Luftën e nacionalizmës e kanë monopolizue të tjerë…
Mustafa Merlika i shkruan Gjon Marka Gjonit
Letër Kryetarit të Bllokut Kombtar Independent Gjon Marka Gjonit.
Zotni Kryetar!
Ishte aty kah fundi i vjetit 1943. U gjindshem në Shkodër mysafir ke miku i im Gjon Marka-Gjoni, Kapidan i Mirditës. Ndërmjet nesh e me miq qi s’prâjshin tue hŷmë e tue dalë n’atë derë bujare s’u bânte veçse nji kuvênd: si mund t’i gjindej rruga me i a premë vrullin katastrofës qi po i kërcnohej përditë mâ fort, përditë mâ e rrezikshme Vendit e Popullit tonë. Lufta ndërmjet nacionalizmës e komunizmës ishte ndezun në Jugë e po i afrohej Veriut. Komunizma, të cilën asnji skrupull s’e pengonte, ishte gjithkund n’ofensivë e me fitime mâ të dukshme se nacionalizma. Balli Kombtar ishte i pavëndosun e s’prânte tue u mundue me trakte mbas traktesh me i zbutun zêmrën anës kundërshtare qi mos të bâhej “vëllavrasje”, pa dashun ta kuptojë se edhe komunisti shqiptar vëlla kishte vetëm komunistin, kudo qi të gjindej në botë, e nacionalisti ishte për tê anmik, sikur edhe vetë i ati e e âma t’i a kishin bâmë. Legaliteti ishte paralizue nga se s’kishte si me u marrë vesht me Mbretin Zog e me marrë urdhna prej tij, ndërsa oficerat inglizë qi kishte pranë komandës së vet s’e lêjshin me veprue. Na ishim të lirë, jashta Ballit, qi nëpër traktet e tija na përshkruente… me ngjyrat mâ simpatiket; e jashta Legalitetit, qi kishte frikë se bashkpunimi me ne mund ta komprometonte ndër sŷ të dikuj. Ishim të vendosun na, edhe pa Ballë e pa Legalitet, në mendimin tonë antikomunist. Por s’kishim tjetër udhë për me veprue veçse në bashkpunim me Gjermanët ase me mjetet qi mund të na jepshin ata. Kjo ishte nji përgjegjsí qi i përkiste vetëm qeverís e na edhe ksaj ia patëm ofrue bashkpunimin tonë mâ se nji herë, por kot! Kështu edhe na kishim mbetun të paralizuem e të kufizuem ndër veprime lokale difensive.
.
Kjo ishte n’atë dimën të vështirë e fatpremë sinteza e situatës tragjike të nacionalizmës shqiptare përballë komunizmës triumfuese nën etiketën e Çlirimit Nacjonal, e komandueme prej agjentave të provuem sërb e me mjetet e pakursyeme t’Aliatvet. Se ç’u bâ mâ vonë dihet.
Nji ditë më thotë Kapidan Mark Gjomarku, ai dëshmor i panjollë i Atdheut shqiptar, tue buzqeshun si ai qi don ta mundë vnerin e zêmrës së plasun, qoftë edhe për nji ças, me nji mahí të kalueshme: “A s’më thue, Mustafë? Qeverí, Legalitet, Ballë Kombtar, Çlirim Nacional ase komunizmë… Po na ç’jemi?”
I u përgjegja: “Na jemi purgatorakët!”
Qeshëm pak, por i ngrati Mark desh me kalue me të shpejtë në përnjimêndje. Tha: “Jo po njimênd, Mustafë, na gjêj nji emën, qi në na ardhtë dita, të hidhemi në rrëmujë të luftës me tê e jo si persona ase krahina.”
U mendova pak e i u përgjegja: “Lum Miku i im, ajo ditë vështirë se âsht tue na ardhun neve, luftën e nacionalizmës e kanë monopolizue të tjerë, por mbasi po don nji emën, qe: “Grupi Nacionalist Indipendent”!
-mutatis mutandis- Un mund ta quej veten nun të Blokut Kombtar Indipendent.
Aleksandri, shkurt 1950
.
Marrë nga muri i fb i Ben Oroshi
.