back to top
6.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Reflektim mbi Artin e Avni Delvinës… Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Reflektim mbi Artin e Avni Delvinës…

nga Jozef Radi

 

Bahen gjithnji e ma të shumtë ata që ndjekin me pasion artin kompleks të Avni Delvinës, kët miksazh fantastik ku bashkohen e bahen nyje shumë arte njiherësh (e që ende s’i asht gjetë nji përcaktim o nji emërtim i qartë!!) nji art që të përthith me forcën e një vorbulle, e me nji lehtësi të pabesueshme të ban për vedi, shpesh të mban gozhduem prej efektesh nga ma spontanit, po ma të shumtën e herëve prej frymës monumentale, që e bart me konstante arti i Delvinës, aq sa shpesh i ngjan me shumë nji skulptori, që e ka të pamundun gjetjen e shesheve për veprat e tij… Shpesh grafikat e tij tronditëse janë të shoqnueme me tekste ngjarjesh ku ai dëshmon edhe mjeshtëri narratori siç asht fjala edhe në rrëfimin e grafikës së fundit… me të cilën ai përcjell nji kujtim të dhimbshëm të rinisë së vet…
Këto grafika të Delvinës, (që mund të quhen Comunart – art i komunikimit të bashkësisë) dëshmojnë shtigjet nëpër të cilat ai lëviz, hapsirat ku ai gjen brumin e ideve të veta, frymën që mbledh dhe shpërndan, reflekset që ai na shtyn me bà mbi kohnat dhe njerzit, pa harrue asnjiherë se ai lëviz në kohë e hapsinë me nji shpejtësi e dinamikë të paimagjinueshme, bashkon nji figurë me nji ide, pastaj dhjetë figura me nji pafundësi idesh, godet me nji spontaneitet të habitshëm, mandej kthehet e rikthehet te Tirana e tij, te Bulevardi i saj, te Lana, te Skëndërbeu dhe Stalini si dy zotnuesit e mdhenj të Sheshit dhe derdh aty krejt andrrat, shfrimet dhe zhgënjimet nji brezi të dëshpëruem, që gjeti “shpëtim në t’hikun”; e ringjall at kohë të frikshme dhe ta neverit me mjetet ma të thjeshta artistike, mandej kthehet e rikthehet te shokët e miqtë e vet të vjetër e të shpërndamë në gjithë botën… dhe i fton “të rrinë bashkë” dhe të ndjehen afër përmes artit të tyre dhe kujtimeve, atij arti ku prin fantazia e tij ku sendërton, madhështon, demonton, qesharakson, hiperbolizon, tall, ban magjike portrete që mund të dashurohesh me to… po s’harron asnjiherë me u bà lypsar, “Nji titull zotni! A keni ndonji titull, zotni!”… dhe ti sheh që derdhen jo tituj dhe përgezime, po nji lumë emocionesh nga ma të ndryshmet… dhe ai tallet, oh sa tallet me at kohën me kët kohën, me të gjitha kohrat, me të gjitha kokat që kanë dhunue dhe vra, ndoshta edhe atë vetë, (atje në thellësi të shpirti) dhe ai s’mundet ta falë… po del dhe vret edhe ai, po ashtu bukur me grafika, me ide, me rrëfime (si ky i sotmi që të mban pezull)… me ironi, me sarkazëm, me dëshmi, me monumentet e saj, me historitë e saj, me personazhet e saj… gjithnji qesharakë e burleskë dhe ti, edhe pse mund të jesh i përhumbun diku në një skaj bote e ndjen se ai të ka bashkue me miqtë e tij, të ka ofruar edhe ty vlera, humor, andrra e mbi të gjitha art, shumë art… të nji tipi të ri, krejt të panjoftun, e që është vetëm i tiji!!!
Arti i Avni Delvinës, mbetet art i fuqishëm komunikativ, edukues, realist edhe kur ai duket sikur luan dhe tallet dhe derdh bojna me krejt botën…

07 nantor 2013

Avni Delvina "Albumet e pambaruara"
Avni Delvina “Albumet e pambaruara”

Avni Delvina 2013 –

Grafikë nga cikli “Albumet e pambaruara”…

Këtë grafikë ju a kushtoj prindërve të mi të dashur,
nënës dhe babait tim, gjyshes sime të dashur,
që në jetën e tyre mbase humbën shumçka, por që mua më dhanë gjithçka…
Kjo grafikë është realizuar mbi një pikturë të famshme të Caravaggio-s
dhe me disa foto të vjetra të nënës, babait, gjyshes dhe timen…
Historia e shkruar më poshtë është e vërtetë
dhe albumet e pambaruara duhet të ndodhen në institucionin përkatës…
.
Caravaggio: Supper and Emmaus
Caravaggio: Supper and Emmaus

