back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Shën Elefteri i Vlorës dhe nëna e tij Anthia

Gazeta

Shën Eleuteri - i Vlorës
Shën Eleuteri – i Vlorës

Shën Elefteri i Vlorës dhe nëna e tij Anthia

Shën Elefteri jetoi gjatë shekullit të dytë, në vitet kur perandor ishte Komodho dhe Septimio Sevirio. Nëna e tij, Anthia ishte një grua e përulur e cila duke dëgjuar predikimet e nxënësve të Apostull Pavlit u pagëzua dhe e bë e krishtere. I shoqi vdiq disa muaj pas lindjes së Elefterit dhe Anthia e rriti e vetme duke u përpjekur ta ushqej me mësimet e Jesu Krisht që nga vogëlia e tij.
Anthia dëshironte të vizitonte Romën, vendin ku pikërisht u martirizuan Apostujt e Shenjtë Petro dhe Pavli dhe mori me vete në këtë udhëtim dhe djalin e saj, Elefterin. Episkopi i Romës Anikito (17 Prill), u çudit me zgjuarsinë, besimin e zjarrtë dhe sinqeritetin e djaloshit të ri Elefterit, dhe kërkoi ta mbante pranë duke e marrë në përkujdesjen e tij. Në moshën 15 vjeçare Elefteri u dorrëzua dhjak dhe pas tre vjetësh u vesh prift.
Shën Elefteri e udhëhoqi me zell grigjën e tij dhe njëkohësisht ndihmoi shumë edhe në vepra bamirësie. Në moshën 20 vjeçare, Shën Elefteri u caktua episkop i Ilirisë, duke e pasur qendrën në qytetin e Vlorës. Dorëzimi i Shën Elefterit në dhjak, prift dhe episkop në moshë kaq të re, ndodhi sepse Shenjtori jetoi përpara se të mblidhej Sinodhini i Neokesarisë. (Sinodhit të Neokesarisë caktoi moshën 25 vjeçare të dorëzimit në dhjak, moshën 30 vjeç në prift dhe mbi të 30-tat episkop). Veprat, mrekullitë dhe ëmbëlsia e fjalës së tij bëri shumë njerëz që endeshin në errësirë të gjejnë dritën e vërtetë pranë Krishtit.
Fama e virtyteve të tij arriti deri në Angli. Mbreti Lukios i dërgoi Shën Elefterit një letër në të cilën i kërkonte se dëshironte të pagëzohej ai dhe gjithë populli i tij. Elefteri dërgoi në Angli dy predikues të cilët ndihmuan me mësimet e katekizmit Lukion dhe popullin e tij të njohin Krishtin dhe të pagëzohen.
Kur Septimio Sevirio filloi përndjekjet ndaj të krishterëve urdhëroi menjëherë ta arrestonin shenjtorin për veprimtarinë e tij të krishtere. Elefteri pohoi me guxim përpara tij besimin te Krishti dhe perandori urdhëroi ekzekutimin e tij me tortura. E hodhën te kafshët e egra por ato iu afruan dhe i lëpinin këmbët shenjtorit. Duke parë këtë ngjarje të çuditshme perandori por duke dëgjuar dhe popullin që thërriste “E Madh është Perëndia e të krishterëve!” Ai urdhëroi t’i presin kokën.
Me gjakun e martirizimit u përlyen rrobat e episkopit të Shenjtë i cili iku i lumtur në Mbretërinë e Qiejve. Martirizimin e tij ndoqi bashkë me popullin dhe nëna e Shenjtorit,Anthia e cila ra mbi të duke i puthur trupin e pajetë.
Xhelati që ekzekutoi Shën Elefterin, i preu kokën edhe nënës së tij.
Kështu edhe shpirti i saj mori fluturimin drejt qiellit, bashkë me djalin e saj të dashur.
.
Shën Lefteri, Peshkop i Vlorës dhe Ilirisë - 15 dhjetor - dhe nëna e tij Anthia
Shën Lefteri, Peshkop i Vlorës dhe Ilirisë – 15 dhjetor – dhe nëna e tij Anthia

