back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Diskutimi i shkrimtarit Albert Kamy-s, me rastin e dorëzimit të Çmimit Nobel në letërsi, më 1957

Gazeta

Albert Camus (1913-1960)
Albert Camus (1913-1960)
Albert Camus (7 nëntor 1913-4 janar 1960) ishte një filozof,
autor dhe gazetar francez. Ai fitoi Çmimin Nobel në Letërsi në moshën 44 vjeç në 1957,
marrësi i dytë më i ri në histori. Punimet e tij përfshijnë: I huaji,
Murtaja, Miti i Sizifit, Rënia dhe Rebeli.
Camus lindi në Algjeri nga prindër francezë Pieds Noirs. Shtetësia e tij ishte franceze.
.
Albert Camys - Në çastin e marrjes së çmimit Nobel
Albert Camys – Në çastin e marrjes së çmimit Nobel

Diskutimi i shkrimtarit Albert Kamy-s,

me rastin e dorëzimit të Çmimit Nobel në letërsi, më 1957

me përkthim të Minella Danit

Duke pranuar çmimin, me të cilin më ka nderuar Akademia juaj e lirë, mirënjohja ime bëhet më e madhe, sa herë vlerësoj se deri në çfarë mase shpërblimi tejkalon meritat e mia individuale. Çdo njeri, e për më shumë çdo artist, ka dëshirë të ndihet i vlerësuar. Edhe unë e dëshiroj, por e kam të pamundur ta mësoj vendimin tuaj pa vlerësuar bujën e madhe që më bëni, krahasuar me atë që unë jam realisht, një mesoburrë, i pasur vetëm në dyshime e me vepër ende në kantier. Një i mësuar në vetminë e punës e strehën e miqve, si mund të mos e mësojë me një farë paniku një vendim, i cili, me një goditje, e katapulton këtë mbyllje në vetvete, në qendër të një ndriçimi verbues? Me çfarë ndjenje mund ta pranoja këtë nderim, ndërkohë që në Europë ka sot, shkrimtarë të tjerë, nga më të mëdhenjtë, të lënë në harresë, pikërisht tani kur vendet e tyre përfshihen në fatkeqësi të vazhdueshme?
Provova këtë lloj tronditje e turbullim të brendshëm. E për të gjetur qetësinë, mu desh të krijoj rregull në veten time mbi këtë fat kaq të rrallë. Meqë nuk e bëja dot mbështetur në meritat e mia, kërkova të më vijët në ndihmë ajo që më ka mbështetur në rrethanat më të vështira të jetës: idea që kam krijuar për artin tim dhe misionin e shkrimtarit. Me ndjenjë të thellë mirënjohje e miqësie, në thjeshtësinë më të madhe, më lejoni t’ju them, cila është kjo ide.
Personalisht s’mund të jetoj pa artin tim, por kurrë s’e kam vendosur atë në krye të gjithçkaje: në më është i domsdoshëm kjo vjen se nuk më dallon nga të tjerët e më lejon të ndihem ashtu siç jam, në nivelin e të gjithëve. Në sytë e mi, arti nuk është gëzim vetjak, përkundrazi është mjeti që ngre peshë masën e panumërt duke i ofruar njerëzve një imazh të përzgjedhur të vuajtjeve e gëzimeve të përbashkëta. Arti, pra, e detyron artistin të mos mbyllet në vetvete, e nënshtron atë para së vërtetës më modeste e më universale. E kush ka zgjedhur të bëhet artist, kjo pse ndihet i dallueshëm nga të tjerët, e shumë shpejt do ta kuptojë se mund ta ushqejë artin e tij dhe të qenit e tij i ndryshëm, vetëm duke rrёfyer ngjashmërinë e vet me gjithë tё tjerёt: artisti formohet në këtë lidhje të përhershme midis tij e të tjerëve, midis bukurisë pa të cilën nuk jeton dot dhe bashkësisë nga e cila nuk mund të shkëputet. Për këtë arsye