Megjithse i vogël në moshë, ai e ndiente se një cikël po mbyllej… Babait i qe shtuar heshtja aq sa shpesh herë të jepte përshtypjen e një njeriu që po dorëzohej pa kushte… Edhe me nënën ai mundohej t’i evitonte bisedat në lidhje me daljen e tij në pension. Shtëpisë i kish rënë një hije trishtimi, dhe gjyshja e mplakur nga vitet ishte e vetmja në familje që i shkonte disi për shtat atij ambienti që po zymtohej përdita. Pensioni i vogël që do të merrte mbase ishte një ndër shkaqet e kësaj atmosfere. Kur papritmas, dy ditë para se të largohej përfundimisht nga marrdhëniet e punës, një lajm i gëzuar e ndriçoi si me magji shtëpinë. Atij i kishin ofruar të shkruante biografitë e dëshmorve dhe si shpërblim do të merrte një shtesë pensioni prej trëmijë lekësh në muaj… Ndjehej në zërin e nënës ai lajm i gëzuëshem, tek lante rrobat pranë një çezme, në shtëpinë e Begollve, ku ne banonim. Tingujt e këngës “O campagnola bella” të përziera me lehjet e Xhixhit, dukej sikur shpërndaheshin të lira në lëndinën pranë shtepisë, aty në buzë të Lanës…
Të nesërmen në mëngjes, mbasi pinë kafenë së bashku, babai me një dosje në dorë dhe me hapin e tij të shtruar, mori rrugën rrugën drejt varrezave të dëshmorëve… Nga dreka ai u kthye së bashku me një sërë dosjesh ku gjendeshin biografitë e mjaft prej tyre. Kishin rënë dakord që ai do të shkruante me kaligrafinë e tij të mrekullueshme nga 3 biografi në ditë… dhe çdo fillimjave do të shkonte për të marrë materialet e reja të përgatitura nga historianët e luftës… Çdo mëngjes, ai përgatiste tavolinën e tij të punës dhe vendoste mbi të disa albume lluksoze të blera jashtë shtetit në të cilat do të shkruheshin biografitë. Ai rrinte dhe e shikonte të jatin me vëmendje kur shkruante… Pena rrëshqiste nën dorën e tij të sigurt dhe dukej sikur ajo përkëdhelte e lozte me çdo gërmë të alfabetit. Gërmat e mëdha ishin një shfaqje e vërtetë. Harqet dhe spërdredhjet që i ati krijonte kur shkruante, e kishin shndërruar kaligrafinë e tij në një art të vërtetë… Tashmë nëna ndihej shumë më e qetë. Me natyrën e saj ekonomiqare e pak të mbledhur, fillonte dhe bënte llogari punën e re të babait. “Nga 3 copë në ditë – thoshte ajo – i bie që edhe për 20 e ca vjet, im shoq është në rregull… Dhe jeta në familjen tyre rridhte e qetë dhe pothuaj monotone, ashtu siç ishin ato vite, pa ndonjq kuptim dhe pa ndonjë qëllim të dukshëm. Nëna nisej herët për në pune, ai në shkollë, dhe babai me atë rregullin e tij përgatiste tavolinën e punës… dhe fillonte të shkruante biografitë…
Kur papritmas, një ditë, ai e dalloi babain nga larg dhe iu duk i shqetësuar… Seç bisedoi me nënën me zë të ulët dhe nëna uli kokën me shpejtësi që ai të mos e dallonte dëshpërimin e saj… Pas ca kohësh muhabetet u morën vesh dhe nga kushërinjtë e tjerë, që banonin së bashku me ta në të njejtën shtëpi… Babai kishte shkuar disa herë të merrte materiale në Drejtorinë e varrezave të Dëshmorve, por ata i thoshin se akoma nuk janë gati… dhe po deshe duku një herë pas nja 3 ditesh… pastaj ato tre ditë u bënë javë, javët u bënë muaj, e kështu me rradhë… Edhe nëna që nuk para dorëzohej, një ditë si me gjysëm zëri i tha: “Po pse nuk shkon njëherë andej nga varrezat se mos kanë përgatitur ndonjë material?!!!” “E ç’material o Bardhë!… Materialin e leshit! Akoma s’e ke marrë vesh këtë punë!”
Babai u ngrit nga karrikja ku ishte ulur, hapi derën e dhomës dhe i fishkëlleu Xhixhit!…
Djaloshi e pa nga larg tek ndezi një cigare dhe vazhdoi të ecte i shoqëruar nga qeni i tij besnik. Qeni e ndiqte në heshtje… derisa u zhdukën që të dy pas një grumbulli të madh shkurresh dhe pemësh…

.
(marrë nga Muri i fb Avni Delvina 7 nëntor 2013)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.