Shën Lefteri, Peshkop i Ilirisë – 15 dhjetor

Njoftimet e Sinaksaristëve nuk sinkronizohen. Ka shumë mundësi që Elefteri të ketë lindur brenda shekullit të dytë në Romë, nga krahinari i krishterë i saj dhe nga Anthija (ose Evanthia), e të njëjtit besim, e cila kur mbeti vejushë para kohe, ia besoi episkopit për ta mësuar. Ai vlerësoi më vonë virtytet dhe urtësinë e tij dhe e bëri dhjak në moshën 15-vjeçare, 17 (ose 18) vjeç presviter dhe 20 vjeç episkop i Ilirisë (nuk kishte akoma rregulla në lidhje me moshën e të hirotonisurve).
Pagëzoi turma dhe bënte mrekullira, kështu që perandori dërgoi një oficer me ushtarë për ta arrestuar. Por ai sapo mësyu në kishë u çarmatos dhe u gozhdua nga hijeshia e hyjshme dhe elokuenca predikuese e tij dhe besoi. Ndërkaq e çoi tek mbreti ashtu siç iu lut shenjti. Rrugës oficeri u pagëzua. Në kryeqytet Elefteri mbeti i pathyer, pavarësisht nga premtimet djallëzore te monarkut, i cili fillimisht ishte befasuar nga fizionomia e tij.
E shtrinë në një krevat të skuqur dhe më pas në një zgarë me flakë edhe pse spektatorët e simpatizuan pasi mbeti i padëmtuar. E skuqën në një kazan me dhjamë, dyllë dhe zift. Krahinari Koremon mendoi një dënim të dyfishtë: Një furrë bronzi, të veshur me gozhdë…Shenjti u lut dhe Koremoni, si të zgjohej nga gjumi, pyeti se ç’faj kishte bërë Elefteri! Mbreti u habit, por nuk e konvertoi, dhe e hodhi në po atë furrë të tij, pasi Koremoni kërkoi ndërmjetimet e hieromartirit. Meqenëse doli i paprekur i prenë kokën, ndërsa hodhën brenda klerikun guximtar, veçse nxehtësia ra dhe gozhdët u epën si qirinj të zbutur! E burgosën të pangrënë, por e ushqente një pëllumb, derisa e lidhën në një karrocë me kuaj të egër. Por shpejt një engjëll e zgjidhi dhe e hipi mbi të. Arriti në mal, ku egërsirat i silleshin si kafshë shtëpiake. Më vonë ndoqi me dëshirën e tij ushtarët dhe pagëzoi shumë nga ata dhe pesëqind të tjerë derisa mbërriti në Romë. Atje më kot e hodhën tek luanët. Ndaj i prenë kokën. Anthija u godit me shpatë gjithashtu, ndërsa puthte trupin e tij…
Hierarkut i luten shtatzënat për t’u çliruar, d.m.th. që të lindin lehtë (Elefter = i lirë).
.

Martiri i shenjtë Lefteri

Një nga shembujt më të shkëlqyer në grupin e shenjtorëve dëshmorë është dhe martiri i shenjtë Lefter. Që në moshë të vogël, në fëmijëri, ai tregoi me jetën e tij të ndritur se ç’diamant i vërtetë ishte.
Për këtë arsye dhe kryeprifti i Romës ku ai jetonte, e hirotonisi në moshë shumë të vogël në dhjak dhe shumë shpejt i mori dhe dy gradat e tjera të priftërisë.
Atëherë nuk ekzistonin akoma kufizime të moshës në hirotonisje, si sot, dhe çdonjëri mund të hirotonisej në moshë relativisht të re, gjithnjë sipas gjykimit të kryepriftit. U duk me të vërtetë diamant i ndritur, shenjt me veprimtari të mrekullueshme dhe ishte aq e dukshme ndihma e Perëndisë gjatë periudhës së torturave të tij, sa që shumë nga populli dhe paria besuan me gadishmëri të menjëhershme tek thirrja e Krishtërimit.
Shumë mjete dhe tortura u gjetën për të shuar dëshirën e mirë e të guximshme të martirit Lefter. Por si mund të shuante zjarri i gjërave të mira materiale të kësaj toke, zjarrin e dashurisë së Krishtit që digjte shpirtin e martirit të shenjtë?
Si mundet që shpirti që ndjeu ëmbëlsinë e ardhjes së Krishtit dhe që priste me padurimim që nuk shprehet me fjalë, momentin që do të shijojë gëzimin e Parajsës, të mposhtet nga egërsirat, luanët apo torturat e tjera që duroi shenjti? Jeta e martirit të shenjtë Lefter, i dashur lexues, është veçanërisht tërheqëse dhe një shembull i qartë dhe i përsosur që shfaqet në sytë tanë. Ajo që na mbetet ne, është ta imitojmë në jetën tonë.
.