artistët e vërtetë nuk përçmojnë asgjë, dhe zgjedhin të kuptojnë në vend që të gjykojnë: e nëse kanë për të zgjedhur në këtë botë një parti, ajo s’mund të jetë tjetër, veçse aje e një shoqërie ku, sipas një shprehje të Niçes, nuk vendos më gjykatësi, por krijuesi, qoftë ky punëtor apo intelektual. Misioni i shkrimtarit është i vështirë. Detyrimisht, shkrimtari sot, s’mund të jetë në shërbim të atyre që bëjnë historinë, por në mbështetje të atyre që e vuajnë. Në të kundërt, shkrimtari, e sheh veten të izoluar e të privuar nga arti i tij. Gjithë ushtritë e tiranisë me milionat përkrahës të tyre nuk do mundin ta izolojnë shkrimtarin, edhe nëse përshtatet me hapin e tyre. Mjafton rënkimi e një të burgosuri të panjohur e të poshtëruar, në skajin më të largët të botës, për ta nxjerrë shkrimtarin nga mërgimi, apo i lirë qoftë, aq herë, të paktën, sa nuk e harron këtë heshtje, për ta përhapur më pas me mjetet e artit.
Askush nga ne nuk është i madh sa duhet për një vokacion të tillë. Por, në gjithë rrethanat e jetës, i injoruar apo përkohësisht i shquar, i burgosur, në kthetrat e tiranisë apo momentalisht i lirë të shprehet, shkrimtari mund ta fitojë shpirtin e një komuniteti që do e përkrahë, me kushtin e vetëm, që të pranojë, sa të jetë e mundur, dy detyrimet që e lartësojnë misionin e tij: të jetë në shërbim të sё vërtetës e të lirisë. Derisa prirja e shkrimtarit është afrimi i sa më shumë njerëzve, ai nuk mund të legalizohet me gënjeshtrën e nënshtrimin, të cilët bëjnë të lulëzojë vetmia, atje ku ato mbizotërojnë. Cilatdo qofshin dobësitë tona individuale, fisnikëria e profesionit tonë, gjithmonë do t’i ketë rrënjët në dy detyrime të vështira: papajtueshmëria me gënjeshtrën dhe rezistenca ndaj presioneve.
.
Albert Camy & Jean Paul Sartre
Albert Camy & Jean Paul Sartre
Për më shumë se njëzet vite çmendurie, i izoluar e pa asnjë mbështetje në ngërçet e kohës, si gjithë burrat e moshës sime, jam prirë nga mendimi i mjegullt se të shkruash sot është një nder, sepse ky akt të impenjon e të impenjon jo vetëm për të shkruar. Në mënyrë të veçantë, më nxiti të përçoja ashtu si munda e simbas aftësisë sime, bashkë me gjithë ata që jetuan të njëjtën histori, fatkeqësinë dhe shpresën mbi atë që jetuam bashkërisht. Ky brez, i lindur në fillimet e luftës së parë botërore, njëzet vjeçar kur instaluan fuqinë hitleriane dhe proceset fillestare revolucionare që, për të kompletuar edukimin e tyre u vunë në provë në luftën e Spanjës, në Luftën e Dytë Botërore, në universin e kampeve të përqendrimit, në Evropën e torturave e të burgosjes, e cila sot, duhet të edukojnë fëmijët e vet dhe të shkruajë vepra në një botë të kërcënuar nga shkatërrimi bërthamor. Besoj, se askush s’mund t’u kërkojë atyre të jenë optimistë. E jam i bindur se, pa e braktisur kritikën ndaj tyre, duhet t’ia kuptojmë gabimin atyre, që prej dëshpërimit, e kthyen të drejtën në pandershmëri e u zhytën kryekëput në nihilizmin e kohës sonë. Por është e vërtetë gjithashtu, se pjesa më e madhe e jona, në vendin tim e në Europë, e kanë refuzuar këtë nihilizëm dhe i janë përkushtuar ligjshmërisë; kanë preferuar të ngrenë artin për të jetuar edhe në kohë të rrezikshme rilindjen për së dyti, e të luftojnë pastaj me ballin hapur kundër instinktit të vdekjes së pranishme në historinë tonë.
