back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Rugova shkroi “ungjillin politik të shqiptarëve” – nga Ndue Ukaj

Gazeta

Ibrahim Rugova (1944-2006)
Ibrahim Rugova (1944-2006)

Rugova shkroi “ungjillin politik të shqiptarëve”

nga Ndue Ukaj

Kosova e ligështuar dhe e dërmuar, pa autoritete morale e politike dhe me disa demagogë të rrezikshëm me mendësi ekstremiste që i vërtiten si profetë të rremë, duhet të frymëzohet nga figura shembullore e Ibrahim Rugovës, për të tejkaluar sfidat e mëdha që ka përpara. Sepse Rugova e ka shkruar ungjillin politik të shqiptarëve – testamentin e dashurisë politike, për njeriun shqiptar, historinë, kulturën dhe identitetin e tij. Këtë testament – të cilit ai i blatohej – bashkëkombësit e tij duhet ta kenë shujtë të përditshme në tryezën e tyre: Të frymëzohen prej tij dhe të besojnë në të, në mënyrë që të fisnikërohen, t’i mposhtin paudhësitë, prapështitë dhe dokrrat që e karakterizojnë kohën pas tij.
Rugova është krijuesi dhe ndërtuesi i shtetit të Kosovës. Politikani më ditur dhe më normal që ka dalë nga raca shqiptare. Njeriu që i përtëriu dhe i kultivoi si askush aleancat organike me perëndimin dhe që vendosi Kosovën në hartën politike të botës.
Rugova qe politikan i njerëzishëm, aspak megaloman, siç janë soji i tij ndër shqiptarë.
Ai e donte njeriun dhe kujdesej që atë ta mëkonte me ndjenja dashurie, respekti, njerëzie dhe solidariteti. Ai nuk e urrente askënd.
Sepse ai ishte i vërtetë dhe i njerëzishëm.
Ai nuk fliste përçartë dhe me urrejtje për kundërshtarin, por kujdesej, dhe e fisnikëroi gjuhën politike me ndjenja të njerëzishme për njeriun, autoktonen dhe vlerat e fisme universale, kah ecte i palëkundur dhe kah e orientonte popullin e vet i pa tunduar.
.
Rugova përballë statujës së Pjetër Bogdanit - (Foto Hazir Reka)
Rugova përballë statujës së Pjetër Bogdanit – (Foto Hazir Reka)
Rugova e deshi autoktonen, por e vlerësoi edhe universalen, ato vlerat e fisme të qytetërimit të lirisë dhe të dashurisë perëndimore, për të cilat punoi i palëkundur dhe me tërë qenien.
Ai ishte i ndikuar prej Bogdanit dhe korpusit të autorëve oksidentalë dhe nuk tundohej, nuk lëkundej dhe as nuk joshej prej ideve të tjera.
Në saje të kësaj filozofie, ai e bëri krejt botën e përparuar që ta përqafonte kauzën tonë dhe të ishte me ne. Dhe kështu, sakrifica dhe lufta jonë u shpërblye me lirinë dhe pavarësinë që kemi.
Rugova punoi me pasion për oksidentalizimin e shoqërisë sonë, proces ky që është shëmtuar pas shkuarjes së tij në amshim. Ai këtë e kishte ideal dhe mision. Prandaj, nuk zgjohej si europian, që pastaj ditën ta kalonte si oriental dhe të binte në shtrat si kozmopolit. Ai ishte i vërtetë: Një oksidental shqiptar i thekur në mendime dhe veprime, që gjunjëzohej para Gjergj Kastriotit dhe e kishte udhëheqës shpirtëror Bogdanin dhe kjo e bëri atë të madh dhe të papërsëritshëm.
Prandaj, mallëngjehem sa herë e kujtoj hapin e matur të tij dhe shoh hapat e çorientuar të shumë politikanëve të sotëm zuzarë.
Mallëngjehem, sa herë i dëgjoj ose i lexoj idetë e tij të fisme politike dhe në anën tjetër shoh marrëzitë, dokrrat dhe kuturisjet e politikës shqiptare, të çorientuar dhe pa kurrfarë ideale.
.
Marrë nga Muri i Ndue Ukajt, 2 dhjetor 2020
 


Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.