Prift dhe kryeprift i të Larti

Martiri i shenjtë Lefter, lindi në Romë rreth gjysmës së dytë të shek. II pas Krishtit.
Prindërit e tij ishin të pasur, bujarë, por dhe shumë shpresëtarë. Nëna e tij, Anthia, ishte mësuar në besimin e krishterë nga nxënësit e apostull Palit. Babai i vet që kishte pozitë në qytet jetoi pak kohë pas lindjes së Lefterit. E ëma, sa u rrit, e dha tek kryeprifti i Romës, Aniqiti, për ta përgatitur në besim.
Kryeprifti, duke parë karakterin e të riut, marrëdhëniet shoqërore dhe cilësitë e tjera të tij, mendoi ta bënte klerik.
Kur u bë 15 vjeç e hirotonisi dhjak, në moshën 17 vjeç prift dhe 20 vjeç e bëri episkop të Ilirisë. Lefteri ishte i ditur dhe tërhiqte mjaft në mësimet mbi besimin e drejtë. Nga shenjti u pagëzuan shumë, bile dhe grekë.
Atë kohë mbretëronte Antonini Pios, që ishte luftues i Krishtërimit. Ai kërkonte me çdo mënyrë ta vriste mbasi e konsideronte shkak kryesor dhe të parin në përhapjen e Krishtërimit Lefterin dhe pastaj të tjerët. Dërgoi, pra një udhëheqës që quhej Filiqi që të kapte shenjtin.
Filiqi shkoi me shumë ushtarë dhe rrethoi kishën ku predikonte shenjti.
U fut me një shikim të egër për të kapur Lefterin. Por, duke dëgjuar zërin e ëmbël të tij dhe predikimin, u mrekullua dhe nga ndjekës u bë nxënës. Mohoi pasurinë e të afërmit, ra në këmbët e shenjtit dhe besoi tek Krishti. Shenjti i bëri katekizëm dhe e mësoi në besim. Pastaj e këshilloi ta çonte tek mbreti siç e kish marrë urdhrin, që të mos humbiste kurorën e martirit. U nisën pra për të vajtur tek mbreti. Në rrugë gjetën një burim dhe Filiqi kërkoi që të pagëzohej. Shenjti me të vërtetë e rilindi me pagëzimin hyjnor.
.