Çdo brez i ri, natyrshëm, e mendon veten të destinuar për ta ribërë botën. Brezi im e ka kuptuar se nuk mund ta bëjë. Detyra e tij, ndoshta, është më e madhe: të pengojë shkatërrimin e saj. Trashëgimtar i një të kaluare të infektuar nga revolucione të dështuar, teknikash të çmendura, të perëndimit të zotërve e ideollogjive zhgënjimtare, ku pushtete mediokre, të privuara tashmë nga çdo argument bindës, rrezikojnë sot shkatërrimin e gjithçkaje; ku inteligjencia prostituohet sa të bëhet skllave e urrejtjes e shtypjes, kjo gjeneratë kërkon të restaurojë për vete e të tjerët, bazuar vetëm në mohim, diçka që përbën dinjitetin e të jetuarit e të vdekjes. Para një bote të kërcënuar nga shpërbërja, ku inkuizitorët rrezikojnë të vendosin dominimin e vdekjes, brezi ynë e di mirë, se në garën e çmendur kundër arsyes,duhet të restaurojë, midis kombeve, një paqe që të mos jetë ajo e skllavërimit, të rivendosë ekuilibrin e punës me kulturën e të krijojë frymën e aleancës ndërmjet njerëzve. Nuk është e sigurt në mund t’ia dalë me sukses këtij misioni kaq të lartë, por është e sigurt, se në gjithë botën, ka një përkushtim ndaj të vërtetës dhe lirisë e që, me gjasë, do të dijë të vdesë pa urrejtje. Për këtë meriton pra, të përshëndetet e të inkurajohet kudo që të jetë e, mbi të gjitha, atje ku sakrifikohet. Do të dëshiroja, patjetër me pëlqimin e plotë tuajin, që pikërisht atyre, t’i atribuohej nderimi që më keni bërë.
Në të njëjtën kohë, mbasi kam deklaruar fisnikërinë e profesionit, do ta vendosja shkrimtarin në postin e tij të vërtetë, në të refuzuarit e titujve të tjerë jashtë atyre që bashkëndan me shokët e vet të luftës, i prekshëm por këmbëngulës, kundërshtar por i pasionuar i drejtësisë, ndërtues i veprës së vet pa ndrojtje e pa mburrje, përballë të gjithëve, gjithmonë midis dhimbjes e bukurisë, më në fund, i përkushtuar të mbërrijë, prej ekzistencës së tij të dyfishtë, krijime që me kokëfortësi tenton të realizojë në mes këtij kahu shkatërrimtar të historisë. Kush, para së gjithash, do të priste zgjidhje të bukura e të moralshme? E vërteta është misterioze, e papërcaktueshme, gjithmonë për t’u hulumtuar. Liria është e rrezikshme, e vështirë për t’u jetuar po aq sa ç’është elektrizuese. Na duhet të marshojmë drejt këtyre dy objektivave me lodhje, por të vendosur, të ndërgjegjshëm në gabimet tona gjatë një rruge kaq të gjatë. Cili shkrimtar do të guxonte, me ndërgjegje të pastër, të paraqitej si shembull i virtytit? Sa për veten, dua edhe një herë ta them se s’jam nga ata, nuk dёshiron tjetër veç falënderimit të përzemërt e, si dëshmi të mirënjohjes personale, t’ju deklaroj publikisht të njëjtin premtim të vjetër, të besnikërisë që çdo artist i vërtetë ia bën vetvtes, çdo ditë në heshtje.
.
(Diskutimi i Marrjes së Çmimit Nobel, nga Albert Camys – me përkthim të Minella Danit)
.
 


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.