Kada dhe Paloka…
dy të vorfnit ma të pasun të ksaj bote…
etyd për dy njerz fort t’respektuem nga Jozef Radi
Kada dhe Paloka, ishin dy njerz fort të dashtun mes tyne, ksisoj ata mbetën jo veç për mue, po për shumkend që i ka njoftë. Edhe pse sot, ata s’janë ma mes nesh (Paloka vdiq në 1990 dhe Kada në 2015), ata lanë dritë t’mjaftueshme me shndritë ndër njerz e kohna tejet t’vshtira…
Kada dhe Paloka, ishin nji çifti familjar që e kaluan pjesën ma të madhe të jetës n’interrnim, dhe patën jo pak fmijë, thuej ma shumë se gjithkush tjetër; plot nantë! Po mundohem me ua kujtue emnat të tanve (e m’falet edhe ndonji gabim): Tonini, Luçja, Roza, Engjëlli, Vera, Magdalena, Zefi, Donika dhe e fundmja Çelestina, shumica t’lindun aty, n’kampin e Savrës…
.
Kada dhe Paloka ishin dashnia ma sublime e nji çifti që kam njoftë n’jetën time… Edhe pse ata jetuen n’nji kasolle me kallama e mbulue me teneqe, diku buzërruge që të çonte prej Lushnje në Fier, pranë nji vendi që ne i thonim Centrali, që shpesh u kishte shërbye me hije, si vend i idileve të tyne sentimentale në mbasdite e mbramje të pafundme, aty në kampin e Savrës…
.
Kada me Palokën se ka ba ditë perendia kanë shëtitë njashtu bashkë, njashtu shtrëngue mbas njeni-tjetrin si t’ishin në ma t’parat ditë të dashnisë së tyne.
S’ka pa tjerë që në rrugë t’më ken rrezatue aq shumë mirsi, dritë e buzqeshje se Kada dhe Palokën n’ato ecejake t’nji jete tretun n’interrnim.
Paloka me Kada ishin prej Malësisë së Madhe, i jati i Palokës, Luketa, kishte luftue me armë n’krahë në Kryengritjen e Malsisë, edhe pse i ri 17 vjeçar, ai kishte qenë n’krah të Luketës, e për fill të penit, kishte pshtue prej vdekjes, po ama e pagoi tanë jetën njaty në Savër, së bashku me Kadën dhe 9 fëmijët e tyne të pafajmë…
.
Kada dhe Paloka patën të dy probleme të randa shëndetsore, e shpesh kur mungonte ajo shetitja e përhershme, ishte si të thuesh nji dëshmi se njeni prej tyne kishte xanë shtratin, dhe ishte e krejt e pamundun me i ba shoqni tjetrit…
Paloka vuente prej zemre, e s’duhej m’u sforcue fort, ndaj shpesh ndodhte që fëmijët shkonin e ia banin normën. Ndodhte që punonte edhe si roje. Nji herë, nji brigadier zëmërzi Hazizi, (me dy t’zeza qysh n’emën) për 15 ditë në punë e pagoi vetëm me 1 lek të ri, ose 10 lek të vjetra… Ishte nji ngjarje që trishtoi shumkënd, po askush s’e pa mërzi as frikë n’ftyrën e Palokës. Ai tha veç tha pak fjalë: Hajt, se e ban Zoti mirë…!
Fëmijët e shumtë të Kadës e Palokës s’i pa askush as t’uritun, as të xhveshun, as t’mërzitun, as të rebeluem me prindët e tyne, edhe nse ka ndodhë të kenë fjetë pa bukë, e pa hangër të kenë shkue në shkollë o në punë, ata mbetën dinjitozë për gjithçka u mungoi…
Qysh të vegjël, i kujtoi si sot fëmijët e Kadës dhe Palokës baheshin bashkë e mblidhnin kamomil, lulkuqe, herbakin fushe, gram e gjithçka tjetër mundnin, me pasë nji palë këpucë të shndritshme, nji fustan të ri a nji triko të bukur… e kurrë ai mjerimi i tmerrshëm i kohës që jetuem, s’u shfaq si mjerim as në shpirtin e as në trupin e tyne…
Kada me Palokën, në ditë vere a dimni, n’shi e n’vapë e n’erë, në prill a në dhjetor, ishin gjithnji bashkë, n’nji kuvend të pafund e n’nji heshtje fatlume, që edhe sot, n’mendjen e atyne që i kanë njoftë, ka magjinë e dashnisë e harmonisë që shpërndan dritë…
.
Kada dhe Paloka s’mbrritën me i shkollue fëmijtë tyne të shumtë përtej tetëvjeçares, (përjashto të fundit, Celestinën) pse kjo ishte n’pamundësinë e tyne, po ama i edukuen ata fëmijë me e rritë njeni-tjetrin, e me iu bahen krah njeni-tjetrit në dit të vshtira…
Paloka s’mbrriti me e pà rrzimin e së Keqes, pse zemra e tij e lodhun, u ndal para kohe, në verën e vitit 1990. Kada jetoj gjatë po gjithnji me kujtimin e Palokës… Sot kushedi në ç’parajsë ata janë bashkë… Ndër ne sot jeton dashnia e tyne, ai shpirti i buzqeshjes së atyne dy krijesave shembullore që n’heshtje e mundën mjerimin e madh, dhe në kohnat e tmerrit e të asgjasë mbas shpirtit, i dhuruen ksaj bote fmijë, shumë fmijë që kurrë s’i sollën nji sherr, kurrë s’u përzien me t’keqen, e kurrë s’iu ndigjue zani për njat vorfni që sundonte gjithkah, e ma së shumti ndër ata fëmijë të shumtë…
Kada me Palokën, vazhdojnë me ecë njashtu përdore, n’ato rrugica të përbaltuna e t’pluhunta të Savrës, ku s’ishte askush veç tyne me atë çadrën e arrnueme për shiun, për diellin, për erën e për pluhnin, dhe mbetën njashtu fisnikë, t’hijshëm, t’buzqeshun e t’pashoqë…
Kada me Palokën asht dashnia që ma vorfnit e kësaj bote edhe nën terrorin e s’Keqes e kthyen në pasuni e mirsi të pafundme…
Zoti ju pastë n’gjinin e vet o krijesa të rralla të dashnisë njerzore…
.
…nisë qysh herët, po mbarue në nantor 2020
.
Kada dhe Paloka kanë qenë dhe mbeten për mua një nga leksionet më të mëdha të dashurisë dhe harmonisë njerëzore… Ata jetuan një jetë në internim dhe varfëri, por mbetën njerëzit më fisnikë dhe më dinjitozë që unë kam njohur dhe kam dashur… Këta pak rreshta, janë më e pakta e dashurisë që kam mundur të shpreh për ta, në kët jubilar të 2020, ku Paloka ka 30 vjetorin dhe Katerina (Kada) ka 5 vjetorit e ngjitjes në qiell, e sigurisht prehen në Parajsë…
Ata mbeten për mua triumf i Dashurisë, i Mirësisë dhe Humanizmit…
Përulem me respekt para kujtimit të tyre..