Te Perandori. Tortura

Arritën në Romë dhe Filiqi u bashkua me të krishterët e tjerë, ndërsa shenjti vajti tek perandori.
Sa e pa mbreti aq të ri, e simpatizoi dhe i tha: “Pse, Lefter, le besimin e të parëve të tu dhe shpresëtarinë e Perëndive dhe beson në një njeri që vdiq me një vdekje poshtëruese?”
Shenjti heshtte. Nuk e gjykoi të vlefshme t’u përgjigjej këtyre fjalëve pa mend.
Atëherë tirani filloi përsëri t’i thotë shenjtit fjalë të mira dhe t’i premtonte dhurata e çmime nëse do të flijonte tek idhujt. Dhe shenjti iu përgjigj: “Si të pranoj t’u falem perëndive të tilla të pashpirta? Dhe për ju, që i faleni, më vjen keq. Perëndia ju nderoi me logjikën dhe ju u bëtë më të pamend edhe se drutë e gurët, që ju kujtoni se janë perëndi! Latë Perëndinë e vërtetë që na krijoi dhe u faleni idhujve.
Por unë adhuroj Zotin tim, Krishtin. Atë respektoj dhe e pohoj si Perëndi timin. Çmimet që më premton dhe torturat me të cilat më kërcënon, besoj se janë lodra. Unë mohova botën dhe u kryqëzova si Pali. E konsideroj, pra vdekjen, lavdi dhe gëzim…”
Perandori u zemërua dhe urdhëroi të digjnin një krevat të hekurt dhe mbi të, të vinin shenjtin e ta linin derisa të digjej. Shumë, duke parë egërsinë e mbretit, e qortuan duke i thënë: “Pse të humbasë një njeri fisnik, me lavdi dhe i urtë, si të ishte një keqbërës i pandershëm?” ndwrsa Perëndia nga lart ia lehtësonte dhimbjet dhe e freskonte.
Kur zemërimi i mbretit kaloi, urdhëroi ta nxirrnin të shenjtin duke kujtuar se do të kishte vdekur.
Shenjti u ngrit më këmbë pa pësuar gjë dhe psali: “I lartësuar je, o Perëndia im, mbreti im, dhe i bekuar emri Yt në jetë të jetëve..:” (Ps.144).
Dhe i tha tiranit: “Më shiko tani, o mbret, që kujtove se u bëra shkrumb. Shih se nuk më preku fare zjarri. Kuptoje pra fuqinë e Perëndisë tim, të vetmit Perëndi të vërtetë dhe dobësinë e idhujve të tu…”
Mbreti i konsideroi këto fjalë të shenjtit si ofenduese dhe dha urdhër ta vinin përsëri në zgarë dhe t’i hidhnin që lart vaj që të ndizej më lehtë.
Porsa u shtri shenjti, zjarri u shua dhe zgara u bë e ftohtë. Antonini, egërsirë nga orgjia e tij, jep urdhër për tjetër torturë: ta hidhnin në një kazan lyre, dylli dhe sere dhe ta zienin martirin.
Kur kazani u ngroh, tirani tha: “Lefter, ndodhesh midis jetës dhe vdekjes. Interesohu për të mirën tënde. Unë duke çmuar bujarinë tënde, mirësinë tënde dhe bukurinë tënde nuk dua të humbasësh jetën për një zemërim.”
Shenjti i thoshte se ishte e pamundur ta shkëpuste nga besimi i tij. E hodhën si përfundim në kazan.
Por zjarri u bë vesë nga Hiri i Shenjtë dhe martiri i pacenuar, lavdëronte Zotin.
.

Kthimi i pushtetarëve dhe fundi martirik

Tirani rrinte i pikëlluar pa ditur ç’të bënte. Atëherë i pari i qytetit, Karemoni, që ishte i zgjuar për të bërë të këqija, e ngushëlloi duke i thënë:
“Unë, mbreti im, do të të çliroj nga mundimet. Do ta bëj Lefterin, ose të zbatojë urdhrin tënd, ose të zhduket!”
Dhe dha urdhër e sollën një kazan shumë të madh që kishte brenda hekura si gozhdë. Ndezën zjarr dhe u përgatitën të hidhnin shenjtin.
I pari i qytetit e njihte besimin e Krishtit nga Filiqi, por meqenëse ishte mik i mbretit, për lavdinë njerëzore nuk mund ta linte fenë e idhujve.
Shenjti lutej tek Zoti të ndriçonte ndjekësit e tij dhe t’u jepte shpëtimin e shpirtit. Dhe thoshte: “Të falenderoj, o Zot Jesu Krisht, që më forcove dhe më bëre të denjë të marr kaq shumë të mira, që të pësoj kaq shumë për emrin Tënd të shenjtë.
Shpëtoje dhe shpirtin tim tani nga duart e armiqve që të mësojnë se Ti je i vetmi Zot. Bëji të denjë ata të urrejnë idhujt dhe të vijnë tek e vërteta!”
Zoti e dëgjoi lutjen e shenjtit dhe ndriçoi qeveritarin. Dhe si të mos ishte ai që përgatiti dënimin e martirit, iu afrua mbretit dhe i tha: “Ç’të keqe ka bërë i miri Lefter që ti vendose një vdekje të tillë për të?”
Mbreti i mbushur me habi i tha: “Unë të nderova më shumë se çdo arhond tjetër dhe të bëra qeveritar. Të fala dhe shumë pasuri dhe ti përsëri je paredashës dhe more para nga Lefteri dhe prandaj e përkrah. Më thuaj të të jap unë dhe të tjera…”
Karemoni u ndriçua nga Shpirti i Shenjtë dhe tha: “Nderi le të jetë i atij dhe paratë që të çojnë në ferr, le t’i djegë zjarri. Me dashjen tënde bëhesh i verbër dhe nuk shikon dobësinë e perëndive të tu, që nuk mund të shpëtojnë asnjë, ashtu si Krishti shpëtoi shumë herë shërbëtorët e vet…!”
Perandori u bë egërsirë nga inati dhe dha urdhër ta hidhnin qeveritarin në kazanin, të cilin e kishte përgatitur vetë.
Sa e pa zjarrin, Karemoni i tha shenjtit: “Lutju, o shenjt, Zotit të vërtetë për mua dhe më jep fuqi siç i dhe fuqi komandantit të ushtrisë së Filiqit.”
Hyri në kazan dhe me ndihmën e Perëndisë ngeli i padëmtuar dhe falenderonte Zotin. Atëherë mbreti dha urdhër dhe i prenë kokën.
.

