back to top
8.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

“Fabula rasa” – personazhi pa rrëfim – nga Arbër Ahmetaj

Gazeta

Agron Tufa & Arber Ahmetaj
Agron Tufa & Arber Ahmetaj

“Fabula rasa” – personazhi pa rrëfim

nga Arbër Ahmetaj

Vjen një moment në roman kur rrëfyesit i ronitet nëpër duar edhe shpresa e fundit për të pasur një histori për ta rrëfyer, për t’u mbajtur diku, për t’ia dalë disi mes asaj përmbysjeje të kuptimeve dhe vlerave, atij çrregullimi dhe deformimi të përgjithshëm të raporteve: Tash më mbetet historia e fshirë (…) dhe sfondi i saj i zi: gjithsej-Fabula rasa. Një fillim i tillë i këtij reflektimi mbi romanin e Agron Tufës duket shkurajues, pasi, edhe në faqet që pasojnë, personazhin e pushton boshi, moment që për burrin quhet ora e ligë. Por çfarë ka ndodhur më parë? Pse është shkruar ky roman?
Fabula rasa është roman i shkëlqimeve të errëta të psikikës, jo si fenomen degradimi intransec, por si rezultante e një pafundësie ndodhish e personazhesh, fatesh njerëzore: është një përthyerje romanore e një realiteti të shumëfishtë, që mund të përmblidhet në pamundësinë poshtëruese për t’u realizuar si njeri në një shoqëri së cilës i merret fryma nga mungesa e lirisë. Bima e vetme që rritet në këtë serë, është intriga dhe ligësia ndaj tjetrit. Çdo syth ndjesie njerëzore që i ngjan shpresës, dinjitetit, dashurisë, besimit, përsosjes, është i destinuar të përfundojë si pleh në rrënjët e tjetrës. Rrjedhimisht, libri do të përbënte një tekst letrar të rëndë, një revoltë apo traktat filozofik ndaj së keqes, duke e mbajtur lexuesin larg, në atë hezitim të njohur që ofrojnë librat e Franc Kafkës e të ndonjë monumenti tjetër të ngjashëm.
Agron Tufa e ka shpëtuar romanin e tij nga ky siklet falë spontanitetit dhe mjeshtërisë së rrëfimit po aq sa dhe sinqeritetit të pashoq të personazheve të veta. Të gjithë personazhet e këtij romani janë të vizatuara me përkujdesje mjeshtri, disave autori u shkon aq imtë në detaje, sa nganjëherë kemi përshtypjen që ua ndjejmë gjatë leximit edhe erën e djersës apo njelmësinë e lotëve. Disa të tjerë, ai i shpërndan qiellit të tekstit për të feksur aty këtu me dritën ose errtinë e tyre.
"Fabula Rasa" - roman nga Agron Tufa
“Fabula Rasa” – roman nga Agron Tufa

.

Në krye të librit ndodh një gjëmë e panevojshme: një grua mbytet në ujë për një arsye idiote. Një burrë niset me hekura për në burg, dy të rinj Edipi dhe Martini enden kodrave të fshatit, duke e këqyrur si dy hetues të një galaksie tjetër atë çfarë ndodh me banorët dhe me jetën e tyre. Ata bëhen dëshmitarë dhe aktorë të ngjarjeve nga më qesharaket deri te më poshtërueset e tragjiket. Brejtjet e shurdhëta të ndërgjegjes, të drurit të shtratit, të vetë rrjedhës normale të jetës, përbëjnë linjë të plotë në roman, duke zbuluar brishtësinë e njeriut, pazotësinë e tij për t’i bërë ballë me njëfarëlloj dinjiteti këtij kori të pashpirt brejtjesh, zgavrimesh, rrënimi të brendshëm, që çojnë në atë orën e ligë, në bosh. Ajo që e bën edhe më të rrëpirët këtë rrëshqitje është gjetja stilistike e shpirtëzimit të objekteve, sendeve (si disa doreza dyersh e perde dushi në filmat e Hitchkok), sjellja e dramës së tyre, shndërrimi i tyre në “personazhe” të krahakrahtë me njerëzit, ndonjëherë në një hierarki të ftohtë me ta, duke i transmetuar lexuesit një akullimë drithëruese gjatë leximit. (Tavolina e punës mu si një lopë, cingërima e pështirë e ziles së sahatit në dhomën e prindërve, tjegullat mbi pullazin e shtëpisë së Lilitës, deri edhe kodrinat, gurët, barishtet e ujërat e kanalit marrin pjesë aktivisht). Me që përmendëm Lilitën, ajo është personazh nyje i romanit. Pa ndonjë befasi të madhe, ajo është e bukur: them pa ndonjë befasi, pasi ajo është e re, në fund të fundit është mishërim i hijeshisë dhe shpresës për dashuri, jo thjesht si agresion hormonal i moshës, por si shpresë për t’i mbijetuar përmes dashurisë gjithë atij sulmi të së keqes. “Ah sikur të më dashuronte Lilita! Ajo duhet të më dashurojë. Dashuria e Lilitës është sekreti i shpëtimit tim!(…) O engjëj, tregomani udhën e sigurt që më çon tek Lilita!”. Kështu, romani sjell herë pas here faqe të mrekullueshme të një lirizmi e pastërtie ndjesore, sa të duket sikur kanë rrëshqitur gabimisht nga ndonjë libër tjetër.
E arrijmë kështu te struktura: romani është fort i pangjashëm me prozën klasike. Gruaja që mbytet në ujë rishfaqet si varr nga fundi, historia e vjetër e një familjeje pikon aty-këtu si nevojë për t’i dhënë ngjyrë e kuptim asaj që po ndodh në roman, asgjë s’i lihet rastësisë. Edhe disa shënime “të mençura” gjenden në fletore katrore. E kemi edhe një sheshpushim me disa poezi, për të cilat kemi pak informacion, por që në vetvete na përcjellin në një hapësirë tjetër të romanit, “…ndërhyrja e ngjarjeve të papritura, rastësive, kapriçove të panumërta: ato ishin armiku i historisë sime”, thuhet diku, duke paralajmëruar shpërbërjen e rrëfimit, si afrim me shumësin e rrëfimeve, që t’kujton letërsinë e Xhojsit.
E nëse “boshi(…) është pikëllimi i Zotit për krijesën e papërsosur”, pikëllimi i atyre që nuk e lexojnë ketë roman do të jetë i përsosur.
26/12/2020
 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.