.org/kali-tek-iliret-dhe-shqiptaret/
16.Vukaj Zija: (2019) Lotët e kalit, “Mapo”, 27 Prill, 2019.
17.Wellke, Waren. (2007): Teoria e letërsisë, përkth: Abdurrahman Myftiu, “Onufri”, Tiranë.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.