Në zjarr, në burg dhe tortura të reja

Pastaj e hodhën shenjtin në zjarr, por menjëherë zjarri u shua dhe hekurat u përthyen mbrapsh nga ana e tyre.
Ata që ndodheshin atje, duke parë mrekullinë, thoshin:
“I madh është Perëndia i të krishterëve!”
Tirani mendoi ta linte të vdiste nga uria në burg. Por Perëndia kujdesej dhe i dërgonte për të ngrënë me një pëllumb për sa ditë ishte i burgosur.
Antonini duke parë se nuk po realizonte asgjë, urdhëroi të lidhnin dy kuaj të egër bashkë dhe pas tyre të lidhnin shenjtin, që ta lëviznin mbi gurë dhe shkëmbinj me vrull për ta vrarë.
Por ishte i kotë dhe ky plan, sepse Zoti nuk hezitoi të dërgonte ndihmën e tij një engjëll i Zotit qw erdhi dhe i bëri të butë kuajt e egër. E liroi shenjtin nga prangat, e vuri tek dërrasat që tërhiqnin kuajt dhe e çoi në një mal që ishte atje afër.
Aty u bë një tjetër mrekulli. Në kohën kur shenjti himnonte Perëndinë, u mblodhën arinj, luanë dhe kafshë të tjera të egra të malit që e rrethuan shenjtin.
Për këto, perandori u informua nga disa gjuetarë. Dërgoi, pra, ushtarë që t’i sillnin Lefterin. Egërsirat sapo i panë iu sulën dhe do t’i bënin copa, nëse shenjti nuk do t’i urdhëronte të iknin në shpellat e tyre.
Pastaj ndoqi ushtarët dhe gjithë rrugës i predikonte dhe i mësonte të ktheheshin tek besimi i drejtë. Atëherë, shumë nga ushtarët besuan.
.

Tek luanët. Prerja e kokës së shenjtit

Kur arritën në Romë, mbreti bëri festë, që të mblidheshin shumë njerwz e të shikonin vdekjen e shenjtit.
Urdhëroi dhe e hodhën martirin tek egërsirat. Por gjërat nuk erdhën siç i llogariste tirani. Një luaneshë e egër që lanë, u turr mbi të, por sa iu afrua, uli kokën dhe i lëpiu këmbët.
Perandori kujtoi se nga që kafsha ishte femër, nuk kishte fuqi të sulmonte dhe dha urdhër të sillnin një luan mashkull të egër. Por dhe ajo kafshë e egër u bë më e butë se femra. E puthte dhe e përqafonte shenjtin. I demoralizuar, tirani dha urdhër t’i prisnin kokën martirit, meqenëse nuk gjente mënyrë tjetër që ta vriste.
Kështu e dorëzoi tek Zoti shpirtin e tij të shenjtë, Shën Lefteri. Nëna e tij, Anthia, përqafoi trupin e birit të saj dhe e lumturonte, sepse pësoi kaq shumë për Zotin. Atëherë xhelatët e vranë pa mëshirë dhe atë. Sa besimtarë u gjendën aty nga Vlora, morën trupat e shenjtë dhe i varrosën me nderime.
Kjo është jeta dhe martirizimi i hieromartirit Lefter, që Kisha e kremton më 15 dhjetor.
.
Marre nga https://www.forumishqiptar.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.